Mision i pamundur – i pamundësuar apo i patentuar…! Dr. - TopicsExpress



          

Mision i pamundur – i pamundësuar apo i patentuar…! Dr. Mirela Oktrova Fillesat e ekzistencës së tregut televiziv shqiptar datohen afro 75 vjet më parë, në ndërtesën e vjetër të bashkisë së Tiranës, në një ceremoni, ku lindjen e fëmijës RTSH kishin ardhur ta kremtonin Mbreti Zog, qeverisjes së të cilit i takon merita e nismës dhe Mbretëresha Geraldinë, njëkohësisht “folësja” e parë e Radio Tiranës, biografisë së të cilës i takon edhe respekti maksimal për institucionin që po lindte, i konkretizuar në jo pak mundim, ushtrim e përpjekje për të mësuar e artikuluar qartë dhe bukur gjuhën shqipe, që shqiptarët do ta dëgjonin përmes mikrofonit. Ekzistenca e nisur fillimisht me zërat dhe kontributet e shquara muzikore të Jorgjie Trujës dhe Marie Krajës dhe “Mirëdita, kjo është Radio Tirana” të Kaliopi Nushit do të konsolidohej dikur në një prani radiofonike 24-orëshe prej tri kanalesh dhe mbi 20 gjuhësh. Prej vitit 1959 oferta e shtuar edhe në figurë – fillimisht si Qendër Eksperimentale Televizive dhe nga viti 1960 në formën e një kanali televiziv të mirëfilltë, e shndërroi RTSH në një pjesëtar të rëndësishëm të shoqërisë shqiptare, i cili për 53 vjet rresht kaloi nëpër të njëjtat sfida dhe provokime, provoi të njëjtat privime dhe aspirata, tronditje dhe liri sa dhe mendja, personaliteti dhe shpirti i mbarë një populli – me vetëm një dallim: fatin e dëshmitarit, të destinuar të dokumentojë tragjedinë e shoqërisë dhe paradoksin e vetvetes. Po si u soll shoqëria me këtë dëshmitar bashkëvuajtës? Fillimisht s’e kuptoi, pastaj e adhuroi, shumë shpejt u mësua ta përdorë, po si të mos mjaftonte kjo, dikur zuri ta zhvatë, më tej ta shesë e ta copëtojë derisa i erdhi radha, që dikur gjithsesi pa harruar ta përdorë, ta denigrojë, ta mohojë dhe jo së fundi të dojë ta asgjësojë. Kjo është klima, në të cilën lindi, me këtë frymë u mëkua dhe zhvillua tregu televiziv shqiptar, ndërgjegjja jonë audio-vizuale si edhe personalitetet e gazetarëve e krijuesve tanë të ekranit në vitet e pseudo-konkurrencës televizive. Po sot? Diskutimi publik për median publike në Shqipëri ka karakter manipulativ. Lufta politike dhe interesat klanore kanë prodhuar një sërë arsyetimesh problematike dhe opsione absurde, si ato që shkojnë deri te mbyllja apo privatizimi i medias publike. Niveli i debatit dëshmon mungesë ndërgjegjësimi për rëndësinë e medias publike për demokracinë e zhvillimin si edhe papërgjegjshmëri ndaj perspektivës së saj, ndërkohë që standardet evropiane e konsiderojnë atë si pasaportë zhvillimi. Serioziteti sporadik degradon shpesh në utilitarizëm, mungesë njohurish, mllef, meskinitet, pasaktësi shkencore. Për faj jo vetëm të politikës – para së gjithash, për faj të profesionistëve të medias. Sepse diskutimit i mungon analiza e thellë e tregut dhe sistemit mediatik shqiptar, ku media publike dhe problemet e saj përbëjnë vetëm një pjesë, ndonëse tepër karakteristike. Adresimi jo thjesht i drejtë, por shkencor i problemeve do të kishte dashur, që fenomeni të vrojtohej në rang areali, se media dhe sidomos ajo publike është tregues i standardeve të gjithë shoqërisë dhe reflekton pashmangshëm problemet e thella të tregut të parregulluar mediatik shqiptar. Si studiuese dhe