MËKATI I DYTË NDAJ SHQIPES (Ose: Pse u barazua gjuha letrare me - TopicsExpress



          

MËKATI I DYTË NDAJ SHQIPES (Ose: Pse u barazua gjuha letrare me kodin standard) Pavarësisht nga shijet vetjake, askush nuk mund të mëtojë se Kodi i Njësuar nuk e ka kryer funksionin e tij. Me një përllogaritje të shpejtë mund të thuhet se literatura artistike dhe shkencore e sendërtuar me këtë Kod në gjashtëdhjetë vjetët e fundit, për nga pikëpamja sasiore, e kalon disa herë lëndën shqipe të shkruar që nga Formula e Pagëzimit deri në sanksionimin e tij. Natyrisht, duke sendërtuar mendimin shqip në format e tij shkencore, artistike e përkthimore, ky Kod është rritur si në fuqi shprehëse, ashtu edhe në terminologji, por rritja e tij i takon një periudhe tejet të kontrolluar, asaj të Socializmit, gjatë së cilës ai nuk pati rast ta kalonte sprovën e dinamizmit social, politik e kulturor. Në kushtet aktuale kjo sprovë ka nxjerrë në pah edhe të mirat edhe të metat e tij. Të metat e Kodit nuk duhen konsideruar si argument kundër Kodit, por si nevojë e shoqërisë për të demokratizuar edhe gjuhën. Duke analizuar prirjet vetëstrukturuese të Shqipes së Sotme (aktuale), mbërrihet në mendimin se një pjesë e mirë e këtyre prirjeve shkaktohen nga probleme të vetë Kodit standard. Në procedurat që u patën ndjekur për përcaktimin e këtij Kodi, vihen re mjaft inkoherenca metodologjike dhe shpërnjohje të praktikave që rezultuan të suksesshme në Europë. Por falë mundësive që ofron sot përvoja ndërkombëtare, mendojmë se efektet e këtyre inkoherencave janë të riparueshme. Një punë e tillë riparuese mund të nisë me një vështrim retrospektiv të ecurisë së Gjuhës Shqipe të Njësuar. Le të marrim në analizë ecurinë e entiteteve “Kod Standard” dhe “Gjuhë Letrare”, qysh në zanafillën e dokumentuar të tyre. Përcaktimet që jep FGjSSh (1980) për këto entitete të shqipes, por që mbetën vetën në rrafshin përkufizimor, janë si më poshtë: - Gjuha letrare: Forma më e përpunuar e gjuhës së një populli, e cila ka norma të caktuara, të ngulitura në të shkruar e në të folur dhe arrin njësimin më të lartë në kohën e krijimit të kombeve e të shteteve kombëtare. - Normë: Tërësia e mjeteve që përcaktojnë përdorimin e mjeteve të gjuhës letrare në mënyrë të njëllojtë për të gjithë pjesëtarët e një kombi. Të shohim se cilat janë pasaktësitë apo dhe kundërthëniet e këtyre formulimeve, qoftë në vetvete, qoftë në lidhje me vendimet e Kongresit të Drejtshkrimit mbi gjuhën e përbashkët. Pikësëpari është pranuar pa kurrfarë mëdyshje se Shqipja Mesjetare, ndryshe nga sa thonë historianët që nuk njohin gjuhën dhe letërsinë, ka prodhuar edhe letërsi artistike, përpos shkresave a relacioneve katekezimale. Me fjalë të tjera shqipja mesjetare ka shërbyer mirfilli edhe si mjet gjuhësor artistik dhe sipas Çabejt kjo gjuhë ka qenë relativisht e normuar. Të po këtij mendimi janë edhe shumica e albanogëve të huaj si Jokl, Meyer, Lambertz, Desnickaja, Nachtigall e deri te Lanksch, poedhe studiues bashkëkohorë si Beci e Ismajli. Çabej pajtohet me përfundimet e Lambertzit, kur