MesazhTitulli: Historia e Skenderbeut Sat Jan 12, 2008 4:17 am - TopicsExpress



          

MesazhTitulli: Historia e Skenderbeut Sat Jan 12, 2008 4:17 am Historia e Skenderbeut Gjergj Kastrioti ishte djali më i vogël i Gjon Kastriotit dhe i princeshës malazeze Vojsava, fëmija i fundit midis 4 djemve dhe 5 vajzave. Mendohet se lindi më 6 maj 1405, u morr peng nga pushtuesit turq që në moshë të mitur dhe u dërgua në oborrin e sulltanit në Adrianopojë. Atje, zgjuarsia dhe shkathtësia e çuan Gjergjin në shkollën e sulltanit (icogllanëve) që përgatiste komandantë e nënpunës. Natyra i kishte dhënë dhunti mendore e fizike. Atje mori emrin Iskender (Aleksandër). Pas mbarimit të shkollës, Gjergj Kastrioti (Skënderi) kreu detyra ushtarake në Ballkan e në Azinë e Vogël, duke u dalluar për trimëri dhe për këtë arsye iu dha titulli bej. Ai nuk e harroi kurrë Atdheun e tij të dashur dhe priste me padurim rastin të kthehej në tokën që e lindi. Për mëse 12 vjet (1426-1438) ishte në Shqipëri. Me vdekjen e të atit, ai shpresonte ti zinte vendin, por në fakt sulltani e emëroi sanxhakbej jashtë tokave shqiptare. Megjithatë Skënderbeu nuk hoqi dorë nga ideja për tu kthyer përfundimisht në Shqipëri, deri në vitin kur ai u nis kundër Janosh Huniadit nën komandën e bejlerbeut të Rumelisë. Më 3 nëntor 1443 në afërsi të Nishit, u ndeshën dy ushtritë. Ushtria osmane u shpartallua dhe u tërhoq në panik. Skënderbeu filloi të zbatonte planin e kryengritjes, së bashku me 300 kalorës shqiptarë e me të nipin Hamza Kastrioti, u kthye në Dibër, ku populli e priti si çlirimtar. Mori masa për përforcimin e rrugëve nga mund të vinin osmanët, dhe prej andej iu drejtua Krujës. Me një ferman të rremë shtiu në dorë qytetin e garnizonin dhe kështu më 28 nëntor 1443 u shpall rimëkembja e principatës së Kastriotëve. Mbi kështjellën e Krujës u ngrit flamuri me shkabën e zezë dykrenare. Fjalimi i Skënderbeut nxiti frymën atdhedashëse. Kryengritja çlirimtare u bë e përgjithshme. Gjatë dhjetorit, Shqipëria e Mesme dhe e Veriut u spastruan nga forcat osmane, u çliruan njëra pas tjetrës kështjellat e kësaj zone. Skënderbeu ishte organizatori i Kuvendit të Arbërit, në të cilin u zgjodh si prijës i Lidhjes Shqiptare të Lezhës. Në janar të vitit 1468 Skënderbeu u sëmur gjatë zhvillimit të një Kuvendi të thirrur nga ai, në të cilin ishin të ftuar të gjithë princat shqiptarë. Vdiq me 17 Janar 1468 në Lezhë. I mbuluar me lavdi, ai u varros në Lezhë. Shqiptarët humbën prijësin e lavdishëm që i udhëhoqi për 25 vjet rrjesht. E shoqja me të birin emigruan, sikurse edhe një pjesë e parisë shqiptare, për në Itali. [redaktoni] Debat rreth prejardhjes dhe vendlindjes së Gjergj Kastrioti Skënderbeu Tek Sheshi Skënderbeu në TiranëFatos Daci mendon se Gjergj Kastrioti u lind në Dibër, më 6 maj 1405. Ai argumenton kështu në një artikull në gazetën Shekulli, të datës 22 korrik 2006. Debatit interesant në Kontaktin e Shekullit, unë i bashkangjis