Ministritë, 6 milionë euro më pak buxhet Foto: - TopicsExpress



          

Ministritë, 6 milionë euro më pak buxhet Foto: Laura Hasani Institucioneve të rëndësishme të Kosovës u janë zvogëluar buxhetet, e në anën tjetër disa të tjerave u janë shtuar me një vendim të Qeverisë së Kosovës. Janë larguar edhe mjete nga programet e dedikuara për mbështetjen e ndërmarrjeve të vogla e të mesme, për përkrahjen e projekteve për rini, po ashtu edhe mjete nga ministri të ndryshme, si ato për arsim, forcë dhe siguri, drejtësi, e të tjera, përfshirë edhe largimin e gati 100 mijë eurove nga zyra e Avokatit të Popullit. Bëhet fjalë për gjithsej 5 milionë e 772 mijë euro reduktime buxhetore të këtij viti, vendim ky i marrë nga Ministria e Financave më 18.10.2013. Vendimi tregon se 600 mijë euro janë reduktuar nga buxheti i Ministrisë së Drejtësisë, prej së cilës shumë, 60 mijë janë larguar nga institute për hulumtimin e krimeve të luftës, 16 mijë të tjera nga departamenti për integrime evropiane, 40 mijë nga Zyra për persona të zhdukur dhe mjekësi ligjore, mbi 150 mijë nga programi i shërbimeve korrektuese e disa programe të tjera. Rreth 470 mijë kanë larguar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, të cilat ishin të dedikuara për mbështetjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme. Po ashtu, 225 mijë euro janë larguar nga Ministria e Kulturës, nga kategoria për përkrahjen e rinisë përmes programeve rinore. Nga Ministria e Forcës e Sigurisë së Kosovës janë reduktuar rreth gjysmë milioni euro, para këto që ishin të destinuara për pajisje të ndryshme operacionale. Në reduktime është e përfshirë edhe prokuroria e shtetit në vlerë prej 177 mijë euro, arsimi në shumë prej 150 mijë euro. Nga reduktimi nuk është lënë anash as institucioni i Avokatit të Popullit duke i reduktuar rreth 78 mijë euro. Vlera e përgjithshme e reduktimeve që kap shumën prej 5 milionë e 772 mijë euro, me vendim të Ministrisë së Financave, shpërndahet në organizata tjera buxhetore. Prej tyre 1 milion shkojnë për nën-programin Radiotelevizioni i Kosovës - kategoria ekonomike subvencione dhe transfere. Po ashtu, 600 mijë euro të tjera i merr vetë Ministria e Financave, prej të cilave plot 450 mijë shkojnë në kategorinë për mallra e shërbime, ndërsa 150 mijë të tjera për ndërtimin e ujësjellësit në Vushtrri. Po ashtu, 50 mijë euro shpërndahen për projekte minoritare, 100 mijë për ndërtimin e rrugës Pozharë-Dashinoc në Deçan, 50 mijë të tjera për rregullimin e urës në transit në Pejë, vetëm 32 mijë për bujqësi, kurse pjesa e mbetur rreth 4 milionë euro shkojnë për 9 komuna të Kosovës për: Mitrovicën, Malishevën, Klinën, Skenderajn, Gjilanin, Deçanin, Junikun, Podujevën dhe Prizrenin. Por edhe pse këto para shkojnë për këto komuna, nuk dihet se për çfarë kategorish do të përdoren. Xhevdet Neziraj, anëtar i Komisionit për Buxhet dhe Financa në Kuvendin e Kosovës, kritikon Qeverisë që ka marrë vendime të tilla pa konsultuar Komisionin dhe Kuvendin. Sipas tij, vetëm zyra e kryeministrit mund të marrë vendime krye në vete për buxhetin, pa e pyetur Kuvendin, por assesi nuk bën të marrë vendime të tilla edhe për institucionet tjera. “Kjo nuk është në rregull, sepse sipas ligjit çdo reduktim, alokim apo çfarëdo ndryshimi buxhetor duhet të kalojë përmes Kuvendit”, tha Neziraj. Por, Safete Hadergjonaj, kryetare e Komisionit për Buxhet nga radhët e partisë në pushtet PDK, thotë se në tremujorin e fundit të vitit, Qeveria e ka të drejtën sipas Ligjit për Buxhet që deri në 5 për qind të mjeteve që nuk janë shfrytëzuar gjatë vitit nga ministritë dhe institucionet tjera të merr vendim për t’i hequr nga aty dhe t’i shpërndajë në institucione të tjera. Zyra e kryeministrit shton paratë për mallra e shërbime Përveç vendimit për reduktim dhe shtim të mjeteve buxhetore, Ministria e Financave ka marrë edhe vendim për harmonizime brenda organizatave buxhetore. Në këto harmonizime vërehet se si mijëra euro largohen nga ministritë e ndryshme, si ajo e Drejtësisë, e Punëve të Brendshme, e Financave, e Forcës së Sigurisë, e Mirëqenies Sociale e të tjera, dhe të njëjtat shkojnë për ‘kabinetin e kryeministrit’ për kategorinë mallra e shërbime. Se mallrat e shërbimet janë më me rëndësi vërehet edhe në ministritë e shumta. Rreth 75 mijë euro të ndara për programin e emergjencave në Ministri të Brendshme transferohen në kategorinë për mallra e shërbime në të njëjtin program. Po ashtu, 1 milion e 200 mijë euro për projekte kapitale në po këtë ministri po ashtu transferohen në mallra e shërbime. Po ashtu, edhe 200 mijë euro nga Ministria e Administratës Publike - departamenti i qeverisjes dhe proceseve administrative, transferohen po ashtu në mallra e shërbime të kësaj ministrie, e kështu me radhë. Arbër Morina, këshilltar në Ministri të Arsimit, thotë se Ministria e Arsimit përkrah çdo vendim që vjen nga ajo e Financave. Kurse Hajredin Kuçi, ministër i Drejtësisë, lidhur me vendimet për ministrinë e tij, thotë se ka pasur konsultime dhe se është dakord me to. “Unë investimet kapitale i kam hequr me vullnet që nga koha kur jam emëruar ministër. Nga 2 milionë euro subvencione unë kam hequr dorë dhe vetëm 50 mijë kanë mbetur. Por kam fuqizuar sektorë të tjerë të rendit dhe ligjit dhe suksesin e punës sime e konsideroj edhe në kursimet buxhetore dhe ndihmën nga donatorët që çdo vit ka qenë dyfish më e madhe se buxheti i ministrisë që udhëheq”, është shprehur Kuçi.
Posted on: Sun, 03 Nov 2013 10:51:19 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015