dëfton për një “qark letrar me qendër në Shkodër”. Mbërrihet kështu në një pohim ende më të gjerë se shqipja mesjetare ka shërbyer si mjet artistik dhe ajo ka qenë relativisht e njësuar, pra shqipja e lavruar mesjetare ka shërbyer mirëfilli si Gjuhë Letrare. Ajo nuk kish si të ishte edhe Kod Zyrtar, pasi ndryshe nga vise të tjera europiane, Arbënia nuk kish formuar ende një Shtet të sajin. Pra deri këtu koineja “shqipe e lavruar mesjetare” përmbush të gjitha kriteret që vendos përkufizimi i FGjSSh (1980) lidhur me tiparet që duhet të ketë një gjuhë letrare. Nga ana e tij ky përkufizim ngërthen në vetvete një pavërtetësi jo të vogël. Ai parashkruan se “gjuha letrare arrin njësimin më të lartë në kohën e krijimit të kombeve e të shteteve kombëtare”. Kjo maksimë tejet universale pranëvë si realitete të afërta në kohë “formimin e kombit” dhe “formimin e shtetit kombëtar”. Kështu ajo nuk përputhet me gjendjen faktike të Shqipërisë, ku si e dimë kaluan disa shekuj nga koha e formimit të kombit deri në kohën e formimit të shtetit kombëtar. Kjo pavërtetësi e përkufizimit të FGjSSh, në rastin më të mirë mund të interpretohet si lapsus, por nuk po ndalemi këtu pasiqë s’është objekt i këtij shkrimi. Duke vijuar më tej, formimi i shtetit kombëtar shqiptar në fillim të shek. XX, pra afro katërqind vjet pas Budit, e gjeti hartologjinë e idiomave të shqipes shumë të copëzuar, krejt ndryshe nga sa dëshmohet të ketë qenë në epokën e Humanizmit Arbënor. Pushtimi turk e kish rindarë administravisht vendin, kish prishur njësinë fetare kohezive të gjuhës publike dhe ndalonte që shqipja të shkruhej e të mësohej në shkolla. Gjithë kjo e pat kthyer sërish gjuhën në gjendje të lirë, “sauvage”, dhe sikundër pohon Saussure “të lëna në punë të vet, idiomat vetëm largohen”. Kështu pra, pas këtij largimi, vështirë se mund t’i referohej mirëfilli shqipes mesjetare si gjuhë e njësuar, sidomos po të mbahet parasysh se në këtë hark kohor kishin nisur të lavroheshin edhe idiomat toske si mjete letrare. Mbas Pavarërsisë, shteti kërkonte natyrisht një gjuhë administrate dhe shkolle. Ndaj Komisija Letrare e themeluar pranë Drejtorisë së Arsimit, ndërmori përditësimin e Koinesë së kahershme (shqipes mesjetare) në përputhje me kushtet e reja dhe me synimin fillestar për të krijuar thjesht Gjuhën Zyrtare të Shtetit. Kështu në vitin 1917 Komisia hartoi Rregullat mbi orthografín e gjuhës së shkrueme dhe më 1923-shin në administratën shtetërore nisi të shkruhej me një ortografi pak a shumë të njësuar, e cila për nga përkatësia e bazës dialektore mbeti gegë, posikur pararendësja mesjetare, por që zbriti deri në Elbasan. Sakaq puna për ta përcaktuar sa më objektivisht këtë gjuhë të njësuar administrate vijoi pa prerë dhe Kodi Zyrtar modifikohej dora-dorës. Këtu duhet ndalur në objektivin që pati ky normim. Siç shihet qartë nga dokumentat e kohës, Akademia Letrare (themeluar më 1927-ën po nga Ministria e Arsimit) punoi për unifikimin e kodit zyrtar, duke qenë e kujdesshme të mos e shtrinte zbatimin detyrues të këtij kodi mbi të gjitha