PEJA NDEZ MOTORËT PËR LIGËN BALLKANIKE Peja ndez motorët për - TopicsExpress



          

PEJA NDEZ MOTORËT PËR LIGËN BALLKANIKE Peja ndez motorët për Ligën Ballkanike Pasi e morën lajmin e gëzueshëm për pranim në Ligën Ballkanike, drejtuesit e KB Pejës i kanë përvjelë mëngët. Ata synojnë ta ndërtojnë një ekip cilësor, për të pasur paraqitje pozitive në këtë kompeticion. Por, verdh e zinjtë e konsiderojnë si hap të parë rregullimin e infrastrukturës. Kryetari Art Gashi thotë se më në fund u shpërblye mundi i kryesisë dhe i atyre që kontribuuan për klubin verdh e zi. Klubi i basketbollit Peja do t’i mat forcat me ekipet e rajonit në sezonin e ardhshëm, pasi Ballkan Liga vendosi ta afrojë në gjirin e saj, siç bëri muaj më parë me Sigal Prishtinën. Pa dyshim, njëri për më të merituarit që klubi verdh e zi do të jetë pjesë e kësaj lige është edhe kryetari Art Gashi. Një djalë i ri, por mjaft ambicioz, ai me bashkëpunëtorë e morën në dorë Pejën vite më parë, kur ishte në gjendje të mjerueshme, duke e quar drejt suksesit kulminant të sezonit të fundit, duke u shpallur kampion të Kosovës. Tash, klubin nga Rrafshi i Dukagjinit e pret një punë tjetër e madhe, ajo e organizimit të mirëfilltë dhe ndërtimit të ekipit për t’u bërë ballë ekipeve të rajonit. “Ne jemi duke punuar qe tri vjet, për ta bërë një ekip evropian. Kryesia është e përbërë nga njerëz të rinj dhe për këtë kanë dyshuar dhe paragjykuar njerëzit. Por, me entuziazëm dhe me punë, mund të arrijmë shumë”, deklaroi kryetari Gashi për Express. “Natyrisht, Pejën e ka ndihmuar edhe kryesia me përvojë shumë të madhe. Pa këshillën dhe punën e tyre, nuk do të mund të arrinim ku jemi sot. Peja do e ruajë këtë kryesi, e cila funksionon si një familje dhe synon që ky mos të jetë suksesi i fundit”, shtoi ai. Pasi u pranuan në Ligën Ballkanike, drejtuesit e klubit pejan do të shikojnë ta ndërtojnë një ekip mjaft cilësor, por assesi nuk do ta hedhin poshtë shkollën e basketbollit, e cila sipas Gashit është njëra prej më të zhvilluarave në Kosovë. Ai e pranon se në Pejë ekziston mungesa e infrastrukturës dhe objektivi i radhës do të jetë përmirësimi i saj. Peja ka të drejt t’i transferojë në ekip edhe tre lojtarë të huaj, por në një periudhë afatshkurtër, kreu i saj paralajmëron se do të arrijnë dy basketbollistë nga jashtë. Sa u përket synimeve, Gashi thotë se verdh e zinjtë do të synojnë të jenë të suksesshëm në Kosovë, duke i synuar të dy trofetë, së bashku me Sigal Prishtinën, kurse për Ballkan Ligë shton se pejanët do të mundohen të bëjnë lojëra të bukura dhe t’i kënaqin tifozët e tyre. “Tifozët kanë pritur qe 20 vjet për të dalë në arenën ndërkombëtare. Ne duhet të tregojmë se dimë të luajmë dhe se e kemi merituar shumë më herët të jemi atje. Edhe tifozët tanë duhet ta tregojnë kulturën e duhur dhe të jenë shembull dhe model për klubet tjera”, vijoi ai. Gashi ndër të tjera shtoi se Peja qëndron mjaft mirë financiarisht, pasi mbahet nga disa firma shumë të forta, por e pranoi se ka nevojë që të përkrahet edhe nga firmat tjera. Gjithashtu, KB Peja kërkon nga Ministria e Sportit që t’ia heq shpenzimet e kuotizimit për pjesëmarrje në Ligën Ballkanike dhe ta ndihmojë në investimet në rregullimin e infrastrukturës në Palestrën ‘Karagaçi’, të cilin hap e konsideron si esencial. Basketbolli pejan, por edhe ai kosovar në përgjithësi e mori të martën mbrëma lajmin e gëzueshëm se kjo skuadër do të marrë pjesë në Ligën Ballkanike nga sezoni i ardhshëm. Kështu, dalëngadalë izolimit të basketbollit kosovar po i vjen fundi. Ky është veç fillimi.
Posted on: Fri, 09 Aug 2013 13:40:10 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015