PROCESI I XHORDANO BRUNOS Procesi i Xhordano Brunos, - TopicsExpress



          

PROCESI I XHORDANO BRUNOS Procesi i Xhordano Brunos, zë fill në periudhën historike të kundër-reformës, epokë në të cilën Kisha, e ndjekur nga përçarja luteriane, përndiqte në mënyrë të rreptë, çdo formë të herezisë. Janë vitet e errëta, të shtypjes së lirisë fetare, të inkuizicionit dhe indeksit të librave të ndaluar. I përndjekuri Xhordano Bruno, ishte një frat dominikan, i lindur në Nola, qytet në mbretërinë e Napolit, në vitin 1548. Ai kishte një temperament kryengritës dhe ishte i rreptë përballë dogmave të së vërtetës së shpallur, ndërkohë që ushqente nje interes të gjallë, për shumë nga gjërat dhe veprimet e ndaluara nga S. Uffizio. Aktet procedurale shpalosnin karakterin e tij kundërshtues, krenar, dhe ndonjëherë përçmues, papajtueshmërinë e pohimeve, mburrjet se kishte pasur më shumë gra se Salomoni, të cilit Bibla i atribuon mijëra femra, si dhe fyerjet e papërsëritura. Sjelljet pak ortodokse të fratit, nuk vonuan të tërhiqnin vëmendjen e Kishës kundrejt veprimeve dhe shkrimeve të tij. Që në vitet e para të kaluara në Kuvend, ku ai mori kulturën e tij të krishterë, Brunoja u akuzua se kishte shfaqur dyshime në të vërtetën thelbësore të besimit dhe për këtë arsye u akuzua dhe u hap një proces në ngarkim të tij. Pasi la veladonin e fratit, la edhe Italinë dhe filloi kështu për Brunon një periudhë me më shumë ankth, e kjo për shkak të shkrimeve të shumta dhe mësimdhënies të cilës i kushtohej, kudo që ishte e mundur. Për idetë e tij ai u detyrua që të largohej nga Gjeneva, Parisi, Londra, Praga dhe Frankfurti, në të cilët kishte qëndruar pas largimit nga Italia, ku dhe mbolli përveç shkishërimit të kishës katolike, edhe atë të kalvinistëve dhe luterianëve. Pas kthimit të tij në Itali, ai u denoncua pikërisht nga nxënësi i tij venecian Xhovani Mocenigo, i cili kishte mbetur i skandalizuar nga përmbajtja e leksioneve të filozofit. Procesi ndaj tij filloi në vitin 1592. Për fat të keq, vëllimi origjinal i akteve procedurale në ngarkim të tij, humbi. Megjithatë mbeti vetëm “një përmbledhje e procesit të Brunos”, e redaktuar nga gjyqtarët e së njëjtës epokë në kohën e zhvillimit të ngjarjeve, ose të ripërtërira në harkun e 60 viteve nga mbarimi i procesit, por këto mund të ishin në arkivat personale të Papa Pio së IX. Trupi gjykues i S. Uffizio përbëhej nga 9 Prelatë të Lartë, të cilët formonin “Kongregacionin e Kardinalëve Inkuizitorë”. Për procedurën e zakonshme inkuizitore, në përgjithësi kujdesej një kolegj më i kufizuar, i përbërë nga Padre Komisar, prej një këshilltari, dhe prej përgjegjësit të përgjithshëm. Procesi në ngarkim të tij zgjati tetë vjet, që të cilët Xhordano Bruno i kaloi tërësisht në burg, në Venecia dhe në Romë. Pjesa e parë e gjykimit u zhvillua në Venecia, mbi bazën e denoncimit spontan të të sipërpërmendurit, Xhovani Mocenigo. Në bazë të deklarimeve të tij, iu paraqitën filozofit, tetë pikat e akuzës, ndërmjet të cilave, akuza në mosbesimin e dogmave thelbësore të Kishës, e para prej tyre ishte ajo e trinitetit dhe e mbështetjes së tezave filozofike absolutisht të papajtueshme me besimin katolik. Kështu u hap shqyrtimi gjyqësor, i cili