NË KUADRIN E 5-VJETORIT TË PAVARËSISË TË KOSOVËS GJAKOVA - TopicsExpress



          

NË KUADRIN E 5-VJETORIT TË PAVARËSISË TË KOSOVËS GJAKOVA – GJAKU YNË Fjalë në paraqitjen e veprës të Azgan Haklaj “Edhe Zoti po flet Shqip”, më 16 shkurt 2013, në pallatin e kulturës të qytetit të Gjakovës Gjakova, ky vend ku Toka merret vesh mrekullisht me Qiellin, e ka një emër tepër simbolik, e mbart emnin e moçëm: “gjakoj” – përndryshe me domethanien “të dua me gjithë zemër, me gjithë gjakun tim”. Kjo dashuria e gjakut është dashuria ma e parrejshme mbi tokë dhe nën tokë, në këtë botë dhe në atë botë. Kjo dashuri e gjakut të brezave e ka ba Gjakovën me Malësitë e saj, një mal të historisë, një djep të shqiptarizmës. Kjo dashuri e gjakut, kjo Gjakovë, e ka ba birin e këtij trualli epik e lirik, të pavdekshmin 70 dhe 700 vjeçar, poetin Ali Podrimja, t’iu thirrnojë epokave: “Kosova – gjaku im që nuk falet”. Kjo dashuri e gjakut na ban edhe ne të gjithëve në këtë sallë, në këtë përvjetor të pestë të Pavarësisë së Kosovës, në këtë ditë të promovimit të veprës më të re të Azgan Haklajt, të besatojmë e të hyjnojmë në përjetësi, si gjithëmonë: Gjakovë – jemi gjaku yt! Gjakovë, je gjaku jonë! Kjo dashuri e gjakut e bani djalin e Malësisë së Gjakovës, liderin historik të Shqiptarëve, Prof. Dr. Sali Berishën, që në vizitën e tij të veçantë në atë 17 qershor të vitit 2006 ta hymnizojë realisht Gjakovën si “Gjak i Kombit”, të cilën “Zoti e bekoi gjak për Flamurin, për Lirinë, për të Ardhmen, për Kosovën, për Shqipërinë, për Kombin”. Kjo dashuri e gjakut e bani edhe djalin tjetër të Malësisë së Gjakovës, një nga emblemat shqiptare, Azgan Haklajn, ta gjakojnë veprën e tij “Edhe Zoti po flet Shqip” edhe për Dardaninë, edhe për Çamërinë, edhe për ngjarje, fenomene e personalitete historike shqiptare, edhe për legjendat e gjalla shqiptare si lideri 45-vjeçar, Ramush Haradinaj, që e ndrit e larton sot këtë sallë festive, këtë ditë jubilare, që “është një mësim i madh për Europën”, që “Çështjen Kombëtare Shqiptare, Kosovën, e vuni të parën”. Nga ky vend i “dashurisë së gjakut”, nga kjo Gjakovë e luftës dhe e kulturës, diku nga Qafë Morina, pandehet se ideologu, politikani, diplomati e shkrimtari i Rilindjes Kombëtare Shqiptare, Pashko Mëhill Gjok Vasa, përndryshe: Vaso Pashë Shkodrani, në prag të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ia ka fjalnue një Memorandum ambasadorit anglez në Perandorinë Otomane (Stamboll), Sër Austen Henry Layard, ku – ndër të tjera i apelon se shqiptarët “gjakojnë të drejtën për të hyrë në gjirin e familjes së madhe europiane, së cilës i përkasin për nga origjina dhe afria”. (Pashko Vasa, Vepra 1. Tiranë, 2009, fq. 29/ etj.). Ky integrim kombëtar, politik, demokratik, ekonomik, ushtarak në familjen e madhe euro-atlantike, në NATO e në Bashkimin Europian, e përshkon krejt veprën “Edhe Zoti po flet Shqip” të politikanit demokrat e publicistit atdhetar, Azgan Haklaj, si tek refleksionet e tij “Nuk do të ketë zgjidhje të cunguar të çështjes kombëtare shqiptare - Edhe Zoti po flet Shqip” (fq. 17-29); tek analiza etno-historike e kulturore “Çamëria – vatra e burrave të mëdhenj” (fq. 34-44); komente e apele për Korridorin Adriatik-Alpe – nga qyteti “Gjakoj” i Gjakovës deri në portin e shënjtorit Gjin – të Shëngjinit (fq. 71-95); “Unioni Artistik i Kombit Shqiptar – Parlamenti Shpirtëror i Shqiptarëve” (fq. 121-130); fjala në Deçiç: “Një komb pa simbole është si kimia pa Mendelejev” (fq. 193-196); deklarata në Preshevë “Kultura shqiptare është AND e Kombit Shqiptar” (fq. 197-208), etj. Pikërisht në rrethina të Gjakovës, bash në Krushë të Madhe (Dardhë të Madhe) prapë i madhi Pashko Vasa, në vitin fatbardhë të themelimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në