PLAVË-GUCIA NË “KOHA E SHQIPNISË” (1941-1944) - TopicsExpress



          

PLAVË-GUCIA NË “KOHA E SHQIPNISË” (1941-1944) 1. Më 19 prill 1941, pas pushtimit të Jugosllavisë[1] njësi italiane të motorrizuara u ngjitën rrjedhës së Limit deri në qendër të komunës së Gucisë, ndërsa forca të shkatërruara të Rregjimentit 48 Jugosllav që i sulmuan ashpërsisht trevat shqiptare deri në Shkodër po iknin maleve edhe nëpër krahinën e Plavë-Gucisë duke iu ra në besë shqiptarëve për t’i përcjellë kryeshëndosh prej territoreve të tyre. Lajmi se “Plavë-Gucia do ta ketë kryeqytetin e vet në Tiranë dhe jo në Kotorr dhe as në Beograd” duket se e solli më shpejt edhe pranverën në natyrë e në shpirtrat e malësorëve etnikë, sepse sllavët në dy dekadat e fundit sidomos më 1912-1913 e më 1919 kishin krye masakra të pashembullta genocidiale ndaj tyne. Dy vllaznit mekulas, Brahim e Bali Nokshiqi, kishin njohuri të prejkohshme e të ditës për ngjarjet e pritshme në trevën etno-historike të Plavë-Gucisë, prandaj mbramja e 19 prillit 1941 i gjeti në Nokshiq. Ata shkuan në vendlindje bashkë me gratë e tyne, ndërsa në Llugaj të Malësisë së Gjakovës e lanë vllain tjetër, Halil Bajram Nokshiqin, me u përkujdes për njerëzit e tjerë të kullës së tyre të madhe, për pasuninë e tyne në mallë, bagëti, etj. Aty, në kullën nokshiqase, në oborr e saj, e ndezën një zjarr të madh që dukej prej hejcekuhit, që simbolizonte faktin ndritës se djemtë e Bajram Hysit kishin ardhë tek trualli i vet në brigje të Limit. Sllavët kolonizatorë të pas 1912-tës ikën siç kishin ardhë, Kullat e tyne mekulase po nxirrnin prapë tym në qiellin e kohës, do të përkundnin prapë djepe në derën e saj, do të dilnin nga pragu i saj djem e çika luftëtare për lirinë e pavarësinë kombëtare shqiptare. Ato pak shtëpi të vllaznive Mekuli, Buçaj, Mehaj e Selimaj të mbetuna në Nokshiq, sipas traditës së lashtë shqiptare, iu erdhën tek dera e kullës me iu urue mirëseardhjen në kullën e tyne historike. Nacionalisti i shquar, “Vigani i Malësisë së Madhe”,[2] Prekë Cali nga Selca e Kelmendit, i vllaznisë Hasanaj, mburojë e hekurt e trojeve etnike shqiptare, që “gjatë kohës së okupacionit italian me 500 vullnetarë e ruante kufinin e rendin në Kelmend",[3] më 20 prill 1941, në lindje të dritës po i zgjon bjeshkët alpine, pasi kishte ardhë me luftëtarë të tij vermoshas në Guci dhe iu shtue e përforcue vendimeve e gëzimit të madh të asaj dite historike dhe i tmerroi shkijet kolonizatore në Plavë e Guci dhe kryeqëndrat sllave të pushtuara nga italianët: në Çetinë e në Beograd. 2. Të nesërmen, më 20 prill 1941, kur dielli lëshoi rrezet mbi liqenin e Plavës të dy djemtë e Bajram Hysit të Mekulëve, Brahim e Bali Nokshiqi, ndalën hapat tek kuvendi i madh në qytetin e Gucisë. Burrat lisa të Plavë-Gucisë u çuen në kambë dhe vendi u ba lisnajë e gjallë e fjalashëndetet e tyne i mori jehonshëm lugina e Limit. Nacionalisti Brahim Bajram Nokshiqi njihej në Rrafshin e Dukagjinit e në Malësi të Madhe për aktivitetin e tij luftarak me çetat vullnetare shqiptare të Plavë-Gucisë e të Rugovës, për betejat në Qafën e Çakorrit dhe në Shkambin e Vujkut, ku