konsistonte në marrjen në pyetje të dëshmitarëve të thirrur në këtë çështje. Çdo person i marrë në pyetje vinte me radhë për të deklaruar. Për këtë proces dëshmuan tërësisht 9 dëshmitarë, të cilëve iu kërkua të provonin akuzat, ndërsa i akuzuari u dëgjua 22 herë në mbrojtje të ideve të tij. Fillimisht situata procedurale në proces e Xhordano Brunos nuk ishte komprometuese, kjo sepse dëshmitarët e parë nuk ishin në gjendje të konfirmonin akuzën e Mocenigos, ndërsa i akuzuari shfaqej i sigurt dhe bindës. Linja e tij e mbrojtjes ishte pak a shumë kjo: “mohimi i të mohueshmes”, justifikimi sipas rastit i çështjeve gjysmë të favorshme, që mund t´i kalonte në favor të tij nëpërmjet mendimeve të mprehta kur ai mund të pajtohej me dogmën katolike, pajtohej, dhe gjithashtu të pranonte gabimet, atëherë kur shmangia nga dogma katolike ishte e pamundur. Kështu Brunoja pranoi të kishte thënë ose shkruar gjëra kundër besimit, por shpjegoi se i kishte bërë duke arsyetuar si filozof, sikurse të tjerat i nënshtroheshin doktrinave të Aristotelit ose të Platonit, edhe këto teori në kundërshtim për disa çështje me besimin katolik. Në fund të deklarimit të tij në fjalën e fundit, ai u gjunjëzua përpara Gjykatës duke kërkuar falje për gabimet e bëra dhe duke premtuar që do të ndryshonte sjellje (Kjo ishte e vetmja mënyrë për të mbijetuar, si në procesin e parë). Procesi u ngrit në mënyrë të tillë që asnjë dëshmitar nuk mund të konfirmonte akuzat, kështu që aktet u dërguan në Gjykatën Qendrore të Romës, organi që duhej të jepte mendimin për gjykimin, para se Gjykata të jepte vendimin përfundimtar. Fatkeqësisht për filozofin, Gjykata e Romës e nisur nga akuzat e rënda në ngarkim të tij, kërkoi vazhdimin e procesit me këtë akuzë në Romë. La Serenissima (Republika e San Markos-Venecia) xheloze dhe mbrojtëse fanatike e juridiksionit të saj, iu përgjigj me një Jo të prerë, për ekstradimin e të akuzuarit në Romë. Atëherë kjo çështje, u bë çështje parimi aq e rëndësishme sa ndërhyri vetë Papa. Kërkesa pasardhëse e Gjykatës u formulua nga vetë Nunzi Apostolik, në vend të kërkesës që duhej bërë prej inkuizitorit. Përballë presioneve të tilla, Venecia u detyrua të hapte rrugë dhe të lejonte ekstradimin, kështu që filozofi u dërgua në burgun e Romës. Faza romane e procesit, filloi me një denoncim tjetër të rëndë nga ana e Fratit Çelestino nga Verona, që kishte qenë në një qeli me filozofin, në burgun e Venecias. Letra e tij shtoi në 13-të, akuzat, nga tetë që tashmë ishin në gjykim, në ngarkim të tij. Pavarësisht procesit, filozofi nuk kishte pushuar së manifestuari publikisht bindjet e tij, duke lëshuar sharje të mëdha kundër Kishës, edhe për trajtimin që po i bëhej atij. U thirrën për të dëshmuar edhe 3 shokë të tjerë të Brunos, nga burgjet Veneciane, që konfirmuan në mënyrë të konsiderueshme, pajtimin e tyre me akuzat. Disa nga shprehjet e Xhordano Brunos, referuar dëshmitarëve, tingëllojnë të pafajshme, për dëgjuesit modernë, si psh. “S. Xheronimo ishte një injorant”, ose që “libri i lutjeve, është një paqartësi e madhe dhe është i hartuar keq”. Ndërkohë që të tjerë “damkosin besimin e pastër fillestar”, me gjëra të pavlefshme të epokës. Filozofi thoshte për shembull se: “reliktet