Nuk është më ëndërr. Kukësi është shumë pranë thyerjes - TopicsExpress



          

Nuk është më ëndërr. Kukësi është shumë pranë thyerjes së çdo rekordi shqiptar në Kupat e Europës. Ai, që nisi thjesht si një debutim, tashmë po shndërrohet në realitet. Skuadra, e drejtuar nga Armando Cungu, ka hedhur një hap shumë të rëndësishëm drejt fazës “play off” të Ligës së Europës. Kuksianët fituan dje ndeshjen e parë 2-0 ndaj Metalurg Donetsk dhe, nëse ruajnë minimalisht avantazhin edhe në takimin e dytë, bëhen e para skuadër shqiptare që kalon tri ture në Europë. Kukësi nuk duket thjesht një skuadër, tashmë të gjithë e konsiderojnë si fe. Përballje pa frikë, shpirt në fushë, emocione për tifozët dhe dy gola shumë të bukur. Ky ekip po i bën të gjithë për vete. KUKESI – METALURG DONJECK 2-0Golat: Malakarne 6′, Malota 84′KUKESI: Halilaj, Brahja, Malakarne (Alikaj 46′), Hallaci, Peqini, Allmuca (Manuka 83′), Karabeci, Hoxha, Progni, Alikaj, Popovic (Malindi 74′). Trajner: A.CunguMETALURG DONECK: Pankiv, Checher, Polioviy, O’Dea (Nelson 34′), K.Mkrtchyan, Morozyuk, Lazić, Danilo, Makridis, Dimitrov, Júnior Moraes (Degtiarov 69′) . Trajner: Y. MaksimovGjyqtare: A. Kuchin, A. Hodin, S. Vasyutin (Kazakistan)Kartonë të verdhë: Malindi 89′ / Morozyuk 40′, 69′, Alex 73′, Makridis 88′Karton i kuq: Morozyuk 69′ Pjesa e parë - Edhe ultrasi më fanatik i Kukësit nuk do ta kishte menduar një start të tillë. Vendësit fitojnë goditjen e parë nga këndi që në minutën e 6- të. Është Hoxha, i cili pason shkurt për Prognin, që ia kthen sërish topin dhe ai kroson në zonë aty ku është Malakarne, i cili zhytet me kokë dhe shënon, 1-0. Lojtarët në fushë dhe tifozët në shkallët e stadiumit shpërthejnë në festë. Trajneri mik tensionohet menjëherë dhe lëviz nga vendi, duke u dhënë udhëzime të tijve. Kuksianët, nga ana tjetër, tërhiqen disi në gjysmëfushën e tyre. Por, ukrainasve u mungon saktësia dhe gabojnë shumë në pasime. Vetëm në minutat 28- të dhe 29-të, miqtë krijojnë dy raste, por pa arritur të shënojnë. Hoxha dhe Progni shkëmbejnë disa herë krahët, por pa krijuar ndonjë rast të pastër. Popoviç, i vetëm në sulm, nuk ka shumë mundësi. Markohet në çdo moment minimalisht nga dy lojtarë. Në minutën e 34-t, trajnerin mik nuk e mbajnë më nervat dhe largon nga fusha mbrojtësin O’Dea, pasi ky i fundit gaboi në një moment pranë zonës së tij. Në momentin që del, lojtari nuk kursen as një pasthirrmë në adresë të trajnerit. Në minutën e 44-t, ukrainasit kanë rastin më të mirë të pjesës së parë për të shënuar. Makridhis nga e djathta kroson në zonë për Danilon, i cili godet me kokë, pret mrekullisht Halilaj që shpëton portën nga goli. Në këtë moment, në zonën kundërshtare është i shtrirë Malakarne. Pas ndërhyrjes së mjekëve, ai del me barelë nga fusha, duke u shoqëruar për në dhomat e zhveshjes. Me kaq mbyllet pjesa e parë.Pjesa e dytë - Fraksioni i dytë nis me zëvendësim për kuksianët. Trajneri Cungu fut në fushë Alikajn në vend të Malakarnes së dëmtuar. Megjithatë, në këtë fillim të 45- minutëshit, janë miqtë që sulmojnë më shumë. Dimitrov është më i rrezikshmi në fushë për miqtë. Thuajse në çdo aksion ai është i pranishëm. Madje, në dy momente shpërdoron raste shumë të pastra për të shënuar për Metalurgun. Tekniku miq nuk është aspak i qetë dhe i habit të gjithë, kur vendos ta nxjerrë nga fusha Nelson, braziliani që kishte hyrë në lojë i zëvendësuar në pjesën e parë. Lojtari shkon menjëherë në dhomat e zhveshjes. Në minutën e 69-të, ukrainasit marrin goditjen e radhës. Është Morozyk, që ndërhyn në mënyrë të gabuar nga pas për Ylli Hoxhën dhe, në këtë moment, gjyqtari i tregon lojtarit mik kartonin e dytë të