luftoi edhe i vetëm e fitimtar kundër shkijeve, etj. Për meritat e tij të larta Presidenti i Republikës së Shqipërisë, prof. dr. Sali Berisha, e ka dekorue në vitin 1993 me Urdhrin “Për veprimtari patriotike” të klasit të dytë, së bashku me Shaban Bajraktarin (Hasangjekaj), Medi Ferrin, Bejto Plavën, Emin Rexhepagaj, Rexha i Vogël, Lush Balidemaj, Hasan Bajri i Nikoçaje, Bajram Musa Dedushaj, Sadik Isufi Kukaj, Hamëz Bruçaj, Fejzo Koja, Halil Et’hemi i Vuthajve, Zog Binaku Çelaj, etj. Luftëtari Bali Bajram Nokshiqi, bashkë me vllain e madh, Mujë Bajramin, kishte qënë një ndër pjesmarrësit e “Dërgatës së Pavarësisë” në nëntor 1912 për në Vlorë të prirë nga strategu qëndrestar, Isa Boletini. Ishte një nga pjesmarrësit në Kryengritjen e Përgjithshme të Vilajetit të Kosvës deri në Shkup (gusht 1912). Dy trimat mekulas, vllaznit nokshiqas, Muja dhe Balia, morën pjesë në luftën për mbrojtjen e Plavës e të Gucisë, në mes të tetorit 1912, përkrah mbi 3.000 forcave shqiptare vullnetare të kazasë së Gjakovës të udhëhequna nga tribunali kolonel Bajram Beg Curri, Riza Beg Kryeziu, etj. Balia mori pjesë në aksione të ndryshme të çetave kaçake kundër sllavëve në Plavë-Guci, Rugovë, Kolashin, Malësinë e Gjakovës, etj. Kanga popullore historike e jep qartë portretin e tij: Bali Bajrami me degët e lisit, Emër t’madhe i lanë Nokshiqit. Nga një luftë në një tjetër, Tuj i zbardhë fytyrën kullës vjetër… Politikani atdhetar, Shemsi Ferri i derës së legjendare Ferraj të Plavës, në atë kuvend burrash iu drejtue Bali Bajram Nokshiqit: -Thuaje një fjalë, o djali i Bajram Hysit të Mekulëve, se shembulli i babës tand e shokut tem na ban me i ndejt drejt në kamb Flamurit Shqiptar, na ban me e mbrojt ma fort tokën e traditat e Plavë-Gucisë. -T’u rrittë ndera, o Shemsi Ferri i Kuçit, po edhe Jakup Ferri i ka mbajt në kambë këto male në Luftën e Nokshiqit. Na dy djemtë e Bajram Hysit që kena ardhë në këtë mexhlis, Brahimi e unë dhe vllai tjetër, Halilin, në Malësi të Gjakovës, jena të besatuem me këto troje tonat me e dhanë jetën si Jakup Ferri, si Ismail Nikoçi, jena të besatuem me luftue deri në mashkullin e fundit, të primë nga bajraktari ynë i Arzhanicës, Xhemë Arif Tahiri… Kjo fjalë e Bali Bajram Nokshiqit në atë kuvendim të 20 prillit 1941 në Guci u mirëprit nga të gjithë ata burra të historisë shqiptare të Plavë-Gucisë. 3. Pas pak, të gjithë ata burra lisnajë u çuen në kambë. Ishte eveniment historik. Po ngrihej në mënyrë ceremoniale Flamuri Kombëtar Shqiptar bash në godinën e komunës së Gucisë. Aty, përreth Flamurit, u tubuan të përzgjedhunit emblematik: Prekë Cali (kryeluftëtar, i ardhun nga Vermoshi i Kelmendit) dhe Shemsi Ferri i derës së Ferrajve të Plavës, bajraktari i Arzhanicës, Xhemë Arifi (bajrak i Ultinës të Sirme të Limit, gjeografikisht -ma i largëti i krahinës), Shaban Ibish Hasangjekaj – bajraktari i Martinajve, Sali Nikoçi i derës së fortë të Ismail Nikoçit të Gucisë, Butë Smajl Ahmetaj – bajraktari i Vuthajve, nga Rexhepagajt e Plavës, Radoniçët e Gucisë, Bali Bajram Hysi i Nokshiqit – i “Dërgatës së Pavarësisë” (nëntor, 1912), Hasan Isufi i Kukajve, përfaqësues