Ndonëse në ikje, Këshilli i Minis trave përmes një vendimi - TopicsExpress



          

Ndonëse në ikje, Këshilli i Minis trave përmes një vendimi që mban datën 16 gusht 2013, ka lejuar Ministrinë e Shëndetësisë të zhvillojë procedurat e prokurimit, të cilat kapin vlerën e rreth 3 milionë dollarëve. Vendimi, i cili është publikuar edhe në Fletoren Zyrtare, paraqet me detaje të gjithë tenderat që duhet të zhvillohen nga ministria në ikje, ndërkohë që ka hyrë në fuqi që në momentin e miratimit. Vlera e tenderave kap shifrën e 276.268.529 lekëve të reja ose rreth 3 miliardë lekëve të vjetra. E ndonëse kur erdhi në krye të MSH-së, ministri Halim Kosova akuzoi dhe kritikoi paraardhësit e tij se kishin zhvilluar 1 miliard lekë tendera brenda një nate, duket se shifra po sfidohet, duke u trefishuar. TENDERAT Procedurat e prokurimit që duhet të zhvillohen janë planifikuar për investime në spitalet e Tiranës dhe në rrethe. Kështu, për Spitalin Universitar Obstetrik Gjinekologjik "Mbretëresha Geraldinë" janë planifikuar rreth 15.000.000 lekë për sistemin e kondicionimit dhe vendosjen e ashensorëve. Rreth 5 milionë lekë i janë dhënë Spitalit Rajonal të Fierit për blerjen e një aparati grafie, ndërsa për maternitetin e ri "Koço Gliozheni" janë planifikuar rreth 50 milionë lekë për rikonstruksionin e ambienteve të katit të tretë. Shpenzime të tjera kapitale janë planifikuar edhe për Spitalin e Shkodrës, për rikonstruksionin e Qendrës së Shëndetit Mendor në Gramsh, si dhe për Spitalin Psikiatrik të Vlorës. Po ashtu, rreth 21 milionë lekë janë planifikuar për Drejtoritë e Shëndetit Publik në rrethe, për blerjen e pajisjeve mjekësore dhe laboratorike. Hapja e procedurave të prokurimit nuk ka lënë jashtë edhe shpenzimet korrente, duke filluar që nga blerja e materialeve të kancelarisë për Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza", shtypshkrime për SUOGJ "Mbretëresha Geraldinë", materiale pastrimi për Spitalin Rajonal Berat, materiale pastrimi për QSUT, materiale pastrimi për Spitalin Rajonal Lezhë, detergjent për Spitalin Lushnjë etj. Nuk është harruar të hapet tenderi edhe për ruajtjen dhe sigurinë fizike në QSUT. DIALIZA Ndërkohë që, në numrin e konsiderueshëm të procedurave të prokurimit që duhet të zhvillohen brenda këtyre ditëve, ajo që bie në sy është vlera e planifikuar për dializën. "Shtesë kontrate QSUT, për "Trajtimi me dializë i pacientëve të sëmurë me insuficiencë renale kronike, referuar nga Shërbimi i Nefrollogji-hemodializës pranë QSUT, me shoqërinë Univers-Alb" sh.a.,me fond limit 38.658.816 lekë, pa TVSH dhe 46.390.580 lekë, me TVSH. Shtesë kontrate QSUT për "Trajtimi me dializë i pacientëve të sëmurë me insuficiencë renale kronike, referuar nga Shërbimi i Nefrollogji-hemodializës pranë QSUT, me bashkimin e operatorëve ekonomikë diagnostikë dhe Therapeutik Center of Athens Hygeia S.A." dhe Hygeia Hospital Tirana" sh.a., shoqërinë Univers-Alb" sh.a., me fond limit 17.464.186 lekë, pa TVSH dhe 20.464.186 lekë, me TVSH.", thuhet në VKM. Në morinë e prokurimeve nuk është lënë jashtë as informatizimi i kartelave të pacientëve në QSUT, ndërsa për zhvillimin e kësaj procedure janë planifikuar rreth 24 milionë lekë.
Posted on: Fri, 30 Aug 2013 06:24:09 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015