verdhë. Pas këtij momenti, Kukësi merr zemër, ndërsa Cungu nxjerr Popoviçin për Malindin. Porgni, Hoxha dhe Alikaj janë gjithmonë të rrezikshëm me zbritjet e tyre të rrezikshme. Miqtë hidhen thuajse të gjithë në sulm, por pa arritur të shënojnë. Në minutën e 75-të, ukrainasit janë sërish pa fat. Pas goditjes nga këndi, është Degtiarov, i cili në zonë godet dhe topi përplaset në shtyllë. Në një zbritje të rrezikshme, kuksianët fitojnë goditje këndi në minutën e 84-t. Pas ekzekutimit të saj, një mbrojtës mik largon topin me kokë dhe, në hyrje të zonës, është Malota që stopon topin dhe godet me kthesë. Sfera godet fillimisht shtyllën dhe përfundon në rrjetë. Festa është e gjitha blu. Në të 88-ën minutë, Danilo i vendësve dëmtohet dhe del nga fusha. Miqtë e mbyllin me nëntë lojtarë dhe deri në fund nuk ka më histori. Cungu në delir: Ëndrra vazhdon, e merituam!Armando Cungu ndihet ende si në ëndërr. Një tjetër fitore dhe shumë pranë një tjetër rekordi në krye të Kukësit për trajnerin është një arritje e madhe. Ai, në intervistën e dhënë dje për gazetën, tregohet realist për këtë triumf, teksa e parashikon të vështirë sfidën e kthimit në Donetsk, pasi i druhet dhe mungesës së mundshme të Malakarnes. Megjithatë, pas kësaj ndeshjeje, ai rrëfen më së shumti emocionet dhe dëshirën e madhe që ka për të provuar kalimin e turit të tretë.Fituat 2-0, si e shpjegoni këtë arritje të Kukësit ndaj Metalurgut?Ishte një fitore e vështirë dhe me mundim. Realisht, pas golit të parë të shënuar, ata na vunë në vështirësi të madhe. Ata patën 2-3 raste për të shënuar, pasi ne kishim kaluar në avantazh, çka e na vështirësoi lojën tonë. Megjithatë, falë gjendjes së mirë që po kalon portieri ynë, ne shpëtuam. Arritëm që të shënonim një gol të bukur me Malotën, eurogol më saktësisht. Mirëpo, duheshin minutat e fundit të ndeshjes, ndoshta 10 minutat e fundit duhet të kishim më tepër qetësi dhe ta godisnim kundërshtarin. Ata mbetën me 9 lojtarë në fushë, rast që ne duhet ta shfrytëzonim. Janë momente me emocione dhe me presion të madh psikologjik, kur ndoshta shpeshherë është e vështirë që t’i arrish t’i shfrytëzosh, por edhe t’i komandosh në të njëjtën kohë.Mendoni se ju favorizon rezultati në kthim, nisur edhe nga mungesat që ka kundërshtari?Edhe ne kemi lojtarë më pak për sfidën e radhës, Musolli i konfirmuar, por tashmë shtohet dhe Malakarne, për të cilin shpresoj dhe uroj që të mos ketë dëmtim serioz. Nëse do ta humbnim argjentinasin në një moment të tillë, situata përkeqësohet. Rezultati është i kënaqshëm në pamje të parë, por futbolli është shumë i çuditshëm. Prandaj, duhet të tregohemi seriozë dhe të mos gëzohemi shumë.Çfarë synonit të bënit kur nxorët nga loja Popoviçin dhe futët Prognin “pykë”?Realisht doja t’i jepja më tepër shpejtësi sulmit, pasi kundërshtari ishte me një lojtar mangët. Prandaj mendova të shfrytëzoja Prognin, shpejtësinë e tij dhe teknikën që e karakterizon, për ta vënë në vështirësi kundërshtarin. Besoj se e bëri punën e tij shumë mirë. Jam shumë i kënaqur edhe për rendimentin e Popoviçit.Kujt i dedikohet kjo fitore?I dedikohet shumëkujt, duke filluar që nga presidenca e më pas te djemtë e ekipit dhe stafit. Por, pa harruar dhe publikun e zjarrtë, që na ka mbështetur gjithmonë.Disa ditë përpara ndeshjes së parë ju keni deklaruar se kjo është një ëndërr, por tashmë cila është ëndrra për ju?