nuk duhen nderuar”, pse çdo person mund ta shfrytëzojë atë, për të vënë në qafë çfarëdo fytyre të vdekuri, që atij t´i shkojë në mendje. Dëshmitarët raportuan në proces dhe për disa opinione të Brunos, që mohonin dogmat themelore të fesë katolike, dhe afirmime laike përkundrejt Kishës, sipas të cilave, ai thoshte se: “Kisha ishte e drejtuar nga fretër dhe priftërinj injorantë dhe gomarë”. Nga pohimet e dhëna, doli në pah fakti se Xhordano Bruno synonte të krijonte “sektin e xhordanistëve”. Në fakt, dukej se ai pretendonte që feja katolike, ishte feja më e paplotë ndër fetë pozitive. Bruno tentonte të racionalizonte në mënyrën e tij dhe prandaj dëshironte të hiqte ato pjesë që i dukeshin superstrukturë dogmatike, për t´i dhënë pra asaj, fesë katolike, një pamje të re për kohën. Me sa duket, kuadroja e përshkruar nga dëshmitarët, e mbi të gjitha fakti që Xhordano Bruno dëshironte të udhëhiqte një formë tjetër herezie, i shqetësoi jo pak gjyqtarët, që e pyetën filozofin, për më shumë se 8 seanca gjyqësore, por pa arritur asnjë rezultat. Pasi përfundoi procesi sulmues, filloi procesi përsëritës që konsistonte në marrjen në analizë për herë të dytë, të të gjitha provave. Në këtë mënyrë i ofrohej një garanci procedurale të dënuarit, që përsëritja në kohë tjetër nga pyetja e dëshmitarëve për herë të dytë, nga dhe ku mund të dilnin në shesh kundërshtime, e mund të zbuloheshin shpifësit. Për më tepër, S. Uffizio, i lejonte të akuzuarit të përpilonte “listën e pyetjes së dëshmitarëve” ose një skemë të pyetjes së tyre, të cilës do i nënshtroheshin provat, për të evituar që kërkesa e gjykatësit të sugjeronte automatikisht pohime. I akuzuari mund të drejtonte pyetje për provat, mbi të dhënat e dosjeve në hetim, mbi besimin fetar të dëshmitareve, e mbi pjesëmarrjen e tyre në procese penale, në mënyrë që të bënte të papërdorshme dëshmitë, pasi nuk mund të dëshmohej me një të kaluar të dyshimtë, (d.m.th njerëz me procese në ngarkim të tyre). Për të arritur në vendimin përfundimtar, Gjykata kërkonte në të vërtetë, të paktën dy dëshmi që përputheshin. Një thënie e jurisprudencës e S. Uffizio-s thoshte: “një dëshmi asnjë dëshmi” (unus testis nullus testis). Dëshmitë ndërmjet të tjerash duhet të vinin nga persona që nuk kishin ndjekje penale nga Gjykata e Inkuizicionit, në të kundërt ato nuk pranoheshin. Është e vërtetë, që gjykimi i S. Uffizio-s, ofronte disa garanci procedurale për të hetuarit. Duhet theksuar që nuk parashikohej ndihma e një mbrojtësi, i cili të vëzhgonte me ndershmëri situatën, e të ofronte gjithashtu, një ndihmë teknike. Pavarësisht nga kjo, duke parë mungesën e dëshmitarëve, Gjykata iu drejtua disa herë mjeteve të torturës. Në procesin e Brunos nuk jemi në gjendje të themi, nëse ky instrument u përdor shumë apo pak. Me siguri, faktet tregojnë që në një rast, ai u pyet në “stricte” dhe kjo formulë mund të jetë një projekt eufemistik i torturës. Seria e dëshmive të mbledhura kundër filozofit, në të vërtetë nuk ishte e tillë, që të mund të shërbente për të mbledhur prova të plota, dhe të cilat të vërtetonin akuzën, përveç akuzës së Mocenigos, e cila shfaqej e plotë dhe e vetme. Të gjithë të tjerët, duke qenë se ishin heretikë dhe të shkishëruar nga