NE GUXUAM DHE KRIJUAM KËTË SHKOLLË... Nga fjala e Lorenc - TopicsExpress



          

NE GUXUAM DHE KRIJUAM KËTË SHKOLLË... Nga fjala e Lorenc Kokës në 5 vjetorin e Shkollës Shqiptare të Athinës Jemi mbledhur sot të festojmë pesë vjetorin e krijimit të Shkollës Shqiptare të Athinës, një shkollë e vogël dhe modeste por me një emër dhe aktivitet të madh. Një emër që është lakuar shumë këto pesë vjetët e fundin. Emër që përmendet plot dashuri nga ju, që me krenari deklaroni kudo se jeni nxënës të shkollës shqiptare. Emër që ju nxënësit e kësaj shkolle i dhatë vlera e forcë duke u regjistruar në kurset që ne ofrojmë por dhe me pjesëmarrjen tuaj tepër të gjerë në aktivitetet social kulturore që kemi organizuar. Një emër që Ambasadori në Greqi zoti Vili Minarolli e ka përqafuar dhe ka shprehur publikisht mbështetjen e tij dhe na ka nderuar me pjesëmarrjen e tij në shumë aktivitete të shkollës. Një emër për të cilin gazetarë si Abdurahim Ashiku, Ramadan Bigza, Sonila Laçi, Andrea Petromilo, Maksim Sulollari e shumë të tjerë, kanë publikuar plot dashuri, faqe pafund në gazeta. Një emër që publicisti Abdurahim Ashiku e përqafoi si titull për librin e tij të tretë të ciklit “Njerëz që i dua – Rilindësit e Kohës Sonë”, dhe i rezervoi shkollës sonë gjysmën e parë të librit, i shprehim mirënjohjen dhe falënderimet tona. Një emër dhe një aktivitet të cilin gazetarja e radios internacionale të Athinës 104.4, Bardha Mançe e ka pasqyruar gjerësisht në emisionin e saj për komunitetin në radio. Një emër dhe një aktivitet që ka bërë përshtypje pozitive dhe në publikun grek që ka ndjekur emisione televizive për shkollën tonë në disa nga stacionet më kryesore si Alpha, Sky, Star, Net dhe në shumë artikuj në gazeta presticioze si Ta Nea, Kerdhos, Eleftheros Typos, Tachydhromos. Një emër dhe një aktivitet që u vlerësua nga kryetari i Bashkisë së Athinës z. Nikita Kaklamani dhe Dhoma e Tregëtisë dhe Industrisë së Athinës duke na dhënë titullin “Biznesmeni i vitit për veprimtari në dobi të komunitetit”. E vërteta është se përpjekjet për të hapur kurse të mësimit të gjuhës shqipe nga shoqata dhe individë, janë të hershme në historinë e emigracionit shqiptar në Greqi. Herë kanë qenë të suksesshme dhe herë jo. Natyrshëm lind pyetja çfarë të reje solli Shkolla Shqiptare e Athinës dhe si shpjegohet ky interesim nga bashkatdhetarë e të huaj? Shkolla Shqiptare e Athinës është një rast unikal në historinë e emigracionit shqiptar në Greqi sepse, për herë të parë një emigrant shqiptar mori guximin dhe investoi kursimet e familjes së tij në krijimin e një institucioni arsimor, pa qenë nevoja të lyp mëshirën e vendasve nëpër bashki apo institucione të tjera për ti huazuar një klasë apo një zyrë. Kështu u dha mundësinë bashkatdhetarëve të vet, me dinjitet të mësojnë kompjuter dhe gjuhë të huaja në gjuhën e mëmës dhe fëmijëve shqiptarë të mësojnë gjuhën shqipe falas duke vënë në dispozicion mjediset e shkollës dhe duke sponsorizuar këto mësime. Gjej rastin këtu të falënderoj mësueset tona vullnetare të gjuhës shqipe: Mësuese Desantila Topalli, Anilda Duro, Mimoza Hida, Ermira Morina dhe Ilira Bakalli. Në këtë moment shkolla ka mjedise dhe potenciale për të pranuar shumë më tepër nxënës nga numri relativisht i vogël që ka sot. Në këtë mënyrë do i jepej një mundësi punësimi dhe shumë bashkatdhetarëve tanë që po mbarojnë universitetet në Greqi, dhe shpesh nuk gjejnë punë të përshtatshme. Tashmë shkolla është miratuar nga organizmi ECDL Hellas si qendër zyrtare trajnimi dhe testimi i Certifikatës për kompjuter ECDL dhe për programet mësimore ECDL ForKids një program tepër ambicioz për mësimin e kompjuterit për fëmijët nga klasa e parë deri në klasën e gjashtë fillore. Sot shkolla zotëron mjedise të reja e të bollshme, laboratorë kompjuterik dhe klasa moderne. Sot shkolla ofron shërbime që konkurrojnë me dinjitet shkollat greke të të njëjtit lloj. Sot më shumë se kurrë shkolla jonë pret bashkëkombësit ta preferojnë dhe të regjistrohen në kurset që ne ofrojmë. Në fund të fundit ne guxuam dhe krijuam këtë shkollë por nëse kjo shkollë do të vazhdojë të mbijetojë dhe të jetë një shkollë shqiptare kjo varet tërësish nga mbështetja dhe preferenca që komuniteti shqiptarë në Greqi do i japë. Dhe një herë ju uroj për pjesëmarrjen dhe uroj t’ja kalojmë sa më mirë. Ju faleminderit. Athinë, 20 shkurt 2010
Posted on: Sat, 13 Jul 2013 06:54:43 +0000

Trending Topics



uez New York Yankees Autographed White Pin Stripe

Recently Viewed Topics




© 2015