nga Hoti i Vendit mbi liqen të Plavës, etj.. Këta i bashkuan duart rreth Flamurit Kombëtar Shqiptar. Kjo në simbolikën e vet tregonte unitetin e krahinës së Plavë-Gucisë. “Vigani i Kelmendit”,[4] Prek Cali,[5] e ngriti në mënyrë ceremoniale Flamurin Kombëtar Shqiptar në godinën e komunës së Gucisë. Ky akt i lartë u shoqërue me thirrje entuziaste e të shtëna armësh në ajër. As kapiteni malazez, Niko Vuçeliq, ashtu sikurse edhe një ditë ma parë në pleqnimin kuvendar të Parisë së Gucisë, nuk shfaqi kundërshti veçse e la detyrën paqësisht. Askush nga shqiptarët e atyne ditëve nuk po kryente gjakderdhje hakmarrëse ndaj armiqëve të përjetshëm sllavë, por kërkonte të fitonte lirinë e vet prej malazezëve e serbëve kolonizatorë, duke pranue në vend të tyre çdo pushtues të huaj nga Gadishulli Apenin apo Alpet Gjermanike. Fishta i madh, i cili ishte vet në Plavë-Guci vite ma herët kur shkruante homeriaden e tij “Lahuta e Malcis”, si në vllaznitë Mekuli e Buçaj të Nokshiqit anës Limit e në Hot të Vendit mbi liqen të Plavës, tek Rexhepagajt e Ferrajt në qytetin mbi suka të Plavës, tek vende të Ali Pashë Gucisë në qytetin mes gufimeve ujore të Gucisë, na e jep ma së miri këtë realitet faktik të kohës: “Ma mirë i dekun nën dhe m’u kja,/ Se për t’ gjallë me mbet nën shkja”/ Në Kuvendin e plavë-guciasve më 20 prillit 1941 Prek Cali e shpalli solemnisht bashkimin e Plavë-Gucisë me Shqipërinë, ashtu siç ishte në kohën e Luftës së Nokshiqit (1879-1880) dhe të Kuvendit të Junikut (21-25 maj 1912), në këto dy nga ngjarjet epokale që çuan në Shpalljen e Pavarësisë në Vlorën e Ismail Qemalit. Në përshendetjen e tij të shkurtër, Isuf Balidemaj i Martinajve, evidentoi historinë kombëtare: “Sot po ngrehet Flamuri në djepin e Ali Pashë Gusis e të Hysen Beg Plavës e Jakup Ferrit që këta burra në vjetin 1878 kur Konferenca e Berlinit Plavën e Gusinë ja lëshojke Malit Zi atëhere Shqiptarët me në Krye Ali Pashë Gusin i kundërshtuen dhe u zhvillue lufta e Nokshiqit, e cila luftë e bani botën që ta nifte Kombin Shqiptar mbasi deri në kët luftë flitej se në Ballkan nuk ka kombë tjetër përveç Serb, Bullgar, Grek e Malazez, tjerët i konsiderojshin si Turq”[6] dhe e mbylli fjalën e tij zyrtare me mirënjohjen publike: “Rroftë Prek Cali ngrehsi i Flamurit në Plavë e Gusi!”. Disa ditë kanë vazhdue festat e “Flamurit dhe Bashkimit” në krejt krahinën e Plavë-Gucisë, pasi darkave mblidheshin tek njani-tjetri vllaznitë e kojshitë sipas lagjeve e fshatrave e kuvendonin për ditët e ardhshme e për historitë e kullave e viseve të tyne, këndonin kangë me lahutë, etj. Rrallë dëgjoheshin krisma armësh, sepse fishekët duhehsin ruajt për ndonjë ditë të keqe, pasi nuk iu dihej sllavëve të pabesë. 