fushat e tjera ku përdorej shqipja e shkruar publikisht. Pra në vitin 1944, Shqipja e shkruar publikisht nuk mbërriti aq e ndarë dhe kaotike sikundër u trumbetua më pas. Në përputhje me moshën e saj të re dhe me praktikat ndërkombëtare, ajo kishte një sferë relativisht të njësuar: Kodin Zyrtar, por edhe një sferë më liberale, Gjuhën Letrare, që vijonte të prodhonte natyrshëm në dy Koiné (mjaft të përafruara krahasuar me fundshek. XIX). Pas Çlirimit, forca e re politike që erdhi në pushtet, vendosi të ndërrojë Gjuhën Zyrtare, duke e ndërruar bazën historike mbi të cilën mbështetej ajo. Ky ndërrim u krye fillimisht de facto. Kështu në 1952-shin u mbajt në Tiranë nje sesion me temë “Veprat e shokut Stalin mbi gjuhësinë dhe problemet tona gjuhësore në dritën e këtyre veprave”. Ky vit në fakt do të shënonte haptaz fillimin e ndërrimit të bazës së kodit zyrtar në Shqipëri, ku baza historiko-gjuhësore e Shqipes do zëvendësohej nga një formë e toskërishtes, apo sikundër vëren edhe J. Byron “toskërishtja erdh drejtpërdrejt e menjëherë në pushtet me një lëvizje horizontale”. Duke arsyetuar mbi ecurinë e njësimit ndërveprues të shqipes deri para 1944-ës, ky rotacion mund të konsiderohet si mëkat i rëndë, a më saktë si bjerrje e asaj që Gumperz quan “besnikëri gjuhësore” kur arsyeton se: “një varietet shkrimor mund të fitojë prestigj si simbol i një grupi të veçantë kombëtar apo i një lëvizje të veçantë shoqërore - dhe se - flitet për ‘besnikëri gjuhësore’ vetëm kur idioma letrare që përftohet më pas ngërthen në vetvete gjithë traditën e vijuar kulturore të kombit dhe i shërben pa dallim krejt shoqërisë dhe ndërveprimit të gjithanshëm të saj”. Sikundër u shpreh asokohe edhe Xhuvani, kjo thyerje “asht nji eksplozion” për gjuhën shqipe, e cila si çdo gjuhë tjetër, mund të dëmtohet nga ndërmarrje me natyrë revolutive. “Rrethanat – thotë Saussure, - e bëjnë gjuhën të ndryshojë për hir të vazhdimësisë. Porse ajo që mbizotëron në çdo ndryshim është ruajtja e lëndës së hershme; mungesa e besnikërisë ndaj së kaluarës është diçka fare relative. Ja pse parimi i ndryshimit mbështetet mbi parimin e vazhdimësisë. Ky fakt kryesor mjafton për të dëshmuar pamundësinë e një revolucioni në gjuhë”. Gjithsesi, pa i hyrë këtu analizave të trishtuara se ç’fitoi dhe se ç’humbi gjuha shqipe nga ky revolucion, dëmi nuk u kufizua me kaq, pasi po ngjizej ndërkohë Mëkati i Dytë ndaj Shqipes: barazimi i Kodit Zyrtar me Gjuhën Letrare. Normalisht, edhe pse u ndryshua Kodi Zyrtar, entiteti i dytë i shqipes, Gjuha Letrare, duhej të trajtohej si një çështje më vete. Por krijimi i Njeriut të Ri nuk mund të ishte integral pa krijimin e Gjuhës së Re dhe asnjë gjuhë nuk mund të bëhej vërtet e re, nëse nuk kontrolloheshin të gjitha aspektet e shprehjes së saj. Ky është motivi që teoricienët e gjuhësisë në Shqipëri, të ndodhur nën një presion të paparë politik e në një mjedis skajmënisht të ideologjizuar, rrëshqitën në mënyrë të paevitueshme drejt njësimit të Kodit Zyrtar me Gjuhën Letrare. Kështu njëra syresh u quajt Normë Standarde e tjetra Gjuhë