Nga: Shaban Çupi Me rastin e 29 gushtit – Ditës së - TopicsExpress



          

Nga: Shaban Çupi Me rastin e 29 gushtit – Ditës së Dëshmorëve të komunës së Hanit të Elezit • Të nderuara familje të dëshmorëve dhe ju pjesëmarrës të nderuar! • Monografia ,,Flakadanët e lirisë” , botuar nga Këshilli botues pranë Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve Dega në Han të Elezit, ngërthen në vetëvete sakrificën e popullit tonë për liri e në këtë rast kontributin maksimal të dëshmorëve për çlirimin e atdheut nga pushtuesi. • Treva e Hanit të Elezit, luftës për liri iu ka përgjigjur në mënyrë aktive. Nga viti 1981 e këtej në këtë komunë u zbuluan grupe ilegale që vepruan për Republikën e Kosovës ku edhe dënohen me dënime të gjata burgu. Kundër dhunës dhe pushtuesit serb u organizuan protesta e demonstrata duke kulmuar me formimin e Brigadës 164 të UÇK-së e cila mori emrin e dëshmorit Gafurr Loku i cili për liri të atdheut veproi nga viti 1968 e deri sa u vra bashkë me të birin e tij nga pushtuesi serb, në shkurtin e vitit 1999. • Treva e Hanit të Elezit, luftës për liri ia dha 13 dëshmorë: 1. Veli Ballazhi - Pashtrik 2. Gafurr Loku - Paldenicë 3. Driton Loku - Paldenicë 4. Nuri Bushi - Puset e Nikës 5. Xhemsedin Suma - Puset e Nikës 6. Imer Vila - Drenushë 7. Imri Curri - Koshare 8. Suad Brava - burgu i Dubravës Ndërsa gjatë luftës së vitit 2001 në Maqedoni ranë: 9. Elham Curri - Malinë 10. Nehat Curri - Malinë 11. Ilaz Thaçi - Kryenik 12. Baki Krasniqi - Kryenik 13. Qemal Thaçi – Nerasht të Tetovës • Monografia,,Flakadanët e lirisë’’ botohet në 100 vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë dhe ka 143 faqe, ka pjesën hyrëse, pjesën qëndrore ku zhvillohet materia për dëshmorët e rënë dhe ka pjesën përmbyllëse ku me anë të fotografive ilustrohet kompleksi i varrezave të dëshmorëve në Puset e Nikës dhe në përurimin e tij mori pjesë ish kryeministri i Kosovës z. Bajram Rexhepi dhe kryetari aktual i Parlamentit të Republikës së Kosovës z. Jakup Krasniqi. Këtë kompleks deri më tani e kanë vizituar mijëra qytetarë të të gjitha viseve shqiptare si dhe në fund të librit janë skalitur fotografitë e dëshmorëve. • Renditja e dëshmorëve është bërë duke u mbështetur në datat kronologjike të rënies së tyre dhe në hartimin e biografisë dhe luftë së dëshmorëve janë konsultuar shumë subjekte. Janë shfrytëzuar edhe dosjet politike të UDB-së dhe ish të burgosur politik, është shfrytëzuar Arkivi i Brigadës 164 të UÇK-së, botime nga lufta e UÇK-së si dhe ushtarë që ishin prezent gjatë rënies së dëshmorëve. • Biografinë e dëshmorëve dhe sakrificën e tyre për lirinë e atdheut tanimë e keni të shkruar në monografi, të cilën do t`ua shpërndajmë në fund të këtij përurimi dhe këto të dhëna nuk do t`i përsërisë në fjalën time, por do të mundohem që dëshmorët e komunës së Hanit të Elezit t` i trajtoj nga një kënd tjetër. • Gjeografikisht Hani i Elezit bie në pjesën jugore të Kosovës dhe shprehur metaforikisht është një balkon i Shkupit, por që me Prekazin e qëndresës dhe të lavdisë e lidhi lufta për çlirimin e atdheut dhe emblema e UÇK-së dhe për këte jemi krenar sot e kësaj dite.Thënë më shkurt në momentin e caktuar kohor, kjo trevë shfaqi veprimin e saj të pjekur politikisht. • Nga 13 dëshmorë që ka komuna e Hanit të Elezit; 8 dëshmorë janë nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe 5 janë nga UÇ-Kombëtare , shprehur në përqindje, 60 % kanë rënë si dëshmorë të UÇK-së dhe 40 % si pjesëtarë të UÇ-Kombëtare që don të thot se projekti politiko ushtarak i legjendës së kombit Adem Jashari u pranua thellë nga popullata shqiptare dhe si i tillë ai është i gjallë dhe fuqishëm edhe sot e kësaj dite. • Nga 13 dëshmorë që ka treva e Hanit të Elezit: 8 janë me shkollë të mesme 1 me fakultet ekonomik 1 me SHLP 1 në kryerje e sipër të fakultetit juridik 2 me shkollë fillore Marrë në tërësi dëshmorët e rënë për liri i takonin shtresës intelektuale dhe me vetëdije të formësuar kombëtare ranë për çlirimin e atdheut • Nga 13 dëshmorë që ka