PLURIPARTITIZMI POLITIK DHE RICOPTIMI I TROJEVE SHQIPTARE TË - TopicsExpress



          

PLURIPARTITIZMI POLITIK DHE RICOPTIMI I TROJEVE SHQIPTARE TË KOSOVËS HISTORIKE Isuf Bajrami Konferenca e ambasadorëve në Londër (1913) Kosovën historike me kryeqytetin e saj Shkupin ia dha mbretërisë serbe me motivacionin (e pa drejtë!) se ajo ishte tokë serbe. Pavarësisht nga kjo padrejtësi që kryhej në kurriz të kombit shqiptar, shqiptarët e Kosovës, të cilët për nga numri i popullsisë ishin gati të barabarte me banorët e Shqipërisë, u mblodhën bashkërisht nën një risundim të pushtetit serb pas Luftës së Dytë Botërore. Duke e bëre shpalljen e gjashte republikave sllave të federatës u caktuan edhe kufijtë e tyre politike. Kufijtë u caktuan në mënyrë arbitrare nga lart, pa asnjë referendum popullor, pa asnjë votë plebishitare. As popullsia shqiptare, as udhëheqësit e saj nuk u pyetën. Me qëllim, që të thyenin unitetin territorial të shqiptarëve dhe të dobësonin fuqinë e rezistencës së tyre politike, udhëheqësit titistë i ndan trojet e Kosovës historike në tri pjesë midis republikave të Serbisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi. Republika e Serbisë mori krahinën e sotme të Kosovës (Kosovën e ngushtë) së bashku me rrethet e Bujanovcit, Preshevës dhe Medvegjës; Republika e Maqedonisë aneksoi pjesën jugore të Kosovës historike (rrethet e Shkupit, Tetovës, Gostivarit, Kërçovës, Kumanovës) së bashku me rrethet e Dibrës dhe të Strugës; Mali i Zi morri, pjesën veriperëndimore të Kosovës (Plavën, Gucinë, Rozhajin), të cilat, në fakt i kishte aneksuar që në vitin 1913. Në vështrimin historik ky ishte copëtimi i trete që kryhej në kurriz të trojeve shqiptare-i treti pas copëtimit të parë të trojeve shqiptare nga Kongresi i Berlinit (1878) dhe pas copëtimit të dytë që vendosi Konferenca e Ambasadorëve në Londër(1913). Copëtimi i tretë e goditi më tepër unitetin territorial të shqiptarëve. Trojet shqiptare, të cilat para luftës së Dytë Botërore ishin ndarë midis tri shteteve (Shqipërisë, Jugosllavisë dhe Greqisë), tani ato u ri copëtuan midis pesë shteteve (Shqipërisë, Serbisë, Maqedonisë, Malit të Z dhe Greqisë). Për më tepër copëtimi i fundit (copëtimi komunist), bie në kundërshtim moralisht, politikisht dhe juridikisht me të drejtën ndërkombëtare , sepse: - nuk është e drejt të dënohet vazhdimisht me copëtime një komb i pafajshëm; - politikisht, sepse nuk është e drejt që në kohët moderne të merren vendime në kurriz të një populli - juridikisht të merren vendime pa votën e tij plebishitare. Për të mos përsëritur gabimet që kishte kryer para luftës dinastia e Karagjorxheviçëve, e cila i kishte ndarë kombet e sunduara prej saj, nga pikëpamja e të drejtave politike, në tri kategori – në serbe (kategoria e parë), në kombet e tjera sllave (kategoria e dytë) edhe në kombe jo sllave, ku hynin edhe shqiptarët (kategoria e tretë)!!! Tito me bashkëpunëtorët e tij shpalosën flamurin e vetëvendosjes së kombeve dhe të barazisë së tyre, në fushën e të drejtave politike. Në mbështetje të këtij parimi, të cilin e miratoi AVNOJ-i në vitin 1943, kombet e Jugosllavisë fituan të drejtën që në mbarim të luftës të formonin republika të veçanta si pjesëtare me të drejta të barabarta, në Federatën Socialiste të Jugosllavisë. Duke u mbështetur në parimin e Kartës se Atlantikut, në Vendimet e AVNOJ-it dhe në kontributin që po jepnin me repartet e tyre partizane në çlirimin e Jugosllavisë, delegatët komunist dhe nacionalist shqiptar të Kosovës, së bashku me komunistët serbë dhe malazezë vendosën më 1 janar 1944, në Konferencën që u mblodh në Bujan, që në mbarim