Ëndrrat vazhdojnë, ne nuk do të ndalemi me kaq, do të kërkojmë maksimumin në këtë kompeticion. Kam thënë gjithnjë: pse mos ta provojmë…? Starova: Faleminderit Dallku dhe Beqiri!Sulejman Starova mundohet t’i rri larg euforisë, ndaj kërkon vëmendje të madhe për të realizuar kalimin e turit të tretë. Megjithatë, drejtori teknik i Kukësit nuk mundi të mos pranonte se suksesi ishte i merituar. Sakaq, ai rrëfen se lojtarët që luajnë në Ukrainë, Dallku dhe Beqiri, i kanë ndihmuar me të dhëna rreth kundërshtarit, ndaj nuk nguron që t’i falënderojë. Ai sheh si problem të madh mungesën e mundshme të Malakarnes, ndërsa përmend dhe avantazhet që Kukësi tashmë ka ndaj Metalurgut për sfidën e radhës. Për “Panorama Sport”, Starova thotë se me këtë triumf, atyre u janë shtuar përgjegjësitë. “Fitore e pastër, e cila na shton detyrimin për t’u kualifikuar. Në qoftë se përpara kësaj ndeshjeje ishim të zhveshur nga emocionet negative, këto do jenë prezente në takimin e kthimit. Po flas për vështirësitë që kemi përpara për t’u kualifikuar. Do shumë mund dhe djersë për të arritur kualifikimin dhe ta mbajmë të paprekur këtë rezultat në Donetsk. Por, le të shpresojmë te shpirti i garës i djemve dhe ta bëjmë ëndrrën realitet. Duke qenë se ne forcën e kemi bazuar në frymën e grupit, kështu do të udhëtojmë edhe në ndeshjen e radhës. Ne këtë skuadër e njohim mirë, e njohim, pasi kemi detaje të hollësishme mbi të, të cilat i morëm nga Dallku dhe Elvin Beqiri, të cilët na dhanë informacionin e nevojshëm për të njohur kundërshtarin. Nga ana tjetër, kemi avantazhin që Metalurgun e vëzhguam edhe këtu, pra kemi shumë anë pozitive. Por, neve na duhet edhe shumë fat që të kualifikohemi”, – tha fillimisht Starova.Analiza Më pas, drejtori teknik analizon skemën dhe ndryshimet taktike të bëra gjatë lojës. “Neve po na sulmonin nga krahët, por futëm forca të freskëta dhe të shpejta nga krahët, duke freskuar sulmin me Prognin. Mund ta kishim çuar edhe në 3-0 rezultatin, sepse përdorëm tre lojtarë të shpejtë për të ndihmuar sulmin. Rregulluam mbrojtjen, por edhe shpejtësinë për sulmin, pra menduam mirë për këtë aspekt”, – u shpreh më tej Starova. Ai sakaq evidenton mungesën e mundshme të Malakarnes, si një problem të madh në Donetsk. “Do të jetë problem i madh për ne që të na shtohet edhe mungesa e Malakarnes, pasi përveç Musollit, kjo mungesë do të na dënojë shumë”, – shtoi tekniku. Në përfundim, i pyetur rreth një largimi të mundshëm të presidentit Gjici nga ekipi i Kukësit për të marrë Tiranën, ai thotë: “Nuk është momenti për të folur për këtë gjë këtu, por duhet falënderuar për çfarë ka bërë për këtë skuadër. Duhet të shohim punën përpara, ndërsa për pjesën tjetër nuk më takon mua të shprehem”. Befasia e Maksimov: Nuk i prisja kështu shqiptarëtJuri Maksimov ka mbetur i befasuar nga Kukësi. Ai e thotë hapur se nuk e priste një kundërshtar të tillë, i cili arriti që ta kontrollonte lojën dhe të vendoste diktat në fushë. Fill pas ndeshjes, trajneri ukrainas, i cili dje ka pasur edhe debutimin e tij si trajner në Ligat e Europës, ka komentuar rezultatin dhe vendimet që mori gjatë zhvillimit të takimit.A e priste Maksimov këtë humbje, çfarë ndodhi?Nuk e prisja kështu. Me ndershmëri po e them se bëmë një lojë të dobët. Pësuam gol shpejt dhe kjo na bëri që të humbnim kontrollin e lojës. Me kalimin e minutave u munduam ta mblidhnim veten, por edhe pse krijuam raste nuk arritëm që të finalizonim.Daljen e lojtarit tuaj me të kuqe si e komentoni, mendoni se ju penalizoi?Mendoj se po. Me daljen e Morozjuk gjithçka ndryshoi. Ishim në inferioritet dhe kjo bëri që të pësonim edhe golin prej Kukësit.Mendoni se ekipi juaj ishte inferior në fushë?Në fakt, ne u përpoqëm, po nuk bëmë dot atë që prisnim. Ishim superiorë vetëm në disa pjesë të ndeshjes, por nuk ishte mjaftueshëm.Nelson u zëvendësua dy herë, pse vepruat kështu?Shumë e thjeshtë, nuk ishte kreativ dhe nuk iu përgjigj skemave të lojës.Po mbrojtësin O’Dea pse e ndërruat?Kështu e menduam, ndaj e zëvendësova.Ishte ky Kukësi që prisnit?Të them të drejtën jo, nuk ishte ky Kukësi që unë prisja, pra që të luanin kështu. Ne kishim iniciativën, por ata na e morën shumë shpejt.Kush mendoni se është më favorit për të kaluar në turin e katërt?Sot nuk ishte dita jonë, ndoshta do të jetë në takimin e kthimit. Ndaj s’mund të them kush është më favorit.Dëmtimi i Danilos është i rëndë, rrezikon?