NE PIANA DEGLI ALBANESI TE SICILISE, KU NDJEHESH SHQIPTAR I VJETER - TopicsExpress



          

NE PIANA DEGLI ALBANESI TE SICILISE, KU NDJEHESH SHQIPTAR I VJETER SA BOTA Pas vizitës në Universitetin e Palermos nuk mundej, domosdo, pa bërë një vizitë në Piana degli Albanesi, komuna arbereshe e Sicilisë, ardhur nga arvanitët e Moresë (Peloponezit), ngulmimet e së cilës datojnë në fundin e viteve 1400, pas vdekjes së Skënderbeut. Një territor ku ndihesh si në shtepinë tënde, ku shqipja flitet në familje dhe gjithë mjediset publike siç flitej 530 vjet më parë. Në Piana Albanese, ngritur në një kodër buzë një liqeni gjithë jetë, rreth 20 km larg nga Palermo, jetojnë mbi 6.000 banorë, pothuaj tërësisht arbëreshë. Qytet me gjurmë qytetërimi mbi 5 shekuj, me një Centro Storico të këndëshme ku çdo mbrëmje gëlon shqipja e vjetër, rreth shtatores së Padre Gjergj Guzzetta, patriotit që punoi gjithe jetën për identitetin e arbëreshëve si kombas shqiptarë, me 8 kisha në të cilat mesha bëhet në gjuhën shqipe, më e vjetra ndërtuar në vitin 1488, me bibliotekë të pasur me libra në shqip, arbërisht e italisht, ku që në hyrje ndeshesh me bustin e Skënderbeut, me tabelat treguese dhe sinjalistikën rrugore në shqip e italisht, me kryetarin e komunës (sindaco) arbëresh që të uron mirseardhjen në gjuhën shqipe, me një rini të gjallë dhe entusiaste që është jeta e vërtetë e qytetit… Gjithmonë i shoqëruar nga Prof. Mateo Mandala’, njeriu më i njohur dhe i dashur ndër shqiptarët e Sicilisë, takojmë në zyrën e tij kryetarin e komunës të Pianës. Biseda rreth problemeve te komunitetit, mundësinë e forcimit të mardhënieve me vendin amë dhe shtrirja e tyre në të gjitha fushat, institucionalizimi i gjuhës shqipe në të gjitha nivelet e arsimit në zonat e banuara nga arbëreshët, etj. Të ruash gjuhën dhe identitetin për më shumë se 500 vjet nuk është gjë e lehtë. Rrethuar dhe nën presionin e një kombi tjetër me rrezikun e asimilimit në çdo çast, luftuar nga interesat e grupeve të ndryshme shoqërore, nga luftrat e trazirat mesjetare e moderne, nga kisha e ndryshme nga ajo e jotja dhe sektet e tjera fetare, etj., veç një ndjenjë e lartë dhe krenari e vetëdijëshme mund të rrezistojë dhe të dalë triumfuese për të ruajtur të pastër identitetin tënd kombëtar. Ndoshta është dhe kjo krenari e të qënit arbëresh (shqiptar), me gjuhën, kulturën e pasurinë shpirtërore që është e dukshme edhe sot ndër arbëreshët e Italisë, një ndër faktorët kryesorë, veç të tjerash, që ka bërë që shqiptarët e Italiasë t’u mbijetojnë të gjitha furtunave të kohës dhe të bëjnë që të ndjehemi edhe ne krenarë për atë copëz të botës shqiptare që ekziston realisht si një dëshmi e vitalitetit tonë kombëtar.
Posted on: Thu, 01 Aug 2013 18:07:10 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015