vitin famëkeq të akteve kundërshqiptare të Kongresit të Berlinit, nga gjakoja (dashuria e gjakut), si rrallëherë në krijimtarinë e tij e shkroi në gjuhën shqipe poezinë (poemthin) “Moj Shqypni, e mjera Shqypni”, e cila qarkulloi si trakt atdhetar-politik-filozofik në memorien, odat, kuvendet e udhëbetejat shqiptare në të gjitha trojet etnike shqiptare, duke u përmbyll me vargjet kushtrim: Qysh prej Tivarit deri në Prevezë. gjithkund lëshon dielli vap’ e rrezë, asht toka jonë, të parët na e kanë lanë, kush mos na e prek, se desim t’tanë. Të desim si burrat që diqnë motit, e të mos marrohna përpara Zotit Nuk është e rastit që kombëtari, demokrati, artisti e publicisti Azgan Haklaj, para Tiranës e Prishtinës, para Tuzit e Preshevës, para Vlorës e Shkupit, të zgjedhin për mirëseardhje, për mikpritje, qytetin “Gjakoj” – Gjakovën e gjakut të Kombit, jo sepse Gjakova është qëndra e botës, po për faktin madhor se Gjakova me Malësitë e saj të hershme është “qëndra e gravitetit” të tij, dhe e secilit prej nesh që e “gjakojmë” këtë truall të njoftun qysh në harta të Ptolemeut, që i dha kombit edhe liderat e sotëm: Sali Berisha – “burri i fortë i kombit”-siç e ka quajt një gazetë spanjolle; Ramush Haradinaj - kryeministri popullor”, siç e cilësonte Ollbrajt, sekretarja amerikane e shtetit më 7 prill 2005, Atifete Jahjaga – presidentja e Kosovës, etj. Kjo “qënder graviteti” – Gjakova me Malësitë e saj, edhe Azgan Haklaj, e ban ma të fortë se Anteu nga lidhja me këtë tokë të gjaktë e të flaktë dhe e mban në kamb’ si luftëtar për kombin, për demokracinë, për kulturën; që e bani ma të fortë se Promoteu kur e lidhën me pranga në burgun politik në Tiranë dhe kur i banë atentate. Kjo “qënder graviteti” është thembra e Akilit edhe për Azgan Haklajn, që e bekoi e nistoi për rrugëtim bohemik e biblik; që e ban si një Zeus të kohëve moderne kur e sulmojnë rusët për deklaratat në Preshevë, tek organizon veprimtaritë kombëtare në Tiranë, në Malësi të Gjakovës (Tropojë), në Tuz, në Preshevë, në Sarandë, në Gjilan, në Shkup, në Deçan, në Junik, e për të disatën herë edhe në Gjakovë. Kjo “qënder graviti” e ban djalin e Gashit të Gurit të Malësisë së Gjakovës që të bahet shpeshherë shtizë Flamuri për çështjen kombëtare shqiptare, e frymëzon në vrellë e rrjedhë për vepra të niveleve kombëtare si “Dardanët presin Dodonën”, “Për Kombin, Për Demokracinë”, e, tashti, kjo e sotmja, “Edhe Zoti po flet Shqip”. E si të mos flasin edhe Zoti Shqip kur ka burrështetas kombëtar si Ramush Hilmi Haradinaj, që i dalin Shqiptarisht për Zot Kombit të vet edhe në Luftë, edhe në Paqe, edhe në burg në Tribunalin e Hagës, edhe në tribunat e institucioneve ndërkombëtare e të vendeve mike, që i dha Lirisë e Pavarësisë së Kosovës gjakun e vllaznëve të tij, si më 6 maj 1977 të gjeneralit Luan Haradinaj – një nga themeluesit e UÇK-së, më 19 prill 1999 të gjeneral / kolonel Shkëlzen Haradinaj, etj. Deshta me dvetë historinë politike e diplomatike të Europës moderne: më gjeni një burrështetas si Ramush Haradinaj që pas akuzave të paprovuara, biles të gatuara në (prapa)skenë edhe nga armiqtë e lashtë të kombit, jep dorëheqje si kryeministër i suksesshëm, don të provojë botënisht pafajësinë, çohet vullnetarisht e shkon drejt Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës. E kryen këtë akt të lartë e të shumëfishtë sakrifice vetëm se ka gjakojë “për vendin e kombin”, se “jemi afër arritjes së Pavarësisë sonë”, “…fillimi i rrugëtimit të Kosovës drejt Unionit Europian e NATO-s…” (Prishtinë, 8 mars 2005) dhe i kërkon kombit të vet të pranojë sakrificën e tij. Ky është kodi i shqiptarëve iliro-arbnorë përballë botës së djeshme e të sotme. Ky është akt i madh civilizimi demokratik kombëtar, që ka traditë të lashtë