OPINION Ekzekutorë të “njerëzishëm” 21-09-2013 / Nga - TopicsExpress



          

OPINION Ekzekutorë të “njerëzishëm” 21-09-2013 / Nga Qemal Sakajeva Sa lloj vrasësish ka? Kriminalistët mund t’i përcaktojnë saktësisht. Por, vrasësit, të çfardo lloji të jenë, ata marrin jetë njerëzish. Edhe vetvrasja është e tillë. Madje, mund të renditet ndër më të egrat, përderisa ekzekutori dhe viktima janë te një njeri i vetëm. Ajo që në mediat e Shqipërisë përbën llojin publicistik më të tipizuar, është rubrika e përhershme e emërtuar “Kronika e zezë”, e cila, duhet thënë që, ndoshta e ka kapërcyer qëllimin e njoftimit, domethënë të lajmit, për t’u shndërruar në “grip ngjitës të krimit”. Ndoshta, tri fazat janë këto: Në fillim, kur kjo kronikë sapo zuri vend, (në diktaturë ishte e ndaluar), bëri bujë dhe pritej ankthshëm. Më vonë, me shpeshtimin e të dyjave, të krimit dhe të lajmit, ato sikur po terrorizonin. Tani, mbase, “Kronika e zezë” nuk tut më me të zezën e vet. Ajo ka marrë trajtën e ngjarjeve të rëndomta, shoqëruese të jetës, sa, lexuesi e kalon duke i lëshuar një vështrim, faqosur diku, nëpër shumëfaqëshet e përditshme, për t’u përqëndruar mirë te kronika rozë, rubrika erotike dhe fotografitë e artisteve, në garën mes tyre, për t’u zhveshur cipricullak, deri në fund. Në të rrallë, diku humbur nëpër kolona e tituj, syri mund të zejë ndonjë lajm edhe për vrasës “të njerëzishëm”. Këta barbarë nuk janë racë e sotme. Ata kanë ardhur nga kohërat e kanë për të shtegtuar në kohëra. Por, shfaqja e këtij lloj krimi, gjykohet si “ta puthësh në ballë”, kur krahasohet me vrasësit e njerëzve. Kjo është arsyeja, pse vrasjet nga të “njerëzishmit”, arsyetohen si për një aksident automobilistik: pasi i zoti ka shpëtuar shëndoshë e mirë, ankohet se i është dëmtuar makina. Këta ekzekutorë që, ndër të tjerë, duken më njerëzorë, nuk gjuajnë të vrasin njeriun e gjallë, por asgjesojnë pasurinë e gjallë. Kurrë nuk më është shlyer nga kujtesa kjo pamje: pata kthyer, te një shok i fëmijërisë, në fshatin Gur të Lushnjës. Në oborr dhe përpara derës së shtëpisë, mbeta i shtangur. Tenda e gjerë e hardhisë, e ngarkuar plotë e përplotë veshulë në pjekje, qe verdhacavë e venitë, gjethe e kokrra bashkë, si një qënie kah jep frymën e fundit. -Pse e paske lënë pa ujitur? Buzëqeshi idhshëm e i përmbajtur. -Ashtu kujtova edhe unë. Thashë, më hupi për pak ujë. Por, jo. Para një jave, dikush e ka sharruar natën. E ka pre në fyt, në fund të trungut e asisoj sa nuk duket, - tha dhe e shtyu hardhinë me këmbë përanash, për t’ia shquar ndërprerjen e jetës. Ky ndëshkim, herë - herë, kryhet si paralajmërim: “Tani hardhinë, më pas, ndoshta, edhe ty!” Ndonjëherë, duan të tregojnë njerëzi: “U nisa për ty, udhës ndërrova mendje!” Por, shërbehet, edhe si vetshpëtim: “Po të mos i trembesha burgimit të përjetshëm, do të të kisha vra ty!” Ky lloj krimi, nuk është dhe aq i shpeshtë, por ka rrezik të përshkallëzohet. Para disa kohësh, në Konispol të Sarandës, një familje i gjeti të katër lopët e veta, të vrara nga dikush. Një familje në Elbasan, kur shkoi të punonte vreshtin, e gjeti krejt të prerë. Në një fshat të Beratit, rastësisht, u hetua që, dikush, kishte hedhë helm në ujësjellësin ku merrnin ujë 30 familje. Një vëlla, po në Berat, zgjodhi kohën kur në shtëpinë e të vëllait nuk kishte njeri dhe ia dogji deri me çfarë kishte brenda. Në një fshat të Lushnjës, dy të moshuarve, të mbetur qyqekall vetëm, nga emigrimi i fëmijëve, ia helmuan qenin, duke dyshuar se ai mbante para në shtëpi. Pasi mori një tjetër qen, edhe të dytin ia helmuan. Gjeti një qen të tretë, mirëpo dyshon se edhe atij do t’i hedhin helm. E, shqetësimi nuk sos me aq: ata ndjehen të frikësuar dhe po përgatiten të braktisin fshatin, të shesin shtëpi e tokë, e t’i afrohen të birit në Tiranë. Këto lloj krimesh, edhe mund të përhapen si gripi, në gjendjen e prishur të baraspeshës së shpirtit të njeriut. Ky është asisoj krimi që pjellë krim edhe më të dhimshëm. Nuk është puna vetëm te gjetja e autorëve e vënia e tyre para drejtësisë. Ky është fundi i duhur. Por, tani që, kush më shumë e kush më pak, e ka pronën private, e përjeton thellësisht shenjtërinë e saj, duhen gjetur mekanizma që, pas çdo grindjeje a sherri, të zgjidhen keqkuptimet apo padrejtësitë e krijuara ndërmjet njerëzve, duke i njohur rastet dhe trajtuar ato seriozisht, për të parandaluar ndëshkimin e mundshëm mbi pronën e gjallë. Nëse vrasësi i njeriut na duket barbar, ekzekutori i kafshëve dhe bimëve, bëhet edhe i neveritshëm e i urryer. Të mos u lihet atyre hapësirë, sepse ata nuk janë thjeshtë dëmtues. Ata janë kriminelë të llojit ndryshe që, duke kryer këtë lloj krimi, ushqejnë krime zinxhir edhe më të rënda, ndër njerëz. ...
Posted on: Sun, 22 Sep 2013 03:08:47 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015