Mëngjes, 23 Qershor “Efraimi është një kulaç i - TopicsExpress



          

Mëngjes, 23 Qershor “Efraimi është një kulaç i pakthyer.” Osea 7:8 Një kulaç i pakthyer është i papjekur nga njëra anë. I tillë ishte edhe Efraimi sepse kishte disa pjesë të tij të paprekura nga hiri hyjnor. Megjithëse karakterizohej nga bindja e pjesshme, në gjirin e tij fshihej shumë rebelim. Fryma ime, të përgjërohem, bëj kujdes nëse edhe ti je e tillë. A je ti vallë e përsosur në gjërat e Perëndisë? A ka mbërritur vallë hiri deri në qendër të qenies tënde aq sa të ndihet veprimi i tij hyjnor në të gjitha fuqitë, veprimet, fjalët dhe mendimet e tua? Lutja dhe qëllimi yt duhet të jetë shenjtërimi me frymë, zemër e trup, dhe megjithëse shenjtërimi nuk do ta arrijë asnjëherë përsosmërinë në masë, duhet të jetë megjithatë i përhapur gjerësisht në veprimin e tij, pra, nuk duhet të kemi shenjtërinë që mbretëron në një pjesë tënden dhe mëkatin që sundon në një pjesë tjetër, përndryshe edhe ti do të jesh një kulaç i pakthyer. Një kulaç i pakthyer shpejt do të digjet në anën më afër zjarrit. Kjo do të thotë se megjithëse askush nuk ka besim të tepërt, janë ca e ca që janë përcëlluar nga zelli fanatik për atë pjesë të së vërtetës që kanë marrë ose janë bërë shkrumb nga ushtrimi publik me mburrje prej fariseu i atyre shërbesave fetare që u shkojnë pas qejfit. Një shfaqje e shtirë shenjtërie sublime shpesh shoqërohet nga mungesa totale e perëndishmërisë jetësore. Shenjtori para botës kthehet në një djall të vërtetë në jetën e tij private. Një njeri i tillë të vret natën e të qan ditën. Kulaçi që është djegur nga njëra anë, është brumë i gjallë në tjetrën. Nëse edhe unë jam i tillë, kthemë o Zot përpara se të jetë vonë! Ktheje natyrën time të pashenjtëruar nga ana e zjarrit të dashurisë tënde dhe le të marrë ajo një faqe nga flaka e shenjtë, por bëj gjithashtu që ana ime e djegur të ftohet pak, me qëllim që të mësoj nga dobësitë e mia dhe të ndjej mungesën e nxehtësisë kur largohem nga flaka jote qiellore. Të lutem, nuk dua që të dal një njeri me dy mendje, por dua të jem dikush që është kokë e këmbë nën ndikimin e hirit mbretërues, sepse e di shumë mirë se nëse mbetem si një kulaç i pakthyer, dhe nuk prekem nga hiri yt në të dyja anët, atëherë do të digjem nga përjetësia në përjetësi mes flakëve të amshueshme.
Posted on: Sat, 22 Jun 2013 07:37:14 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015