NJË PUBLIKIM SERIOZ DHE I VLERËSUESHËM NË FUSHËN E DIJES - TopicsExpress



          

NJË PUBLIKIM SERIOZ DHE I VLERËSUESHËM NË FUSHËN E DIJES SHQIPTARE, “OLIMPI SHQIPTAR”, I FLORI BRUQIT Nga Kristaq F. Shabani, shkrimtar nga Shqipëria Prologim dritësor Kohët e sotme janë kohë të lulëzimit modernist dhe të daljes nga “prangimi” dhe “ganxhimi”, i të cunguarve me emër pronor, që dolën nga “Lëvozhga mit” dhe elegjuan “vargjet vrara” tregojnë për përçapje studimore jashtë “kuadraturës kriteriale “ e normativave moralizuese… Ende në studimet apo mendimet kritike thuren lavde të pameritueshme për krijues, që shkuan apo që janë aktualisht, pa i këndvështruar ata me sensin e origjinalitetit dhe të prezencës “autoritare“ të kreaturës së tyre…, por shpesh ndiqet përvijimi i rrugëtimit të tyre, nëpërmjet asaj ç’kanë thënë të dikurshmit, të cilët kanë humbur logjikën” e mendimit kritik, në këtë kohë të ndryshimeve të gjithanshme dhe atyre emotive, duke mos kapur fillin e najlonizuar… Krijimi është produkt i një të talentuari me forcë të madhe meditative, me një këndvështrim ndryshe nga të tjerët, i cili dritësohet nga një diell tjetër dhe është i aftë të krijojë lidhësinë shpirtërore në një formë e trajtë çudibërëse dhe në një klimë polarizuese me stina të kthyeshme, të ndërthurura dhe të ndërvarura nga njëra – tjetra. Sot me studime dhe mendim kritik merren dhe ata, që s’kanë minimumin e njohurisë për këtë shkencë të madhe, duke krijuar precedentin e rrezikshëm të vulgarizimit dhe të skeptricizmit të mediokritetit. Ndërmarrja e veprave të studimit analitik në këtë vrullshmëri dhe stad krijimi me një temperament e stil më të lirshëm, më të pushtetshëm kreativ është një veprimtari, e cila kërkon nivel të lartë kulturor. Shtëlljesë: Libri “OLIMPI SHQIPTAR”, I FLORI BRUQIT, është një libër voluminoz, i cili edhe nga aktitektura si dhe nga kapitullizimet e tij tregon katërcipërisht erudicionin, nivelin e njohurive të autorit, lëvrues dhe studiues në shumë fusha, duke bërë analitika dhe paraqitje profesionale. Në këtë libër, duke u nisur nga shijet e tij artistike, që duhen respektuar, ai ka rrokur disa nga poetët shqiptarë si: Azem Shkreli, Agim Vinça, Fatos Arapi, Arshi Pipa, Avdulla Konushevci, Esat Mekuli, Agim Bacelli, Besnik Mustafaj, Arif Molliqi, Din Mehmeti, Naim Kelmendi, Sabri Hamiti, Fahredin Shehu, Rajmonda Moisiu, Mardena Kelmendi, Pal Sokoli, Albana M. Litschin, Raif Gashi dhe Iljaz Prokshin.. Përzgjedhje autoriale Kjo është një përzgjedhje autoriale, duke u nisur nga këndvështrimi i tij i pavarur dhe i lirë poetik, nga pëlqesat personale kritike, apo nga mendimet kritike të dhëna për këta poetë. Azem Shkreli trajtohet në këtë vepër të Flori Bruqit si poeti, që zë vend në krye të poezisë moderne shqiptare si dhe e evidenton si impulsues të një sensi dinamik, të një spektri zgjerues tematik, të një risie lirike si dhe të një pasurimi ngjyror të fjalësit në sensin figurativ të ndjesisë. Jep një panoramë dinamike të Azem Shkrelit, duke paraqitur veprat e tij të botuara në disa gjini si poezi, prozë, drama e tjerë. Azem Shkreli cilësohet si kthesuesi i parë drejt modernitetit në letërsinë shqiptare. Edhe në lëmimin prozaik autori evidenton Shkrelin si thyerës i tabusë dhe marrës i kthesës së mirëfilltë në letërsinë kosovare dhe atë shqiptare me romanin “Karvani i Bardhë” si dhe me tregimet në librin “Sytë e Evës”. I shquar në lirikat e para (vendlindja dhe njeriu në epiqendër të krijimit), të pasuara me lirikat e dashurisë, lirikat atdhetare, lirikat refleksive. Një nga karakteristikat më madhore të këtij produkti lirik dhe poetik është se, Shkreli në kreaturën e tij ishte i prirë drejt meditatimeve filozofike. Për të argumentuar përfundimin e tij logjik studiuesi, shkrimtari Bruqi, ilustron me poezi të Shkrelit me tituj intrigues si: “Bregu i Mollës”, “Këngë e Vrugët”, “Motivet e verdha”, “Para elegjisë”, “Liqeni”, “Kënga e turpshme” e