Letrare Kombëtare, porse që të dyja këto entitete do të përfaqësonin në realitet të njëjtën gjë. Praktikat e gjuhëve të selitura dëshmojnë se Gjuha Letrare është përfundim i vetvetishëm i lavrimit letrar dhe përftohet gradulisht në një shoqëri të alfabetizuar e me gjuhë të përbashkët. Nga një këndvështrim i tillë, në parim Kodi Standard nuk ka si të barazohet me Gjuhën Letrare, pasi i pari e uniformizon ngadalë të dytën dhe ka rast të pasurohet vetëm prej larmisë së saj. Megjithatë edhe në përfytyrimet më utopike, këto dy entitete nuk barazohen kurrë, ca për shkak te natyrës kreative të individëve dhe ca më tepër prej “shkeljeve” dhe rregullave të reja që zhvillimi shoqëror i imponon gjuhës. Vetëm duke pranuar se Gjuha e Normuar është me një fazë vonesë ndaj gjuhës së shoqërisë (Usus-it), mund të jemi në gjendje t’i konsiderojmë si progresiste dhe pozitive ndryshimet që shoqëria i imponon gjuhës. E meqenëse kur flasim për normim kemi parasysh thuajse gjithnjë gjuhën e shkruar, kuptohet vetiu se pikëtakimi i Kodit Standard me Usus-in, nuk është veçse Gjuha Letrare; pasi kjo e fundit me mjete artistike i rrit Usus-it prestigjin kulturor dhe i përpunon atij formën. Ky proces ndërveprimi mes Kodit Standard dhe Gjuhës Letrare është objektiv, i shtrirë në kohë dhe kryhet përmes edukimit breznor, e joaspak me masa ndaluese. Të këtij mendimi, kundërshtues ndaj masave shtrënguese, qenë edhe gjuhëtarë si Xhuvani, Çabej, Riza, Myderrizi etj. (në kohën kur politika i barazoi forcërisht dy entitetet) e po ashtu edhe lavrues si K. Jakova e I. Zamputi. Xhuvani shkruante se “s’duhet me pasë kaq ngutí në punë të gjuhës së përbashkët. Ne nuk e kemi formue ende gjuhën tonë letrare kombtare. [..] Prandaj jam i mendimit se brezi i sotëm intelektual duhet të shkruejë në dialektin e vet, që të mund të nxjerrë ndonji prodhim me vlerë, e të mos i vihet ndalesë përdorimit të gegënishtes në shtyp e në prodhime letrare”. Po ashtu shprehej edhe Çabej kur i mëshonte faktit se “me formimin e shtetit shqiptar edhe gjuha shqipe ka marrë dhe ka për të marrë edhe më shumë zhvillim, sepse një shtet nuk mund të mendohet pa një gjuhë unitare. Por këtu s’e kam fjalën për një gjuhë letrare të vetme, sepse shkrimtarët mund të vazhdojnë të shkruajnë në dialektin e tyre. Nga ana e literaturës, unë nuk shoh ndonjë fatkeqësi në faktin që Shqiptarët nuk e shkruajnë të gjithë gjuhën e tyre në një trajtë, po në dy forma dialektore të ndryshme. Lulëzimi më i madh i literaturës te Grekët e vjetër u arrit në periodën e dialekteve”. Në fakt më pas u veprua ndryshe. Përkundrejt termit të mësipërm “Gjuhë Letrare” dhe nocionit që përfaqëson ajo, u krijua termi “Gjuhë Letrare Kombëtare”, e cila ishte plotësisht e barabartë me Kodin Standard. Fjala “kombëtare” shërbente si një zhgun patriotik me të cilin mvishej një manipulim i vërtetë linguistik. Nën peshën e këtij zhguni mëtohej rrafshimi i larushise së koineve letrare të shqipes. Këtë e vëren edhe R. Ismajli kur shkruan se “në traditën standardologjike shqiptare këta terma janë përdorur me vlerë