Në historinë e partive politike në Kosovë, kalimi nga një - TopicsExpress



          

Në historinë e partive politike në Kosovë, kalimi nga një subjekt politik te tjetri është një dukuri e vjetër sa edhe vetë partitë. Por kalimi i anëtarësisë nga LDK-ja në PDK po ndodh për herë të parë këtë vit dhe kjo po ndodh në rajonin e Llapit, i cili deri tani është konsideruar si bastioni më i fuqishëm i LDK-së Kur u bë Isa Mustafa kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, shumëkush ka besuar se tani kjo parti do të hapë dyert për kuadro të reja dhe do të bëhet një parti shumë më aktive në politikëbërje duke sfiduar politikën kosovare me ide e projekte konkrete. Por, jo vetëm që nuk ndodhi kështu, por për herë të parë në këtë parti filloi përjashtimi i zyrtarëve dhe anëtarëve të partisë, të cilët shfaqnin mendime ndryshe në forume e struktura të partisë. Ende është i freskët veprimi që bëri kryesia e LDK-së me anëtarët e padëgjueshëm të Forumit Rinor të cilët i përjashtoi krejtësisht nga pjesëmarrja në garën zgjedhore dhe kur këta të rinj protestuan ditën që mbahej kuvendi zgjedhor i Forumit rinor, lideri i kësaj partie, këta të rinj që ishin ende anëtarë të partisë që udhëheq, Mustafa i pati quajtur rrugaçë. Kurse, disa largime të anëtarëve të partisë nga LDK-ja dhe kalimin e tyre në radhët e PDK-së, i pati quajtur fundërrina të partisë. Pra, ky është fjalori i Isa Mustafës me ata që në partinë e tij mendojnë ndryshe. Kurse nga ana tjetër edhe Mustafa, edhe të gjithë anëtarët e kryesisë së LDK-së e kanë gojën plot rugovizëm, ani pse Rugova dhe rugovizmi i tij kurrë nuk ka qenë përjashtues, fyes e akuzues, jo për anëtarët e partisë së tij, por për asnjë kundërshtar politik. Pra, në LDK tani ka komunizëm, meritokraci, konformizëm, arrogancë e fyerje, por vetëm frymë rugovizmi nuk ka. Kjo mënyrë e udhëheqjes së LDK-së ka filluar t’i irritojë anëtarët e devotshëm të saj dhe madje edhe në Rajonin e Llapit që është konsideruar si bastioni më i fuqishëm i LDK-së. Anëtarët e kësaj partie kanë filluar të heqin dorë nga ky subjekt politik dhe të kalojnë në radhët e Partisë Demokratike të Kosovës. Në Llap, këto largime disa po i quajnë si simpatizues të Fatmir Sejdiut të cilin Mustafa me mjeshtëri e eliminoi nga partia, e disa të tjerë po thonë se këta janë anëtarë të LDK-së, të cilët Isa Mustafa i pati quajtur rrugaçë. Si do që të jetë, qytetarët kanë filluar të mërziten me LDK-në e plakur dhe po kërkojnë alternativa të reja, të cilat ofrojnë zhvillim dhe mirëqenie për qytetarët. Kjo është edhe arsyeja që në Llap anëtarët e LDK-së po kalojnë në PDK. Kështu ditë më parë në PDK, përkatësisht në Degën e kësaj partie në Podujevë shumë aktivistë të LDK-së dhe përfaqësues të AAK-së, nëndega e Lagjes “Vëllezërit Frashëri” iu bashkuan Partisë Demokratike të Kosovës, ku me këtë rast mirëseardhje iu kishte dëshiruar edhe kandidati për kryetar të Komunës së Podujevës, Naim Fetahu, deputeti dhe njëherit kryetari i Shtabit Zgjedhor, Latif Gashi dhe kryetari i degës së PDK-së në Podujevë, Muhamet Latifi . Kandidati për kryetar, Naim Fetahu ju uroi mirëseardhje dhe i falënderoi për besimin e dhënë. “Partia Demokratike e Kosovës është e hapur për të gjithë ata, të cilët dëshirojnë të kontribuojnë në qëllimin tonë të përbashkët, në ndryshimin e jetës së qytetarëve të komunës së Podujevës”, u shpreh Fetahu. Po ashtu, në vazhdën e shumë aderimeve që po ndodhin në Partinë Demokratike të Kosovës në Podujevë, nënkryetari i Forumit Rinor të Lidhjes Demokratike të Kosovës me dhjetëra aktivistë të tjerë iu bashkuan PDK-së. Po ashtu, në radhët e PDK-së ka kaluar edhe zëdhënës i deritanishëm i Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Podujevë, Azem Osmani, i cili ka deklaruar se arsyet kryesore që e kanë shtyrë për ta braktisur LDK-në, janë keqmenaxhimi, mënyra joadekuate e qeverisjes dhe qeverisja pa strategji. “Jam në pritje të gjatë të ndryshimeve pozitive brenda LDK-së. Të gjitha këto procese negative ndikuan që të largohem njëherë e përgjithmonë nga kjo parti, në të cilën kam dhënë kontribut të çmuar. I jam bashkangjitur PDK-së, me bindjen se këtu do të gjejë atmosferë për punë e angazhim për një mënyrë tjetër të qeverisjes së Komunës në Podujevë, ka thënë Osmani. Është interesant se këto largime LDK-ja po përpiqet që t’i tejkalojë me heshtje dhe pasi fushata zgjedhore për pushtet lokal është shumë afër as lideri i LDK-së, Isa Mustafa nuk ka preferuar që të lëshojë ndonjë fyerje si herëve tjera. Por, është interesant me Isa Mustafën, kudo që po shkon këto ditë për të promovuar kandidatët e LDK-së, po deklaron se ka ardhur koha e ndryshimit dhe qyteteve të Kosovës sipas tij u duhet një qeverisje ndryshe. E nëse është kështu, atëherë pse Podujeva dhe Prishtina që qeverisen nga LDK – ja qe 13 vite, nuk paskan nevojë për ndryshim të qeverisjes? (Lajm)
Posted on: Mon, 16 Sep 2013 19:04:38 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015