këto fakte në mbështetje të tezës se Skënderbeu është nga Dibra.... Është fakt historik se Skënderbeu u kthye në Shqipëri nga Beteja e Nishit, më 3 nëntor 1443 dhe me 10 nëntor 1443 mbërriti në Dibër.... Ja si e shpjegon Marin Barleti ardhjen e Skënderbeut nga Nishi: “dhe në fshehtësinë më të madhe (pasi braktisi fushëbetejën e Nishit, më 3 nëntor 1443) në të shtatën ditë arriti në Dibër”, se “atë vend e njihte dhe e donte shumë Skënderbeu, për besnikëritë dhe trimëritë e shumta dhe të shënuara që banorët kishin treguar për hir të mbretërisë së t’et, Gjonit, kur atij i binte në qafë otomani”, prandaj “pothuaj e gjithë rinia, sikur të mos kujdesej për gjë tjetër, i kishte rrëmbyer armët dhe po i shkonte pas Skënderbeut dhe e quajtën shpëtimtar të tyre”. Sipas këtij burimi, Gjoni kishte jetuar dhe kishte luftuar së bashku me dibranët dhe jo me të tjerë. Fjalori Enciklopedik Shqiptar, botim i Akademisë së Shkencave të RPSSH, veçmas Aleks Buda: “Më vonë (Kastriotët e Hasit – F.D.) i shtrinë zotërimet drejt Jugut, ku Pal Kastrioti, gjyshi i Skënderbeut, zotëronte fshatrat Sinë dhe Gardhi i Poshtëm dhe mandej dy Dibrat”. Pra, në këtë kohë Mati nuk ishte zotërim i tyre, se Mati është bërë vonë pjesë e principatës së Kastriotëve... Gjon Muzaka, mik dhe bashkëluftëtar i Skënderbeut, në kujtimet e tij, shpjegon bindshëm se Gjon Kastrioti kishte pasur zotërime të tij vetëm Sinën dhe Gardhin dhe se aty e askund tjetër, lindi Skënderbeu: “Ta dini, se zoti i gjyshit Skënderbej quhej Pal Kastrioti, i cili nuk kishte zotërime të tjera veç Sinës e Gardhin dhe prej tij lindi Gjon Kastrioti dhe prej tij, zoti Skënderbej”. Edhe Haki Stërmilli, për historinë e Kastriotëve rreshton gjithë ato argumente bindëse, përse Skënderbeu ishte dibran: Kristo Frashëri: “Në vitet e para të shekullit XV”: “Duket, se familja e Gjon Kastriotit banonte herë në Kastriot e herë në Sinë”, pra në periferi të Peshkopisë së sotme. Përsëri, humanisti shkodran, Marin Barleti, thotë se: jo vetëm Skënderbeu, kur u kthye nga Nishi, në Dibër, i njihte dibranët, por edhe dibranët e njihnin Skënderbeun. Prandaj ai u kthye në Dibër pa luftë, si në shtëpinë e tij dhe qysh të nesërmen, në mëngjes, ai u shoqërua nga qindra dibranë për të marrë me dredhi Krujën”. Haziz Ndreu, studiuesi dhe mbrojtësi fanatik i idesë, se Skënderbeu pa asnjë dyshim është dibran, në librin e tij Dibra në udhën e historisë, shkruan: “I ati i Gjergjit, Gjon Kastrioti, doli më vonë nga Sina dhe u vendos në Kastriot, ku i kishte mundësitë për tu zgjeruar më shumë me zotërimet e tij. Në krye të fushës së Kastriotit, ndërtoi kullën që përmendëm më sipër. Si më i aftë, Gjoni filloi menjëherë të fusë në dorë tokat përreth, të zgjerojë pronat e tij, ndërsa familjen vazhdonte ta mbante në Sinë. Më vonë, ashtu siç thuhet edhe në histori, ai e shtriu sundimin e tij në krahinën e Dibrës, pastaj edhe në atë të Matit”. Studiuesi Rakip Sinani: “Princi, Gjon Kastrioti, kishte