sinonimesh. Qysh në vitet ’50 është përdorur termi ‘gjuhë letrare kombëtare’ me kuptim të ndryshëm nga ‘gjuhë letrare’. Megjithatë edhe sot e kësaj dite këta dy terma përdoren si sinonime njëri-tjetrit dhe si sinonime të termit gjuhë standarde”. Mandej u vendos pa u lënë vend diskutimeve që kjo Gjuhë Letrare Kombëtare (alias Kod Standard) të ishte gjithkund e detyrueshme (mjaft të kihet parasysh VKM-ja e famshme e vitit 1974 lidhur me zbatimin e detyrueshëm të normës standarde gjithkund e në çdo formë të gjuhës publike (edhe e folur), përfshirë atë letraro-artistike. Risia “Gjuhë Letrare Kombëtare” rezultoi një strukturë tërësisht e njësuar pas Kodit Standard; ajo lejonte po aq dublete drejtshkrimore sa lejonte edhe vetë Kodi, por kishte ca më tepër hapësirë në fushë të regjistrave, pra në ligjërimin artistik ku mund të përdorej edhe ndonjë fjalë e ligjërimit bisedor apo krahinor, me kushtin që çdo burim të vinte plotësisht i normuar. Kështu Gjuha Letrare Kombëtare ofronte shumë më pak mjete gjuhësore sa mund të kish ofruar Gjuha Letrare nëse mbi të nuk do të ish ndërhyrë. Kjo mpakje natyrisht do ta cënonte ecurinë e natyrshme të shqipes së përbashkët. Sa për ilustrim po përmendim këtu shpjegimin që sjell Saussure lidhur me çështjen, duke u bazuar në metaforën e lojës së shahut. Ai thotë se “po t’i zëvendësojmë gurët e drunjtë të shahut me gurë të fildishtë, kjo s’ndryshon kurrgjë tek sistemi, por nëse pakësojmë a shtojmë gurët, cënohet thellë ‘gramatika’ e lojës”. Me fjalë të tjera, në vend që Kodi Standard të pështillej nga një entitet më i gjerë, pra nga Gjuha Letrare, ai u përshtoll nga Gjuha Letrare Kombëtare, pra nga vetvetja. Kjo e shndërroi automatikisht kodin një sistem të mbyllur, duke ia prerë atij shtigjet e pasurimit. Këto shtigje u mbyllën sidomos për trashëgiminë gjuhësore gegë, pasi vetëkuptohet, që përderisa në bazë të kodit standard qëndronte struktura toskë, toskizmat mund të depërtonin në Gjuhën Letrare Kombëtare, depërtim që vijon gradualisht edhe sot. Mjaft të vihet re përdorime të hipertoskizmave si vënd për vend; mëndje për mendje; qënie për qenie; [kam] qënë për [kam] qenë; bëmirës (në Kosovë)për bamirës, etj., etj. Për gegnizmat shtegu pra rezultonte i mbyllur për dy arsye: 1) Sikurse u pa, “masat detyruese” e përjashtuan gegnishten nga çdo formë ligjërimi publik; 2) Lemat e pashmangshme gege, në pamundësi për t’u hequr, u “rinormuan” sipas ligjësive te standardit me baze toske. Për pasojë edhe ato gegnizma tashmë të denatyruara, mbetën si ishuj të izoluar në mes të detit të Standardit, duke mos pasur asnjë korrelacion me tokën amë. Kështu pasuria gjuhësore dhe kulturore e Koinesë Letrare Gegë u shndërrua shpejt në arkiv krejtësisht periferik, pa kurrfarë roli në ecurinë e gjuhës së shkruar të përbashkët. Sadoqë mësohej në shkolla Migjeni, Vaso Pasha, Mjedja e do të tjerë, kjo Koiné qe shtrënguar të ofronte thjesht dëshmi gjuhësore arkaike, të destinuara t’i largoheshin përditë sferës së përdorimit, e të mos ndikonin në evolucionin e shqipes. Të gjitha këto jo vetëm ia prenë