Një aktor shqiptar, në Festivalin e Venecias Aktori i ri - TopicsExpress



          

Një aktor shqiptar, në Festivalin e Venecias Aktori i ri shqiptar, Vladimir Doda, interpreton protagonistin kryesor në filmin “Atdheu i vogël” me regji të Alessandro Rossetto-s, i cili më 30 gusht ka premierën në edicionin e 70 të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Venecia Dy vajza të reja që kërkojnë t’i ikin provincës për të shkuar ndoshta larg deri në Kinë, dhe një emigrant shqiptar… Një gërshetim i krizës sociale në vendin fqinj, Itali, me përvojat e atyre që kërkojnë të ndjekin ëndrrat e tyre me çdo kusht, edhe pse kjo rrugë mund të kushtojë mbi jetë njerëzish… Kjo është historia që regjisori dhe skenaristi i njohur italian, Alessandro Rossetto, do të tregojë në filmin e tij më të ri, “Atdheu i vogël”, i cili pritet të shfaqet më 30 gusht, në skenën e edicionit të 70 të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Venecia. Në rolin kryesor në këtë film, i cili pritet të kthehet në një nga prodhimet kinematografike më të ndjekura në vendin fqinj, është aktori i ri shqiptar, Vladimir Doda. Ai interpreton përkrah aktorëve: Maria Roveran, Mirko Artuso, Diego Ribon, Lucia Mascino, Roberta Da Soller dhe Nicoletta Maragno. Edicioni i 70 i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Venecia do të hapë siparin e tij më 28 gusht deri më 7 shtator. 33 vende do të prezantojnë prodhimet e tyre më të mira kinematografike, mes të cilave edhe shteti i ri i Kosovës, ku regjisorja Lendita Zeqiraj do të prezantojë filmin e shkurtër “Ballkoni”. Shqipëria mungon në këtë festival, por një aktor shqiptar do të jetë aty për të prezantuar Italinë. “Për mua si aktor ky film ka një domethënie të rëndësishme përtej ambicieve të mia. Personazhi im është një shqiptar, ndaj që në bisedën e parë me regjisorin kam kërkuar që ky imazh të mos preket, duke pasur parasysh ndikimin që mund të ketë filmi mbi imazhin e shqiptarëve”, tregon Doda. Personazhi i tij në film është një punëtor, hero, një tip i përmbajtur me një dinjitet të konsoliduar, të cilit i duhet të përballet me paragjykimet që një pjesë e shoqërisë italiane ka mbi emigrantët në përgjithësi, por edhe mbi shqiptarët. Ai vetë ka prirjen t’i ndihmojë të tjerët kur ata gabojnë, por, nga ata tjetër, refuzon të ndihmojë ata që përsërisin gabimet dhe që krimin e shndërrojnë në punë. Doda tregon se ka ndikuar në përmirësimin e portretit që regjisori kishte ndërtuar për personazhin e tij gjatë xhirimeve. Si shqiptar ai dinte më mirë të ndërtonte njeriun që Rossetto kishte në mendje. “Atdheu i vogël” rrëfen verën e nxehtë dhe mbytëse të dy adoleshentëve dhe dëshirën e tyre për të ikur tej, larg nga një fshat i provincës. Është Luiza dhe Renata. Njëra plot jetë, ndërsa tjetra gjithnjë e zymtë dhe e trishtuar… Jetët e dy të rejave tregojnë historinë e një shantazhi, të një dashurie të tradhtuar, dhe të një dhunimi të pësuar. Luiza përdor Bilalin, të dashurin e saj shqiptar, Renata harton planin dhe përdor trupin e Luizës për të drejtuar fijet e hakmarrjes së saj. Të dyja vajzat lënë provincën ku janë rritur, mes festave dhe mbledhjeve të “indipendentistëve” (është një lëvizje nacionaliste që kërkon pavarësinë e krahinës së Venetos), familjesh të lodhura dhe brezave të rinj të emigrantëve që vihen në shënjestër nga ata që ndihen të kërcënuar. Ato duan të ikin larg kulturës së punës, që është vetëm për të bërë para dhe shpesh duke mos ia arritur të ikin larg nga jetët që i përkushtohen vetëm punës dhe heshtjes; larg nga zemërimi që lodhja e të jetuarit dhe mungesa e ëndrrave shkaktojnë. “Konflikti qëndron mes dy botëve, asaj të adoleshentëve dhe asaj të të rriturve, e para e gjallë, joshëse, e lirë, por pa qenë e vetëdijshme, e dyta e ngujuar, e dorëzuar, e dyfytyrëshe… E megjithatë diçka duket sikur i bashkon të gjithë, një zonë e zymtë… Seksi që njëra përdor për t’u tallur me botën, për t’i shpëtuar pa destinacion falsitetit të konformizmit, është për tjetrën një mënyrë qorre për t’u shpenguar ndaj zemërngushtësisë, ndaj dhunës, preteksti për t’u hakmarrë. Loja e dashurisë, e joshjes dhe ajo seksuale, merr me kalimin e kohës konturet tragjike të një realiteti që humb një herë e përgjithmonë në spontanitet dhe pavetëdije. Për regjisorin Rossetto, e përditshmja është ajo që e bën më të ndjeshme kinemanë. Ndaj ai ka zgjedhur një temë sociale të prekshme për shoqërinë italiane sot, “një stuhi të vërtetë verore” siç e kanë quajtur mediat italiane. “Skenarët socialë janë veçse pretekste për t’u marrë me formën dhe esencën: Të rrezikosh dhe të eksperimentosh, të rrëfesh ndjenjat njerëzore me ironi të ëmbël dhe ndonjëherë me keqardhje”, thotë ai. Ky është filmi i parë “fiction” i Alessandro Rossetto, dhe është një afresk humaniteti dramatik, plot gjallëri, largpamës dhe i lirë, i zhvilluar në verilindjen e pazhurmshme të Italisë, që në këtë rast është një pasqyrë e provincës universale. Filmi është prodhuar nga Gianpaolo Smiraglia për Arsenali Medicei dhe bashkëprodhuar nga Luigi Pepe për Jump Cut. Montazhi i Jacopo Quadri, muzika nga Paolo Segat e Alessandro Cellai, me këngët e shkruara e të interpretuara nga protagonistja Maria Roveran dhe me këngët sugjestionuese të koreve alpine. Filmi është xhiruar në tri krahina të verilindjes se Italisë.
Posted on: Wed, 11 Sep 2013 11:19:17 +0000

Trending Topics



ng about..... The

Recently Viewed Topics




© 2015