Ora e romanit.... Vrasesi i shpirtrave Dyrrahu, një qytet - TopicsExpress



          

Ora e romanit.... Vrasesi i shpirtrave Dyrrahu, një qytet porti gjithnjë i rrëmujshëm, vendi më i mirë për të bërë një mbledhje. Në atë qytet, askush nuk do të vinte re, pasi njerëz me shumë apo me pak influencë, mund t’i shihje përditë. E vetmja skenë, që nuk do të kalonte dot pa rënë në sy, qenë truproja e Dukagjinit, princi nuk lëviste kurrë pa njëqind burra pas. Ata binin në sy edhe për arsyen, se rojet e tij kishin një vështrim prej njerëzish të egër. Vend për të mbajtur takimin patën caktuar pallatin e Topiajve, por Ballshajt nuk qenë dakort, prandaj vendosën që mbledhjen ta mbanin në sallën sekrete të kishës katolike të Dyrrahut. Në sallë, sundonte një heshtje tallëse edhe përse të gjithë prijësat qenë aty. Ballshajt edhe Topiajt as që ia hidhnin sytë njëri-tjetrin. Zaharija qëndronte me kokën lart, duke i parë të gjithë në sy, si të kërkonte të kuptonte mendimet që po sundonin në kokën e prijësave. Dukagjini qëndronte i ngrehur si një kapadai, sikur kërkonte t’u krekosej të tjerëve për superfuqinë e vet. Kurse Muzaka qëndronte si në gjemba, dukej më shumë si një fëmijë që kish vjedhur karamele dhe kish frikë, se mos ndokush ia përmend. Kurse Arjaniti nuk kish ardhur për arsye shëndetësore. Zaharia i pa të gjithë dhe vendosi të fliste. - Besoj se e keni marrë vesh që ka shpërthyer një revoltë dhe jam i bindur se njeriu që e komandon, është në gjëndje ta zgjasë derisa të jetë i gjallë. Mendoj se duhet të diskutojmë për qëndrimin që duhet të mbajmë. Nuk e di? Por mendoj se ka ardhur koha, që t’i japim një identitet, këtij vendi. Që po udhëton nëpër kujtimet e mbretit Gent dhe realitetit arbër, të paformuar. Ndoshta është koha që ta bashkojmë sërisht këtë vend. - Ta bashkojmë? E kush mendon se do të jetë mbreti, kush duhet të jetë mbreti? - Kjo qe pyetja që bëri prijësi i Ballshajve. Në sy i qëndronte një ngërdheshje sfiduese. Prijësi i Topiajve po e shihte në sy, po me të njëjtën ngërdheshje. Ndonëse nuk ngjasonin, dukej sikur qe një njeri i vetëm që shihej në pasqyrë, ai sfidonte dhe urrente shëmbëlltyrën e vet. Në atë moment ndodhi ajo që askush nuk besonte se do të ndodhte. Zëri i Muzakës erdhi si një gjëmim në qiell pa re. - Populli ynë lufton dhe ne mendojmë se kush duhet të jetë mbreti. Luftëtarët tanë na japin shenja të qarta dhe nuk kemi kurajon t’i kuptojmë ato shenja. Unë as që duhet të flisja sot, sepse jam shumë fajtor. Sot këtu, mungon një nga prijësat e këtij vendi dhe kjo është për fajin tim. Unë jam treguar shumë frikacak, por tani besoj se jam njëlloj, si disa prej prijësave që ndodhen këtu. Ne mendojmë se kush duhet të jetë mbret dhe nuk shohim që dikush tjetër po kërkon të jetë mbret në tokën tonë. Një njeri i thjeshtë bëhet prijës dhe nis një luftë, pa kërkuar ndihmë nga askush. Kurse ne prijësat, kërkojmë takime për të mbrojtur atë që është e jona. Heshtja u bë përsëri padronja e takimit. - Unë erdha vetëm që të bëja një shëtitje në Dyrrah. Sa për takimin? E dija sesi do të shkonte. Ju jeni aq të vegjël, saqë nuk keni kurajo të ngriheni dhe të luftoni. E vetmja gjë që dini të bëni, kur ka një problem, është të mblidheni dhe të bisedoni. Mua bisedat nuk më interesojnë, për sa i përket principatës sime dhe tokave të mia, jam shumë i zoti t’i mbroj vetë. Tek fliste, prijësi i Dukagjinit, kish një ngërdheshje tallëse në fytyrë. Ai fliste dhe shihte me ngërdheshje nga krahu i djathtë , konti i Markagjonajve në të njëjtën kohë, tregonte në fytyrë cinizmin e tij. - E imja, e imja, e