Është një dëmtim i një shkalle të rëndë, shpresojmë që të rikuperohet shpejt.Do të donit që të kishit ndonjë lojtar të Kukësit te Metalurgu?Të shikojmë edhe ndeshjen tjetër, pastaj flasim për këtë temë. Malota: Ky, goli i jetës për muaEurogoli i Renato Malotës ka ngritur peshë një stadium të tërë. Një mbrojtës qendre që arrin të shënojë një gol të tillë, i cili pa dyshim është më i bukuri për skuadrën e Kukësit në këto 5 ndeshje në Ligën e Europës. Ishte një moment sulmi për veriorët, të cilët dëshironin të realizonin një gol tjetër. Renato Malota i gjendur përballë portës bën dy lëvizje dhe gjuan predhë në krahun e djathtë, duke ngritur peshë 8000 tifozë të pranishëm në stadium. Por, lezhjanit nuk i besohet që ka arritur të shënojë gol dhe aq më pak të bëjë më tepër ëndërrimtare këtë skuadër për të ardhmen. Tashmë, ai është i bindur se do të kalohet ky tur. “Të them të drejtën as e kisha ëndërruar dhe aq më pak ta kisha menduar që do të shënoja një gol të tillë e sidomos me peshë për Kukësin në një ndeshje të tillë. Për këtë falënderoj Zotin. Ishte një gol që na dha një avantazh shumë të madh për ndeshjen e radhës. Duke qenë se ne do të udhëtojmë me rezultatin 2-0, tashmë duket se çdo gjë do ta kemi më të lehtë në ndeshjen e radhës për të arritur kualifikimin në fazën tjetër të këtij kompeticioni”, – tha qendërmbrojtësi lezhjan mbi fitoren. Sakaq, për golin e shënuar ai e ka një dedikim të veçantë: shkon për familjen e tij. “Këtë gol dhe këtë fitore ia dedikoj familjes, sepse ata më janë gjendur pranë si në momente të vështira, edhe në momente të gëzuara si ky sot. Por, nuk dua të harroj dhe tifozerinë kuksiane, e cila sot (dje) ka qenë mjaft e ekzaltuar dhe na ka dhënë shtysë për më tepër. Fitorja 2-0 është rezultat shumë i mirë, sidoqoftë atje na presin 90 minuta ferri, sepse e dimë që përballë kemi një skuadër të fortë. Do mundohemi të mbrohemi mirë dhe që të mos pësojmë për të ruajtur këtë rezultat, i cili besoj do na bëjë të thyejmë çdo kufi të historisë së kësaj skuadre”, – përfundon Malota, i cili mbrëmë ka bërë një ndeshje për t’u mbajtur mend. Malakarne: Metalurgu i dobët, me një gol i eliminojmëËshtë një ndër protagonistët e kësaj ndeshjeje, pasi jo vetëm shënoi gol dhe bëri paraqitje të mirë, por u dëmtua duke i krijuar një shqetësim të madh Kukësit në ndeshjen e kthimit. Lukas Malakarne, autori i golit të parë për kuksianët, e sheh ekipin e tij më superior se kundërshtarin, të cilin e cilëson të dobët. Madje, ai e konsideron të eliminuar, teksa shprehet se Kukësi me një gol do realizojë një tjetër rekord, duke shkuar në turin e katërt. Gjatë një prononcimi të dhënë për “Panorama Sport”, mbrojtësi komentoi edhe dëmtimin e tij në menisk, i cili e ka mërzitur pa masë. “Ishte një fitore shumë e rëndësishme, që ndoshta nuk e kishim menduar të tillë në fillim. Sigurisht që e ëndërronim, por që të vihej në zbatim, na dukej pak si larg. Megjithatë, edhe kundërshtari na befasoi disi. E prisnim ndryshe dhe më të fortë, por në këto 90 minuta na dëshmoi tjetër pamje. Metalurgu ishte një skuadër e dobët, për mendimin tim, ndaj edhe arritëm që të merrnin kontrollin e lojës dhe rrjedhimisht t’i shënonim gola. Tani mjafton që t’i shënojmë edhe një tjetër në