tjerë. Duhet theksuar se periudha, kur jetoi dhe shkroi Azem Shkreli ishte një periudhë tensionare, e indokrinuar, e trajtesave ditirambore dhe e produktit kënaqësor, një periudhë, ku shembëlltyra poetike devijohej me urdhëresa në “korsi” të njëjta, apo starte të njëjta dhe precipitimi vetiak ndëshkohej, ndaj rrugëtimi në “rrugë të pashkelura” duhet të ishte i studiuar me mjaft vëmendje nga krijuesi, por përmasat figurative duhet të ishin të një lartësie e përzgjedhje, por të buruara nga një spontanitet i nevojshëm, për të shmangur rakitizmin (proliksitetin), i cili ishte kryefjala e krijimtarisë së poezisë dobësore inervore e kohës, ku ditirambi dhe natyra krijuese stimulonte pa nerv “ecuritë” këmbërënë dhe ecjet në urat lëkundëse… Nëse sot analizon poezitë shkreliane me një këndvështrim tjetër të ecurisë poetike në kontekstin e shkëmbimit universal të vlerave do të diktosh që, paçka nga mospërkthimet në gjuhë të huaja të kësaj kreature, ruhet supermacia dhe dinamika e krijimit, nga shkathtësia frazore dhe figurative, nga fjala e përkorë, nga vrullimi e gjallesa e përcjellshmërisë së idesë, nga arkitektura poetike. Por duhet theksuar se bukuria lirike e Shkrelit të befason, por në disa raste kalon edhe në momente moralizuese, tonaliteti, paçka nga figurimi si psh. te “Para elegjisë” poezia fillon mjaft bukur dhe precipiton po bukur me natyrshmëri dhe ndjesi, por: … Një ditë do t’i hash buzët e tua, gjurmët e tua do t’i pështysh… (ka rënie të diagramës poetike dhe duhet të kishte gjetje figurative), pastaj poezia përsëri uniformohet dhe del në udhën që kërkohet, deri sa arrin te “epilogu”, i cili merr “krahë moralizues”. Ruaju,moj se vashat më të bukura i vret bukuria e vet,… paçka nga filozofia mbartëse, pasi poezia e modernitetit i ruhet moralitetit të hapët, pasi humb melodicitetin, e shpreh moralitetin me aftësinë e ndritshme të vargut. Kjo mund të thuhet edhe për “Katër këshilla vetes” ( janë vetëm tri këshilla në fakt dhe jo katër, pasi një është e ripërsëritur dhe nuk ka vlerë të katërt), të cilat me me shenjën pikësore pikëçuditëse, janë kthyer në tone urdhërore për veten dhe krijuesit e tjerë. Konteksti përmbajtësor i kësaj poezie është kontradiktor… Këshillën e parë të Shkrelit, që ia ka vënë vetes e mbartin poetët e rinj si lajtmotiv! Një bukurim poetik është poezia “Nënat”, e cila ka një rrjedhë gjallësore, të ndritshme, të figurshme, të buruar nga një shpirt poetik analitik dhe tepër i aftë për të diktuar bukuritë e nënës. Bruqi ka evidentuar në përfaqësuesit më me zë të letërsisë shqipe, poezinë shqipe, poetin dhe studiuesin Agim Vinca . Kam mendimin se Vinca ka kontribute dhe shërbesa të mëdha në letërisë shqipe, sidomos në studimet e saj, dhe drejt thuhet në librin “OLIMPI SHQIPTAR” se është një studiues i dalluar dhe ka meritë edhe në guximin e tij intelektual. Një vlerë e tij është: i përkthyer në disa gjuhë si hebraike, vietnameze, maqedonase, kroate, sllovene, polake, ruse, frënge, italiane, gjermane, angleze, turke, arabe e tjerë. Në këtë kontekst është ndër të parët dhe vlen të përmendet për kontribut. Vetëm një studim analitik i poezive të paraqitura në librin e Flori Bruqit dhe me një krahasim logjik me krijimtarinë shkreliane, Vinca paraqitet i zbehtë në poezinë e tij. Dua të veçoj poezinë “Paradoks”, e cila është në pëlqesën time, por me një heqje të që –së në vargun e tretë… “Glosë për Çamërinë”, një poezi tërësisht e dobësuar, me pak vargje poetikë, paçka çfarë kërkon të thotë… Më saktike dhe më e precipituar nisma e poemës për Familjen Jashari… Duhet theksuar se poezia e mendimit konciz kërkon “mbrujtje të madhe “ . Po kështu mendoj se poezia “Mora Rrugën për në Qafë Thanë” , mendimi i poetit ka mbetur në vargje proliksë… E njëjta gjë mund të thuhet edhe për “Psalm për Shën Naumin” ai mbetet në pozicion konstatues dhe precipitimi i vargut të fundit tregon një pasthirrmim i dalë jo vetëm nga shpirti i ndjerë