PJESA VIII: Trazirat e marsit 1997. Skenari i Sali Berishës për - TopicsExpress



          

PJESA VIII: Trazirat e marsit 1997. Skenari i Sali Berishës për shkatërrimin e reparteve ushtarake, grabitjen e armëve e municioneve, armatosjen e mercenarëve, angazhimi i ministrave, deputetëve, prefektëve e drejtuesve të PD për zbatimin e urdhrit dhe ngjarja në Akademinë Ushtarake Më 12 mars 1997, grabitet e shkatërrohet Akademia e Mbrojtjes ‘Skënderbej’, në Elbasan prefekti Tonin Alimëhilli udhëheq armatosjen e mercenarëve e nisjen drejt jugut, shkatërrohet godina e Ministrisë së Mbrojtjes dhe grabitet dokumentacioni Dr. Hekuran Rapaj Periudha 9-15 mars 1997, shënon momentin kur sistemi i komandimit dhe i drejtimit në tërë hallkat vertikale të shtetit dhe lidershipi i saj shkatërruan përfundimisht ushtrinë. Ngjarjet që u pasuan pas largimit të trupave nga Përmeti nuk e justifikojnë më goditjen valë-valë që iu dha reparteve dhe njësive të zonave “jashtë” revoltës. Filloi shkatërrimi i divizioneve të ushtrisë, Kukës, Burrel, Shkodër, që u pasuan në Korçë, Elbasan, Durrës, Kavajë dhe sidomos në Tiranë. Në këto momente përfshihet dhe shkatërrimi kriminal i Forcave të Mbrojtjes Detare dhe veçanërisht bazës detare të Shëngjinit dhe distrikti detar i Durrësit. Papërgjegjshmëria e drejtuesve çoi largimin e anijeve për në brigjet e Italisë, në një moment që kjo zonë ishte jashtë çdo lloj kërcënimi. PD E SHIK, SULM DEPOVE TË ARMËVE Në krye të grupeve që sulmuan repartet e ushtrisë gjatë kësaj periudhe u vendosën anëtarët e shtabeve të gjendjes së jashtëzakonshme, militantët e partisë pushtet, ish punonjës të SHIK-ut, si dhe kontigjentet e kthyera të reparteve pjesëmarrëse në operacionet e jugut. Këto forca kishin marrë “porosinë e besës” që të mos i dorëzonin armët. Kjo pasi “Vlora do të vinte në Tiranë” dhe grupet e tjera të rretheve të jugut do të suleshin rretheve të tjera. Ky kontigjent i mobilizimit që vinte nga aksioni i “trimërive” të jugut kur erdhën në Tiranë filluan të hapnin zjarr e të mbillnin pasiguri gjithandej. NË AKADEMINË USHTARAKE Një kob i tillë trokiti në mjediset e Akademisë Ushtarake “Skënderbej”. Më datë 12 mars 1997, në orën 13:15 u vërsulën forca të shumta nga drejtime të ndryshme. Filluan shkatërrimet dhe vjedhjet në bashkëpunim të ngushtë me “mercenarët” e strehuar në Akademi, të cilët prej kohësh kishin bërë “rikonjicionin” e gjendjes dhe të mjediseve. U shpërthyen depot, u rrëmbye armatimi dhe municioni. U sulmuan magazinat duke marrë ushqime, veshmbathje, materialet e zyrave e të kabineteve mësimore. Gjithçka u shkatërrua në dy ditë. Baza logjistike e ushtrisë në Elbasan shkoi drejt shkatërrimit të dyshimtë të saj. Turmat sulmuan objektet e kësaj baze me ato armë që komisariati i policisë së Elbasanit i kishte tërhequr në këtë bazë. Nën presionin e ish-prefektit të Elbasanit Tonin Alimëhilli u bë furnizimi me 120 automatikë i komisariatit të policisë së Gramshit duke kompletuar me to njerëz jashtë strukturave organike. DËSHMI NGA LUFTA NË JUG Leonard Dervishi, Toger, dëshmitar okular: “Për mua, porosia që na vinte nga lart, “ruani gjakftohtësinë”, do të thoshte “dorëzoni repartin”. Në këtë periudhë spikati shkatërrimi, thyerja, dëmtimi i instrumenteve optike dhe i aparateve të teknikave të ndryshme. Qëllimi ishte për të nxjerrë gjithçka jashtë gatishmërie dhe funksionit të përcaktuar. Kjo përforcon karakterin organizativ të veprimeve. Ky qëllim përforcohet nga fakti tjetër që pjesa më e madhe e dëmtimeve nuk u realizua në momentin që njerëzit u vërsulën për të marrë armët. Pas marrjes së armatimit, grupe të caktuara njerëzish u vunë zjarrin depove dhe magazinave ku mbaheshin materialet, pajisjet e instrumentet e ndryshme të