praktikuese e medias, nuk kam të drejtë të jem as naive dhe as konformiste, ndaj dhe pyes thjesht: Përse nuk thuhet asnjëherë në tryezat e debatit që organizohen , se sa e rëndësishme është, që entet rregullatore të verifikojnë burimet e pasurimit dhe bilancet e bizneseve, që kërkojnë licensa mediatike? Për të gjithë ata që do të tentojnë të kundërvihen, duke tërhequr vëmendjen, se kjo nuk ka të bëjë me median, por me ligjet që rregullojnë marrëdhëniet ekonomike, fiskale apo ato të biznesit, do të sqaroja, se nëse një biznes që i vë paratë e veta duke fshehur të ardhurat, duke mashtruar me çmimet, duke futur mallra kontrabandë ose duke larë para, është sigurisht i rrezikshëm kur kryen aktivitetin e tij, por është dhjetë herë më i rrezikshëm, kur licensën mediatike e përdor si armë për të mbrojtur biznesin, si kërcënim për kapur politikën, shtetin ligjor dhe individët, që tentojnë të shmangin standardet e tij. Licensa mediatike e parave të pahetuara e shndërron krimin në model, ndikon mbi opinionet, krijon simpatizantë dhe jo së fundi, me balancë të pakontrolluar, prish tregun me superpaga dhe superinvestime në teknologji apo në imazh, me paranë e derdhur lumë, pa vrarë mendjen as për rentabilitet apo ekuilibrim të shpenzimit me fitimin, as për parime e interes shoqëror. Përse nuk flet kush për mënyrën arbirare të ndarjes së reklamës dhe mungesën e matjes elektronike të audiencës, e cila ka kohë që thuhet se do të fillojë, po ende vazhdon të eksperimentohet shqiptarisht? Përse vazhdohet ende me matje empirike, rastësore, gjeografikisht të pashpërndara apo manipulative të audiencës, ndërkohë që edhe fëmijët e dinë se tregu nuk mund të rregullohet ndryshe? Nga e dimë ne, sa shihet X apo Y televizion kur sondazhet i shtrijmë deri aty ku nuk na prishet rehati dhe audiencën e masim ashtu siç nuk na rëndohet qesja? Përse nuk adresohet kurrë nga specialistët e medias mizerja e kontratave të punës, punësimi ilegal, shkelja e të drejtave të njeriut, diskriminimi gjinor në tregun mediatik, mungesa e librave të rregulluar të pagave, mungesa e piramidës profesionale mediatike dhe për pasojë arbitrariteti i tejskajshëm në përshkrimin e profesioneve të medias? Përse nuk tematizohet kurrë mënyra e llogaritjes së kostos së sekondës së publicitetit në secilën prej mediave që vënë në dispozicion tarifat përkatëse? Cila prej mediave shqiptare ka ngritur një komision të posaçëm për llogaritjen e kësaj kostoje, duke përfshirë brenda të gjitha shpenzimet, që do të duhej të bënte filluar nga burimet njerëzore, shpenzimet e produksionit, të drejtat e transmetimit, të drejtat e autorit, amortizimin teknologjik e kështu me radhë? Kush u ul ndonjëherë të diskutojë, se cilat janë burimet e hyrjes së teknologjisë në vend, sa përqind e saj është e vjedhur, sa është e autorizuar dhe e licensuar, ku është “kapur” a monopolizuar dhe si duhet organizuar puna, që tregu të rregullohet dhe ligjet e konkurrencës të mos shkelen? Kush u mor ndonjëherë seriozisht në diskutimet e kësaj natyre me blerjen e të drejtave të transmetimit dhe kush vëzhgoi ndonjëherë – përfshi dhe entet rregullatorë – se ç’pjesë e ofertës mediatike përbën vjedhje apo piratim produktesh dhe idesh apo falsifikim kontributesh? Kush i vuri ndonjëherë me shpatulla për muri mediat për nëpërkëmbjen e të