shtëpi banimi në Sinë, kullë në Kastriot dhe vendbanim në kështjellën e Varoshit, të Gurit të Bardhë dhe në Krujë”. Flamur Hadri, Prishtinë: “Pikërisht, në lagjen Shërgjerth të fshatit Sinë, lindi më 1405 Gjergj Kastrioti Skënderbeu, i cili sipas traditës popullore, u rrit në lagjen Çeliasë të fshatit Kastriot”. Po, kur është shfaqur vendbanimi qytet-kalaja KASTRIOT në Dibër? Të gjithë të tjerët e dinë, që Kastrioti ekziston (në dokumente) që nga shekulli XIII. Fjalori Enciklopedik Shqiptar (botim i Akademisë së Shkencave të Republikës Shqipërisë, viti 1985, thotë në mënyrë të prerë, se Kastrioti “në shekullin XIII ishte pronë e Kastriotëve” (zëri “Kastrioti”, fq. 460). Kastriotët u quajtën Kastriotë dhe nuk u quajtën as matjanë, as shtjefnarë. Gjon Kastrioti, thirrej Gjon Dibrani (dhe nuk thirrej në asnjë rast Gjon Matjani a Gjon Mazrek Hasjani. Prof. Kristo Frashëri, dëshmon se Gjon Kastrioti thirrej Gjon Dibrani, kur shkruan se: “bashkëkohësi i Heroit, R.Volaterrano, e quan të jatin e Skënderbeut, Gjon Dibra ose Gjon Dibrani”. (Flamur Hadri-Prishtinë: “Historia Shqiptare mbi personalitetin e Skënderbeut”, Studime Historike nr.1, fq.126) Kastriotët janë të pranishëm në Dibër, gjegjësisht në Sinë, që më përpara vitit 1467 dhe këtu gjenden të paktën 8 breza, në një hark kohor prej 250 vjetësh… Gjithashtu, Hahn në librin “Udhëtim nëpër viset e Drinit e të Vardarit”, në faqen 53, paragrafi I, rreshtat 18,19 e 20, shkruan: “...gjyshi i Skënderbeut, nga ana e familjes së tij, zotëronte në Mat, vetëm dy fshatra, të cilat quheshin Sinja dhe Gardhi i Poshtëm (Gardi Poschtere)”. Si i pari dhe i dyti, thonë ekzaktësisht fshatrat që zotëronin Kastriotët, por gabojnë kur përcaktojnë vendin se ku ndodhen vërtet ata. Ja dhe një argument tjetër, ku toponomastika vërteton lidhjet e Kastriotëve me Dibrën: Fshati Kastriot ndodhet 8 km në verilindje të qytetit të Peshkopisë. Ndërsa qytet-kalaja e Kastriotit, ndodhet në verilindje të Fushës së Kastriotit, në dy anët e përroit e deri ku mbaron lugina, te mëhalla e Përgjegjit të sotëm dhe kishte dy mëhallë: Çeliasë në të djathtë e tjetra në të majtë, ku edhe sot ka themele muresh që quhen “Nures e Troja” (Haziz Ndreu: Dibra në udhën e historisë, fq. 10). Këtu gjendet edhe vendi që vendësit e thërrasin asaj dite e sot, “Kulla e Gjonit”. Rreth 20 metra më larg, gjendet një arë rreth tri dynym tokë, që quhet “Ograja e Gjonit”. Ngjitur me kullën, në anën veriperëndimore, është “Kopshti i Gjonit”. Në mes të tij, është “Pusi i Gjonit”. Ndërsa, rreth 400 metra më larg, është kisha e Kastriotit. (Haziz Ndreu: po aty). Karshi Kastriotit, në të majtë të Drinit, rreth 6 km, ndodhet sot Sina e Poshtme dhe 2 km më larg, katundi Sinë e Sipërme. Në Jug të dy Sinave, jo më larg se 4 km prej tyre, përmenden vendet Gardhi i Poshtëm dhe Gardhi i Epërm, ndërsa 6 km në veri të tyre, ndodhet Çidhna e Poshtme. Këto i ndan Lumi i Setës. Në mes të Çidhnës dhe dy