teknikës luftarake, të stacioneve radio-ndërlidhëse, të aviacionit, të marinës, drejt zyrave të llogarisë, financës, dokumentacioneve sekrete, etj. HUMBJA E FLAMURIT LUFTARAK Kështu, kjo valë tërbimi përfundon me njollën e zezë, më të turpshme historike që njollosi nderin dhe krenarinë e ushtrisë shqiptare, humbjen e Flamurit Luftarak. Flamuri Luftarak në histori ka qenë simboli i nderit, i trimërisë, lavdisë dhe unitetit luftarak të njësive dhe reparteve. Ai vlen të mbrohet dhe ruhet me sakrificën më ekstreme. Në këto momente, largimi i komandantëve të shtabeve dhe kuadrove nga njësitë dhe repartet, mbetet fenomeni më i diskutueshëm. Nga “dikush” kishin marrë një urdhër. Për ditë dhe javë të tëra repartet e ushtrisë u lanë në mëshirën e turmave të egërsuar deri në shkatërrimin e gjithçkaje atje. Më datë 13 mars 1997, në Brigadën e Komunikimit në Tiranë u morën armët dhe municionet. Largimi i oficerëve të shtabit për dy ditë rresht duke e lënë repartin vetëm, bëri që gjithçka atje të vidhej e të shkatërrohej. Neshet Shena, Kapiten, dëshmitar në Brigadën e Komunikimit Tiranë: “Ne e lëshuam repartin në ‘paqe’. Ne ikëm pasi zjarri pushoi, njerëzit u qetësuan, armët u morën. Më pas shkatërrimi i repartit, djegia e dokumenteve në zyrat e logjistikës nuk mund të mbetet rastësi”. Zinxhiri i këtyre vjedhjeve ka vazhduar gjatë. Pas ngjarjeve të marsit në grupin e depove në ullishte të Elbasanit edhe pasi kishte mbaruar inventarizimi, vjedhjet vazhdonin përsëri. Të tilla raste u regjistruan edhe në Brigadën e Artilerisë në Babrru. Pjesa më e madhe e rezervave ushqimore që u evokuan para valës së shkatërrimeve nëpër shtëpitë e ushtarakëve dhe punonjësve të repartit, nuk u kthye më. Ngjarjet në këtë etapë u përplasën dhe u përjetuan si furtunë edhe në Divizionin verior të Kukësit. Shkatërrimi i kësaj njësie nisi kur munguan njerëzit, kur mungoi drejtimi. Psikoza e braktisjes së reparteve nga oficerët në shërbim u ravijëzua shpejt, sepse “mungoi” orientimi dhe ndërlidhja për komandim dhe drejtim nga Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura. Detyrat vinin me shumë vonesë duke mos u përputhur me shpejtësinë e ecjes së situatave. Asnjë sqarim, asnjë udhëzim, asnjë instruktim konkret për situatën që evoluonte. Thirrjet ogurzeza se “Jugu i ka marrë armët, përse mos t’i marrim edhe ne”, bindja e pasigurisë se “shtetit nuk i ka mbetur më asgjë”, krijoi instiktin e vetëmbrojtjes me sloganin, “të armatosemi se po vjen Jugu”. Por edhe armatosja që vetë shteti u bëri shumë njerëzve të veçantë në këtë rajon, qe ndër shtysat e para që i çuan turmat e njerëzve përballë reparteve të ushtrisë. Ndue Mjekaj, gjeneral: “Nuk është rastësi që ky sulm nisi në një orë dhe në një ditë në të gjitha objektet e njësisë që mes turmave shquheshin makinat me targat zyrtare e njerëz me lidhje të afërta me politikën, SHIK-as dhe pushtetarë lokalë. Një tërmet të dyshimtë pësoi Divizioni “Rozafa”. Divizioni i Shkodrës u shkatërrua brenda një natë duke të kujtuar legjendën e mureve të kalasë ”Rozafa”. Gramoz Hysi, Nënkolonel, Ish-Komandant i Brigadës së tankeve në Melgushë: “Ne e donim njësinë siç donim jetën tonë në ditët më të mira. Ndodhi kështu se na tradhtuan.” Drama e këtij marsi lëvizte përpara duke shkruar historinë e shkatërrimeve mes dhimbjeve, plagëve dhe gjakut. Qytete dhe krahina të tëra sfidonin tërbimin e shtetit. Nuk i shpëtoi shkatërrimit përfundimtar as Veriu. Këtu nuk kishte të ashtuquajtura “komitete të shpëtimit”. Kishte vetëm banda që terrorizonin, digjnin pjesë të qyteteve, shpërthenin depot e armatimit të ushtrisë. Në këtë valë shkatërrimtare u përfshi edhe qyteti i “Bajram Currit” së bashku me tërë repartet e nënrepartet e këtij rajoni, si dhe spitali