Në mungesë të një Mesie, shqiptarët janë përpjekur prore ta - TopicsExpress



          

Në mungesë të një Mesie, shqiptarët janë përpjekur prore ta ngjizin atë gjysma në tokë / gjysma në qiell, në Yjor, në shpirtin e tyre, me copra nga hyjtë e letërsisë. Por asnjëri nuk pat ofruar një copë kaq të madhe, thelbësore dhe të shenjtëruar sa Lasgush Poradeci. Legjenda e tij ngrihet mbi një sërë shtresash e hollësish tronditëse. Poradeci nuk ka vdekur i ri, nuk ka vrarë veten, nuk është mposhtur nga politika. Goja e tij nuk ka zënë myk nëpër intervista, nëpër sherre mbledhjesh, nëpër spiunime apo helmim brezash shkrimtarësh a lexuesish. Poradeci është par excellence jo vetëm një këngëtor finosh i qiejve të lartë (nga ku s’e rrëzojnë dot as mëkatet më ulëritëse të fjalës së përdhosur nga të tjerët), por edhe shkencëtar. Ka një doktoratë të fituar jashtë shtetit, njeh me rrënjë disa gjuhë të huaja, është shqipërues i pazakontë, por mbi të gjitha është mistik. Teksa shumica e korifejve të shqipes vdesin në mërgim, Poradeci kthehet. E di se kthehet në njëfarë ferri, por atij nuk i shkon për shtat parajsa e huaj. Poradeci është njëri nga lirikët e mëdhenj të Evropës, por detyrohet të punojë si përkthyes me normë. Poradeci është njëri nga lirikët e mëdhenj të shekullit, por pak vetë e njohin përtej kufijve të shqipes. Ama atij nuk i bëhet vonë, sepse nuk ka shkruar që të përkthehet, po që të mos harrohet. Do të harrohet edhe ai njëherë, por vetëm në u harroftë gjuha shqipe! Pas gjithë këtyre, mund të pranohet me plot gojën pandehma tashmë e njohur në mendësinë ballkanase dhe pikërisht: nëse etja jonë për të shtënë në dorë majat e shpirtit (apo të thellësive), nëse vesi stërgjyshor për ta dashur të afërmin vetëm pasi vdes dhe nëse nevoja për të shpëtuar nëpërmjet shkrimit nga hidhërimi i dështimeve do të ish dashur të mishëroheshin në një trup e në një jetë të vetme njeriu, do të duhej t’i quanim Llazar Gusho dhe t’i njihnim nën pseudonimin Lasgush Poradeci. E lexuar diku..
Posted on: Tue, 09 Jul 2013 11:25:44 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015