Më 9 Shtator është mbledhja e parë e Kuvendit të ri të - TopicsExpress



          

Më 9 Shtator është mbledhja e parë e Kuvendit të ri të Shqipërisë, të dalë nga zgjedhjet e përgjithshme të 23 qershorit, që shënon dhe hapjen zyrtare të punimeve të legjislaturës së VIII-të parlamentare. Pas përfundimit më 7 shtator të mandatit të deputetëve të parlamentit parardhës, 9 shtatori do të shënojë konstituimin e trupës së re parlamentare prej 140 anëtarësh, të zgjedhur nga vota e 23 qershorit. Sipas Kushtetutës, mandati i Kuvendit fillon me mbledhjen e parë të tij pas zgjedhjeve dhe përfundon në të njëjtën datë të të njëjtit muaj të vitit të katërt nga data e mbledhjes së parë. Ligji themeltar i shtetit sanksionon (neni 67), se Presidenti i Republikës e mbledh Kuvendin e porsazgjedhur jo më parë se data e përfundimit të mandatit të Kuvendit paraardhës, por jo më vonë se 10 ditë pas mbarimit të këtij mandati. Rregullorja parlamentare përcakton procedurat që ndiqen në mbledhjen e parë të legjislaturës së re të Kuvendit. Sipas saj, seanca hapëse drejtohet nga deputeti më i vjetër në moshë dhe deri në zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit nuk zhvillohet asnjë debat. Më pas, ndiqet procedura e verifikimit të mandateve të deputetëve të zgjedhur, që kryhet nga Komisioni i Përkohshëm për Verifikimin e Mandateve të anëtarëve të Kuvendit. Ky Komision, pasi shqyrton dokumentacionin përkatës të zgjedhjeve, brenda 2 ditëve i paraqet Kuvendit në seancë plenare raportin për vlefshmërinë e mandateve të deputetëve. Në rast se Komisioni vëren paligjshmëri në zgjedhje, i propozon Kuvendit dërgimin e çështjes në Gjykatë Kushtetuese. Menjëherë pas verifikimit të mandateve deputetët ftohen të bëjnë betimin, ku zotohen për kryerjen me ndërgjegje të detyrës si përfaqësues të popullit në Kuvend. Më pas punimet e seancës hapëse të legjislaturës së re pasohen me zgjedhjen e Kryetarit dhe të Byrosë së Kuvendit. Kandidati për Kryetar i Kuvendit propozohet nga të paktën 15 deputetë, ndërkohë që një deputet nuk mund të mbështesë më shumë se një kandidat. Në Kuvendin e ri pritet të funksionojnë tre grupe parlamentare, përkatësisht grupi parlamentar i Partisë Socialiste, grupi i Partisë Demokratike dhe grupi i Lëvizjes Socialiste për Integrim, ndërsa janë të përfaqësuara me deputetë 9 parti. Në zgjedhjet e përgjithshme të 23 qershorit u shpall fitues koalicioni i majtë "Aleanca për Shqipërinë Europiane" i udhëhequr nga Partia Socialiste, i cili mundi të sigurojë 83 deputetë, i ndjekur nga koalicioni i djathtë "Aleanca për Punësim, Mirëqenie dhe Integrim" me 57 deputetë.
Posted on: Mon, 02 Sep 2013 12:26:22 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015