Opinion e Enjte, 24 Tetor, 2013 | 12:08 pm ISUF KALO Më 3 - TopicsExpress



          

Opinion e Enjte, 24 Tetor, 2013 | 12:08 pm ISUF KALO Më 3 korrik 2013, një eveniment i rrallë ndodhi në Belgjikë. Mbreti Aberti II i shumërespektuar prej qytetarëve të tij, abdikoi papritur. Ai ia la vullnetarisht fronin të birit, Filip. Ky nuk e priste tani hipjen në fron dhe as e lakmonte atë. Atij i pëlqente jeta e qytetarit të lirë, pa poste. Madje qe përfolur si i ndrojtur e disi pasiv në çështjet politike të këtij vendi tejet të decentralizuar. Por, këto nuk qenë arsye për belgët që të mos e mirëprisnin me besim kryeshtetarin e tyre të ri. Ata i dhuruan lule, si Mbretit dhe Mbretëreshës së vetëdorëhequr, ashtu edhe çiftit të ri mbretëror, kur ata pas ceremonisë së kurorëzimit dolën në rrugë për t’u përshëndetur me ta. Mund që ka pasur edhe qytetarë jo aprovues të promovimit të Filipit në majë të kupolës së shtetit. Monarkitë moderne, sado të kombinuara me elemente demokratike, kanë defektet e mangësitë e tyre. Por, asgjë nga këto nuk i treguan botës. Ato u shkrinë në miratimin dhe festën mbarëpopullore të mirëseardhjes për Mbretin e ri. “Shi bie në Tiranë”… Kështu thotë kënga. Por, në të vërtetë, atë ditë të nxehtë korriku Tirana qe me diell. “Shi” ra papritur vetëm brenda një salle të saj. Aty për koincidencë po “vetëdorëzohej” një tjetër “fron”. Jo monarkik, por thjesht “karrigia” e një posti. Ajo e “kryetarit të Këshillit të Profesorëve të Fakultetit të Mjekësisë”. Kryetari në fuqi u dorëhoq për t’ia lënë karrigen dikujt tjetër. Poste të tilla nuk trashëgohen, prandaj sipas rregullores pasardhësi u zgjodh me votim. Me shumicë votash të anëtarëve të pranishëm “karrigen e kryetares” së re e fitoi një profesoreshë. Cilësitë dhe meritat personale të së cilës u vlerësuan pozitivisht nga të gjithë: E aftë dhe energjike. Por, atmosfera në sallën e Këshillit, ndryshe nga e Brukselit, nuk ishte festive. Nuk pati gëzim. Kryetares së re, edhe pse femër, nuk i dhuroi askush lule. Madje ndodhi diçka e papritur. Plasi sherri. Profesorët e mëdhenj të mjekësisë u zunë e u ofenduan mes tyre. Me egërsi. Si armiq. Në sallë, në vend të luleve, dukej herë-herë sikur binte “shi”. Shi i pabesueshëm… pështymash! Tirana nuk është Bruksel Vetëdorëzimi i fronit mbretëror dhe ai i “karriges së një posti” janë metafora të sjelljeve ndaj joshjes së “karriges së një posti” në kontekste shoqërore dhe kulturore të ndryshme. Ato natyrisht nuk janë të krahasueshme mes tyre. Si për nga rëndësia, implikimet dhe për nga motivet që i inspiruan. Në fakt, “vetëdorëzimi” i postit nga kryeprofesori nuk qe vullnetar, si ai i mbretit. Dhe nuk u frymëzua nga të njëjtat motive. Ai u bë disa muaj i vonuar dhe nën presionin e një numri anëtarësh të Këshillit, të cilët e prisnin zëvendësimin e tij me pezëm të brendshëm, të fshehtë. Por, zëvendësimi i tij u bë në mënyrë më demokratike. Sepse u krye me zgjedhje dhe votim. Dhe shpresohej të mirëpritej unanimisht. Mirëpo, ndonëse “kryeprofesoresha” e porsazgjedhur u lavdërua si person nga të gjithë, disa prej profesorëve, çuditërisht, kërkuan që zgjedhja e saj të anulohej e të përsëritej disa muaj më pas. Kjo tingëlloi paradoksale dhe krijoi konflikt. Përderisa produkti i zgjedhjes (kryetarja e re) qe OK, përse duhej që zgjedhja të përsëritej? Sipas kritereve të prof. A. Donabedian, për vlerësimin e cilësisë së proceseve “ato që prodhojnë rezultat të mirë, konsiderohen vetvetiu të mira”. I njëjti princip zbatohet edhe në mjekësi. Nëse pas një operacioni, parametrat e pritshme tek i sëmuri rezultojnë të mira, ai vlerësohet i suksesshëm. Rioperimi është jologjik, madje i dënueshëm. Palët pro dhe kundwr përsëritjes së zgjedhjes në vend të debatonin me ton kolegjial, u shanë dhe u ofenduan mes tyre. Pala “kontestatore” braktisi me zhurmë dhe kërcënime sallën. Më pas vazhduan “predhat” ndaj njëri-tjetrit në shtyp e në postën elektronike. Gjeste imituese këto jo të reja. As origjinale. A nuk i kemi parë ato dhjetëra herë në luftën politike pozitë–opozitë? Shija e pushtetit dhe abdiktimi Aspekti i vetëm pozitiv në atë “kacafytje” ishte se profesorët “junior”, anëtarë më të rinj në moshë të Këshillit, qëndruan larg tij. Ata panë me habi profesorët “senjor”, ish-idhuj, ish-mësues të tyre të profesionit apo specialitetit, të përbaltnin njëri-tjetrin. “Junor”-ët nuk kanë ende poste. Nuk e kanë provuar ende shijen e shefllëkut apo të drejtorllëkut, as në specialitetin apo departamentin ku shërbejnë, as të ndonjë institucioni apo në hierarkinë e Dekanatit. Ata votuan qetësisht. “Kauza” e sherrit qe pa interes për ta. Nuk qe hipotezë shkencore apo dilemë profesionale. Ishte grindje mes “titullarësh” dhe ish-”titullarësh” me motivin: “Pse ju dhe jo ne?”. “Mjaft ju tani, ne”. Surprizues për ta qe ky pasion i profesorëve eminentë, titullarë të shkencës sonë mjekësore për një post organizativ e administrativ të “kryeprofesorit”. Sepse dikur postet e tilla ata i shpërfillnin, i quanin pengesë për veprimtarinë klinike, pedagogjike e shkencore. Përse ky qenkej kaq joshës? Çfarë “mjalti” kish në të? Në fakt, atë “mjaltë” disa nga të “rebeluarit” (por jo vetëm ata) e patën shijuar në poste komanduese administrative dhe financiare të mëparshme. Në ditët e sotme, në poste të tilla, përveç autoritetit profesional, përfitohet edhe “pushtet vendimmarrës” për aspekte “ekstra”, si tenderime, ristrukturime, rekrutime të stafit, lidhje me kompanitë farmaceutike, ndikim në hartimin dhe përdorimin e listës së barnave të rimbursueshme, në pajisjen me teknologji të re, në dhënien e pensioneve të invaliditetit nga sëmundjet, si dhe lidhje formale e informale me institucionet shëndetësore dhe ato universitare private vendëse dhe të huaja tek ne. Falë tyre ata nga thjesht “shkencëtarë” të mjekësisë, bëhen në njërën masë apo tjetrën edhe “aktorë e faktorë” në tregun shëndetësor dhe atë të arsimit universitar. Përfitimet e mundshme në këto aspekte lehtësohen nga fakti që tek ne, ndryshe nga vendet e BE-së, deklarimi i konflikteve të interesit për këtë kategori nuk është i detyrueshëm. Kurse hetimi i praktikave korruptive në këto nivele praktikisht është inekzistent. Në këto rrethana, askush nuk është i imunizuar nga mundësia e korrupsionit. Dhe e adiktimit; e dëshirës për ta poseduar ose kontrolluar “pushtetin” e posteve të tilla” sa më gjatë. Adiktimi është morboz. Dëmi më i shpeshtë që ai u shkakton personaliteteve është depersonalizimi. Një pushtet i dytë paralel Profesorët “senjor” të përfshirë në këtë ngjarje (të dyja palët i thanë shumë herë atë ditë: “Turp, turp, turp” njëra-tjetrës) janë figura të shquara që kanë dhënë kontribute madhore për Fakultetin e Mjekësisë dhe shëndetësinë tonë. Janë personalitete publike “me emër dhe famë”. Janë poliglotë, të