Merkato shumë aktive në Serinë A, por ndryshe nga vitet e - TopicsExpress



          

Merkato shumë aktive në Serinë A, por ndryshe nga vitet e kaluara, përveç shitjeve të bujshme, prurjet kanë qenë po aq cilësore. Sigurisht që “mbreti” mund të cilësohet Napoli, që ka “importuar” futbollistë nga Reali i Madridit, mes të cilëve Higuain. Mario Gomez braktisi Bajernin për Fiorentinën, Kaka u rivesh si “djall”, ndërsa Karlos Tevez “pasuroi” sulmin e Juventusit. Përforcime luksi që kanë shtuar listën e pretendentëve për titullin kampion dhe, mbi të gjitha, kanë rritur nivelin “artistik” sa i përket bukurisë që pritet të dhurojë futbolli i luajtur… Napoli 8 – Largimi i Kavanit nuk është dramë. De Laurentis ka formuar një ekip akoma më të bukur dhe produktiv, me një trajner me më shumë eksperiencë. Janë “mbretërit” e merkatos në Itali, pasi ia dolën të afrojnë futbollistë luksi si Higuain, Kalehon, Albiol, Reina, që kanë luajtur në nivele maksimale. Juventus 7.5 – Blerja e Tevez është “xholi” që i mungonte kartave të Kontes. Një nga blerjet më të goditura të Europës, e cila rrit ndjeshëm vlerësimin e merkatos bardhezi. Jorente dhe Ogbona janë si ëmbëlsira pas ushqimit. Milan 7 – U duk si një merkato “e përgjumur”, deri kur Galiani u hodh në sulm. Forca e Matrit, magjia e Kakasë dhe freskia e Polit mjaftojnë për t’i rikthyer skuadrës së Alegrit hijeshinë e pretendentit për titull kampion, çka i mungoi edicionin e kaluar. Fiorentina 7 – Xhuzepe Rosi u ble në janar, por u “fitua” në verë. Gomezi ishte përforcimi i përkryer për t’i dhuruar egërsi dhe eksperiencë sulmit vjollcë. Hoakin e Iliçiç janë rezervat e luksit. Edhe pse iku Jovetiç apo Ljajiç, vështirë se mungesa e tyre do të ndihet. Roma 7 – Kanë përfituar 93 milionë euro nga shitjet dhe kanë shpenzuar 60.6, por gjithsesi kanë formuar një ekip tepër konkurrues. Strotman, Maikon, Benatia, De Sanktis dhe Zhervinjo janë një kombinim mes eksperiencës, klasit dhe shpejtësisë, që pritet t’i japë skuadrës së Rudi Garsias ecurinë konstante që nuk ka pasur për shumë kohë. Inter 6.5 – Mungojnë emrat e mëdhenj, por projekti i Maxarrit sapo ka nisur dhe po funksionon. Futbollistë si Ikardi, Belfodil apo Taider janë të rinj, por mjaftueshëm të talentuar për të garantuar suksese për zikaltrit. Parma 6.5 – Lëvizje tejet të zgjuara dhe cilësore, duke afruar futbollistë si Kasano, Gargano, Obi apo Felipe. Mjaftueshëm për ta renditur mes skuadrave që nuk do e rrezikojnë rënien nga kategoria. Sampdoria 6 – Gabiadini dhe Bjarnason pritet t’i dhurojnë skuadrës së tyre statusin e “surprizës” në edicionin e ri. Xhenoa 6 – Si gjithnjë shumë aktive dhe revolucion i gjerë për formacionin. Gjithsesi, blerje si Xhilardino, Lodi, Kofie apo Centurion janë mjaft të goditura, duke u bazuar edhe te vlerat e transferimit. Lacio 5.5 – U përfolën shumë emra prestigjiozë në listën e Tares, gjithsesi kanë ardhur futbollistë që do luftojnë për formacionin, por jo titullarë të padiskutueshëm. Futbollistë si Anderson, Bilia apo Berisha janë investime tepër të zgjuara për të ardhmen. Të tjerat – Shumë lëvizje, por jo aq sa për të tërhequr vëmendjen për ndonjë goditje bombastike. Verona arriti të sigurojë eksperiencën e Luka Tonit, Sasusolo huazoi emra si Zaza apo Marrone, ndërsa Torino goditi me shpejtësinë e El Kadurit apo Imobiles. Ndërkohë, “blerjet” e Kaljarit ishin qëndrimi i yjeve si Naigolan apo Astori.
Posted on: Wed, 04 Sep 2013 21:22:33 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015