kjo trevë: 4 dëshmorë ishin të martuar dhe prapa tyre lanë fëmijë e të cilët po rriten ashtu siç po rritet liria e Kosovës që don të thot se dëshmorët e rënë për lirinë e atdheut nuk kursyen as familjet e tyre. Disa nga këto fëmijë, kur iu vranë baballarët, ishin në barqet e nënave dhe pas lindjes morën emrat e baballarëve dëshmorë dhe po rriten me krenarinë e tyre • 2 dëshmorë ishin të fejuar dhe për lirinë e Kosovës, në mes të dashurisë rinore dhe çlirimit të atdheut, ata zgjodhën këtë të dytën • Nga 13 dëshmorë që ka komuna e Hanit të Elezit, 7 dëshmorë ishin të pamartuar që don të thot se për çlirimin e atdheut nga pushtuesi serb, jetën e fali lulja e rinisë dhe si askund tjetër vargjet e asaj këngës së moçme e të përvujtshme shqiptare vendin e kanë këtu Në vet nana gja për mue Thujmi nanës se jam martue E në vet nana ç`nuse mori Dy plumba në mes t` krahnorit. • Më i vjetri për nga mosha nga dëshmorët e rënë ishte Gafurr Loku 50 vjeçarë, ndërsa më i riu ishte Suad Brava 17 vjeçar • Nëse analizojmë kohështrirjen e veprimtarisë së dëshmorëve mësojmë se periudha e veprimtarisë së tyre është nga maji i vitit 1968 e deri në korrik të vitit 2001 • Nga dëshmorët e rënë njëri i takonte dy ushtrive çlirimtare: UÇK - UÇ-Kombëtare, si Ilaz Thaçi, ndërsa tjetri si Qemal Thaçi ishte ushtar i tri ushtrive çlirimtare: UÇK-UÇ-Kombëtare dhe UÇPMB-së që don të thot se dëshmorët e rënë kishin arritur një vetëdije të lartë kombëtare për çlirimin e atdheut dhe viseve të pushtuara. • Kur krahasojmë betimin ushtarak të dëshmorëve në kohështrirjen e veprimit të tyre, konstatojmë se betimet ishin përafërsisht të njejta, pavarësisht distancës jo të vogël kohore sepse qëllimi ishte i njejtë dhe emruesi i përbashkët i betimeve ishte se do të luftojmë për lirinë dhe bashkimin e atdheut në një shtet. • Sa për ilustrim po ua sjellim betimin e dëshmorit Gafurr Loku dhënë në vitin 1972 pranë organizatës ilegale politiko –ushtarake ,,Kushtrimi i lirisë” : Unë, Shqiptar Shqipëria, biri i tokës Shqipëri që më pagëzoj shqiptar: Betohem para flamurit dhe kombit tim se: do të veproj për lirinë dhe bashkimin e atdheut në një shtet, duke ia falur edhe jetën. Në mos kryerjen e detyrës apo të dështimit tim, në emër të popullit, pajtohem të dënohem me vdekje. Rroftë populli shqiptarë - Rroftë Shqipëria Ndërsa betimi në radhët e UÇK-së të cilin tanimë e dimë të gjithë ishte se Si ushtar i UÇK-së, betohem se do të luftoj për çlirimin e tokave të pushtuara të Shqipërisë dhe bashkimin e tyre, do të jem përherë besnik, luftëtarë i denjë i lirisë, vigjilent dhe i disiplinuar, i gatëshëm që në çdo kohë, pa kërsyer as jetën, të luftoj për t`i mbrojtur interesat e shenjëta të Atdheut e kështu me radhë • Se lufta e popullit shqiptarë për liri ishte e rëndë dhe me sakrifica të shumta flet edhe me një statistikë tejet domethënëse e pjesëtarit të tri ushtrive çlirimtare z. Xhavit Hasanit nga Tanusha epike tani me vendbanim në Viti, i cili thot se, gjatë luftës çlirimtare në Kosovë u derdhën 100 ton gjak, gjë e cila vërtetohet saktësisht dhe lehtësisht, andaj në kuadër të këtij gjaku të derdhur për çlirim është edhe gjaku i dëshmorëve të komunës së Hanit të Elezit. • Në fund të nderuar pjesëmarrës, monografia,, Flakadanët e lirisë” ka edhe të metat e saja dhe çdo vërejtje që mund të jepet do të jetë e mirëseardhur për ne. • Fjalën time rreth kësaj monografie do ta përmbyll me vargjet e homerit shqiptar At Gjergj Fishtës: O ata t’lumtë, qi dhanë jetën, O ata t’lumtë që shkrinë veten… Që për erz e nderë t`Shqiptarëve Derdhën gjakun tuj luftue… Lehtë u kjoftë mbi varr ledina, But u kjofshin moti e stina, Ak’lli, bora e serotina… E der’ t’ketë n’detë ujë e ranë, Der`sa t`shndërrisin diellë e hanë, Ata kurrë mos u harrofshin, N`kangë e n`valle por u këndojshin • Ju faleminderit! Fjalë e lexuar me rastin e promovimit të monografisë,,Flakadanët e lirisë” në shtatorin e vitit 2012 në Prishtinë
Posted on: Mon, 26 Aug 2013 20:32:26 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015