të luftës në Kosovë të zbatohej parimi i vetëvendosjes. Por shumë shpejt doli se premtimet titiste për të drejtat e barabarta të kombeve qenë demagogji. Në Jajce u vendos që popujt e Jugosllavisë të ndaheshin në kombe dhe në kombësi, nga të cilët vetëm kombet do të kishin të drejt të formonin republikë, kurse kombësitë mund të formonin, në raste të veçanta, vetëm krahina autonome në kuadrin e një republike. Shqiptarët, banor mijëvjeçare të Kosovës historike, me një unitet territorial të pandërprerë, me një varg qytetesh shekullore, me një kulturë të lashtë të përbashkët, me një popullsi që vinte në radhën e tret pas serbëve dhe kroatëve, me një histori të pasur luftërash për pavarësi, i plotësonin të gjitha kushtet për të pasur një republikë më vete. Por, nga udhëheqësit e rinj jugosllav u konsideruan kombe vetëm gjashtë bashkësi sllave (serbët, kroatët, sllovenët, boshnjakët, maqedonët, malazezët) kurse shqiptarët u konsideruan kombësi! Pra u përjashtuan si nga e drejta e vetëvendosje, ashtu edhe nga e drejta për të pasur një republikë më vete. Madje, fill pasi mbaroji lufta edhe pasi u kthyen në Shqipëri dy divizionet partizane shqiptare që kishin luftuar në territorin jugosllav kundër forcave gjermane, autoritetet federative të Beogradit dhe nën nxitjen e tyre, në korrikun e vitit 1945 autoritetet serbe të Kosovës e hodhën poshtë “Rezolutën” e Bujanit. Përjashtimi i shqiptarëve nga e drejta për të pasur Republikë ishte një veprim arbitrar. Diskriminimi binte veçanërisht në sy po të kemi parasysh se malazezët, të cilët ishin, popullsia, gjashtë herë më pak dhe maqedonët dy herë më pak se shqiptarët, do të formoni republikë më vete, kurse shqiptarët - jo! Si rrjedhim, pabarazia që ekzistonte në Jugosllavin e paraluftës, ndryshoi vetëm formën, përmasat dhe komponentët, por për shqiptarët mbeti në fuqi. Përfshirjen e shqiptarëve në kategorinë e kombësive, pra diskriminimin në fushën e të drejtave kombëtare, udhëheqësit e djeshëm të Jugosllavisë titiste dhe qeveritarët e sotëm nacionalist serb e argumentojnë me tezën e vjetër: se shqiptarët e Kosovës nuk janë autoktonë por ardhacakë, dhe me një tezë të re, se ata nuk mund të formojnë një republikë më vete në federatën jugosllave, mbasi ekziston një shtet shqiptar jashtë saj. Si rrjedhim, sipas tyre nuk mund të ekzistojnë dy shtete shqiptare në të njëjtën kohë. Por të dy tezat e qeveritarëve serbe nuk kanë as bazë historike e as mbështetje juridike. Në këtë vështrim, udhëheqësit e federatës socialiste të Jugosllavisë kryen një krim politik në kurriz të kombit shqiptar dhe një dhunim politik në kurriz të shtetit serb, meqenëse Kosova historike i qe dhuruar Serbisë nga Konferenca e Londrës në vitin 1913. Aneksimi nga Maqedonia i pjesës së Kosovës jugore, e banuar edhe sot e kësaj dite në shumicën dërmuese nga shqiptarët etnik, është një akt ilegjitim. Nëse arsyetimin e thellojmë më tej, qarqet politike serbe, duke pranuar këtë copëtim, kanë pranuar se pjesa jugore e Kosovës historike me kryeqytetin e saj Shkupin nuk është tok serbe, siç cilësohet në Vendimin e Londrës 1913. Në fakt ajo nuk është as toke serbe, as tokë sllavo-maqedone. Me popullsinë etnike që ka pjesa jugore e Kosovës historike ose pjesa veriore e Republikës së Maqedonisë, ajo është tokë shqiptare. Pas Luftës së Dytë Botërore, zgjidha e nacionalizmit agresiv sllav e kombinuar me peshën e diktaturës komuniste mbi shqiptarët nën jugosllavi, erdhi vazhdimisht duke u rritur. Të drejtat e tyre kombëtare u mohuan. Arsimimi në gjuhën amtare u ndalua edhe gjatë periudhës kur marrëdhëniet midis Shqipërisë Socialiste dhe