Në jetët tona shpesh bëjmë gabime, në adhurimet tona bëjmë - TopicsExpress



          

Në jetët tona shpesh bëjmë gabime, në adhurimet tona bëjmë edhe lëshime, kemi dhe neglizhenca. Por sevapi i kësaj nate të jepet i plotë, sikur ke jetuar 83 vjet pa bërë asnjë gabim. Allahu (xh.sh) thotë në Kuranin fisnik: “Ne e zbritëm atë (Kuranin) në natën e Kadrit. E ç`të mësoi ty se ç`është nata e Kadrit. Ajo është më e vlefshme se njëmijë muaj. Atë natë zbresin melekët dhe Xhibrili me lejen e Zotit, për të zgjidhur çdo punë. Ajo është paqe deri në daljen e agimit” (Kadr: 1-5) Falenderoj Zotin që na bëri krijesat më të larta, na bëri njerëz që ecin me dy këmbë dhe e shikojnë botën nga lart dhe nuk na bëri kafshë që ecin me katër këmbë dhe e shikojnë botën nga poshtë. Allahu (xh.sh) na dha mendjen dhe nënshtroi gjithë ç`ka në qiej e në tokë për ne, ndërsa ne nuk na bëri të nënshtruar ndaj dikujt tjetër, por vetëm ndaj madhështisë së Tij. A nuk meriton të falenderohet Allahu (xh.sh)? Kush e di, ndoshta edhe ne mund të ishim pjesë e bashkësisë së kafshëve apo e pemëve, sepse të gjitha janë krijesa të Allahut (xh.sh). Por Allahu (xh.sh) caktoi për ne, që të jemi njerëz, krijesat më të larta të Zotit. A nuk duhet falenderuar ky Zot, i Cili na dalloi ne nga miliarda njerëz, që të jemi ndjekës të njeriut më të lartë, profetit (a.s)!? A nuk duhet ta falenderojmë Zotin, që na nxorri nga errësira në dritë?! Çdo njeri me zemër të pastër duhet ta falenderojë Allahun (xh.sh) për këtë mirësi kaq të madhe. E dimë fare mirë, se ka shumë njerëz me mendje më të fortë se ne, me pozita më të larta se ne, me mundësi ekonomike më të mëdha se ne, por Zoti i gjithësisë nuk ua ka zgjeruar zemrën, nuk ua ka ndriçuar dritën e mendjes, por i ka lënë në errësirë, sepse ata vetë kanë pëlqyer errësirën. Bëji një llogari vetes tënde. Çfarë shpenzimesh ke bërë për të ardhur këtu ku je? Erdhëm ndoshta pa ditur ku po shkojmë, ndoshta pa u menduar gjatë, por ishte mëshira e Allahut (xh.sh), që na nxorri nga errësirat në dritë. Mjafton njeriu të kujtojë vetëm një ditë nga koha kur nuk e njihte Zotin dhe do ta kuptojë se çfarë njeriu ka qenë. Falenderojmë Allahun (xh.sh) që me mëshirën e tij na bëri njerëz, na bëri ndjekës te profetit Muhamed (a.s). A nuk falenderohet Zoti, që na dalloi nga shumë muslimanë dhe na mundësoi ta arrijmë e ta agjërojmë muajin e Ramazanit, sepse ka pasur shumë muslimanë, të cilët e kanë lutur Allahun, që ta arrijnë Ramazanin, por Allahu (xh.sh) u ka caktuar që të mos e agjërojnë këtë muaj. Para disa ditësh pyesnim njëri – tjetrin se kur fillon Ramazani.. Kurse tani pyesim njëri – tjetrin se kur është fundi i Ramazanit, kur është dita e Bajramit. Subhanallah! Në fillim kishim shqetësim, nëse do të kishim mundësi të rrinim pa ngrënë, nëse mund të çoheshim për syfyr, që të mos kishim uri gjatë ditës, ndërsa sot agjërimi është bërë pjesë e zemrave tona, pjesë e jetës sonë, është bërë shoku më i mirë, miku më i afërt dhe nuk e di se si do të ndihen zemrat tona, kur të largohet ky