Mega-qytetet po e ndryshojnë botën! Tendenca drejt shtrirjes - TopicsExpress



          

Mega-qytetet po e ndryshojnë botën! Tendenca drejt shtrirjes dhe shndërrimit të qyteteve të mëdha në rajone gjigante ose në mega-qytete është gjithnjë e në rritje dhe pritet që kjo tendencë të ketë një ndikim shumë të madh edhe në popullsinë e këtyre vendeve gjatë 50 viteve të ardhshme. Megaqytetet në botë po shndërrohen dita-ditës në megarajone, të cilat janë shtrirë mbi qindra kilometra katrorë dhe vazhdojnë çdo ditë të “gëlltisin” hapësirat përreth. Tashmë në to jetojnë rreth 100 milionë persona dhe kjo tendencë është vazhdimisht në rritje. Demografët e konsiderojnë këtë fenomen “qyteti i pafund” dhe bëhet fjalë për një fenomen që do të jetë shumë vendimtar në zhvillimet demografike të së ardhmes së afërt, pra të 50 viteve të ardhshme. Por ndërkohë është një ndryshim që bart me vete edhe probleme jo të vogla për sa i përket mënyrës së jetesës dhe funksionimit të ekonomisë. Së fundi, një agjenci e posaçme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara ka publikuar një raport në lidhje me përmasat që ka marrë një fenomen i tillë. Në këtë raport thuhet se ky fenomen ka arritur kulmin e tij në Kinë, në të ashtuquajturin rajoni Hong-Kong-Shenhzen-Guangzhou. Në këtë tërësi qytetesh, që janë bërë bashkë nga shtimi i lidhjeve ekonomike dhe urbane, jetojnë aktualisht 120 milionë banorë dhe kjo hapësirë sa vjen e po unifikohet, duke krijuar edhe struktura qeverisëse të përbashkëta. Zona të tjera me përmasa dhe tendenca të tilla ka në Japoni, Brazil e madje edhe në Afrikën Perëndimore, apo gjetkë. Tendenca në fjalë ka ndihmuar shumë në arritjen e një rekordi të ri demokratik që u shënua një vit më parë. Bëhet fjalë për njerëzit që jetojnë në qytet, të cilët zyrtarisht janë më të shumtë në numër se ata që jetojnë në zonat rurale. Sipas raportit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, bëhet fjalë për një tendencë gjithnjë e në rritje e që nuk do të ketë kthim pas. “Aktualisht më shumë se gjysma e popullsisë së botës jeton në qytet, por në vitin 2015 në zonat urbane parashikohet që të jetojë 70% e popullsisë së planetit. Në atë kohë, vetëm 14% e njerëzve në vendet e pasura do të jetojnë në zonat rurale, ndërsa në vendet e varfra kjo shifër është 33%. Migracioni nga fshatrat në qytete ka ndikimin e vet në ekonominë e zonave rurale. Pjesa më e madhe e të ardhurave të banorëve të zonave rurale vjen nga personat e zhvendosur në zonat urbane, të cilët u dërgojnë para familjarëve të mbetur në fshat për të siguruar jetesën, duke qenë se fshati gjithnjë e më shumë po varfërohet. Qytete të tilla të mëdha si Los Anxhelosi janë shtuar në numër në masën 45% gjatë viteve 1875-1990, por e kanë trefishuar sipërfaqen e tyre brenda së njëjtës periudhë kohore trefish. Një tendencë e tillë po shfaqet dukshëm në vendet në zhvillim. Por shtrirja urbane ka edhe aspektin e saj negativ. Sipas disave, ajo është simptomë e një qyteti të ndarë dhe disfunksional. Ky fenomen sjell një kosto më të madhe për sa i përket transportit, konsumit të energjisë dhe kërkon më shumë burime, duke shkaktuar njëherazi humbje të tokave të bukës, të cilat shndërrohen në lagje të banuara e të betonuara. Sa më të shtrirë që të bëhen qytetet, aq më i madh është rreziku i rritjes së pabarazive mes banorëve të rinj dhe si pasojë kjo do të gjenerojë tensione sociale e politike. Ndër qytetet ku ka më shumë barazi të nivelit ekonomik, edhe pse në këtë rast bëhet fjalë për barazi mes të varfërve, janë Daka në Bangladesh. Për sa i përket Nju Jorkut në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ai është një nga qytetet më të ekuilibruar për shkaqe nga më të ndryshmet, që fillojnë me racën e përfundojnë me pasurinë. Ndërsa Çikagoja dhe Uashingtoni janë më të ekuilibruara. Margjinalizimi dhe segregacioni i grupeve të caktuara në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka shkaktuar ngritjen e qyteteve brenda qytetit. Kjo ndodh edhe për zona të tjera të mëdha urbane. Megjithatë, për studiuesit e demografisë kjo lloj tendence është pozitive, duke qenë se do të ndihmojë në përzierjen e racave dhe etnive, duke e bërë më të pranueshme ndryshueshmërinë mes njerëzve. Aida Marku Fakulteti i Shkencave të Edukimit
Posted on: Thu, 17 Oct 2013 12:11:05 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015