Kodit shtigjet e natyrshme të pasurimit dhe e shndërruan në atë një sistem të mbyllur, por e dobësuan vazhdimisht fuqinë vepruese të këtij kodi në rrjedhë të viteve, pasi përdoruesit e idiomës së përjashtuar e perceptuan Gjuhën e Re si diçka të huaj për ta. Sa u përket përdoruesve të mbarë shqipes, ata nisën ta plotësojnë vetiu gjuhën e tyre në mënyrë vetëstrukturuese. Siç dihet, rregullarizimet vetëstrukturuese udhëhiqen më së shumti nga kritere pragmatike. Meqë Koineja Letrare Gegë ish shndërruar në sistem kulturor e gjuhësor krejt periferik dhe i arkaizuar (pasi ajo nuk shoqëronte më ecurinë e gjuhës së përbashkët) prirja pragmatiste gjeti më të thjeshtë t’i përmbushte me anë ardhurizmash kërkesat e veta për fjalë a emërtime të reja e të pakonsumuara. Kësisoj, ndërkallja e menjëhershme dhe detyruese e risisë “Gjuhë Letrare Kombëtare”, pa i dhënë kohë lavrimit të gjuhës së shkruar të mbërrinte në një përfundim të vetvetishëm, qe në një farë mase edhe dëmtim për vetë Kodin Standard - i cili do të kish rezultuar shumë më pasur e më i qëndrueshëm po të mos i mvishej detyra e rëndë për të mbuluar çdo sferë të shqipes publike. Pra, më fort se për probleme endogjene të përkufizimit të kodit, sot mund të flitet për patologji të shkaktuara gjatë ecurisë së tij, si rezultat i mendësisë përjashtuese të dikurshme. Në përmbyllje të kësaj diakronie mbi ecurinë e shqipes së njësuar, mund të pohohet se mjaft probleme aktuale të Kodit Standard kanë ardhur si rezultat i ndërprerjes së bashkëveprimit të tij me bazën historike të shqipes së kultivuar, apo sikundër u tha, nga pështjellja e tij me vetveten. Gjetja e rrugëve dhe metodave për ta rehabilituar mundësinë absorbuese të këtij standardi nuk duhet të barabitet me klithmat për “rindërrim baze” apo pandehmat për “rikthim të situatës dyidiomëshe”. Në fakt sot po vërehet gjithnjë e më shumë se është anakronike dhe pa dobi të flitet ende vetëm për Kod Standard, të shqyrtuar në vetvete dhe për vetveten. Duke e shtrirë objektivisht këndvështrimin, mund të thuhet plotgojën se problemi i vërtetë i Gjuhës Letrare sot është ngurtësia e saj në strukturë, pasojë e hegjemonisë së Kodit Standard ndaj saj dhe ndaj çdo forme tjetër të demokracisë gjuhësore. Natyrisht këto janë binarët ku ecën gjuhësia bashkëkohore. Në Shqipëri hegjemonia e vjetër vijon të mbetet si Pushtet-hije, saku së jashtmi teorizohet se Gjuha Letrare është e lirë nga shtrëngesa e Kodit Standard. Askush nuk duhet të fshihet më pas gishtit! Nëse ka vërtet një vullnet institucional demokratik për t’ua kthyer shqiptarëve këtë liri, u duhet kthyer pikërisht aty nga ku zë fill cënimi i saj: nga edukimi gjuhësor në shkolla, e madje që nga edukimi fillestar e deri te përgatitja universitare e kandidatëve për mësues. Sot për sot ky edukim vijon të mbetet në darën e së kaluarës pasi era e demokratizimit duket se nuk ka fryrë mbi gjuhësinë shqiptare. Demokracia në gjuhësi fillon pikërisht aty ku mësohet gjuha e lavruar.
Posted on: Mon, 26 Aug 2013 16:30:23 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015