Nuk hiqet TVSH-ja për qumështin e freskët siç - TopicsExpress



          

Nuk hiqet TVSH-ja për qumështin e freskët siç kërkohet Qeveria nuk heqë TVSH-në për qumështin e freskët deri më një korrik, siç kanë kërkuar shoqatat e prodhuesve dhe përpunuesve të qumështit. POSTUAR 11:56 / 30.06.2013 Drita Loshi Zyrtarë të Ministrisë së Financave thonë se ndryshimi dhe plotësimi i ligjit të TVSH-së është pjesë e agjendës legjislative të këtij viti. Nga ana tjetër, qumështarët kanë kërkuar edhe masa mbrojtëse, por sipas zyrtarëve të ministrisë së tregtisë dhe industrisë, për këtë ata duhet të bëjnë kërkesë e jo ankesë. Ndonëse sektori i qumështit është konsoliduar viteve të fundit, ende ka vështirësi sa i përket zhvillimit të prodhimtarisë. Me qëllim të zhvillimit të mëtejshëm si të prodhimit, por edhe përpunimit, qumështarët kanë kërkuar uljen e Tatimit në vlerë të shtuar nga 16 për qind sa është aktualisht në zero për qumështin e freskët, e njëkohësisht masa mbrojtëse ndaj produkteve të importuara. Kryetari i Shoqatës së Prodhuesve të Qumështit, Milazim Berisha, thotë se bashkë me shoqatën e përpunuesve, këto kërkesa ua kanë parashtruar dikastereve përkatëse të qeverisë. “Ne presim dhe shpresojmë që ministritë përkatëse do të marrin hapat e duhur, nëse kjo nuk ndodh atëherë në bazë të bisedave që do të rrjedhin në mes prodhuesve dhe përpunuesve, atëherë do t’i bashkërendisim kërkesat tona dhe ta them sinqerisht disponimi i të gjithë fermerëve është që të dalim në protestë”. Gëzim Baxhaku, këshilltar i ministrit të financave, thotë se plotësim-ndryshimi i ligjit për TVSH-në është pjesë e agjendës legjislative të këtij viti. Sipas Baxhakut, kërkesa e qumështarëve nuk do të përmbushet brenda afatit të kërkuar nga ata, pra 1 korriku, por vetëm pasi të miratohet ligji i TVSH-së me ndryshimet përkatëse në Kuvendin e Kosovës, dhe nëse për këtë merret pëlqim edhe nga FMN-ja. “Ne do t’i kemi parasysh mundësitë ligjore dhe fiskale dhe kjo kërkesë duhet të shkojë në procedurë të rregullt. Afatet që ata i kanë kërkuar ne nuk mund t’i përmbushim. Këto ndryshime mund të bëhen pjesë e ligjit mbi ndryshimet e TVSH-së dhe në momentin kur Kuvendi e miraton atë ligj, atëherë ato ndryshime hyjnë në fuqi, në qoftë se për këtë kërkesë ka arsyeshmëri ligjore dhe fiskale”. Nga ana tjetër, zëdhënësja e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Arta Istrefi, thotë se kanë pranuar një ankesë nga qumështarët, por jo kërkesë për masa mbrojtëse. Nëse ata nuk bëjnë kërkesë sipas procedurave përkatëse, atëherë Ministria nuk mund të marrë asnjë vendim për masa mbrojtëse, pohon Istrefi. “Procedurat e marrjes së një vendimi për masat mbrojtëse qoftë në importe apo të ndonjë aspekti tjetër, ligjet në fuqi kërkojnë që fillimisht të bëhet një kërkesë nga shoqata apo biznesi vendor, i cili mendon se është i rrezikuar nga një prodhim i huaj, dhe pas shqyrtimit të kërkesës vërtetohet se a qëndrojnë ato fakte dhe varësisht prej tyre, mund të vije deri tek vendimi. Derisa nuk e kemi një kërkesë e tillë, nuk mund të them a do të kemi një vendim apo jo, se krejt varet se çfarë faktesh do të prezantojnë qumështarët, dhe nëse ka hapësirë për të marrë një vendim, gjithsesi ai do të merret në përputhje me ligjet në fuqi”. Ndryshe vitin e kaluar ishte marrë vendim për masa të përkohshme mbrojtëse në import të çimentos, i cili kishte zgjuar reagime të shumta. Sipas zëdhënëses së ministrisë së tregtisë dhe industrisë, edhe këtë vit janë paraqitur kërkesa për masa mbrojtëse, por ajo nuk dha më shumë detaje se për çfarë bëhet fjalë.
Posted on: Sun, 30 Jun 2013 20:49:02 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015