në rrugëtimin historik të shqiptarëve në vendin e vet dhe në glob. Politikani kombëtar Ramush Haradinaj është nga ata ushtarak luftëtar në Rrafshin e Dukagjinit e ma gjanë, që e çoi Kosovën nga Lufta në Liri, që nga kryeministër shkoj në Tribunalin e Hagës për ta çue Kosovën drejt Pavarësisë e për të sfidue Beogradin (siç pohojnë Medlin Ollbrajt, Robin Kuk, etj.), që do të rrugëtojnë për në krye të ekzekutivit për ta çue Kosovën drejt integrimeve reale euro-atlantike, drejt unitetit territorial gjeo-politik republikan, etj. Dy herë e ngujuan Ramush Haradinajn në Hagë dhe ne e kena prit çdo vit për me u rikthye në Atdhe, si lider i dimensioneve bashkëkohore, me gen tradite atdhetare të kahershme, me veprimtari të madhe e të pandalun. Këtë fakt e kam shpreh në nëntor 2011 edhe me vargjet poetike: “Po vjen Ramush Haradinaj”: O çka ka dielli që po e ndal dimnin kësaj here. Pret Ramush Harajdinin si lule pranvere. Haga dy herë po don me e kryqëzue si Krishtin, Po nuk ka pranga që e lidhin Kreshnikun… Ky vit jubilar i Pavarësisë nuk po don me ndrrue fletë Pa e pa ramush hajradinin në truallin e vet… Serbët duan ta mbajnë lidhun këtë Promethe të Lirisë, Derisa t’ua ngulin klonin tokave shqiptare në Mitrovicë. Rrafsh nuk asht ma Rrafshi i Dukagjinit Pa u kthye në majemale qëndrese si një Gjorovicë. Se nuk mundet ta mbajnë kush në Hagë Tribunin e Demokracisë. Se Haxhi Zeka, Adem Jashari me UÇK, Po e presin Luftëtarin… Se Kosova dardane e Ibrahim Rugova Po e presin Flamurtarin…! Maleve të Kosovës nuk po iu bien gjethet… Po qeshin fëmijët nëpër djepet… Po këndojnë lumenjtë si Ibri e Drini… Po çelin lulet e fushave këtij dimni, Po vallëzojnë dëshmorët prej gëzimi, O prej Hage po vjen shqionja Ramush Harajdini! 100 vjet pa iu ndal Udhëtimi. Asnjë ditë nuk iu trem syni. Mbi 1.000 vjet në luftë me sllavë, Ditë për ditë me ta tue u përballë. 1 milionë vjet po t’i kenë jetë, Shqiponjë lirie ka me mbetë… Po na e lypi prapë Haga Ramushin Krejt Europës kena me ja çue prushin… Nuk munden shkijet me i dalë para këtij Burri Atdhetar, Se zanin e zemren i ka tek Flamuri Ynë Kombëtar… Se i ka gjak e besë në rrënjët e lirisë të Kosovës heroike, Se i ka mendje e shpirt për Shqipërinë Etnike… Në përmbyllje prapë fjalanisim me të madhin Pashko Vasa, i cili gjakoj nga Gjakova qyshse në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, tek poezia”Moj Shqypni, e mjera Shqypni”, se: “Para se të hupet kështu Shqypnia,/ Me pushkë në dorë le t’desë trimnia”! Se sa është çmimi i trimërisë për Lirinë e Pavarësinë e fortdinë edhe lideri atdhetar, Ramush Haradinaj, i cili gjakoj për kombin e vet dashurinë e gjakut të tij në breza deri tek djali i tij i vogël: mëse njëvjeçar, që ia ka ngjit emnin simbolik: Trimi. Se sa është çmimi i trimërisë për Lirinë e Pavarësinë na e thonë edhe dimensionet e veprës të Azgan Haklaj “Dardanët presin Dodonën”, na e thonë edhe vlerat e vlerësimet e veprës të Azgan Haklaj “Për Kombin, Për Demokracinë”, në e thonë edhe realitetet e perspektivat e veprës së Azgan Haklajt: “Edhe Zoti po flet Shqip”. Vet Hymni ynë Kombëtar , të paktën qysh nga ditëshpallja e Pavarësisë Kombëtare Shqiptare, tash 101 vjet, po dritënon: “Se Zoti vet e tha me gojë, Që kombe shuhen përmbi dhè . Po Shqipëria do të rrojë, Për Të, për Të, luftojmë Ne”. O Gjakovë, o gjak i Kombit! O Gjakovë – o gjak i jonë! Gëzoju shekullit XXI, më shumë se kurrë, më mirë se astenjiherë, sepse ky është shekulli i shqiptarëve, se shqiptarët po gjakojnë për të sotmen e të nesërmen e vet kombëtare në çdo hap e në të gjitha fushat, se Zoti po flet Shqip për Kombin Shqiptar, se Kombi Shqiptar po flet Shqip me Zotin. Ramiz LUSHAJ
Posted on: Thu, 22 Aug 2013 09:34:07 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015