Në ato ditë të ethshme, një mëngjes herët, më zgjoi - TopicsExpress



          

Në ato ditë të ethshme, një mëngjes herët, më zgjoi telefoni. - Ende je i dashuruar me mua? Ishte vetë zëri i saj. Po ai ton i dikurshëm tallës e i gëzuar dhe, thellë-thellë, po ai theks i fortë i të folurit të Limas, nga i cili nuk kishte humbur asgjë. - Duhet të jem, vajzë e prapë, - u përgjigja ndërkohë që gjumi më doli plotësisht. – Nëse jo, nuk ka si shpjegohet që, qysha sa mora vesh se je në Tokio, nuk kam lënë derë pa trokitur për të siguruar një kontratë që të më sjellë aty tek ti, qoftë edhe për një ditë. Më në fund, e kam siguruar një të tillë për në Seul. Do të shkoj atje brenda dy javësh. Dhe prej andej do të sulem drej Tokios, për të të parë, pa le të më bëjë shoshë me plumba ai kapoja i Yakuzave me të cilin shkon, siç më kanë thënë spiunët e mi. A janë shenja këto se jam i dashuruar me ty? - Po, besoj se është ashtu. Sa qejf, djalë i mbarë! Besoja se pas kaq kohësh do të më kishe harruar. Ashtu të tha edhe kolegu yt, Toledanoja? Që jam me një kapo mafiozësh? Ia dha të qeshurit, e kënaqur nga ky lloj justifikimi. Por befas ndërroi temë, duke më folur me një lloj toni përkëdhelës. -Gëzohem që do të vish. Edhe pse kam kohë pa të parë, të kujtoj gjithmonë. E di pse? Sepse je i vetmi mik që më ka mbetur. - Unë nuk jam dhe as do të jem kurrë miku yt. Ende nuk e ke marrë vesh këtë? Jam i dashuri yt, i dashuruari yt, njeriu që qysh fëmijë, ishte i çmendur pas kiliankës, guerilases, gruas së funksionarit francez, gruas së pronarit të kuajve, dashnores së gangsterit japonez. Në Tokio nuk dua të kujtojmë asgjë. Dua vetëm të të kem në krahët e mi, të të puth, të të marr erë, të të kafshoj, të bëj dashuri me ty. Qeshi përsëri. Tani me gjithë shpirt. - Ende bën dashuri? – më pyëti. – Kjo më gëzon. Askush nuk më kishte thënë gjëra të tilla që nga koha kur jemi parë për herë të fundit. A do të më thuash shumë nga këto kur të vish Rikardito? Hë, më thuaj ende diçka! - Netëve me hënë të plotë dal e i leh qiellit dhe atëherë shoh fytyrën tënde atje lart. Qysh tani do të jepja dhjetë vjet nga jeta që më ka mbetur për të parë veten të pasqyruar në thellësi të syve të tu ngjyrë mjalti të errët. Po qeshte e kënaqur, por papritur më ndërpreu ë trembur: - Duhet ta mbyll telefonin. Dëgjova krëkun e aparatit. Nuk munda të mbyll më sytë, prej një gëzimi e shqetësimi së bashku, që më lanë zgjuar deri në shtatë të mëngjesit, orë kur ngrihesha për të përgatitur mëngjesin e zakonshëm – kafe puro dhe bukë të thekur me mjaltë – kur nuk shkoja ta merrja në banakun e kafenesë pranë, në bulevardin Tourville.
Posted on: Sun, 03 Nov 2013 20:41:44 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015