Mustafa: Marrëveshja e Brukselit në interes të Kosovës - TopicsExpress



          

Mustafa: Marrëveshja e Brukselit në interes të Kosovës Kryetari Isa Mustafa tha se LDK-ja e ka mbështetur ratifikimin e Marrëveshjes së Brukselit, sepse kjo marrëveshje është në interes të të gjithë qytetarëve të Kosovës. Pas takimit me kryetarët e degëve të partisë, Mustafa theksoi se LDK-ja ka dëshmuar se është konsekuente ndaj politikës së dialogut e fqinjësisë së mirë, të promovuar nga Presidenti Rugova. “Ne patëm një takim me kryetarët e degëve të LDK-së, në të cilin i konfirmuam disa prej qëndrimeve tona aktuale. Kryetarët e degëve përkrahin plotësisht mbështetjen që LDK- ja i ka dhënë Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, si dhe ratifikimin e kësaj marrëveshjeje në Kuvendin e Kosovës. Ne konsiderojmë se marrëveshja është me karakter kombëtar dhe me karakter shtetëror dhe nuk është në interes të një partie apo një partie tjetër. Problem i veriut të Kosovës nuk është një problem i një subjekti politik ose i një koalicioni, është problem i qytetarëve të Republikës së Kosovës , e cila duhet të jetë e përgjegjshme dhe duhet të angazhohet në zgjidhjen e këtij problemi karshi politikave që LDK-ja i ka zhvilluar që nga themelimi i saj, të cilat i ka promovuar Presidenti Ibrahim Rugova, si politika të dialogut të fqinjësisë së mirë dhe të zgjidhjes së problemeve me mirëkuptim me fqinjët, pra edhe me Serbinë”. Duke rreth datës për mbajtjen e zgjedhjeve lokale, kryetari Mustafa shpjegoi se kërkesa që zgjedhjet të organizohen në fund të shtatorit ose në fillim të tetorit është bërë me qëllim që të minimizohet mundësita e manipulimit të zgjedhjeve. “Në takim u konstatua se Presidentja e Republikës së Kosovës nuk e ka kryer punën e saj me përgjegjësi, për caktimin e datës për organizimin e zgjedhjeve lokale. Ne, sikurse edhe subjektet tjera, kemi kërkuar që zgjedhjet të mbahen në fund shtatorit ose në fillim tetorit të këtij të viti, në mënyrë që ato të jenë transparente dhe të rregullta, të mbahen në kushte të mira klimatike dhe kur është dita e gjatë, gjë që të do të pamundësonte të abuzohet me zgjedhje dhe rezultatet e zgjedhjeve të mos jenë rezultate të territ”, shpjegoi ai. Kryetari i LDK-së tha se Presidentja Atifete Jahjaga do të jetë përgjegjëse në rast të dështimit të procesit zgjedhor. “Ne nuk e kuptojmë pse nuk e ka bërë këtë Presidentja dhe konsiderojmë se ajo do të jetë përgjegjëse në qoftë se procesi zgjedhor dështon, për arsye se procesi do të zhvillohet në një kohë totalisht të papërshtatshme, jo vetëm për LDK-në, por edhe për qytetarët e Kosovës”,u shpreh ai. I pyetur rreth pengimit të Ambasadores amerikane për të hyrë në Kuvendin e Kosovës, kryetari Mustafa e kritikoi veprimin e tillë dhe pengimin e deputetëve për të ushtruar të drejtën etyre dhe përdorimin e dhunës në kuvend. “Ne mendojmë se është shumë jodemokratike që të pengohen deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës që të zhvillojnë në mënyrë normale dhe pa pengesa punën e tyre dhe ta shprehin vullnetin e tyre përmes votës në Kuvend dhe të ushtrohet dhunë në Kuvend, në institucionin më të lartë legjislativ”, tha ai. Kryetari I LDK-së dënoi përpjekjet e protestuesve që të pengojnë hyrjen e ambasadores Xhejkobson në ndërtesën e Kuvendit dhe i bëri thirrje udhëheqjes së Vetëvendosjes që të heqë dorë nga veprimet e tilla. “Ne, po ashtu, shprehim indinjatën tonë për sjelljen e tyre ndaj përfaqësueses më të lartë së SHBA-së në Kosovë, me tentimin që të pengohet të hyjë në Kuvendin e Kosovës. Ne mendojmë se VV-ja duhet të heqë dorë prej këtyre metodave, prej kësaj sjelljeje, sepse kjo nuk shpreh sjelljen e qytetarëve tanë, nuk shpreh kulturën që ne e kemi trashëguar në familjet tona, në shkollat dhe institucionet tona. Kjo nuk e shpreh traditën tone dhe më së paku e shpreh interesin e Kosovës”, theksoi kryetari Mustafa.
Posted on: Fri, 28 Jun 2013 19:28:06 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015