muaj. Ramazani është një muaj, por jeta përbëhet nga vite e vitet përbëhen nga muajt. Kjo është jeta e njeriut. Një ditë ke lindur dhe patjetër një ditë do të lajmërohen njerëzit për vdekjen tënde. Jeta, si çdo gjë në këtë botë, ka një fillim dhe një fund. Po të shikosh në fenë islame, do vëresh se pjesa e fundit e çdo pune është më e rëndësishmja. Profeti Muhamed (a.s) ka thënë: “Pjesa e tretë e natës është pjesë më e rëndësishme. Është pjesë kur Allahu (xh.sh) zbret në qiellin e dynjasë, ashtu siç i takon madhështisë së Tij dhe thotë: “A ka njerëz që kanë halle, t`ua zgjidh Unë hallet? Kush kërkon prej Meje që t`i jap, kush me lutet, t`i përgjigjem. Kush më kërkon falje që ta fal, kush kërkon mbrojtje, që Unë ta mbroj”. Të rrallë janë ata njerëz, të cilët ngrihen në pjesën e tretë të natës, marrin abdes dhe pasi falin dy rekate, i drejtohen Zotit me lutje, sepse kanë halle të mëdha, por e dinë që ka një Zot, që sidomos në këtë pjesë të natës, pret vetëm që duart e besimtarëve te ngrihen drejt Tij dhe Ai t`ua plotësojë lutjen. Profetit (a.s) ka thënë: “Mosha e popullit tim është rreth 60 vjet”. Duke u bisur nga kjo thënie e profetit (a.s), ju tërheq vëmendjen që të jeni të kujdesshëm. Sidomos ata që kanë mbushur 40 vjeç, ta dinë se i janë afruar kohës së fundit, kohës së tretë të jetës së tyre. Ata nuk mund të jenë si përpara. Ata janë burra tashmë dhe presin në çdo moment t`iu vijë Azraili (a.s), meleku i vdekjes dhe duhet të përgatiten për të. Po kështu ndodh edhe me muajin e Ramazanit. Dhjetë ditëshi i fundit tregon, se këtij muaji po i afron fundi. Për këtë dhjetë ditësh profeti (a.s) ka thënë: “Dhjetë ditëshi i fundit nuk është njëlloj as si pjesa e parë as si pjesa e dytë e muajit. Janë ditët e fundit, ditët kur duhen përqendruar të gjitha forcat, kur duhet dhënë maksimumi”. Inshallah do të jenë këto ditë dëshmitarë për ne dhe jo kundra nesh. Sot të gjithë muslimanët flasin për dhjetë ditëshin e fundit të muajit të Ramazanit, sepse me të vërtetë janë ditë të veçanta, ditë që do të dëshmojnë për ata njerëz që kanë agjëruar, që janë falur, që kanë dhënë sadaka. Do të dëshmojnë se e respektuan muajin e Ramazanit dhe Zoti i gjithësisë do të shpërndajë dhuratat e tij në fund të këtij muaji. Në këtë dhjetë ditësh gjendet nata e madhe e Kadrit. Ajo natë i jep vlerë dhjetë ditëve të fundit. Përkthimi nga arabishtja është nata e vlerave. Një natë më e mirë se 1000 muaj. Subhanallah! Njëmijë muaj janë 83 vjet dhe kush rastis në këtë natë, falet për Zotin dhe i lutet atij me sinqeritet, llogaritet tek Zoti sikur ka adhuruar Allahun (xh.sh) 83 vjet me radhë. 