fushën e tyre dhe kalojmë më tej”, – thotë Malakarne, duke treguar strategjinë e tij për ndeshjen e kthimit dhe besimin që ka për të kaluar në raundin e katërt të Ligës së Europës. “Sigurisht që mendoj se Kukësi do arrijë të kualifikohet. Është diçka historike dhe unë jam shumë i lumtur që u bëra pjesë e kësaj skuadre. Golin ua dedikoj tifozëve dhe presidentit Gjici. Jemi shumë pranë kualifikimit historik dhe një rekordi për mbarë shqiptarët. Sa i përket dëmtimit tim në menisk, më vjen realisht keq që ndodhi kështu. Nesër (sot) do të bëj një kontroll më të imtësishëm për të parë shkallën e këtij dëmtimi. Ishte një moment shume i keq, të cilin nuk dëshiroja ta jetoja”, – përfundoi një prej heronjve të këtij takimi. Ylli Hoxha: Treguam se mund të shkojmë largGoli i parë i shënuar nga Malakarne është vepër edhe e mesfushorit kosovar Ylli Hoxha. Ai dha një kros mjaft të bukur, i cili u shndërrua në gol. Dhe lojtari krenohet jo vetëm me këtë, por edhe me fitoren e arritur. Hoxha nuk harron të falënderojë ndërkaq edhe presidentin Bujar Nishani, i cili i dorëzoi pasaportën shqiptare që e lejon të luajë në sfidën e radhës. “Me këtë fitore treguam që edhe shqiptarët luajnë futboll dhe realizojnë arritje. Kjo është një fitore historike për skuadrën tonë, e cila tashmë do të luftojë për mbrojtjen e rezultatit si dhe kalimin në raundin ‘play-off’. Ishte një ndeshje e madhe dhe me gola të bukur, çka vërtetoi edhe se çfarë ekipi jemi. Fitorja 2-0 na jep shumë shpresa për kualifikimin dhe se drejt ndeshjes së radhës do të shkojmë vetëm për mbrojtjen e këtij rezultati. Shpresat tashmë janë shtuar te ne. Falënderoj presidentin Nishani, i cili më dha pasaportën shqiptare dhe me këtë ndeshje të fituar më bëri të ndihem më tepër krenar që jam pjesë e kësaj skuadre”, – deklaroi Hoxha. Kapiteni Hallaçi: Ky, një rezultat fantastikRrahman Hallaçi, menjëherë pas përfundimit të takimit, për “Panorama Sport” ka treguar emocionet e tij për këtë fitore. Megjithatë, ai tregon se ky kundërshtar është i vështirë për t’u kaluar. “Është fitore e madhe, por akoma nuk ka mbaruar asgjë. Është turi i tretë dhe duket si një ëndërr, por besoj se do ta kalojmë edhe këtë. U munduam që ne të fitonim me rezultat minimal 1-0, por jo me një gol tjetër, pasi përballë kishim një skuadër si Metalurgu. Është rezultat shumë i mirë, por në Ukrainë kemi një ndeshje tjetër për të luajtur, pra nuk përfundon këtu asgjë. Duhet të tregohemi të kujdesshëm dhe të arrijmë edhe atje një mbrojtje të rezultatit. Nuk besoj se ndeshja e radhës do të jetë më e lehtë, megjithëse kundërshtari u ndëshkua me shumë kartonë. Ata nuk kanë vetëm 11 lojtarë, ndaj ne sërish do ta kemi të vështirë për të triumfuar. Sidoqoftë, unë besoj te kalimi i turit. Ndërsa këtë fitore ia dedikoj kësaj tifozerie të zjarrtë, e cila na ka dhënë shumë zemër”, – tha kapiteni Hallaçi. Progni: Tani kemi 80% shanse për kualifikiminFitorja 2-0 e bën tropojanin Progni të mendojë se kalimi i turit është në masën 80%. Për “Panorama Sport”, ai thotë se askush nuk besonte se Kukësi do të arrinte këtu, ndaj shprehet se është i bindur edhe te kalimi i këtij turi. “Kjo fitore 2-0 për ne do të thotë që 80% jemi të kualifikuar. E kemi vlerësuar çdo ndeshje, ndaj dhe sot jemi këtu duke festuar, por ndeshja e radhës do të jetë shumë e vështirë. Unë mendoj se Metalurgu do të hidhet i gjithi në sulm në Donetsk, pasi nuk ka më çfarë të humbasë. Por, ne na lind detyra që të ruajmë rezultatin dhe qetësinë tonë për të përballuar një sfidë të tillë. Me këtë besim që kemi marrë dhe këtë frymë grupi, kalimi në turin tjetër është i arritshëm. Kjo fitore e sotme, e cila përbën histori për këtë