‘Murgu në internet’ serb inkurajon dialogun ndër-etnik në - TopicsExpress



          

‘Murgu në internet’ serb inkurajon dialogun ndër-etnik në Kosovë Kisha Ortodokse Serbe do të bëhet më e angazhuar me komunitetin vendor në Kosovë. Nga Muhamet Brajshori për Southeast European Times në Prishtinë Sava Janjiç, një kryedhjak në manastirin serb ortodoks të Deçanit në Kosovë, po punon për të vendosur dialogun ndër-fetar e ndër-etnik. [Mansatiri i Visoki Deçani] Një prift ortodoks serb, pikëpamjet përparimtare të të cilit dhe përqafimi prej tij i medive sociale i kanë dhënë atij emrin “murgu në internet” po punon për të lehtësuar dialogun dhe mirëkuptimin midis serbëve dhe shqiptarëve. Si një kryedhjak në manastirin serb ortodoks të Deçanit në Kosovën Perëndimore, Sava Janjiç është pozicionuar në mënyrë unike për të ndihmuar të zbuten marrëdhëniet e ndera midis dy etnive dhe e ka bërë këtë si në komunitet, ashtu edhe në internet. Në një intervistë me SETimes, Janjiç, që diskuton rregullisht çështjet në Twitter dhe Facebook, foli lidhur me rolin e moderuar që feja duhet të luajë në luftimin e ekstremizmit dhe inkurajimit të dialogut ndër-etnik e ndër-fetar. “Kisha jonë është e angazhuar aktivisht në kontaktet e rregullta me komunitetet muslimane e katolike në Kosovë. Po punojmë së bashku për të kuptuar më mirë njëri-tjetrin dhe për të dhënë kontributin tonë në shoqërinë në të cilën jetojmë,” tha Janjiç. Kohët e fundit, Janjiç mori pjesë në konferencën ndër-fetare në Pejë, organizuar nga Ministria e Jashtme e Kosovës, e cila mblodhi së bashku udhëheqës fetarë nga Kosova dhe nga bota. “Në të njëjtën kohë, kisha jonë po përpiqet t’a shkëpusë veten sa më shumë të jetë e mundur nga politika e përditshme. Besojmë se feja duhet të ndahet nga politika dhe se fokusi ynë kryesor duhet të jenë veprimtaritë tona fetare, të drejtat e njeriut dhe puna humanitare,” tha Janjiç. Shqipe Shaqiri, drejtore ekzekutive në Qendrën e Prishtinës për Tolerancë dhe Bashkëpunim, tha përSETimesse pikëpamjet që Janjiç shprehu janë ndryshe nga ato të Kishës Ortodokse serbe (SOC) e cila nuk e ka distancuar veten nga përfshirja gjatë luftërave jugosllave. “SOC luajti një rol gjatë luftërave jugosllave për t’i dhënë mbështetje morale ushtarëve në fushat e betejës dhe ende luan një rol në politikën serbe. Ende SOC nuk e ka ndryshuar qëndrimin ndaj Kosovës dhe i duhet të reflektojë më shumë si Sava Janjiç,” tha Shaqiri. Në prill, kisha lëshoi një deklaratë që ishte kritike për marrëveshjen e Brukselit midis Serbisë dhe Kosovës, duke thënë se marrëveshja shkonte deri në njohjen e pavarësisë së Kosovës. Janjiç (në mes) dhe murgj të tjerë në Deçan shpresojnë të krijojnë marrëdhënie më të forta midis manastirit dhe komunitetit shqiptar etnik vendor. [Manastiri Visoki Deçani] “Kisha, si një pjesë e shoqërisë, ka të drejtë të mbajë qëndrim lidhur me zhvillimet në shoqëri, veçanërisht pas luftës në Kosovë,” tha Janjiç. “Ky rol është i kuptueshëm pasi kisha është kujdesur për njerëzit gjithashtu gjatë kohërave otomane. Kjo i referohet të drejtave të njeriut, të drejtave fetare dhe ndihmës humanitare. Natyrisht, kisha nuk duhet të përfshihet në punët e partive apo ideologjive politike … Nuk mund të jemi indiferentë ndaj asaj që ndodh me njerëzit tanë sepse populli besimtar përbën kishën dhe ndjejmë një detyrë të vëmë në dukje probleme e të ofrojmë disa zgjidhje, ndonjëherë duke kritikuar autoritetet laike. Megjithatë, nuk mund të jemi të angazhuar politikisht në politikën e përditshme sepse kjo u takon përfaqësuesve të zgjedhur demokratikisht. E them këtë jo vetëm në emrin tim, por gjithashtu në emrin e dioqezës sonë në Kosovë.” Janjiç tha se roli kryesor i fesë është të ndihmojë të arrihet realizimi më i thellë shpirtëror dhe aftësia për të dashur e respektuar të tjerët. Ai shtoi se udhëheqësit fetarë duhet jo vetëm t’a distancojnë veten nga ideologjitë agresive, por gjithashtu duhet të punojnë aktivisht për pajtim e tolerancë. “Eshtë thelbësore të mësosh më shumë rreth traditave të tjera dhe të luftosh perceptimet e rreme të cilat shpesh shërbejnë si një pretekst për urrejtjen dhe veprimet e dhunshme. Eshtë gjithashtu mirë të punojmë së bashku në të gjitha fushat në të cilat ka një interes të përbashkët e të ngrihemi së bashku për të drejtat e njeriut të të gjithë shtetasve pavarësisht nga përkatësia etnike apo fetare,” tha Janjiç. Janjiç tha se konfliktet janë shpesh janë paraqitur ndryshe si rezultat i kundërshtimeve civile apo fetare. “Përkrahësit e ideologjive agresive keqpërdorin fenë