specializuar, të shëtitur në Europë dhe të njohur me vlerat dhe kulturën e saj. Shumica e tyre, përveçse kolegë, janë dhe miq të hershëm profesionalisht të admirueshëm të mi. Por, me sa duket, diçka ata i kish ndryshuar. Kjo vështirë se kuptohet dot pa u sqaruar më parë se çfarë përfaqëson ky Këshill. Kur, pse dhe si u krijua ai? Ç’të mira i solli Fakultetit, i cili prej 60 vjetësh pat funksionuar jo pa sukses edhe pa të? Këshilli i Profesorëve, ose shkurt “Profesorati”, u ngrit si strukturë shtesë në vitet e fundit me premtimin se do të forconte dhe udhëhiqte me kompetencë, më efektivisht, sesa Dekanati, veprimtarinë shkencore e pedagogjike. Premtoi se do funksiononte si “truri shkencor” apo “eminenca gri” e tij dhe e shëndetësisë sonë. Ai siguroi autonomi në veprimtarinë e tij dhe mori disa kompetenca dikur të Dekanatit si: planifikimi dhe udhëheqjet e kërkimeve shkencore, akordimi i titujve e gradave shkencore e pedagogjike dhe përzgjedhja e titullarëve të departamenteve mjekësore. “Profesorati” mori në dorë “monopolin” e veprimtarisë klinike, kërkimore-shkencore dhe pedagogjike. Ai u bë “pushtet paralel” me Dekanatin, duke i lënë atij kryesisht fushat administrativo-burokratike e kontrollore të veprimtarisë mësimore. Këshilli drejtohet nga kryetari ose “kryeprofesori”. Ky nuk zgjidhet si dekani me votën gjithëpërfshirëse të pedagogëve, stafit administrativ dhe studentëve, por ngushtësisht vetëm nga anëtarët e Këshillit. Pra, njësoj si Papa, vetëm nga kardinalët. Ndryshimi është kohëzgjatja e mandatit. Papa zgjidhet përjetë. Kurse “kryeprofesori” vetëm për një vit. Kjo ka krijuar probleme: nga një anë nxitje e padurim tek anëtarët me shpresën (ose iluzionin) që një ditë mund të jetë (e pse jo) edhe ai/ajo kryetar, nga ana tjetër ëmbëlsimin e kryeprofesorëve me postin, me pasojë dëshirën për ta mbajtur atë sa më gjatë. Epilogu qe grindja në Këshill për “karrigen”. Aty, në vend të bashkëpunimit kolegjial dhe intelektual, është instaluar tashmë përçarja mes profesorëve në grupe dhe palë. Ndonjëherë ato mbulohen me ngjyrime gjoja politike, me militantizëm fals, frymëzuar jo nga ide apo programe partiake, sesa nga koniunktura fluide të interesave apo synimeve karrieriste. Këshilli shumë pak na ka pasuruar shkencërisht, ndërkohë që i ka varfëruar shumë disa prej “sinjorëve” shpirtërisht. Jo varfëri materiale, as financiare. Por në atë që Bill Klinton quan “Spiritual Currency”. Strukturë e re apo “sekt” i ri? Këshilli i profesorëve nuk prodhoi dot “mjaltin” që premtoi. Ai prodhoi herë barriera, herë favore për anëtarët dhe elitat brenda tij. Krijoi privilegje për disa dhe fërkime e karshillëqe ndaj Dekanatit dhe Ministrisë së Shëndetësisë. Këshilli shtiret si “kullë e fildishtë shkencore” e izoluar nga pjesa më produktive e mjekësisë sonë. Ai shpërfilli kontributet profesionale e shkencore të armatës së mjekëve tanë, me dhe pa tituj shkencorë, në punën pa bujë e pa mburrje të tyre anembanë vendit. Ai “qerasi” një numër mjekësh e pedagogësh me tituj e grada shkencore, me “tema kërkimore jo relevante, të dyshimta për plagjiaturë ose jo gjithmonë të bazuara në evidenca shkencore të mirëfillta. “Profesorati” i teknokratizuar u qëndroi larg problemeve dhe debateve madhore të reformimit të sistemi tonë shëndetësor. Pa dyshim që fillimisht ideja e krijimit të tij ka qenë qëllimmirë; për të formuar një elitë, një ajkë shkencore