Sinave, jo më shumë se 5 km në mes të Runjës, Gur-Lurës dhe Majës së Pllajës së Sinës, mes grykash e thepinash, ngrihet një shkëmb, i padukshëm nga larg, ku ndodhet Kalaja e Çidhnës. Kjo lidhej me Stelushin, me një rrugë të fshehtë. Rreth kalasë ndodhet Kroi i Skënderbeut, Kodra e Topit etj. (H. Ndreu - i cituar më parë, fq.10-11) A ka ndokund tjetër brenda kufijve etnikë, një ansambël më të përkryer toponimastik sesa ky; gjithçka brenda një trekëndëshi me brinjë jo më të mëdha se 5 km, ku të jenë gërshetuar organikisht vendqëndresat luftarake, vendndejtjet; kopshti, ara, kroi, pusi, kisha, kalaja dhe të gjitha të lidhura me emrin e Skënderbeut dhe të Kastriotëve. Gjergj Kastrioti, ka lindur në Kastriot, në kullën e Gjonit. Dhe, për mua, Gjergj Kastrioti ka lindur më 6 maj 1405, atë ditë që shumë treva shqiptare, ndër to, aq më shumë malësi si Lura, Çidhna e Malet e Dibrës, e festojnë si Ditën e Shëngjergjit. Madje, Lura e quan edhe Shëngjergjin e Skënderbeut. Unë shpreh habi, sesi deri më sot asnjë studiues, vendas apo i huaj, ndërsa kanë bërë lloj-lloj sajesash për bashkëngjitje, apo shqitje fjalësh, madje disa herë dhe të çuditshme dhe të papranueshme, kurrë nuk kanë thënë se Shëngjergji është Festa e Gëzimit të Madh, e lindjes së Gjergj Kastriotit. Shumëkush Shëngjergjin e lidh me një festë me origjinë fetare, duke thënë se Shëngjergji qenka festa e një shënjti të krishterë. Jo. Po të analizosh vetëm ritet që zbatohen ndër shekuj për këtë festë, arrin në konkluzionin që Dita e Shëngjergjit nuk ka karakter fetar. Gjatë kësaj dite, askund, në xhami apo në kishë, nuk zhvillohen rite e ceremoni fetare, siç ndodh në ditë të shënuara fetare të tjera si, Ditën e Bajramit, të Krishtlindjeve apo të Pashkëve. Zakonisht, në këtë ditë të shënuar bëhen vetëm lojëra të ndryshme popullore, që në ndonjë krahinë si, në Kala të Dodës, kjo lojë zhvillohet në formë beteje ushtarake, kur djemtë e një fshati u bëjnë karshillëk djemve të një fshati tjetër dhe ndeshen me gurë, të cilët i hedhin larg me bahe të bëra prej tyre me penj (eshte perdor fjal fyese). Në ditën e Shëngjergjit, njerëzit ngrihen më herët se ditët e tjera, ndezin zjarre të mëdha (mënyra këto tradicionale të shprehjes së gëzimit, sepse asokohe njerëzit nuk kishin as pushkë e as top, nuk kishin as fishekzjarre). Në Ditën e Shëngjergjit, tundin qumështin më të parë dhe sa më herët, etj. Gjithashtu, Dita e Shëngjergjit nuk koincidon me asnjë riciklim natyror, siç ndodh me Ditën e Verës, me Ditën e Sulltan Novruzit apo të Shëmitrit, etj. Pra, ky Shëngjergji ynë, nuk është as Shëngjergj fetar e as Shëngjergj natyror. Atëherë, me siguri, mbetet ditë e shënuar e për një figurë të madhe, siç është Skënderbeu. Mbrapsht në krye Shko poshtë
Posted on: Fri, 08 Nov 2013 22:47:48 +0000

Trending Topics



! Check out our 4th and FINAL webisode to
Good day today. Beautiful NY weather. Got some revisions done on

Recently Viewed Topics




© 2015