PRISHTINE - Asnjë subjekt politike, iniciativë qytetare apo - TopicsExpress



          

PRISHTINE - Asnjë subjekt politike, iniciativë qytetare apo kandidat i pavarur nga veriu i vendit, deri më tani nuk ka aplikuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për t’u regjistruar dhe për t’u certifikuar në mënyrë që të mund të marri pjesë në zgjedhjet lokale, të cilat do të mbahen më 3 nëntor të këtij viti. Tani kur ka mbetur vetëm edhe një muaj, deri në afatin e fundit ligjor për të aplikuar, në KQZ thonë se Ligji për zgjedhje do të jetë i zbatueshëm edhe për atë pjesë të vendit dhe se askush nuk do të mund të marrë pjesë në zgjedhje pa e përfillur atë. Tendencat që subjekteve nga atje t’u bëhet i panevojshëm regjistrimi në KQZ, konsiderohen të rrezikshme nga Shoqëria civile pasi, sipas saj, do të krijonin një precedent të keq. Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme në Kosovë, neni 15. Pika 1 thotë se me qëllim të pjesëmarrjes në zgjedhje, subjekti politik duhet të certifikohet për atë qëllim nga KQZ-ja, ndërsa, pika 2 e po këtij neni, thotë se aplikimet për certifikim mund të dorëzohen në çdo kohë gjatë orëve të rregullta të punës deri gjashtëdhjetë (60) ditë para zgjedhjeve. Mirëpo, asnjë aplikim nuk mund të merret në konsideratë nga Zyra në mes gjashtëdhjetë (60) ditë para zgjedhjeve dhe ditës së zgjedhjeve. Thirrur në këtë ligj, zyrtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve thonë se nuk do të lejohet pjesëmarrja në zgjedhje e asnjë subjekti politik pa aplikuar për regjistrim dhe certifikim në zyrën për regjistrimin e partive politike në afatin e paraparë me ligj. Miradie Mavriqi, drejtoreshë ekzekutive e Zyrës për regjistrimin e Partive Politike në KQZ thotë se deri me tani nuk ka aplikuar asnjë subjekt politik i Mitrovicës veriore apo komunave tjera në veri për t’u regjistruar apo certifikuar. Megjithatë, ajo thotë se ka afat për regjistrim dhe certifikim, deri më 4 shtator të këtij viti, që sipas saj, do të thotë afati i fundit për të aplikuar për të marr pjesë në zgjedhje, për t’u regjistruar dhe certifikuar është 4 shtatori 2013. “Ligji për zgjedhjet nuk do ta ndaj asnjë pjesë të Republikës së Kosovës. Por në ligjin për zgjedhjet është decidivisht e shkruar që partia për të marr pjesë në zgjedhje duhet të jetë e regjistruar. Është regjistri që është i publikuar në faqen e KQZ-së, do të thotë për pjesëmarrje të një partie të regjistruar në Kosovë duhet të aplikoj për certifikim. Ai që nuk është i regjistruar dhe nuk aplikon për certifikim, si do të mund të merr pjesë në zgjedhje, nëse nuk aplikon”, ka thënë Mavriqi për Kosovapress. Për t’u regjistruar si parti politike në KQZ duhet që të mbushet aplikacioni sipas ligjit, t’i ketë 500 nënshkrime të anëtarëve të saj, të ketë statusin dhe një mori kriteresh tjera, ndërsa për certifikim të ndonjë iniciative qytetare duhen 100 nënshkrime dhe pagesa e një shumë prej 200 eurove. Megjithatë, Mavriqi thotë se pas shpalljes së zgjedhjeve nga presidentja ata presin në zyrë që të shkojë dhe të aplikojnë edhe iniciativat qytetare, kandidatët e pavarur edhe partitë politike. Se nuk duhet të shkelet ligjit dhe t’u mundësohet asnjë subjekti politik pjesëmarrja në zgjedhje pa u regjistruar dhe certifikuar, vlerësojnë edhe përfaqësues të shoqërisë civile që merren me monitorimin e zgjedhjeve në Kosovë. Dardan Berisha nga Demokracia në Veprim ka thënë se subjektet politike që pretendojnë të garojnë për zgjedhjet lokale në Kosovë duhet ta bëjnë regjistrimin ashtu siç parashihet me legjislacionin në Kosovë. Ai thotë se nuk do të ishte mirë nëse lejohen që të marrin pjesë në zgjedhje pa u regjistruar dhe certifikuar, pasi do të krijonte një precedent të keq. “Mendoj që legjislacioni e përcakton shumë mirë mënyrën e regjistrimit të partive politike, që do të thotë se subjektet aplikojnë duke plotësuar një listë dokumentesh që kërkohen nga KQZ-ja që janë emri, statusi i subjektit politik dhe për të cilin nevojitet votat e anëtarëve të KQZ-së për të certifikuar subjektin për të garuar në zgjedhje. Edhe zgjedhjet në veri nuk janë ndryshe se sa ato në jug, të paktën nëse i referohemi marrëveshjes së fundit mes dy kryeministrave, të Kosovës dhe Serbisë, pasi aty një dispozitë thotë që organizohen zgjedhjet në veri ashtu siç e përcakton legjislacioni dhe procedura ligjore në Kosovë. Nuk mendoj që është mirë me marrë pjesë në zgjedhje pa u regjistruar fare. Mendoj që krijon një precedent të keq kur subjektet politike mund të garojnë në zgjedhje pa u certifikuar”, ka thënë Berisha për Kosovapress. Berisha me tutje thotë se, nuk është ide e mirë që t’u lehtësohet regjistrimi apo certifikimi ndonjë subjekti politik, jo vetëm për shkak të situatës politike, por për shkak se lehtësimi në baza etnike është njëjtë si lehtësimet tjera që mund të bëhen në baza regjionale. Ai thotë se regjistrimi duhet të bëhet krahas legjislacionit dhe rregulloreve në fuqi, por nuk duhet të ketë lehtësira për asnjë subjekt politik. Zgjedhjet lokale në terë territorin e Kosovës do të mbahen më 3 nëntor të këtij viti, datë kjo e shpallur nga presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.
Posted on: Sat, 27 Jul 2013 18:20:06 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015