83 vjet është si një jetë tjetër. Është sikur njeriu të jetojë dy jetë brenda një jete. Kjo është mëshira dhe begatia e Allahut (xh.sh). Ata njerëz që merren me tregti dhe e dinë se c`është fitimi, shfrytëzojnë momentet kur del malli me çmim të lirë dhe blejnë sa më shumë. Allahu (xh.sh) na e dha natën e Kadrit, që të marrim sa më shumë shpërblime prej Tij. Për një natë, iu jep njerëzve një shpërblim prej 83 vitesh, ose më mirë shpërblimin e një jete tjetër brenda jetës së tyre. Në jetët tona shpesh bëjmë gabime, në adhurimet tona bëjmë edhe lëshime, kemi dhe neglizhenca. Por sevapi i kësaj nate të jepet i plotë, sikur ke jetuar 83 vjet pa bërë asnjë gabim. Profeti (a.s) e luste Allahun (xh.sh) që t`i jepte mundësinë ta kapte natën e Kadrit dhe i nxiste shokët e tij, gratë dhe fëmijët të luteshin, që Allahu (xh.sh) t`ua pranojë adhurimet në natën e Kadrit. Në këtë natë zbresin melekët e Allahut (xh.sh). Ata kërkojnë falje për mua dhe për ty. Kur ti lexon Kuran, ata lexojnë Kuran pranë teje. Kur ti falesh, ata falen pranë teje. Kur ti lut Allahun për mëshirë dhe për falje, ata thonë: “O Zot fale robin Tënd”. Melekët nuk zbresin nga një apo nga dy, por zbresin me turma të mëdha nga qielli. Nuk imagjinohet dot numri i melekëve të Allahut (xh.sh), sepse profeti (a.s) ka thënë: “Kur shkova në qiej, pashë që nuk kishte asnjë pëllëmbë vendi bosh, por në çdo pëllëmbë vend kishte një melek, që i lutej Allahut (xh.sh)”. Këta melekë zbresin për të kërkuar falje për besimtarët, për ata besimtarë që e duan faljen e Allahut (xh.sh). Në këtë natë caktohet rrisku dhe exheli[1] i njeriut. Përse nuk e lut Zotin, të ta shtojë rriskun, të ta shtojë edhe pak jetën, që të bësh edhe disa punë të mira! Lutju Allahut (xh.sh) në këtë natë, se inshallah duaja jote do të pranohet. Kjo natë është falje, është qetësi dhe paqe prej Zotit të gjithësisë. I qetë me Allahun (xh.sh), paqe me melekët e Allahut (xh.sh). Ka paqe edhe me shejtanin e mallkuar, sepse ai nuk ka fuqi të veprojë në këtë natë. Njerëzit, edhe ata që s`kanë agjëruar, të pyesin se kur është nata e Kadrit. Pse muslimanët nuk e caktojnë një herë e mirë natën e Kadrit? Njerëzit duan ta festojnë këtë natë. Ndoshta njerëzit nuk falen e nuk luten, por të paktën bëjnë një pjatë me hallvë, që shtëpisë t`i vijë era festë. Edhe kjo është pjesë e festimit të kësaj nate, por kurrsesi nuk është ky qëllimi i saj. Qëllimi është të festojnë zemrat e njerëzve. Të qajnë për gjynahet që kanë bërë dhe të festojë e të gëzohen për shpërblimin që marrin nga Allahu (xh.sh), shpërblim pa llogari. Qëllimi final është të kënaqim Zotin e të fitojmë xhenetin e Tij, me mëshirën e Tij. Vërtet që ia vlen të gëzohesh e të festosh për këtë gjë. E lus Allahun (xh.sh) që mëshira e Tij të na udhëzojë për ta gjetur natën e Kadrit. Zoti më mëshirën dhe urtësinë e Tij e ka fshehur këtë natë. Ne nuk e dimë me saktësi se kur është kjo natë. Profeti (a.s) ka thënë: “Allahu (xh.sh) ma tregoi kur është nata e Kadrit. Kur po dilja t`ju tregoja, erdhën dy njerëz duke u zënë me njëri – tjetrin dhe e harrova natën e Kadrit. Kërkojeni atë në dhjetë ditëshin e fundit të muajit Ramazan, në netët teke”. Profeti (a.s) po dilte tu tregonte besimtarëve se si të fitonin natën e Kadrit. Subhanallah, u bë shkak grindja e dy personave, që profeti (a.s) ta harronte natën e Kadrit. Por edhe kjo ishte prej urtësisë së Allahut (xh.sh). Imagjino se çfarë bëjnë konfliktet mes muslimanëve, sa e sa