e profesionale, si udhëheqëse e progresit shkencor të mjekësisë sonë. Këshilla të tilla të profesoratit ka në disa fakultete e universitete të tjera. Por, ky i yni nuk tregoi rigorozitetin e duhur në promovimin e vlerave, meritave dhe arritjeve të verifikueshme të secilit anëtar. Ai u bazua në “letra certifikatash”, në opinione subjektive, në simpati personale e lidhje nepotike, si dhe në ngjyrosjet politike kamelonike të disa prej anëtarëve eminentë të tij. Këshilli u vetëmbyll dhe u vetëfetishua si të qe “guaska akademiko-pedagogjike” që zotëronte brenda saj “perlën” e ekspertizës sonë bashkëkohore mjekësore. “Perlë” ndoshta quajti megalomaninë. Ose etjen për pushtet në aspekte joshkencore. Ai më shumë duket si “sekt” dhe si “kastë selektive” i një “aristokracie” profesionale që kërkon të legjitimojë superioritetin e saj” mbi profesionistët e tjerë. Njëlloj “racizmi” elitar profesional ky. Pak a shumë i tillë ai po u imponohet pedagogëve me dhe pa titull të fakultetit, si dhe studentëve për t’iu nënshtruar ata vendimeve të tij. Dija dhe morali Aspekti shqetësues që zbuloi kjo ngjarje për mendimin tim është kriza etike, intelektuale dhe qytetare që po përjeton mjekësia jonë në këtë periudhë të reformimit dhe adaptimit të saj me ndryshimet radikale social-ekonomike, e sidomos me instalimin e tregut të lirë mjekësor dhe të vlerave ideore dhe morale që i udhëheqin ato. Është e dhimbshme që kjo krizë po prek edhe nivele të larta deri te disa prej profesorëve tanë të shquar. Foucolt Lyotardi e pati paralajmëruar këtë, kur thoshte se “dija dhe morali janë dy kategori që mund të mos konvertojnë”. Humbja e respektit e solidaritetit kolegjial në këtë profesion fisnik, mungesa e mirësjelljes, e qytetarisë së komunikimit, zbehja e dinjitetit dhe e integritetit profesional e njerëzor, si dhe egërsia, e manifestuar në këtë mënyrë mjerane nga profesorët titullarë të mjekësisë sonë, përbëjnë fenomene të frikshme dhe dekurajuese për kimizmin dhe substancën shpirtërore të saj. “Nëse humbim mendjen, të mos humbasim shpirtin”, – paralajmëroi në një nga dramat e tij Anton Çehovi, edhe ai mjek. Elita shkencore dhe profesionale universitare e mjekësisë sonë ka pa dyshim kapacitete të vyera për të udhëhequr reformimin e mëtejshëm të sistemin tonë shëndetësor. Në radhët e saj nuk ka armiq të shkencës dhe të shëndetësisë sonë. Ata të gjithë na duhen sot dhe në të ardhmen. Nuk ka kohë për grindje. Ata janë “gjeneralët” që duhet t’ju prijnë secili reparteve që drejtojnë në sfidën e përmirësimit të cilësisë e sigurisë të kujdesit dhe akreditimit me standarde të shëndetësisë sonë. Në sfidat madhore të mirëmenaxhimit, partneritetit të ri me pacientët dhe atë të përballushmërisë financiare të sistemit tonë. Temat “kërkimore” jo thelbësore me tabela dhe grafikë “blla blla blla” janë rudimente atavike, ndoshta me interes personal, por jo domosdo për shkencën tonë të mirëfilltë mjekësore. Këshilli ynë i Profesorëve nuk qe gabim që u krijua. Gabimi është në devijimin nga objektivi ku fillimisht u nis. Tani është koha të ndërgjegjësohet për nevojën e balancimit në mes misionit të tij publik dhe interesave personale të anëtarëve të tij. Nevojën e depolitizimit, harmonizimit dhe të maksimalizimit sinergjik brenda tij. Përveç kompetencës profesionale, akademike, teknokratike dhe shkencore, atij i duhet edhe “karburanti” shpirtëror; vlerat