ushtarak i tij. SHKATËRROHET GODINA E MINISTRISË Flaka e shkatërrimeve më së fundi vërsulej deri tek porta e Ministrisë së Mbrojtjes, tek Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura. Datat 12 dhe 13 mars 1997 treguan përplasjen fizike të turmave të pakontrolluara që u vërsulën për mposhtjen e kalasë së fundit të ushtrisë shqiptare. Oficerët madhorë, gjeneralët dhe kolonelët e Ministrisë së Mbrojtjes makina shtetërore po i vendoste në provën e madhe të besnikërisë politike. Këta, me përkushtimin e plotë, të armatosur me dijet dhe armët dhe të luftuarit, braktisën zyrat e drejtimit për të zbritur në “fushë betejë”. Nuk mendoi kush për funksionin organik dhe kompetencat që i jepte ligji, por u vendosën në garë për të treguar besnikërinë e “besës” së dhënë. Ministria e Mbrojtjes kishte mbetur bosh. Në këto momente turmat e njerëzve me makina, armë dhe maska u vërsulën nga të gjitha anët. Eksplozivi hidhej nga distanca nëpër qoshet e godinës. Thirrjet provokuese, “largohuni se e keni të minuar godinën”, të shoqëruara me shashka tymuese nuk i trembi ata të paktë ushtarë dhe policë ushtarakë. Me moton “o sot, o kurrë” ata qëndruan burrërisht dy ditë rresht përballë këtij kërcënimi të zi. Aqif Muça, Nënkolonel, dëshmitar okular: “Vetëm pas mesnate vinin oficerë të SHIU-t dhe të tjerë madhorë të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura. Ata merrnin dokumente, kasaforta dhe iknin përsëri nëpër natë me automjete të maskuara. Ndjeheshin të tronditur dhe të rraskapitur. Këtë radhë kishin harruar edhe përshëndetjet e rastit. Ishin të heshtur, gati memecë. Askush nuk ndjehej se çfarë po bënin, ku shkonin. Askush nuk shqetësohej për çka do të mbetej prapa në Ministrinë e Mbrojtjes dhe në Shtabin e Përgjithshëm po të hynin turmat. Për ta rëndësia më e madhe ishin ato dosje, ato kasaforta që iknin nëpër terrin e natës për diku!?” Ku ishte lidershipi i ushtrisë sonë? Dosjet e zeza së bashku me ta u përpinë në errësirën e zezë të historisë. Afrim Imaj, gazetar ushtarak: “Në këtë udhë të zhbërjes tënde, stacioni i fundit do të ishte dita e shpërbërjes së njësisë që drejtove ti. Nëse turmave të pakontrolluara do t’ju ‘falje’ shumë armë, depo, materiale, municion, nuk do t’ju lije asgjë nga zyra jote komode. Televizori kolor, tapeti, kolltukët, orenditë e saj do të fshiheshin për një moment në ‘Chevroletin’ tënd hijerëndë dhe do të niseshin udhë pa udhë për tek banesa jote, se nuk do t’ia falje vetes të loznin vandalët! Ndodhte kështu kur ti as e more mundimin të mendoje se këta vandalë që tentuan të plaçkitin zyrën tënde iu vërsulën dhe grisën Flamurin Luftarak të njësisë.” Çuditërisht këta skifterë të errësirës që pas mesnate u zhdukën me dosjet në gji, ishin të parët që nxorën fletë-hyrjet për t’u futur dhe qëndruar qetësisht në Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë. Paradoksi vijoi më tej, kur këta protagonistë të shkatërrimit të ushtrisë, morën pozat e moralizuesit ndaj asaj që ndodhi dhe zunë karriget e reja të hierakisë ushtarake, këtë radhë me misioni për ta integruar në NATO, atë që e dogjën me dorën e tyre. (Vijon nesër) NESËR DO TË LEXONI: -Çfarë ndodhi në Përmet, ‘Qytetin e Luleve’ të pushtuar nga SHIK-asit e Gazidedes, mercenarët e armatosur, repartet e tankeve dhe të artilerisë në mbrëmjen e 8 marsit të vitit 1997. -Ardhja me urgjencë e Ministrit të Mbrojtjes, Bashkim Gazidedes, Komandanti i operacionit) dhe porositë e dhëna për operacionin ndëshkues ndaj qytetit e banorëve të tij. -Pohimet rreth ngjarjes së natës së 8 marsit të protagonistëve e dëshmitarëve okularë gjeneral Adem Çopani e kapiten Elmaz Punavija.
Posted on: Tue, 03 Dec 2013 12:52:18 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015