Mëngjes, 3 Korrik “Tani lopët e shëmtuara dhe të dobëta - TopicsExpress



          

Mëngjes, 3 Korrik “Tani lopët e shëmtuara dhe të dobëta hëngrën lopët e hijshme dhe të majme.” Zanafilla 41:4 Shpesh jam zgjuar nga një makth i ngjashëm me atë të Faraonit. Ditët e mia të përtacisë i rrënonin keqazi të gjitha arritjet e mia të kohëve të punës së zellshme, stinët e ftohtësisë e ngrinin të gjithë ngrohtësinë e përzemërt të periudhave të mia të zjarrmisë dhe entuziazmit, ndërsa krizat e mia të përbotshmërisë i kanë zhbërë përparimet e mia në jetën e perëndishme. Duhet t’u ruhem lutjeve, adhurimit, detyrave dhe përvojave të shëmtuara e të dobëta sepse ato do ta hanë majmërinë e përdëllimit dhe paqes sime. Nëse e lë pas dore qoftë edhe për një kohë të shkurtër lutjen, e humbas gjithë perëndishmërisë që mund të kem arritur, nëse nuk marr furnizime të reja nga qielli, drithi i vjetër në hambarin time shumë shpejt do të konsumohet nga zija e bukës që zien në frymën time. Atëherë kur shumëkëmbëshit e indiferencës, larvat e përbotshmërisë, krimbat e vetëkënaqësisë ma shkretojnë zemrën dhe e bëjnë të vuajë frymën time, e gjithë frytshmëria ime dhe rritja ime e mëparshme në hir nuk më vlen më për asgjë. Sa i etshëm duhet të jem që të mos kem më ditë të shëmtuara dhe orë të dobëta! Në qoftë se çdo ditë udhëtoj drejt destinacionit të dëshirave të mia do ta arrij atë shumë shpejt, por dalja nga rruga e besimit do të më lërë pa e fituar çmimin e thirrjes sime të lartë dhe më privon nga përparimet që i kam arritur me aq punë e mund. E vetmja mënyrë që të gjitha ditët e mia të jenë “të hijshme e të majme” është që t’i ushqej ato në livadhet e duhura, duke i kaluar ato me Zotin, në shërbim të Tij, në përbashkësi me Të, në frikën e Tij dhe në rrugët e Tij. Përse të mos jetë çdo vit që kalon më i pasur sesa pararendësi me dashuri, dobishmëri dhe gëzim? Po u afrohem kodrave qiellore, përvojat e mia me Zotin sa vijnë e shumohen, dhe ngjashmëria ime me Të po shtohet. O Zot, më mbaj larg nga mallkimi i frymës së dobët, mos më lër të klith: “Mjerë unë për dobësinë time! Mjerë unë për dobësinë time! Vaj medet!” por qofsha i mirëushqyer e i mirëkujdesur në shtëpinë Tënde, me qëllim që ta lavdëroj emrin Tënd.
Posted on: Wed, 03 Jul 2013 04:53:51 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015