bereqet largohet nga shtëpitë dhe zemrat tona prej përçarjes. Lus Allahun (xh.sh) të na bëjë prej atyre njerëzve, që e arrijnë natën e Kadrit, natën më të madhe, natën më të lartë, duke agjëruar ditën e duke bërë ibadet (adhurim) natën. Ai njeri që e kalon këtë natë duke adhuruar Zotin, duke kërkuar falje prej Tij me durim e me shpresë, ai është njeri që Zoti e do shumë. Profeti (a.s), ai njeri që falej çdo natë, falej aq shumë saqë i ënjteshin këmbët, ai e njihte Zotin e gjithësisë. Ai dhe familja e tij ishin ndryshe dhjetë ditët e fundit të Ramazanit. Tregon Aishja (r.a): “Kur vinin dhjetë ditët e fundit të Ramazanit, profeti (a.s) i përvishej adhurimit. E zgjonte familjen e tij ta gdhinte këtë natë me adhurim. Ai bënte maksimumin që mund të bëjë një musliman”. N.q.s e kemi profetin (a.s) si shembull, le të shtojmë edhe ne diçka në punët tona, qoftë kjo lexim Kurani, namaz nate, sadaka etj. Aishja (r.a) e pyeti profetin (a.s): “Sikur ta rastis natën e Kadrit, çfarë më këshillon që të them”? Profeti (a.s) tha: “Thuaj sa më shpesh: O Zot Ti je Falës i madh, Ti je Bujar, Ti e do shumë faljen, prandaj më fal mua”. Lutuni për falje për vetet tuaja, për prindërit tuaj, për bashkëshortet dhe fëmijët tuaj, lutuni për gjithë muslimanët, për ata që vuajnë çdo ditë. Nuk ka kopraci më të madhe, sesa të mos i lutesh Allahut (xh.sh). Po t`i lutesh dikujt, ai mërzitet, ndërsa Allahu (xh.sh) mërzitet kur nuk i lutesh Atij. Ju kujtoj për një obligim tjetër, që është në fund të Ramazanit, i cili nuk duhet harruar. Po flas për sadakanë e fitrit. Është një obligim material, simbolik, por shumë i lartë tek Allahu (xh.sh). Është pastrim për agjëruesin, është ushqim për fukaranë. Unë nuk do të ndalem tek vlera e tij se sa duhet të jetë, por them që kur ta nxjerrim sadakanë, ta bëjmë me sinqeritet. Shpresojmë që Zoti t`i falë gabimet tona nëpërmjet kësaj shume simbolike. Obligimi i sadakatul – fitrit është në dhjetë ditëshin e fundit të Ramazanit, por preferohet të jepet pas natës së Kadrit. Sidoqoftë ajo duhet të jepet patjetër para namazit të Bajramit. Pas namazit të Bajramit nuk konsiderohet si sadaka e fitrit por thjesht si sadaka. E lus Zotin t`i ketë pranuar punët tona që kemi bërë në Ramazan dhe ato që do t`i bëjmë këto dhjetë ditë me ndihmën e Allahut (xh.sh). Lus Zotin e gjithësisë që ta arrijmë natën e Kadrit. Lus Allahun (xh.sh) të na ketë falur gjatë këtyre ditëve, por sidomos të na falë në këta dhjetë ditë të fundit të Ramazanit. Lus Zotin ta ketë pranuar prej nesh: gjërimin, namazin, lutjet, sadakanë dhe çdo punë të mirë që kemi bërë. Lus Zotin t`i pastrojë zemrat tona nga hipokrizia, gjuhët tona nga gënjeshtra, sytë tanë nga mashtrimi. Lus Zotin të na mëshirojë neve dhe të gjithë ata që e duan mëshirën e Allahut (xh.sh). E lus Allahun (xh.sh) të na forcojë me fenë e Tij. Zoti e forcoftë Islamin në zemrat tona, në shtëpitë tona, në tokat e muslimanëve dhe në mbarë botën. AMIN
Posted on: Wed, 31 Jul 2013 20:56:51 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015