ekip, u dedikohet të gjithë tifozëve kuksianë dhe të gjithë shqiptarëve që besojnë në të, pasi në fillim askush nuk besonte te Kukësi”, – përfundon Progni, i cili dje ishte ndër më të dalluarit për skuadrën veriore, ku luajti në të dyja krahët. Halilaj: U futëm në fushë për të mos pësuarPortieri Argent Halilaj ka qenë absolutisht një nga më të mirët në fushën e lojës gjatë ndeshjes së djeshme. Ka bërë pritje të shkëlqyera, por edhe i ndihmuar nga fati ai ka larguar edhe gola të sigurt, duke e lënë portën të paprekur dhe të sigurt për sfidën e radhës. Për mediat, vlonjati i Kukësit thotë: “Kjo fitore, e cila është historike për këtë ekip, do të thotë se po bëjmë një hap të madh drejt kualifikimit. Ne kemi bërë vetëm gjysmën e punës, ndaj deri tani kualifikimi ynë ka arritur masën 50%. Por, ne do t’i luajmë shanset tona edhe në ndeshjen e radhës. Kam shumë besim se do ta kalojmë këtë tur. Për t’u treguar i sinqertë, ne jemi futur në fushë për të mos pësuar gol, pasi e dinim forcën e kundërshtarit. Mirëpo me këtë rezultat do të udhëtojmë pak më të qetë në sfidën e radhës. Nuk do ta nënvlerësojmë ndeshjen, përkundrazi do t’i japim vëmendjen maksimale për të mos zhgënjyer askënd dhe që të arrijmë të kualifikohemi më tej”, – tha Halilaj. EKarabeci: Unë, fati i KukësitGjithçka nisi me një huazim vetëm për dy ndeshjet ndaj Sarajevos. Por, më pas periudha u shty edhe për dy takimet ndaj Metalurgut. Dhe gjasat janë që Erando Karabeci të luajë edhe të tjera takime me Kukësin. Dje ai ka qenë në fushë për 90 minuta duke dhënë gjithçka. I lëvizshëm, teknik dhe hap lojën në krah në çdo moment. “Të them të drejtën nuk e kishim menduar këtë fitore. E dinim që kishim përballë një kundërshtar shumë të fortë dhe e vlerësuam maksimalisht ndeshjen. Ishte një prej takimeve më të mira që ka realizuar Kukësi deri tani në Ligën e Europës. Një fitore spektakolare. Kemi hedhur një hap mjaft të rëndësishëm drejt kualifikimit. Por, duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë dhe të mos kalojmë në eufori. Ndihem me fat që jam pjesë e kësaj skuadre. Nëse kalojmë në turin tjetër, besoj se do të vazhdoj të luaj sërish si i huazuar te Kukësi”, – deklaroi pas ndeshjes mesfushori.Gjici premton 200 mijë euro për kualifikiminPresidenti i Kukësit, Safet Gjici, i ka prem tuar skuadrës 200 mijë euro premio në rast kualifikimi kundër ukrainasve të Metalurg Donetskut. Vendimi është marrë nga drejtuesit përpara se të luhej ndeshja, teksa në orën 12:00 të drekës së djeshme Gjici i shoqëruar nga zëvendëspresidentët Flamur Hoxha e Bashkim Gjoka ka takuar ekipin. Fillimisht lojtarëve u janë shpërndarë zarfet me shpërblimin për kalimin në turin e tretë, ku Kukësi arriti pasi eliminoi boshnjakët e Sarajevos. Për këtë kualifikim klubi kishte vënë në dispozicion 100 mijë euro premio. Futbollistët janë shpërblyer në bazë të kontributeve të tyre. “Nëse do të kalohet edhe ky tur, keni 200 mijë euro shpërblim”, – u ka thënë Gjici futbollistëve. Këta të fundit kanë reaguar menjëherë në fushë, duke fituar 2-0 ndeshjen e parë në “Qemal Stafa”.Deklarata I emocionuar dhe shumë i lumtur për arritjen e klubit që drejton, presidenti Gjici gjeti momentin për të dhënë një prononcim për “Panorama Sport”. Ndërkohë që telefoni nuk i pushonte, ai për gazetën deklaroi: “Sot (dje) është një natë e madhe për gjithë futbollin shqiptar. Ekipi tregoi që e ka merituar plotësisht këtë ecuri të jashtëzakonshme në Ligën e Europës. Kishim mundësi për të shënuar edhe më shumë gola ndaj Metalurgut, por e rëndësishme është që arritëm të fitonim me rezultatin e pastër 2-0. Ndihem krenar për ekipin dhe tifozët, të cilët e kthyen në festë, si në