Jugosllavisë Socialiste ishin më tepër se miqësor. Pas prishjes në vitin 1948, të marrëdhënieve midis Tiranës dhe Beogradit, qeveritarët titist me qëllim që ta fashitnin rezistencën shqiptare, kombinuan demagogjinë me territorin. Për ta fashitur rezistencën shqiptare, qeveritarët e Beogradit krijuan në pjesën e aneksuar nga republika e Serbisë Krahinën Autonome të Kosovës me një sipërfaqe prej 10.877 kilometra katror dhe me kryeqytet Prishtinën. Në bazë të Kushtetutës së par (1953) Krahina e Kosovës u pajis me një autonomi të thjesht. Veç kësaj, jashtë krahinës, u lan tri rrethe që shtrihen në verilindje të Kosovës siç janë Bujanoci, Presheva dhe Medvegja, të cilat etnikisht, historikisht dhe gjeografikisht u shkëputën artificialisht prej saj. Me shkëputjen e tyre nga Krahina e Kosovës, Beogradi kreu një copëtim të mëtejshëm të trojeve shqiptare në përgjithësi dhe të vetë Kosovës në veçanti. Nga ana tjetër, qarqet qeveritare të Beogradit e intensifikuan regjimin policor, të cilin përveç torturave, burgimeve, internimeve me dëshmi të rreme, shpesh herë edhe pa gjyq, e shtrinë përsëri në dëbimin në masë të shqiptarëve me besimin islam në drejtim të Turqisë. Vetëm gjatë viteve `50 dhe `60 si pasoj e politikës gjenocidale serbe u vranë më tepër se 50 mijë veta dhe u dëbuan jashtë Jugosllavisë afërsisht 300 mijë veta. Megjithatë, ndërgjegjja kombëtare e shqiptarëve nuk u shtyp dhe fryma e rezistencës nuk u fashit. Pas një çerek shekulli martirizimesh, shqiptarët qen të parët ndër kombësitë e Federatës jugosllave që publikuan kundër shtypjes nacionale. Në vitin 1968 shpërtheu në Prishtinë demonstrata e fuqishme e shqiptarëve të shtypur, të cilët dolën me kërkesën për t`i dhënë Kosovës (për fat të keq vetëm Kosovës së cunguar) Statusin e Republikës në kuadrin e Federatës jugosllave. Demonstrata e vitit 1968, e cila mund të konsiderohet si krisma e plasaritjes së ndërtesës artificiale jugosllave, paralajmëronte afrimin e furtunës. Masat shtypëse që ndërmori Beogradi e acaruan nga viti në vit situatën. Për të evituar ballafaqimin e egër, autoritetet jugosllave i dhanë krahinës së Kosovës në vitin 1974 një Kushtetutë të re. Me këtë Kushtetutë Kosova u njoh, si dhe Vojvodina, si Krahinë Autonome e Republikës së Serbisë dhe në të njëjtën kohë si element konstituiv i Federatës së Jugosllavisë. Si pasoj e këtij vendimi Kosova ishte si dhe gjashtë republikat e Jugosllavisë, Kushtetutën e veçantë, organet ekzekutive, Kuvendin Krahinor, Gjykatën Kushtetuese. Ajo kishte përfaqësuesin e saj në Kryesin e Federatës së Jugosllavisë, në Këshillin Federativ Ekzekutiv të Jugosllavisë. Organet republikane të Serbisë nuk mund ta ushtronin pushtetin e tyre mbi Kosovën pa miratimin e Kuvendit Krahinor, të Këshillit Ekzekutiv të saj, të Gjykatës së saj Kushtetuese. Ajo merrte pjesë, nëpërmjet delegatëve të saj në nxjerrjen e ligjeve në Dhomën Republikane dhe në atë të krahinave të Kuvendit Federativ. Pra, Krahina e Kosovës, edhe pse vazhdohej të quhej Krahina Autonome, praktikisht kishte shumë tipare të një Republike Federative Jugosllave. Kushtetuta e vitit 1974 ishte, në krahasim me gjendjen e më parshme një fitore e shqiptarëve në fushën e të drejtave kombëtare, sidomos në fushën e arsimit dhe të kulturës. Por shpejt u pa se ishte e pamjaftueshme. Ajo kishte kufizime. Me të u sanksionua edhe njëherë shkëputja e Krahinës së Kosovës nga trojet e tjera etnike shqiptare në Republikën Federative të Jugosllavisë. Vetë krijimi i një Krahine të cunguar dhe jo i një Republike me një popullsi më të madhe se popullsia e disa Republikave të tjera të Federatës, legalizoi