4. Nënprefektura e Plavë-Gucisë, (ish Kapiteni e Malit të Zi) në verën e vitit 1941, u shkëput nga Qarku (Rrethi) i Andrijevicës, pasi ndikuan disa faktorë: negociatat italo-gjermane të Vjenës të 23 prillit 1941; urdhri i kontit Çiano i 12 gushtit 1941; vendosmëria e jashtëzakonshme e “piramidës së kufijve”, Prek Cali, që e ngriti Flamurin Kombëtar Shqiptar nga godina e komunës së Gucisë dhe deri në Qafë të Previsë (në Krushevë) - 5 km në veri të Murinës ku ishte kufiri i vjetër Otomano-Malazez (i caktuem në Stamboll në v. 1860), kërkesa e delegacionit të Plavë-Gucisë në Tiranë në verën e vitit 1941; qëndresa sfidë me fjalën e traditat shqipe dhe me grykën e pushkës e plavë-guciasve në shekuj. Delegacioni i Plavë-Gucisë, i përbërë nga Avdyl Hysa Gjonbalaj, Ibër Hysi Balidemaj, Rexhë M. Hoti, Avdyl Qerim Mulosmanaj, Isuf Syl Balidemaj, Avdo Avdiqi, Isuf Kameri Çelaj, shkoi në Tiranë dhe i kërkoi Qeverisë së Perandorisë Italiane që krahina (nënprefektura) e tyne të rikthehej me Shqipërinë, sipas vendimit të Vjenës të 23 prillit 1941 dhe të administrohej nga Komisariati i Lartë Civil për “Tokat e Liruara”. Nënprefektura e Plavë-Gucisë (me tri komuna: e Plavës me 13 fshatra, e Gucisë me 9 fshatra dhe e Arzhanicës me 5 fshatra) dhe nënprefektura e Rozaj-Roxhaj-Rozhajë (me komunën Rozaj me 21 fshatra dhe atë të Bishevës me 10 fshatra) më 22 shtator 1941 iu bashkangjitën Prefekturës së Pejës, e cila varej nga Komisariati i Lartë Civil i “Tokave të Liruara” me qendër në Prizren e në kryedrejtim Fejzi Alizotin. Nënprefekturat e Ulqinit dhe ajo e Tuzit ishin në varësi administrative të Prefekturës së Shkodrës. Kjo periudhë e pushtimit italian e gjerman, kohë e ndrrimit të pushteteve, me ndryshime risore cilësore në organizimin statusor e administrativ-politik të popullatës shqiptare në këto treva të krenarisë e bukurisë, u quajt në traditën popullore të shqiptarëve si “Koha e Shqipnisë” (prill 1941-nëntor 1944). Këso kohe, në krye të komunave ishin Shemsi Ferri në atë të Gucisë (një nga pjesmarrësit e Lidhjes së Dytë të Prizrenit e i Kuvendit të Dobërdolit, i dekoruar nga Presidente e Kosovës me Urdhri i Lirisë për kontributin e tij të lartë), Sali Nikoçi në atë të Plavës (i ekzekutuar pas ripushtimit malazez, në kohë-hapësirën e Masakrës së Previsë), Avdo Avdiqi në atë të Arzhanicës (një nga antarët e delegacionit të Plavë-Gucisë që i kërkoi Qeverisë Italiane në Tiranë bashkimin e kësaj krahine me Shqipërinë). Komuna e Arzhanicës i përfshinte fshatrat Nokshiq (Nokshaj), Pepaj, Mashnicë, Velikë, Murinë. 5. Në pranverën e vitit 1941, pas ngritjes së Flamurit e shpalljes së Bashkimit, filluan me ardhë në përditësi emigrantë politik të Plavë-Gucisë nga Shqipëria, etj. Ndër të parët ishin edhe Nokshiqët e Malësisë së Gjakovës, të derës së Bajram Hysi Mekulit, që në ma të parën “ditë të lirisë nga shkijet” më 19 prill 1941 erdhën në Nokshiq Brahimi dhe Balia me familjet e tyne, po nuk kaluan as dy muaj dhe në qershor 1941 erdhën edhe të tjerët: Halil Bajram Nokshiqi me gjithë familjen e madhe mekulase. Aty erdhën edhe Riza Ferri, djali i Medo Ferrit, të cilin e zgjodhën Nënprefekt të Plavë-Gucisë, Shaban Ferri, djali i Hasan Ferrit, që ishte drejtues edhe i Gjyqit të Përkohshëm ushtarak në Plavë-Guci, etj. Ferrajt e Plavës ishin mjaft të lidhun me mekulët e derës së Bajram Hysit, me të katër djemtë e tij: Mujën, Brahimin, Balinë e Halilin, miqësi të cilën e kanë ndjek edhe pasardhësit e tyne në Malësi të Gjakovës. Ndër të ardhunit e parë në Plavë ishte edhe Bejto Haxhi Hajriu – i njoftun si Bejto Plava, mik i ngushtë i Smajl Adem Mekulit, (“Hoxha i Nokshiqit” dhe ma pas edhe i Plavës, baba i akademikut e poetit Esad Mekuli), që ishte njëherash edhe miku i afërt i mekulëve të Bajram Hysit të Nokshiqit. Italianët pushtues të Nënprefekturës së Plavë-Gucisë e, njëherash, çlirimtarë nga sundimi koloniziator e genocidial i shkijeve të Malit të Zi e të Serbisë ndaj shqiptarëve etnikë, sollën në dy qytetet: në Plavë dhe në Guci, një batalion i përbërë nga artileria, karabinierët, etj., që silleshin fillimisht mirë dhe kishin kundërshti ndaj sllavëve kur cënoheshin interesat jetike të shqiptarëve. Në Plavë e në Guci (ashtu sikurse edhe në Rrozhajë, Ulqin, Ana e Malit, Tuz, Krajë, etj.) u vendos administrata shqipe, u hapën shkolla shqipe, u ngritën organet e rendit, policia, ushtria, etj.,. Në mbrojtjen e kufinit me Malin e Zi u ngritë një njësi ushtarake me 500 vetë, nga të cilët 100 ushtarë e kuadro nga të katër batalionet ishin rezervë e gatshme në çdo javë për të ndrrue kufitarët në front si në Majën e Vizitorit, në Murinë, në Majën e Sekericës, Qafën e Priedolit e në Majën e Moknave. Bali Bajram Mekuli i Nokshiqit, për virtytet e tij të larta, për aftësitë organizative të provuara në beteja, për aktet e shquara të trimërisë, u përzgjodh dhe u emënue në fundprillin 1941 komandant batalioni në mbrojtjen e kufinit të Plavë-Gucisë me Malin e Zi, sikurse edhe Imer Maliq Buçaj i Nokshiqit, Xhemë Arif Tahiri – bajraktari i Arzhanicës, Imer Muça. Shemsi Ferri për një kohë të gjatë ishte komandant i përgjithshëm i njësisë vullnetare shqiptare të vijës kufitare me Malin e Zi. Gjithashtu, kjo njësi, i koordinonte veprimet e saj edhe me ato të Prekë Calit në Vermosh (Kelmend), me Sak Faslinë – bajraktarin e Rugovës, i graduem qysh më 1 korrik 1941 si udheheqës i mbrojtjes së kufinit në Murinë-Qafë e Diellit-Qafë e Çakorrit-Mokna-Qafë e Dasmorëve–Smilovicë. Luftëtari mekulas, komandanti i batalionit Bali Bajram Nokshiqi, gjatë kryerjes së detyrës së tij ushtarake në mbrojtje të kufinit, u përballë disa herë me çetat e shkijeve (serbë e malazezë) dhe tregoi trimëri të madhe në luftërat frontale të Malit të Zi (të shtyrë nga Serbia e Rusia) në korrik 1941 dhe në vjeshtë 1943 për ripushtimin e nënprefekturës së Plavë-Gucisë. E fundmja luftë e Bali Bajram Nokshiqit ishte ajo e 6 gushtit 1944 në Shekullar, ku luftoi ballëpërballë me pushtuesit shovenë gjakatarë malazezë derisa dha jetën në kufi dhe trupi i tij nuk është gjetë atë ditë e sot. Në këtë betejë të madhe mbetën të vrarë edhe tre komandantët e tjerë të kufinit: Xhemë Arif Bajraktari i Arzhanicës, Imer Maliq Buçaj i Nokshiqit, Imer Muça i Arzhanicës, etj. Në kufi u rrëzuan piramidat shqiptare dhe mbi to kaluan barbarët sllavo-komunistë dhe e ripushtuan Plavë-Gucinë, Rrozhajën, etj. Vepra dhe trupi i Bali Bajram Nokshiqit, i Xhemë Arif Bajraktarit të Arzhanicës, thuhet se do të jetë një “piramidë e kufinit” në ribashkimin e Plavë-Gucisë me Shqipërinë Londineze e Kosovën euro-atlantike. Ramiz LUSHAJ
Posted on: Fri, 21 Jun 2013 12:57:12 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015