Mëngjes, 12 Korrik “Të thirrurve që u shenjtëruan në - TopicsExpress



          

Mëngjes, 12 Korrik “Të thirrurve që u shenjtëruan në Perëndinë Atë.” Juda 1:1 “Të shenjtëruarve në Krishtin Jezus.” 1 Korintasve1:2 “me anë të shenjtërimit të Frymës.” 1 Pjetrit 1:2 Vini re bashkëveprimin e Tre Personave të Hyjnisë në të gjitha veprat e Tyre të hirit. Sa të marrë janë ata besimtarë që shprehin preferencat e tyre mes Personave të Trinisë, të cilët e shohin Jezusin si mishërimin e çdo gjëje të bukur dhe të hirshme, ndërsa Atin si rreptësisht të drejtë dhe të zhveshur nga çdo lloj mirësie. Po aq të gabuar janë ata që madhërojnë dekretin e Atit dhe shlyerjen e Birit, por që nënvleftësojnë veprën e Frymës. Asnjë nga personat e Trinisë nuk vepron ndarazi nga të tjerët kur vjen puna për veprat e hirit. Ata janë po aq të njësuar në veprat e Tyre sa edhe në substancën e Tyre. Ata janë një në dashurinë e Tyre ndaj të zgjedhurve, dhe të pandashëm në veprat që rrjedhin prej atij kryeburimi madhështor. Vërejeni një gjë të tillë posaçërisht në veprën e shenjtërimit. Edhe pse nuk gabojmë aspak kur flasim për shenjtërimin si për veprën e Frymës, duhet të bëjmë kujdes që të mos mendojmë se Ati dhe Biri nuk kanë fare pjesë në këtë vepër. Është e drejtë të flasim për shenjtërimin si për veprën e Atit, Birit dhe Frymës. A nuk thotë Yahweh-u: “Ta bëjmë njeriun sipas shëmbëlltyrës sonë”, pra ne jemi “vepra e Tij, e krijuar në Krishtin Jezus për veprat e mira që Perëndia përgatiti që më parë, që ne të ecim në to”. Shihni pra vlerën që i jep Perëndia shenjtërisë së vërtetë, meqenëse të Tre Personat e Trinisë paraqiten si bashkëpunëtorë në veprën për krijimin e një Kishe “pa njolla a rrudha a ndonjë gjë të tillë”. Dhe ti o besimtar, si dishepull i Krishtit që je, duhet ta vlerësosh lart shenjtërinë, jetën e dëlirë dhe të folurin e perëndishëm. Vlerësoje gjakun e Krishtit si themelin e shpresës tënde, por mos fol asnjëherë me shpërfillje për veprën e Frymës, e cila synon të të përgatisë për trashëgiminë e shenjtorëve në dritë. Le ta jetojmë këtë ditë në mënyrë të tillë që të shfaqim qartë veprën e Perëndisë Trepersonash në ne.
Posted on: Fri, 12 Jul 2013 05:45:51 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015