pabarazinë midis shqiptarëve dhe kombeve sllave të saj. Legalizoi të njëjtën kohë edhe pabarazinë midis shqiptarëve të Krahinës dhe shqiptarëve të Republikave të tjera të Jugosllavisë. Si pasoj e këtyre kufizimeve, shqiptarët u trajtuan si qytetar të kategorisë së dytë dhe si të tillë u diskriminuan nga ana ekonomike,kulturore dhe kombëtare. Por edhe pse pati kufizime, qarqet nacionaliste serbe, të cilat ngulën këmbë në mohimin e plot të të drejtave kombëtare të shqiptarëve, mbetën të revoltuar. Rastin për ndërhyrjen e dhanë demonstratat e studentëve të Universitetit të Prishtinës, që shpërthyen në pranverën e vitit 1981 me kërkesën e vitit 1968 për kthimin e Kosovës në një Republikë të shqiptarëve në kuadër të Jugosllavisë. Nën nxitjen e tyre Beogradi i shtypi manifestimet popullore me anën e tankeve, njësoj si Moska e Budapesti më 1956 dhe në Pragë më 1968. Pavarësisht se u shtypën, demonstratat e vitit 1981 shënuan plasaritjen e mëtejshme të Federatës tashmë të brishtë jugosllave. Tronditja që pësoi Beogradi nga rritja e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare e treguan masat që morri Qeveria Jugosllave pas shtypjes së tyre. Me ndërhyrjen brutale të armatave serbe u abroguan dalë nga dalë të gjitha institucionet autonomiste të krahinës, derisa në mars të vitit 1989 ato u likuiduan në mënyrë arbitrare dhe me dhunë ushtarake krejt Autonomin e Kosovës. Që nga ai vit, Krahina e Kosovës u kthye në një njësi administrative e Republikës së Serbisë dhe nuk ishte më element konstitutiv i federatës. Kushtetuta e vitit 1974 u abrogua në mënyrë të njëanshme nga Kuvendi i Serbisë në kundërshtim me vetë Kushtetutën e saj dhe iu imponua me anën e tankeve Kuvendit të Kosovës. Protestat e shqiptarëve u shtypën me gjak. U vendos okupacioni ushtarak serb, i cili u shoqërua me një regjim terrori ushtarako-policor, me burgime, me internime, me vrasje dhe me presion për largimin e rinis nga vendlindja. Objektet e shkollave shqipe u mbyllën , arsimtarët u pushuan nga puna. Organet qeveritare të Kosovës qëndruan pasive përballe dhunës ushtarake dhe policore të Beogradit. Por përfaqësuesit e popullsisë shqiptare të Kosovës, duke u mbështetur në parimin e njohur të së drejtës për vetëvendosje, u mblodhën në Kuvendin e Kaçanikut me 7 shtator 1990, pra kur Federata Socialiste e Jugosllavisë ende nuk ishte shpërbërë. Aty, shpallën Republikën e Kosovës. Me shpalljen e Republikës së Kosovës, vendosën shkëputjen e saj nga Serbia. Me shpalljen e Republikës së Kosovës, realizohej një pjesë nga kërkesa që përmbante Rezoluta e Konferencës së Bujanit në fillim të vitit 1944, si dhe kërkesa që u shpreh me protesta popullore në vjeshtën e vitit 1968, e cila u përsërit me demonstratat e fuqishme të pranverës së vitit 1981. Edhe pse Republika e Kosovës nuk kërkoi të përfshinte në gjirin e saj të gjitha trojet etnike shqiptare që vuanin nën zgjedhën e Jugosllavisë, shpallja e saj në vetvete shënoi një hap të rëndësishëm drejt realizimit të Programit madhor të Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Për më tepër, ajo shënoi fillimin e shpërbërjes së Jugosllavisë Socialiste. Fill pas Kuvendit të Kaçanikut, katër nga gjashtë republikat e Jugosllavisë Socialiste organizuan referendume, me të cilat u miratua pavarësia e tyre (Sllovenia në dhjetor 1990, Kroacia në maj 1991, Maqedonia në shtator 1991, Bosnje-Hercegovina në tetor 1991). Në këtë kohë edhe Republika e Kosovës e manifestoi aktin e Pavarësisë së saj me referendum popullor më 30 shtator 1991. Fill pas Kosovës së cunguar , subjektet politike shqiptare të rajonit të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës dhe asociacionet e tjera më 16 shkurt 1992 ,formuan Kuvendin për shpalljen e Referendumit. Kuvendi i Autonomisë së Kosovës Lindore, dy javë më vonë thërret popullatën në Referendum për t’u deklaruar politikisht se në çfarë bashkësie do të jetojnë në të ardhmen. Organizimi dhe mbajtja me sukses e Referendumit aktualizon dukshëm çështjen shqiptare të kësaj ane duke ngritur atë në një shkallë më të lartë të internacionalizimit ndërkombëtar. Shprehja e vullnetit politik të shqiptarëve të Kosovës Lindore përmes Referendumit për “Autonomi politiko-territoriale me të drejtë bashkimi Kosovës” më 1 dhe 2 mars 1992 paraqet rrugën më të drejtë dhe më të qëndrueshme të zgjidhjes së çështjes qytetare e kombëtare të kësaj pjese të Atdheut të cunguar e të robëruar . Jetësimi i “Autonomisë politiko-territoriale me të drejtë bashkimi Kosovës”, paraqet minimumin e kërkesave të shqiptarëve të rajonit të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës e drejtë historike dhe etnike për t`u integruar me Kosovën, pjesë përbërëse e së cilës ka qenë gjatë gjithë historisë . Shpërbërja e Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, ishte në logjikën e procesit historik. Këtë radhë ideologjia marksiste nuk e shpëtoi Jugosllavinë nga antagonizmat e brendshme nacionale ashtu siç nuk e shpëtoi edhe vetë Bashkimin Sovjetik. Edhe pse sinjalin e shpërbërjes e dha shembja e Murit të Berlinit, Lëvizja Kombëtare Shqiptare i dha një kontribut të rëndësishëm në gërryerjen e themeleve të saj gjatë dhjetëvjeçarëve që paraprinë në shembjen e Murit të Berlinit. Me kontributin e konsiderueshëm që dhanë në shpërbërjen e Jugosllavisë, shqiptarët e Kosovës kishin një të drejt më tepër që t’u njihej Republika e shpallur në Kaçanik. Por kërkesa legjitime e shqiptarëve as këtë radhë nuk u murr në konsideratë nga faktori ndërkombëtar, më saktë nga Këshilli i Ministrave të Bashkësisë Evropiane, i cili shpalli më 16 dhjetor 1991 parimet e rregullimit të problemeve që linden nga shpërbërja e Jugosllavisë Federative dhe e Bashkimit Sovjetik, në dy dokumente (vijat udhëzuese për njohjen e shteteve të reja në Evropën lindore dhe në Bashkimin Sovjetik dhe Deklarata mbi Jugosllavinë, të njohura shkurtimisht me emërtimin “Parimet e Badinterit”). Në bazë të këtyre parimeve, me shpërbërjen e Jugosllavisë: a) do te njiheshin si shtete të pavarura vetëm Republikat e saj; b) nuk do të njihej asnjë ndryshim kufijsh midis Republikave të shkëputura, përveç rasteve kur ndryshimet do të pranoheshin nga të dyja palët, dhe c) Republikat do ta vazhdonin, edhe pas fitores së pavarësisë, të respektonin të drejtat e minoriteteve, fetare dhe linguistike që ndodheshin brenda kufijve të tyre, në përputhje me parimet e së drejtës ndërkombëtare dhe me dispozitat e njohura të organizatave ndërkombëtare. Në bazë të këtyre kritereve Konferenca për Paqe në Jugosllavi nën kryesin e Lordit Carrington, e krijuar nga Këshilli i Ministrave të Bashkësisë Evropiane, njohu më 11 janar 1992 vetëm Pavarësinë e Republikave të Sllovenisë, Kroacisë, Maqedonisë dhe me rezervë, atë të Bosnje-Hercegovinës, kurse më vonë Republikën Federale të Jugosllavisë, e cila u formua midis Republikave të Serbisë dhe Malit të Zi më 27 prill 1992. Veç kësaj Konferenca e konsideroi Republikën Federale të Jugosllavisë si një Shtet të Ri dhe jo si vazhduese e Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, tashmë e shpërbërë përfundimisht. Publikuar te Revista “JEHONA” Viti VI,nr.91,08 mars 2013 ,fq.10-13.
Posted on: Thu, 31 Oct 2013 01:33:19 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015