poetik , por edhe nga shpirti i çdo njeriu… Pra nuk ka lulim poetik… Kështu mund të flitet edhe për “Betimi (Anno Domini1999),i cili ndoshta ka nëpër të ca vargje impozantë. Doja të theksoja se studiuesi duhet të jetë dhe poet i nivelit, edhe i shkolluar, për të realizuar një zbërthim analitik të krijimit. I nderuar Bruqi, me këtë substrakt poetik të përsjellë për Vincën, nuk justifikohet, sa duhet dhe si duhet prezenca e tij poetike si i “spikatur “, që motivohet prej jush në këtë libër voluminoz,kur mund të përzgjidheshin nga krijimet e tij poezi të tharmit. Vendosja e Arapit në këtë libër është e përligjur. Arapi e meriton vendi e tij në këtë “kolanë” të letërsisë e të poezisë shqipe. Duhet theksuar se Arapi ka patur aftësinë të poetizojë me shumë patos dhe lirizëm. Po kështu duhet evidentuar se, “rrudhimi kohor” nuk ka vepruar vetëm në Shqipëri dhe s’ka ndikuar vetëm këtu në krijimtarinë letrare të krijuesve shqiptarë, por shumë edhe në Kosovë, ku, përveç të tjerash ka pasur edhe “flirtime” poetike të detyruara, ashtu sikundër ka pasur edhe represione, reprezalje ndaj krijuesve… Për poetin Fatos Arapi është folur shpesh dhe zoti Bruqi bën një analitikë të kujdeshme për diagramën poetike të këtij poeti. E magjishme poezia e tij për Atdheun… Atdheu yt i vogli, i vogli./ Ai hyjnori i pavdekshi – loti,duke mos mohuar kreaturën e Fatos Arapit, doja të theksoja se dhe poezia e tij nuk i ka shpëtuar rrëfimit, aftësisë rrëfyese dhe, hera – herës, në disa krijime të tij ka rënie, s’ka figurim, paçka se do të shprehë gjendje, ka tepëri dhe zgjatje të panevojshme, të cilat me një përqëndrim më të madh Arapi mund t’i kishte krasitur vetë, duke mos luftuar për një koincizitet poetik dhe të latuar mirë. Kjo poezi ka trajtë afër modernes, por ka dhe tonalitete deklarative. Kjo që theksova më lart nuk e zbeh aspak kreaturën e Fatos Arapit… Nuk dua të zgjatem me këtë poet, pasi të them të drejtën nuk kam parapëlqesë për rimëzimet të formës apo trajtës të puthur, apo përdorimet e rimimeve foljore më nervozojnë së tepërmi, pasi humbasin bukurinë… Kur analizojmë kështu dhe kemi mendime kritike për Fatos Arapin ç’mund të thuhet për disa krijues të tjerë, që janë vendosur në librinn “OLIMPI SHQIPTAR”, të cilët kanë dobësi të theksuara në poezi dhe që s’kam ndërmend t’i paraqes në këtë mendim kritik për këtë libër voluminoz. Motivet nga është nisur autori unë i kam parasysh për efekte gjeopoetike, duke u nisur edhe nga mosnjohja si duhet e krijuesve të mirëfilltë shqiptarë modernë, të cilët sot japin kontribut dhe konkurrojnë në poezinë botërore moderne. Me vend e shoh dhe me të drejtë pjesëmarrjen në këtë libër të figurave poetike të tilla kosovare si Esad Mekuli, Din Mehmeti, Naim Kelmendi, Sabri Hamiti, Fahredin Shehu e tjerë. Më gëzon fakti që tre poetët e fundit janë konkurrues, duke përfshirë dhe Avdullah Konushevcin e Besnik Mustafaj (por me një selektim me të mirë të krijimeve të tyre) i mëshojnë fort një poezie moderne dhe kanë mundësi shumë të mëdha për të pasqyruar kreaturën e tyre në rang ndërkombëtar. Që të jem i saktë mund të kem të njëjtin mendim edhe për ndonjë recensë, apo mendim të fryrë për ndonjë krijues, i cili nuk është i atij stadi që është personifikuar. E shoh të arsyeshme të them se, disa e heqin veten, sikur janë në majë të Olimpit, kur nukjanë tillë dhe një qëndrim i tillë, natyrisht, e dëmton vetë “OLIMPIN”. Poezia nuk kërkon lavdërime, por të thënur troç dhe troçësia është e bukur dhe jo përkëdhelëse. * * * Heshtje përkufizohet: “HIÇ…” Heshtje do të thotë: “MOSJETIM…” Heshtje do të thotë: “PIKË”… “Pulsi i Dhimbjes” Elegancë përzgjedhjeje e Bruqit në korifenjtë e letërsisë botërore Një përzgjedhje elegante është bërë në kapitullin e dytë të librit. Bruqi ka përzgjedhur korifenj të letërsisë botërore, që kanë dafinizuar dhe kanë arritur maja olimpiane në letërsi, pasi vepra e tyre e spikatur edhe sot lulon dhe “jep” mend, pra