Tiranë dhe në Kukës. Lojtarët dhe stafi e mbajtën fjalën. Unë i falënderoj të gjithë dhe ajo që mund të them tashmë është se objektivi ynë do të jetë kalimi i turit. Duam të bëjmë atë që nuk e ka bërë askush nga klubet shqiptare në të kaluarën. Mundësitë janë, kështu që dhe ëndrra jonë vazhdon. Unë kam shumë besim se do ta kalojmë turin e tretë, duke shkruar kështu historinë e klubeve shqiptare në Kupat e Europës. Kukësi është një realitet, dhe unë ndihem krenar për këtë”.Kalimi i turit, Kukësi merr 400 mijë € nga UEFAEcuria fantastike e Kukësit në Ligën e Europës ka shtuar të ardhurat e klubit, si rezultat i shpërblimeve që jep UEFA pas kalimit të çdo turi. Deri në këtë moment, edhe nëse klubi nuk arrin të kualifikohet ndaj Metalurgut, ka përfituar 300 mijë euro si rezultat i kalimit të dy tureve të para në këtë kompeticion. Ndërkohë, nëse Kukësi kualifikohet për në fazën “playoff” të Ligës së Europës, atëherë të ardhurat në total shkojnë 400 mijë euro, pasi shtohen edhe 100 të tjera. Mirëpo, një mrekulli e klubit verior në fazën “play-off”, duke kaluar në grupe, bën që direkt Kukësi të përfitojë 1 milion e 300 mijë euro nga UEFA. Gjithsesi, objektivi primar është kalimi i turit të tretë, i cili do të mbushte arkën e klubit verior, që deri më tani ka kapur rekordin e Flamurtarit në edicionin 1987-1988.Tension e polemika, ukrainasit nuk i kontrollojnë dot nervatTensioni dhe polemikat nuk kanë munguar në ndeshjen e luajtur dje në “Qemal Stafa”. Jo në kampin vendës, por në atë të miqve. Ukrainasit nuk kanë arritur që t’i kontrollojnë nervat e tyre, teksa në momente të veçanta ka pasur edhe ndonjë debat apo një fjalë më tepër. Gjithçka nisi me zëvendësimin e Darren O’Deas, mbrojtësit të Metalurgut. Lojtari nuk e ka përtypur këtë ndërrim dhe menjëherë i është drejtuar trajnerit Maksimov, duke i thënë se përse po e bënte këtë. Reagim, të cilin e demonstroi edhe me gjeste, duke shprehur hapur habinë e tij. Por trajneri, me shumë sportivitet dhe pa shtuar më shumë tensionin, thjesht në dalje i zgjati dorën në shenjë përshëndetjeje. Me daljen e tij në 34-ën minutë u fut Gregori Nelson, të cilit i zgjati shumë pak prania në fushë, pasi në të 62-ën (vetëm 28 minuta më vonë) trajneri e ndërroi sërish, duke e argumentuar këtë veprim me mungesë kreativiteti dhe mos zbatimin e detyrave të dhëna. Nelson, duke qenë se u bë protagonist, nuk e duroi dot ndërrimin dhe iu drejtua menjëherë dhomave të zhveshjes. Tifozët dhurojnë spektakël, por ka invadim të fushësMë shumë se 8000 tifozë të Kukësit kanë qenë dje të pranishëm në stadiumin “Qemal Stafa” për të mbështetur skuadrën e tyre në përballjen ndaj Metalurg Donetsk. Spektakël dhe shumë emocione. Sportdashësit kuksianë e kanë mbështetur ekipin e tyre të zemrës në çdo moment. Megjithatë, jo çdo gjë ka shkuar më së miri. Në minutën e 41-të, kur po bëhej gati një goditje dënimi për ukrainasit, gjyqtari Kuçin dallon një çakmak në fushë dhe vrapon drejt gjyqtarit të katërt për t’ia dorëzuar. Menjëherë pas këtij rasti, nëpërmjet fonisë së stadiumit “Qemal Stafa”, iu bë thirrje tifozëve që të mos hidhnin sende në fushën e lojës. Ndërsa në momentin e golit të dytë, një prej tifozëve kuksian ka kapërcyer hekurat, duke hyrë në fushë, por është nxjerrë menjëherë nga forcat e rendit.Përballje “big”, nëse kualifikohetKukësi është shumë pranë një arritje historike në futbollin shqiptar. Skuadra e drejtuar nga Armando Cungu, nëse arrin të kalojë edhe turin e tretë të Ligës së Europës, bëhet i pari ekip shqiptar që kalon tri ture në Europë. Në fazën “play-off” të Ligës së Europës, kuksianët do të kenë mundësi që të përballen me ekipe me emër në Europë. Në këtë