morale, devocioni dhe altruizmi. Pa to nuk do mund ta çojë përpara as shkencën tonë mjekësore, madje as veten. Sepse janë ato vlera që përbëjnë veçantinë e mjekësisë, nga profesionet dhe shkencat e tjera. Dhe shembujt për këtë tek ne nuk mungojnë. “Hapini dritaret që të fryjë era e titanëve” Shëndetësia jonë ka pasur më parë më pak barna, institucione, njohuri dhe teknologji. Më pak aftësi profesionale. Por, shumë më tepër humanizëm, e “zotnillëk”. Më tepër ndershmëri, respekt, kolegjialitet, sqimë, dinjitet dhe integritet. – “Ja, mbërriti mjeku; ishte një burrë me flokë të thinjur, me fytyrë të menduar dhe të ëmbël dhe me sjellje të sigurt dhe të përkorë”, kështu e përshkruan Ayn Rand në vëllimin e fundit të trilogjisë të saj “Revolta e Atlasit” mjekun Hendriks. Kur e lexova, u kujtova me emocion se unë kisha parë, takuar e dëgjuar gjatë veprimtarisë sime si mjek për disa kolegë me fytyrë dhe sjellje të tillë. Të gjithë zotërinj e zonja të mëdha, me aureolë hirësie, me kulturë të admirueshme dhe sjellje shembullore, që e nderuan bluzën e bardhë të mjekut. Ata bënë vepra madhore për shëndetin e njerëzve tanë, me modesti e dinjitet, si intelektualë brilantë, eruditë e poliedrikë. “Të hapen dritaret, që të fryjë era e titanëve – pat shkruar Romeo Rolandi në librin e tij për Bethovenin. Në kontekstin e saj, Bethoven, Moxart dhe Bah me bluza të bardha mjekësia jonë ka pasur jo një, por disa. Të tillë qenë dr. Anton Ashta që mposhti te ne malarien, prof. Kadi Kërçiku që mposhti sifilizin dhe sëmundjet veneriane, prof. Shefqet Ndroqi që mposhti tuberkulozin, prof. Kristo Kristidhi që u ktheu qindra të sëmurëve dritën e syrit, prof. Besim Zyma që u ktheu dëgjimin, prof. Frederik Shiroka, kirurgu e njeriu mahnitës që u shpëtoi qindra të sëmurëve jetën, prof. Nikolla Dushniku që përkuli e nënshtroi te ne sëmundjet infektive, prof. Selaudin Bekteshi, që institucionalizoi shërbimin pediatrik, dr. Hamdi Sulçebeg që u çoi nënave në çdo skaj të vendit me radio këshilla shpëtimtare për foshnjat e tyre, dr. Jani Basho që themeloi obstetri-gjinekologjinë dhe e bëri për herë të parë Shqipërinë me spital, dr. Hulo Hadëri që institucionalizoi shëndetin publik, dr. Sinan Imami Spitalin Ushtarak. Apo një plejadë mjekësh të tjerë “sojlinj” me integritet, në sjellje, në paraqitje e në komunikim, me shpirt fisnik e kulturë të gjithanshme, si prof. Koço Poro, prof. Bajram Preza, dr. Hiqmet Dibra, dr. Dhimitër Lito, dr. Afërdita Gusho, dr. Shyqyri dhe Xhanfize Basha, dr. Isuf Hysenbegasi në Vlorë, dr. Lluka Muço në Berat, dy Vasilët, “i madhi dhe i vogli”, në Gjirokastër, dr. Dhimitër Shyti, e deri vonë prof. Besim Elezi, prof. Pandeli Cina, prof. Bedri Bylyku etj. Lista është pa mbarim e gjatë. Shembulli i tyre duhet të na bëjë të reflektojmë për gjendjen ku jemi. Dhe ku po shkojmë. Ndodhia e mësipërme është tingull kambane. Ajo na fton të ndërgjegjësohemi, qoftë dhe duke u skuqur për modelin etik që po u tregojmë studentëve të sotëm, mjekëve dhe profesorëve të ardhshëm. Që të kemi pastaj të drejtën t’i shohim ata dhe të sëmurët e qytetarët tanë në sy me kokën lart.
Posted on: Mon, 25 Nov 2013 09:15:15 +0000

Trending Topics



class="stbody" style="min-height:30px;">
TYRE ADVICE req please! We have 205/70R15 on our Bongo. Weve
Principles before personality requires a practice of honesty,
loan rates table

Recently Viewed Topics




© 2015