përzgjedhje të letërsisë që s’vdes… Në pararojë të hyrësisë së këtij kapitulli është Albert Kamy, ky klasik modern, Borges, ky fenomen letrar, siç e motivon Bruqi,Heinrich Heines, poeti i madh gjerman, Gabriel G. Markuez,Hemingueji,shkrimtari brilant, i cili të befason ende me librin e tij të pavdekur kurrë“Plaku dhe Deti”, një mistikë fenomenale letrare, Anton Çehovin, shkrimtar – majë i letërsisë ruse, Fjodor Dostojevski, shkrimtar i trurit intelektual dhe i përsiatjeve të mendimit letrar të përkorë; Vladimir Majakovski, i veçantë në krijimin dhe stilin e tij të motivuar, Viktor Hugo,shkrimtari madhor francez epokal, Jean Paul Sarte (të çuditshmin mendimor dhe rrëfyes”ndryshe”), Orhan Pambuk, nobelistin turk dhe në epilogim të këtij kapitulli vendos Robert Shvarc, albanologun, shkrimtarin dhe përkthyesin e talentuar të gjermanishtes të Erih Maria Remarkut, Lion Fojtvanger, Leon Uris, Bertold Breht, Hajnrih Hajne, Gëte e Shiler… * Kapitulli i tretë duhet motivuar kapitulli i recensionimeve për vepra të Ali Asllanit, homazhim për veprën e Fan Nolit, për Anton Pashkun, për Martin Camaj,Vedat Kokona, Azem Shkrelit e për Fatos Kongolin, Ben Blushin, Flutura Açka, Sadik Përvetica, Zymer Elshanin, Myrvete Dreshaj – Baliu, Ibrahim Skënderi e tjerë… * Ndërsa, kapitulli i katërt motivohet si kapitulli i temës psikologjike Në këtë kapitull autori ka hedhur dritë, që duhen mbajtur mend dhe të mos pësojnë ndryshime rrjedhat historike, si një nga temat kryesore: dhunimet gjatë luftës së Kosovës, ku predominon eliminimi fizik dhe mendor, del në pah lufta e moderuar e Vesli Klark për të mposhtur arkitektin mizor, diktatorin serb Milosheviç, jepet një panorama analitike e Masakrës së Çyshkut si dhe një panoramë tjetër e tej thelluar e spastrimit etnik; po kështu bëhet një analitikë e shkaqeve të vetëvrasjes dhe jepen rekomadime për të eliminuar këtë akt antinjerëzor nëpërmjet parandalimeve dhe kujsdesit, që duhet treguar për uljen në minimum të tyre… Evidentimi i faktorëve të rrezikshmërisë që të shpien në suicid është një zbulesë kontributi i Flori Bruqit për parandalesë.. I mëshohet në këtë kapitull edhe psikologjisë andragogjike dhe zbatimti të saj në ushtrinë shqiptare dhe në TMK/FSK. Konceptet dhe përvojat e të mësuarit, proceset volitive, orientimi për të mësuar, motivimi i të mësuarit. Ky konceptim ka objekt dhe zhvillimin e mëtejshme të përgatitjes ushtarake, duke u nisur dhe nga klimat: klima e hapët, klima e kënaqësisë, klima humaniste,… * Trajtesa më kapitullin e pestë është trajtesa historike dhe rrok disa tema të rëndësishme si Kosova, të pathënat pas luftës, nacionalizmi dhe ndikimet e huaja, Milan Von Sufflay dhe shqiptarët, preket Jeta e Ali Pashë Tepelenës, Ahmet Zogut dhe ky kapitull mbyllet me Adem Jashari, simbol i rezistencës shqiptare. Zbërthim analitik historic në këtë kapitullizim bëhet për Kosovën, shtypjen etnike, arkitektët e kësaj shtypjeje, misonet si dhe ndihmesa e organizuar dhe e detajuar e ndërkombëtarëve me rol parësor SHBA. Jepet dhe një panoramë e pushtimeve të Romës, Bizantit, Turqisë e tjerë, duke nxjerrë në pah dhe fetë e tyre sjellëse në këto troje shqiptare (katolicizmin, ortodoksizmin dhe islamizmin)… Tërheq vëmendjen studimi apo paraqitja që bëhet në vepër të studiuesit, albanologur kroat Milan Shuflai, ku jepen të dhëna historike të panjohura si dhe po kështu paraqiten me koincizitet rrethanat e vrasjes së këtij gjeniu të letrave, (objekti i vrasjes i lidhur drejtpërdrejt me çështjen shqiptare, angazhimin e tij në zbulimin e historisë shqiptare, nëpërmejt një punimi disavolumësh), që iu përkushtua dhe studimit të historisë shqiptare, anëve esenciale të pazbuluara të saj, i shkolluar në shkollën austro-gjermane. E rëndësishme dhe shumë dukurore dhe dritësore është se për albanologun jepen të dhëna, veprimtaria e tij si dhe letërkëmbimet me personalitete, po kështu dhe fjalënderuese për veprimtarinë e tij të