fazë marrin pjesë skuadrat që kualifikohen nga turi i tretë, ekipet që eliminohen nga turi i tretë i Ligës së Kampioneve dhe skuadra të tjera që hyjnë direkt në këtë fazë. Spikat Sevilja dhe disa ekipe të tjera me emër, me të cilat mund të përballet Kukësi në fazën e “play-off”-it, nëse kalon turin e tretë.Mediat ukrainase: Kukësi si përrallë, rrëzon Metalurgun“Kukësi si përrallë, rrëzon edhe Metalurgun”. Ky ishte titulli i uebsajtit më prestigjioz sportiv në Ukrainë “football.ua”, dje pas ndeshjes Kukësi- Metalurg Donetsk. Elozhet për skuadrën shqiptare ishin të shumta, ndërkohë që kritikohej jo pak loja e ekipit të drejtuar nga Juri Maksimov. “Dy golat e pësuar kanë zvogëluar shumë shanset e Metalurgut për të kaluar në raundin tjetër të Ligës së Europës. Ekipi shqiptar tregoi se jo më kot ka kaluar deri më tani dy ture në këtë kompeticion dhe është afër një tjetër mrekullie. Pas golit të parë të shënuar nga argjentinasi Malakarne, të besuarit e Maksimov patën raste për të barazuar, por ndonjëherë nuk kishin edhe fatin me vete. Dalja me karton të kuq e Morozyk prishi ekuilibrat, teksa Kukësi shënoi më pas golin e dytë me Malotën”, – shkruante dje uebsajti ukrainas. golli dhe Bylykbashi: Kukësi, si një hakmarrjeAnsi Agolli dhe Dorian Bylykbashi janë të lumtur që Kukësi ka arritur ta mposhtë Metalurg Donetskun. Ishlojtarët shqiptarë të Krivbasit në Ukrainë e shikojnë këtë fitore edhe si një hakmarrje për ish-trajnerin e tyre, Juri Maksimov, që aktualisht drejton Metalurgun. Tri vite më parë ai i largoi nga Krivbasi, madje përveç tyre edhe portierin Hidi e mesfushorin Bulku.Agolli - I kontaktuar dje nga gazeta, mbrojtësi u shpreh i befasuar për rezultatin që arriti ekipi shqiptar në ndeshjen e parë. “Bravo Kukësi! Sinqerisht nuk e prisja një rezultat kaq të pastër në ndeshjen e parë, por më bëhet shumë qejfi që ka arritur një fitore të tillë përballë Metalurg Donetskut. Sa për trajnerin e Metalurgut, Maksimov, nuk habitem fare që ka humbur në Shqipëri. Kjo është si një lloj hakmarrjeje edhe për mua. Ta dijë mirë ai se kush janë shqiptarët. Urime Kukësit! Tani shpresoj që të kualifikohet në fazën ‘play-off’, ku pretendojmë të jemi edhe unë e Teli si pjesë e Karabakut në Azerbajxhan”, – ka thënë Agolli për “Panorama Sport”.Bylykbashi - Dorian Bylykbashi parashikoi një surprizë të Kukësit në këtë takim. Dje ish-kapiteni i Krivbasit në Ukrainë foli me krenari për atë që kishte deklaruar pak ditë më parë. “E kisha bindje, sepse besoja shumë te Starova dhe Cungu. Kukësi ka një dyshe të paparë në pankinë. Metalurgu nuk ka ndonjë traditë në Europë, ashtu si Kukësi, mirëpo nëse u luan taktikisht mirë, atëherë ata thyhen. Më vjen mirë që më në fund një skuadër shqiptare arrin të bëjë histori në Kupat e Europës. Shpresoj që Kukësi të kualifikohet, ka realisht shumë shanse”, – ka deklaruar elbasanasi.Akuzat për ish-trajnerin Dorian Bylykbashi dhe Ansi Agolli e kanë cilësuar trajnerin aktual të Metalurgut si racist ndaj shqiptarëve. “Maksimov e mori drejtimin e Krivbasit në janar të vitit 2010, ndërkohë që unë isha kapiten i ekipit. Nga ana tjetër, Isli Hidi, Ansi Agolli dhe Ervin Bulku ishin gjithnjë titullarë. Fillimisht ai largoi Bulkun pa u mbyllur ende muaji janar, ndërsa në prill të atij viti radhën e kisha unë dhe Hidi. Në fund mbeti Agolli, por edhe ai nuk qëndroi gjatë, sepse pati të njëjtin fat me ne. Kur nisi faza e dytë e kampionatit dhe në skuadër kisha mbetur unë, Hidi dhe Agolli, hapësirat për ne u mbyllën”, – është shprehur Bylykbashi. JONUZ HALLACI / ERJON HAMITAJ / BESAR BOZGO
Posted on: Fri, 02 Aug 2013 17:29:53 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015