imja. A e keni parë ndonjëherë veten kur flisni? Është shumë e turpshme se si ne, nuk arrijmë të flasim, pa thënë një herë e imja. Kemi mundësinë për të pasur diçka shumë të madhe tonën dhe ne akoma flasim për timen. Me paturpësi, ne mbajmë kokën mënjanë me njëri-tjetrin, për arsye absurde. Kërkojmë kockat e mbretit Gent si suvenire familjare. Mbreti Gent e la Ilirinë dhe veten, rob të Romës. Na u desh neve, që të luftonim për ta rimarë. Tani ka ardhur një pushtues tjetër, që kërkon tokat tona, por ne nuk mund të bashkohemi, nuk kemi gjetur akoma mbretin. Ai njeri që ka nisur luftën, nuk është mbret, por pas do t’i shkojë e gjithë Arbëria. Nuk është as kont dhe as kavalier, por di të komandojë më mirë se një mbret. Për ne është me të vërtet turp, që jemi prijësa. Se sa për trimëri dhe për sensin e komandimit? Jemi shumë pas atij burri. Ai nuk ka dhe nuk ka për të pasur kurrë nevojë për ndihmën tonë, por ne për të tijën. Mendova se do të qe pjekur koha, që edhe ne të jemi të bashkuar nën një emblemë, por gabohesha. Më vjen keq më shumë, se nuk e di?! Edhe për sa do të endemi si fis nomadësh dhe jo si një nga rracat më të vjetra të botës? Mirëmbetëshi o prijësa, që nuk dini të prini! Ai u ngrit në këmbë duke i lënë të gjithë të hutuar, nuk ia hodhi sytë askujt, por u largua me kokën ulur. Dukej sikur ndihej fajtor për diçka, për një faj që nuk ishte i tij. Gjoni nuk i kish kërkuar që prijësat të përziheshin në luftën e tij, por ai e ndjente për detyrë t’i bashkohej luftës. Kur një njeri që posedonte vetëm pak të mira materiale, ngrihej dhe luftonte, një prijës nuk duhet të rreshtte kurrë së luftuari. - Prit të lutem! - u dëgjua zëri i Muzakës, që po i shkonte pas. - Unë dua të jem me ju, duhet të jem. E di mirë se çfarë thuhet pas krahëve të mi, por të lutem, më jep mundësinë për të treguar, të kundërtën. Unë duhet të rifitoj burrërinë time. - Nuk është çështje burrërie, është çështja e asaj që na përket të gjithëve. - E di që s’është e tillë, por le ta filloj nga kjo, të paktën të rifitoj atë që humba kohë me parë. - Është koha që ta shkulim këtë armik, që po kërkon të na marrë vendin. As unë nuk e di se si duhet të veprojmë, por do të të lajmëroj, për çdo zhvillim. Vetëm se kësaj here, nuk do t’i premtosh besën një prijësi. Kësaj here, besën do ta lidhësh me bacën e ëngjëjve të vdekjes. Duhet të mendohesh mirë, se po e dhe, nuk ka kthim pas. Ai u largua duke e lënë Muzakën më të menduar se kurrë. Fjalët e fundit qenë shumë lënduese, por ai duhej t’ia thoshte. Zaharia e dinte që nuk qe i vetëm, por kërkesa e Muzakës, për pjesëmarrje, ia ngrohu më shumë zemrën. Arjaniti edhe pse mungoi, po të ish fjala për luftë, nuk do të tërhiqej kurrë prapa. Prijësi i Topiajve nuk do të merrte pjesë, por shumë nga kushërinjtë dhe familjarët e tij do t’i bashkoheshin luftës. Princi i Dukagjinit bashkë me kontin e Gjon Markajve edhe pse cinikë, do të shkonin në krah të tyre vetëm për ego. Bashkë me njeriun e tij, lanë rrëmujën mbytëse të Dyrrahut, nuk ndalën as të drekonin aty. Prijësi qe mërzitur aq shumë, sa që donte të arrinte sa më parë në pallatin e tij. Ai e dinte që nuk mund të arrinte po atë ditë në shtëpi. Por ishte më i qetë po të ndalte në ndonjë bujtinë, në Lesh, sesa të qëndronte aty. Nuk kish dëshirë që t’i shihte më ata njerëz, për të gjithë mbrëmjen. Të dy burrat kalëronin pa folur, prijësi ishte i heshtur dhe njeriu më i besuar i tij nuk e ngiste. Pjesez nga romani vrasesi i shpirtrave (Hamdi) Erjon Muça
Posted on: Sat, 30 Nov 2013 19:31:31 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015