shumanshme shkencore e historike. Në pjesën tjetër të përshkrimit të Ali Pashë Tepelenës në librin “Olimpi Shqiptar” jepet dhe korelacioni në trajtesë të figurës si dhe përshkrimi në veprën e Dumasit dhe të Zavalanit për Ali Pashë Tepelenën. Bruqi hedh dritë në figurën e Aliut në lidhje me krijimin e shërbimit sekret të Pashallëkut të Janinës, një trajtesë interesante si pashai pati aftësi të organizonte një shërbim sekret të aftë, përballues dhe justifikues për objeksionet e tij me largpamje. Pa dyshim i rëndësishëm është dhe një pasqyrim i jetës së Ahmet Zogut, po kështu dhe e figurës kalendarike, burrërore dhe heroike të Adem Jasharit, duke e trajtuar si simbol të rezistenës kombëtare. I nevojshëm,ky kapitull,tërheqës vëmendjeje… Kapitulli i parafundit i “OLIMPI SHQIPTAR: rrok dhe trajton personalitete të mëdha me kontribut nga Bota e Dijes shqiptare si: Gonxhe Bojaxhiu në letërsinë shqipe, (konfigurimi i kësaj figure në shkrimet e autorëve dhe krijuesve shqiptarë), poetin, prozatorin dhe dramaturgun Jusuf Gërvalla (dalin në pah dhe evidentohen panjohësitë për veprën e tij dhe publikimi i veprave të tij, të kësaj figure poliedrike të këtij shkrimtari martir, cilësuar prej autorit), dr. Mirela Bogdani “Dritësim i botës shqiptare” (shqiptarja e Oxfordit, nën lajtmotivin “Elita e dijes duhet riangazhuar); evidentohet Akademik Idriz Ajeti (pesë veprat e tij, kontribut madhor në fushën e dijes shqiptare), Ledri Kurti – Kraja, eseiste dhe poete shkodrane (tërheq vëmëndjen “Skicë e mendimit estetik shqiptar në fillim të shekullit të XX)(Konica, Prozë dhe kritikë); trajtohet Ismail Kadare pak më ndryshe, pas dhënies së një fragmentimi jetësor nga jetëshkrimi kadarean, bëhet një zbërthim i poezisë së Kadaresë, duke e cilësuar poezinë e tij si një prej zhvillimeve më novatore në vjershërimin shqip, gjatë një gjysmë shekulli) si dhe jepet një pasqyrim i qartë i produktit letrar të Ismail Kadaresë, gjatë gjithë jetës së tij shkrimore. Bëhen zbërthime analitike të romaneve dhe veprave të Kadaresë si dhe jepen fragmente nga veprat e tij si “Kronikë në gur, “Përbindëshi”, “Kështjella” ,”Nëpunësi i Pallatit të Ëndrrave”, “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur”, “Qyteti pa reklama”; Jup Kastrati (Jeta dhe vepra e tij), Ibrahim Rugova( bëhet zbërthim njohës për veprat e tij, jepen çmimet dhe titujt Ndërkombëtarë të Ibrahim Rugovës, trajtohet si kultivues i modernitetit në letërsi, si studiues; Rexhep Qosja (jepet një panoramë për jetën dhe veprat e Qoses) si dhe kontributi i tij akademik në ngritjen e kuadrove shkencore në fushën e folkloristikës, fushat studimore në folkloristikë, studimet e tij teorike për figuracionin dhe stilin, studimet krahasimtare. Pastaj kapitulli vijon me: Ukshin Hotin (është një përkujtim memorial i veprës së tij si dhe mendimet e dhëna për Ukshin Hotin nga personalitete të kulturës dhe të letërsisë si Kadare dhe Qosja. Një vend të veçantë në “OLIMPI SHQIPAR” zë dhe vepra e jeta e poetit, fabulistit Izet Çulli, që është dhe në kryesinë e LNPSHA “PEGASI” ALBANIA, ku pasqyrohet vepra e tij dhe tre shkrime të tij për Kosovën; Adem Demaçi, një plotësi për të njohur këtë shkrimtar me veprat e tij), Zymer Neziri, studiues i mirëfilltë dhe kontribues në Institutin Albanologjik të Prishtinës, Adnan Abrashi, Nimon Muçaj, intelektuali Namik Shehu, Begzad Baliu dhe në fund në këtë kapitull i lihet vend pjesës opinionare. Pjesa e fundit e “Olimpi shqiptar” Ky kapitull sjell opinione për librin “GUXIM SHQIPTAR” Shkrime nga Fatmir Terziu, Rustem Geci, Naim Kelmendi, Nehas S. Hoxha, Avdullah Konushevski, Izet Çulli dhe përfundon me poezi të vetë autorit Flori Bruqi dhe mbyllet me biografinë (jetëshkrimin) e autorit të “OLIMPI SHQIPTAR”. Si përfundesë: Këshillim i LNPSHA “Pegasi” Albania për librin “Olimp shqiptar”, të Flori Bruqit, për Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrinë e Arsimit e Shkencës të Kosovës