dhe simbolet fetare me qëllim që të fshehin synimet e tyre të vërteta dhe të mobilizojnë më shumë mbështetësit e tyre. Prandaj, si udhëheqësit e krishterë, edhe ata muslimanë nuk duhet t’a lejojnë [veten] të përthithen në të ashtuquajturën përplasje të qytetërimeve,” tha Janjiç. Janjiç është një kritik i zërave nacionalistë në komunitetet serbe e shqiptare, duke shtuar se të dy palët kanë keqpërdorur fenë dhe e kanë parë atë gabimisht si një flamur të palës së kundërt. Nacionalistët serbë i panë xhamitë si simbole të shekujve të rendit musliman, ndërsa nacionalistët shqiptarë, veçanërisht pas luftës, i panë kishat serbe si simbole të rendit politik serb. “Në të dy rastet ky është një keqinterpretim,” tha Janjiç. “Feja në thelbin e saj nuk është rrënja e nacionalizmit dhe urrejtjes. Palët fetare, si muslimanë, ashtu edhe të krishterë, janë vlera e përbashkët e kësaj shoqërie dhe shumica e tyre mbijetuan për shekuj. Shkatërrimi i vendeve të shenjta dëmton dinjitetin e palës agresore dhe ul ideologjitë kombëtare në nivelin e barbarizmit. Për fat të keq, në konfliktin etnik në Kosovë, kanë pësuar si vendndodhjet muslimane, ashtu edhe ato të krishtera.” Janjiç tha se Kisha Ortodokse Serbe dhe Komuniteti Islamik kanë një mesazh të përbashkët: Konflikti në Kosovë nuk është një konflikt fetar dhe komunitetet fetare duhet të jenë mbi politikën e përditshme. Ai shtoi se Kosova është një mozaik traditash të ndryshme kulturore e fetare dhe vetëm si e tillë ka një vlerë dhe mund të fitojë respekt të vërtetë në botë. Manastiri historik i Deçanit është sulmuar katër herë që nga fundi i luftës më 1999 dhe mbetet nën mbrojtjen e KFOR-it. [AFP "Marrëdhëniet tona janë të mira dhe të hapura [me Komunitetin Islamik]. Megjithatë, ende kemi mjaft punë për të bërë. Tashmë ka një mirëkuptim në nivelin e lartë, por ende na mungon bashkëpunimi në nivelin vendor ku përfaqësuesit fetarë vendorë mund të bënin më shumë së bashku,” tha Janjiç. “Vitin e kaluar, mora pjesë në një program radio me imamin vendor të Deçanit. Të dy dërguam mesazhe pozitive dhe pajtimi. Detyra jonë kryesore është të parandalojmë përfshirjen e fesë në politikën e përditshme dhe të përmbajmë njerëzit sa më shumë të mundemi nga ndonjë veprim dhune e t’u bëjmë thirrje atyre të zgjidhin kurdoherë të gjitha problemet në dialog dhe me respekt për fqinjin.” Manastiri i Deçanit është Vend i Trashëgimisë Botërore i UNESKO-s dhe është ende nën mbrojtjen e KFOR-it. Manastiri është sulmuar katër herë që nga fundi i luftës më 1999, më së fundi më 2007 kur një shqiptar vendor i Kosovës qëlloi me një raketë granatë kundër tij. Sulmuesi u dënua me 2.5 vjet në burg. “Besoj shumë se ky manastir nuk e meriton trajtimin e tillë veçanërisht sepse refugjatët shqiptarë të Kosovës gjatë luftës gjetën strehë këtu e punuam aktivisht me organizatat humanitare për të ndihmuar të gjithë njerëzit në këtë zonë, pavarësisht nga etnia,” tha Janjiç. Janjiç tha se marrëdhëniet me autoritetet vendore janë ende jo të kënaqshme, por shpreson se murgjit dhe komuniteti serb do të jenë në gjendje të bëhen plotësisht të integruar në komunën e Deçanit si shtetas të lirë e të barabartë. Shtetasit në Deçan lëvdojnë punën e manastirit dhe ndihmën që morën nga murgjit gjatë luftës. “Anëtarët e familjes [sime] u fshehën në manastir më 1999. U shpëtuan forcave serbe dhe gjetën strehë në një manastir serb. Kjo është diçka që duhet të çmohet dhe na duhet të punojmë më shumë për një mirëkuptim më të mirë,” tha për SETimesShpat Binakaj, një student nga Deçani. Agron Beqiri, një studiues në Qendrën Kosovare për Politikën Evropiane e Publike tha për SETimesse udhëheqësit fetarë në Kosovë mund të luajnë një rol të rëndësishëm në nxitjen e tolerancës ndër-etnike. “Institucionet fetare, si islamike, ashtu edhe ortodokse, janë institucionet më të besuara nga shqiptarët dhe serbët, kështu që udhëheqësit e tyre kanë një detyrë të posatçme për të nxitur mirëkuptimin më të mirë midis të dy komuniteteve,’ tha Beqiri. “Besoj se duke predikuar paqe dhe tolerancë në shërbimet e tyre, do të bëjnë një punë të madhe për komunitetet e tyre.” A e mbështesni punën e Sava Janjiç kundër ekstremizmit dhe inkurajimit të dialogut ndër-etnik e ndër-fetar? Ju lutemi bëni të njohura opinionet tuaja duke vendosur një koment më poshtë. Kjo përmbajtje është autorizuar nga SETimes The post ‘Murgu në internet’ serb inkurajon dialogun ndër-etnik në Kosovë appeared on Gazeta Ditore. bit.ly/14Lmw0g
Posted on: Mon, 22 Jul 2013 17:18:52 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015