Ndeshja Një gol i shpejtë i Ramës, me një gjuajtje të fortë - TopicsExpress



          

Ndeshja Një gol i shpejtë i Ramës, me një gjuajtje të fortë nga rreth 20 metra, na krijon përshtypjen se do të bëjmë mrekullinë dhe do të fitojmë. Mirëpo “çorba” e krijuar në mbrojtje, ndërsa islandezët e qarkullojnë mirë topin derisa arrijnë të gjejnë hapësirat dhe zonat e depërtimit drejt portës sonë, e bën kombëtaren që të dorëzohet brenda pesë minutave. Islandezët këmbëngulin gjatë për të shënuar dhe golin e dytë në portën e Berishës, që vazhdon të jetë në një formë për t’u admiruar, paçka se ka pasur përpara një mbrojtje për t’u harruar. Ajo që u bë evidente ishte se mungesa e Mavrajt në qendër të mbrojtje, që arrin të mbyllë gjithçka dhe kur Cana gabon, krijoi një gropë të madhe, të cilën asnjëherë Teli nuk e mbylli. Të paktën në këto dy ndeshje në transfertë dhe që ishin shumë të rëndësishme për kuqezinjtë tanë për të mbajtur vendin e dytë në Grupin E, që do të thotë kalim në Play-off të Kampionatit Botëror “Brazil 2014”.. E jo vetëm kaq por dhe mbrojtësit e krahut ishin në një ditë të errët, sepse Lila, i vendosur në pozicionin e Agollit të skualifikuar, nuk e bënte dot atë. Më tej akoma, në qendër të mesfushës me dy lojtarë krijues si Kaçe e Basha, të cilët vetëm shohin para dhe asnjëri nuk vjen mbrapa për të mbyllur, duket se nuk ishte zgjedhja e duhur e De Biazit, kur ka ulur Bulkun në stol, të cilin e futi shumë vonë. Rama e Roshi janë munduar nga krahët, por as Salihi e as Çani, të mbuluar rreptë nga mbrojtja islandeze, nuk krijuan asnjëherë rrezik për vendësit. Lagerbak është i qetë në stolin e tij, kurse De Biazi duket sikur e ka të vështirë të udhëzojë, sepse, ndoshta po të kishte qenë, do t’i ndërronte të njëmbëdhjetë futbollistët e tij. Dhe me barazimin 1-1 është mbyllur pjesa e parë. Por e dyta ka nisur më keq, sepse Islanda na ka goditur në zemër të mbrojtjes dhe me një thembër të Sigurthson na vjen dhe “shpulla” e dytë e vendësve. Kaq mjafton, Islanda administron, tanët lëvizin me Kaçen, por herë portieri e herë gjuajtjen tona të gabuara, nuk rrezikojnë në portën vendëse. Dhe ata që zëvëndësuan që nga Bulku, megjithëse ky i fundit i dha një dorë mbrojtjes për ta mbajtur larg sulmin vendës, nga Januzi e Gjasula askush nuk mundi ta shmangë dot humbjen. Përfundimi, jemi mundur përsëri atje ku kishim humbur 23 vjet më parë. Jemi kthyer në “origjinë”, sepse jemi të parafundit në grup, kurse kemi ngrirë të gjithë në Polin e Veriut, aq sa dy ndeshjet e fundit kualifikuese të Botërorit “Brazil 2014”, me Zvicrën e kualifikuar në “Qemal Stafa” dhe me Qipron e vendit të fundit në transfertë vlejnë sa për kalendar, sepse shpresat për të kapur vendin e dytë tashmë janë shuar. Dhe nuk duhet ky përfundimi i të gjithave kualifikueseve “Brazil 2014”. Por në fund të fundit ky është fati i një kombëtareje që gjithnjë e nënvlerëson veten dhe e quan… të vogël.
Posted on: Thu, 12 Sep 2013 11:56:57 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015