Me një arkitekturë të tillë ky libër duhet të jetë një ogur i mirë për pedagogët,studentët, shqiptarë, mësuesit dhe nxënësit e të gjitha kategorive për të mundësuar zgjerimin e tyre të njohurive në disa fusha si: atë letrare, psikologjike, fushën e madhe të dijes, njohjen e personaliteteve të letërsisë botërore si dhe disa prej përfaqësuesve tipikë të letërsisë së Kombit shqiptar. Komisioni i specializuar për hyrjen e teksteve dhe librave të autorëve të ndryshëm si libra të kontributit në fushën e dijes elitare duhet të evidentojë edhe këtë libër dhe jo të vendosë në programet shkollore libra, që s’meritojnë e s’thonë gjë për letërsinë dhe kulturën shqiptare. Studentët,tashmë,janë të prirur që t’i marrin tekstet,apo të kryejnë detyrat e kursit,duke kopjuar nga materialet në internet,duke ndryshuar paksa përmbajtjen dhe pedagogët e tyre paqetohen me këtë “vjedhje” dijesh dhe errësim dijesh…,ku nuk duket inteligjenca e studentit,por krijohet premise e shabllonizimit dhee kopjimit narrativ… Kjo tashmë është bërë modë dhe sfiluese edhe me nxënësit e shkollave 9 vjeçare e të mesme.Kjo bën që të hiqet dorë nga leximi i librit… Ky mendim i LNPSHA “Pegasi” Albania të vlejë edhe për përzgjedhje të librave të ndryshëm letrarë,që kanë vlerë të padiskutueshme në fushën letrare e gjuhësore dhe që mund të futen në programet shkollore e të mos vijohet vetëm me letërsitë e dikurshme,por me me letërsitë ndryshe të mirëfilltë,që i nevojitet aktualitetit dhe zhvillimit të mendimit progresiv të shoqërisë.Po kështu Akademia e Shkencave e Republikës së Shqipërisë duhet të ngrejë një komision të veçantë për të qëmtuar,hulumtuar veprat e krijuesve shqiptarë,që sjellin pasurimin e gjuhës shqipe me neologjizma letrare,të cilat të studiohen nga studiues niveli,jot ë mefshtë si deri më tani hezitues, dhe të pasurohet fjalori i gjuhës shqipe në një kongres të veçantë për këtë akt madhor gjuhësor. ( floart-press.blogspot/2010/12/nga-kristaq-f-shabani-nje-publikim.html) LETËRSIA SI “AKSION” KOMUNIKIMI (Një libër kritik për krijimtarinë e shkrimtarit Flori Bruqi ) Rajmonda Maleçka Flori Bruqi është njëri nga shkrimtarët, që ka shkruar njërën nga letërsitë më interesante në Kosovë, veçanërisht në prerjen kohore të viteve 90-të e në vazhdim, me çfarë është bërë prezent një nga zhvillimet më të rëndësishme, jo vetëm për Kosovën, por të gjithë Ballkanin. Në problematikën historike, etnologjike, diplomatike e emblemuar nga të gjithë analistët historik dhe ato të kohëve të vona si “nyja gordiane e Ballkanit”, letërsia e Flori Bruqit është interesante dhe e elementuar si letërsi bashkëkohore me të gjithë problematikën e saj qoftë ajo brenda letrare dhe ajo jashtë letrare.Një korpus romanesh, të cilët në librin kritik që pritet të botohet në Tiranë së shpejti, vlerësohen si detaje të realitetit shqiptar, në kushtet e një klime kolonialiste, hedhin dritë të mjaftueshme në prerjet historike të një populli të sakrifikuar dhe të kryqëzuar për një çështje të hershme dhe hyjnore. Të gjithë konfliktet hyjnore kanë në themelin e vet raportet me lirinë. Flori Bruqi ndihmon në “paradigmën” për ta kuptuar “legjendën e mbijetesës”, gjithashtu dhe atë temën biblike të dhimbjes.Raportet që letërsitë kanë me popujt dhe tokën në të cilën ato kanë gjetur rrënjët e fjalëve dhe të mendimeve, të kujtesës dhe të nevojës për të ditur se kush është atdheu, liria, njerëzit e lashtë dhe njerëzit e lirisë, kanë prodhuar gjithmonë letërsi që ju kanë rezistuar kohërave. Një letërsi është e mirë, është nënprodukt i një realiteti të madh njerëzorë, kryesisht nga ky raport dhe nga jetëgjatësia që ajo i ka programuar vetes.Pjesa më e madhe e letërsisë së shkruar në Kosovë, veçmas nga gjysmë e dytë e shekullit që sapo lamë pas, është ndërtuar përmes një raporti ekzistencial i elementuar në subjekte, ngjarje, personazhe dhe struktura të shkëlqyera vertikale dhe horizontale me çfarë krijuesit e Kosovës i