drejtave të autorit? Kush ka guxuar ta adresojë ndonjëherë çështjen e orarit të punonjësve të skllavëruar të medias shqiptare, që nuk kanë orar pune dhe vuajnë nga një mori sëmundjesh profesionale? Kur guxoi ndonjëherë inspektoriati i punës, fisku, mbrojtja kundër zjarrit apo shoqatat e gazetarëve të hyjnë për kontroll në ndonjë media pa u konsideruar si shkelës së të drejtës për liri informimi? Sa prej mediave, që i përdorin vendet dhe asetet publike për të shpërndarë sinjalin e tyre paguajnë për këtë dhe nëse jo, a i ka shkuar mendja dikujt të ushtrojë presion, për miratimin më në fund të tarifave, që gjithashtu do të kontribuonin në rregullimin e tregut mediatik shqiptar? Kush është ndalur ndonjëherë seriozisht të monitorojë etikën e komunikimit në media, praninë e dhunës, seksit, banaliteteve dhe modeleve antiedukative, që ajo ofron, duke shtrembëruar përditë modelet e drejta dhe mbistivuar ato të padrejta që ofron familja dhe shkolla? Të gjitha problemet e mësipërme, ndonëse është pjesë krejtësisht karakteristike e tij, media publike nuk i ka. Sigurisht ka 100 të tjera, të cilat sigurisht që varen nga vullnetet politike, qytetaria, standardet profesionale dhe ato manaxheriale, por dhe ato e kanë burimin ndër të tjera - te pamundësia e standardit të startit të njësuar për të gjithë, - te mungesa e hierarkisë së vlerave morale, shoqërore e profesionale, që vlejnë për të gjithë, - te mungesa e parametrave financiarë dhe ligjorë, që të vlejnë për të gjithë, - te mekanizmat e kontrollit dhe monitorimit, që të vlejnë njësoj për të gjithë - dhe te vleresimi i perspektivës njësoj për të gjithë. Në një treg dhe komunitet mediatik të rregulluar në mënyrë të tillë, edhe problmet e medias publike do të ishin shumë më të lehta për t’u adresuar dhe akoma më të lehta për t’u zgjidhur. Në një komunitet mediatik të rregulluar kështu, do të ishin transparente dhe motivet e adresimit. Në një treg mediatik të tillë konkurrentët jo vetëm që s’do të kishin kohë të merreshin me njëri-tjetrin, se do t’iu duhej shumë punë për të qenë rentabël dhe shumë aftësi për të mbijetuar, por do ta kishin edhe të ndaluar, se do t’i pengonte ligji i konkurrencës. Kështu si deri tani, mund dhe do të vazhdojmë të flasim gjatë, mund të vazhdojmë ta përdorim TV publik si “AS„ në mëngë për kauza politike sa herë ta dojë nevoja, se askush nuk do të interesohet as për motivet dhe as për zgjidhjet, sipas modelit: pala që e ka, nuk do ta lëshojë dhe pala që s’e ka do ta kontestojë. Shoqëria shqiptare duhet të pyesë fillimisht veten: nëse i duhet dhe nëse e do një TV publik të fortë. Nëse vërtet e do, atëhere e do edhe politika, edhe biznesi, edhe konkurrenca, edhe profesionistët e medias, sepse secili prej tyre është i gatshëm të heqë dorë nga diçka që i dhemb sot në emër të diçkaje që do t’i duhet mot. Mision i pamundur – i pamundësuar apo i patentuar…! Për mua, i padëshiruar. Nëse këtë mendim e ndajmë të gjithë, le të heqim dorë nga alibitë! Ndryshe thjesht gënjejmë veten – se të tjerët s’i gënjejmë dot! Pas 100-vjetësh vetëdije shtetërore kombëtare, duhet të kemi guxim ta vëmë gishtin në plagë – jo për ta thelluar, po për ta shëruar. Koha do ta tregojë, se sa seriozisht e kemi!
Posted on: Thu, 10 Oct 2013 18:21:47 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015