Në Rugovë u mbajt edicioni i 21 i Lojërave Tradicionale Rugova - TopicsExpress



          

Në Rugovë u mbajt edicioni i 21 i Lojërave Tradicionale Rugova 2013 Në fshatin Kuqishtë të Rugovës në një amfiteatër natyror edhe këtë vit u mbajtën Lojërat Tradicionale “Rugova 2013” – njëherit të 21-tat me radhë, që kishin tubuar njerëz nga të gjitha viset shqiptare duke filluar nga Shqipëria, Vuthajt në Mal të Zi, Malësia shqiptare e Rozhajës, Kelmendasit e Mitrovicës dhe ata të Sibovcit, ku secili në mënyrën e vetë kanë shpalosur trashëgiminë kulturore e historike të tyre. Lojërat Tradicionale janë nen patronatin e Kryetarit të Komunës dhe organizohen nga Komuna, Bashkësia Territoriale e Rugovës, Ansambli Folklorik Autokton ” Rugova”, komuniteti, Shoqata e Sporteve dhe Lojërave Tradicionale te Rugovës. Lojërat Tradicionale të Rugovës janë lojëra popullore te trevës se Rugovës qe kane karakterin e një prezantimi ne vazhdimësi te traditës zakonore te një shumëllojshmërie qe sipas përmbajtjes janë Lojërat e shkathtësive fizike e luftarake te burrave,lojërat dëfryese,këngët , vallet dhe ritet, që kane një zanafille te hershme qe zakonisht janë mbajtur dhe mbahen në muajin Gusht menjëherë pas kositjes se livadheve dhe deri me tani ato janë mbajtur ne Qafe Hajle e Bogë,kurse kohëve të fundit në Kuqishtë. Ne si këshill organizues po mundohemi që këtë trashëgimi kulturore ta ruajmë dhe ta bartim nder breza e kjo bëhet e mundshme me organizime të tilla siç janë Lojërat Tradicionale tha nder të tjera Kryetari i B.T.të Rugovës Arianit Demaj. Kryetari i Komunës së Pejës, Ali Berisha, nën tha se ky manifestim yni i trashëgimisë kulturore e bën Pejën dhe Rugovën shumë më atraktive për ofertën e madhe turistike, të shpallur këtë vit si destinacion i turizmit botëror nga Organizata Botërore e Turizmit. Kurse Drejtori i AFA Rugova,Vesel Nikqi, njëri ndër organizatorët tha se me këtë manifestim po bashkojmë Alpet Shqiptare, etnikun verior shqiptar për të dëshmuar autoktoninë tonë në këto treva Iliro-Dardane, duke shpalosur këngë e valle, lojëra dhe veshje si dhe tërë atë koloritin kulturor e historik të cilin, sipas tij e kultivuam dhe e ruajtëm me fanatizmin më të madh. Në kuadër të këtij programi u mbajtën 6 disiplina garuese tradicionale, ku murën pjesë mbi 100 garues në të gjitha disiplinat siç ishte hedhja e gurapeshit, hedhja e llastarit, rrëzimi i duarve, tërheqja në litar, mundje,ngjitja ne shilor dhe gara demonstruese veku në sharrë. Nazmi Iberdemaj, njëherit rëfer ndërkombëtar i sportit në karate dhe përgjegjës për këto disiplina sportive në Rugovë është shprehur i kënaqur për artin e madh të shkathtësive që kultivojnë këto lojëra, ndërsa sipas tij garuesit ishin të shkëlqyer. Në këtë organizim, mysafirët e shumtë janë argëtuar edhe me muzikën e zgjedhur e të përformuar nga folklori I traditës shqiptare sikurse ishin përformanca e AFA“Rugova”, Ansamblit të këngëve dhe të valleve nga Mitrovica si dhe atij të “Majat e karafilit” nga Vuthaj si dhe rapsodët Rifat e Mehdi Berisha dhe Shaban Demaj e Bekë Nikqi. Ky organizim ishte një ndër manifestimet organizative të futura në agjendën e maratonës festive “Peja pret Diasporën” – “Mirë se erdhët bashkatdhetarë”, - nga aktivitetet e Drejtorisë së Kulturës dhe Komunës së Pejës.
Posted on: Mon, 05 Aug 2013 08:41:54 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015