kanë bërë shërbimin kulturës shpirtërore dhe asaj të kujtesës kolektive, duke qenë e orientuar shpirtërisht.Ekzistencializmi është një konsekuencë e njohur për të jetuar, i cili është shfaqur dhe e ka pjesëtuar veten në letërsinë artistike më shumë se sa në shumë fusha të tjera të dijes dhe të filozofisë. Tek shqiptarët ky lloj raporti ka qenë shumë më herët se sa Hajdegeri të shpallte doktrinën e ekzistencializmit. Nëpër prerjet e këtij ekzistencializmi, shkrimtari Flori Bruqi ka arritur t’i “shkulë” kohës shumë personazh të tipizuar mrekullisht, shumë ngjarje me të cilat i bëjnë prezent epokën, protagonizmin historik, të cilat janë elementë të dukshëm të procesit letrarë.Studimi kritik për krijimtarinë artistike të Flori Bruqit e karakterizon autorin si një krijues unik në kushtet e një letërsie të re dhe specifike, e cila u shkrua në Kosovë në rrethanat e një kompleksi totalitaro-kolonial, e cila ishte e kushtëzuar të ishte me një simbolikë të qëndrueshme, por të realizonte një komunikim real. Në kohët totalitare dhe ato që inspirohen prej tij, apo janë nënprodukt i tij, komunikimi ka një rëndësi të madhe, i cili lidhet me strategjinë e mbijetesës. Kosova, të paktën për një shekull është kushtëzuar për mbijetesën e saj, pasi mbi të njëri nga kundërshtarët e saj të vjetër praktikoi mbi të gjenocidin, etnocidin dhe shfarosjen e zhdukjes në masë. a. Letërsitë si prerje të kohërave Studimi kritik për krijimtarinë e Flori Bruqit si shkrimtarë merr në konsideratë romanet e tij të cilët nyjëtojnë kohët më emblematike të Kosovës. Bruqi ka arritur të sjellë personazhe, realitete njerëzore, situata, ambiente dhe klimë shpirtërore autoktone, të cilat bëhen të kapshme nga të gjithë kategoritë e lexuesit. Letërsia ka një qëllim të njohur, ajo synon të realizojë një komunikim sa më të gjerësishëm dhe sa më selektiv. Marrëdhënia që letërsia krijon me lexuesin është më e shtrirë dhe më e gjerësishme se sa njoftimi që përcjellin llojet e tjera të komunikimit, dhe të letërsisë dokumentare apo dhe asaj historike.Bruqi arrin të krijojë një raport kompleks të të gjithë llojeve të komunikimit me kohën, njerëzit, relacionet e nevojshme të shoqërisë në saj të tipave, karaktereve, ngjarjeve dhe të lëndës letrare, aq më tepër të gjinisë së romanit, duke e shndërruar të në “aksion”. “Aksioni” i komunikimit, kryesisht përmes një letërsie të ngjarjeve të hapura dhe të përjetuara, ka përmbushur njërin nga kushtet më sendërtare të letërsisë artistike, duke qenë njëra nga pasqyra më besnike ku njerëzit kanë parë fytyrën e vet dhe historia ka shtuar faqet e librit të saj të madh të etnisë, kombit dhe të autoktonitetit të tij. Romanet dhe krijimtaria artistike e Flori Bruqit, sjell prerjet kohore të zhvillimeve të fund-shekullit të kaluar kryesisht, në një realitet të kushtëzuar njerëzore, ku duken hapur marrëdhëniet koloniale të kolonizatorit si sundues i egër dhe i papërmbajtshëm në egërsinë e vet dhe të një realiteti njerëzorë, i cili i referohet thelbit të tij që nga lashtësia deri në ditët tona. Drama dhe personazhet, aksioni i ngjarjeve dhe definicionet psikologjike, të cilët tipizojnë zhvillimet sociale dhe historike të asaj ku merren dhe autori e gjen lëndën letrare, janë si dukuria e formimit të ortekëve që zmadhohet dhe marrin fuqi në rrugëtimin e vet. Bruqi kujdeset t’i ruajë konvencionet e kohës së tij dhe të personazheve të tij. b. Letërsitë si vazhdimësi historike Çështjet kombëtare kanë rrënjë të thella në problematikën e tyre për t’u bërë letërsi për arsyen e njohur të tyre. Letërsia artistike i ruan ngjarjet historike ndryshe arkivave, ndryshe dokumenteve historike, ndryshe historisë, ndryshe kronikave dhe ndryshe gjithë llojeve të tjera të kujtesës. Letërsia artistike i mbush me gjak dhe shpirt ngjarjet historike, i mban ashtu dhe i ruan po ashtu. Letërsia artistike i ka kodet komunikatave më të gjerësishme dhe më shpirtërore se sa të gjithë zejet e tjera të kujtesës dhe të revokimit njerëzor. Letërsia artistike nuk i konservon as ngjarjet historike, as ato njerëzore, as dhe personazhet e tyre, përkundrazi ajo arrin t’i bëjë pjesë të konvergjencave të zhvillimeve. Personazhet e njohur dhe real të Shekspirit të madh, historia i ka fosilizuar, i ka konservuar deri në gjendje bazike, ndërsa shkrimtari i madh përmes letërsisë i ka sjellë ato në marrëdhënie me të gjithë kohët, pavarësisht sa të zhvilluara dhe të avancuara ata kanë qenë krahasimisht me kohën e personazheve real, prej të cilëve Shekspiri e mori “tharmin” e tyre.Thuajse 10 romanet e Flori Bruqit dhe libri më i mirë i tij, “Guxim shqiptar”, i cili është ndërtuar si një organizëm unik, me marrëdhënie dhe kumte vertikale, horizontale dhe diagonale, dhe që është një libër për të gjithë, përbëjnë një realitet të veçantë letrarë, qoftë për tematikën po ashtu dhe për profilin letrarë që autori ka paraqitur. Dhe kjo është kaq e vërtetë, sa të zë shumë pak kohë fizike ta absorbosh në leximin e parë këtë lloj krijimtarie, por është ndryshe kur atë kërkon ta zotërosh. Shkrimtari Flori Bruqi përmbush parimin themelorë të letërsisë si krijim, pasi ajo (letërsia artistike) nuk e përkufizon kohën që zë brenda vetes, por e pasqyron atë përmes zgjedhjes dhe seleksionimit të ngjarjeve, personazheve tipik dhe e bën të komunikueshme me të gjithë kohët. Kjo sjellje elitare dhe e zgjedhur i bashkëngjitet dhe përvetësohet c. Metafora ekzistenciale e jetës Duket se Flori Bruqi është një shkrimtar, i cili arrin ta gjejë letërsinë dhe gjendjen e tij krijuese, qoftë në një realitet në të cilin flitet për vdekjen, pritet vdekja, dhe, ku të gjithë lajmet që shkojnë e vijnë kanë të bëjnë po me vdekjen. Baladat e vjetra dhe ato të reja qoftë dhe për ta mundur vdekjen, kanë qenë dhe do të jenë më tragjiket në historinë e njerëzimin. Epi i Gilgameshit duket se i ka thënë të gjitha që nga koha kur ai u krijua dhe deri sot.Ka kërkuar dhe ka gjetur personazhe, të cilët kanë plotësuar kapacitetin real dhe atë përtej vetës, që shkrimtari i ka bërë pjesë të një pune, frytet e të cilës jetojnë gjatë. Jetojnë më shumë se një shtëpi, më shumë se një mundim, më shumë se të gjithë gjërat e tjera më të sofistikuara, që njerëzimi është përpjekur dhe ka luftuar ta “mbajë” kohën, ta sundojë atë.Koha nuk mund të sundohet kurrë, ajo zotërohet dhe të gjithë këtë e kanë bërë shkrimtari me letërsinë, që nga kohët antike deri sot. Letërsia e mirë e “mban” kohën, ajo e merr atë mbi shpinë, siç mund të marrësh mbi shpinën e devesë dhe një shtëpi, e përcjell nga koha në kohë. Asnjë teknologji tjetër sado e sofistikuar të ketë qenë ajo nuk ka arritur ta bëjë këtë, përveçse letërsia dhe shkrimtari.Shkrimtari Flori Bruqi ka kërkuar ngjarje dhe ato i ka gjetur në jetën e njerëzve të tij, në jetën e armiqve të historisë dhe të popullit të tij. Ka qenë një ngjarje që ka shëtitur nëpër të gjithë rrugët e vendit të tij, nëpër rrugët e fisit të tij, prag më prag shtëpie. Ai, shkrimtari është nxënë me atë ngjarje, është rritur dhe pjekur me të. Një pjesë të saj e ka marrë në shpinë si ajo deveja nëpër shkretëtirë, një pjesë tjetër e ka “bërë” burrëri për ta përballuar jetën.E gjithë krijimtaria e Flori Bruqit është një mega-metaforë e ndërtuar “metonimikisht” në raportet e njeriut me njerëzit dhe e qëndresës me ekzistencën. Studimi kritik mbi krijimtarinë e Flori Bruqit arrin ta elementojë të gjithë strukturën artistike të cilës i “perimetrohet” dukshëm ç’e ka motivuar atë dhe pse ka qenë e tillë. Krijimtaritë universale vijnë përmes thjeshtësisë së vet, por e mbajnë të tillë temat universale, për të cilat njerëzimi ka pasur, ka dhe sot do të ketë përjetësisht nevojë. Studimi kritik për krijimtarinë e Flori Bruqit prek dhe çështjet e tjera të letërsisë që është shkruar dhe po shkruhet në Kosovë.
Posted on: Sat, 10 Aug 2013 11:22:14 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015