kisha, nuk ishin në gjendje, që t´i jepnin me dëshmitë e tyre, vlerë të plotë provuese akuzave, dhe t´i bënin të ligjshme ato, në proces. Në rastin e Xhordano Brunos, procesi u përsërit disa herë, por nuk shërbeu si instrument mbrojtës, sepse të gjitha dëshmitë vërtetuan pjesërisht akuzën e njoftuar dhe përveç kësaj shtuan dhe gjëra të reja. Kur përfundoi procesi përsëritës, të gjitha aktet e procesit iu dorëzuan të pandehurit, në mënyrë që të siguronte një mbrojtje të shkruar. Xhordano Bruno dorëzoi një memorie prej më shumë se 80 faqesh, e cila për fat të keq humbi. Si akt i fundit i procesit, Kongregacioni ekzaminoi librat e filozofit dhe përpunoi censurën. Një kopje e saj iu dorëzua Gjykatës, e cila i dha mundësinë atij të meditonte dhe të përgjigjej, për secilën prej tyre. Meqenëse nga deklaratat e tij nuk u nxor asgjë e re, procesi u pezullua. Anëtarët e Kongregacionit të Kardinalëve, pavarësisht nga dëshmitë e mbledhura dhe mbi të gjitha shkrimet e filozofit, nuk arritën të vendosnin për një faj në ngarkim të tij. Kur procesi ndodhej në këtë pikë, hyri në Kongregacion Roberto Belarmino, si konsulent dhe teolog. Anëtarët i propozuan atij, të bëhej një listë e përmbledhur e akuzave dhe të ftohej Brunoja të hiqte dorë dhe të mohonte ato që kishte shkruar. Në këtë mënyrë fati i procesit lihej në dorë të të akuzuarit. Mohimi do t´i kursente jetën, refuzimi do ta dënonte me vdekje. Xhordano Bruno deklaroi se do të pranonte mohimin e plotë, në mënyrë të pakushtëzuar për atë që kërkohej. Më pas deklaroi se nuk donte të trajtonte disa nga mendimet e tij. Kjo sjellje, mori një vendim jo të drejtë nga S. Uffizio, që duke ndjekur me ngut çështjen, e kalon atë në një izolim prej 40 ditësh, masë ekstreme që jepej për meditim, për kokëfortët. Në seancën e fundit të pyetjeve, e kjo për të 22-ën herë radhazi, Bruno deklaroi se nuk kishte asgjë për të tërhequr mbrapsht, për ato që kishte thënë dhe shkruar. Kjo mbyllje ndaj procesit, shënoi dhe dënimin e tij. Gjithsesi, Gjykata dëshironte të bënte një tentativë ekstreme, duke i dërguar në qeli dy klerikë të lartë dominikanë, për t´i treguar gabimet dhe se çfarë duhej të mohonte, e ta bindnin të hiqte dorë. Brunoja nuk lëvizte nga e vetja. Për këtë shkak u dënua si heretik, i palëkundur dhe kokëfortë, dhe në degradim të plotë. Masa e dënimit nga dhoma Ekliasitike, iu dorëzua Guvernatorit të Romës për ekzekutim dhe ai vdiq me 17. 02. 1600, në Campo de Fiori afër Romës. Shkrimet e tij u dogjën publikisht, në sheshin e Shën Pjetrit dhe u futën në fondin e librave të ndaluar. Duke rilexuar çështjen procedurale të Xhordano Brunos, nisur nga një qëndrim sa më objektiv, nëse na lejohet, absurdi qëndron në kërkesën për të gjykuar dhe dënuar një njeri për bindjet e tij morale e filozofike, e mbi këtë mund të bëhen një seri aludimesh. Në radhë të parë, nisur nga gjakftohtësia e Xhordano Brunos gjatë procesit, mallkimet provokuese mbi të, gjestet fyese, pohimet turbulluese për besimin e krishterë si dhe kokëfortësia e tij ekstreme në fazën përfundimtare të gjykimit, nuk i ndihmuan gjyqtarët të mbanin një qëndrim të mëshirshëm për të. Gjithashtu duhet pasur parasysh, që procesi u zhvillua në përputhje me ligjet e kohës dhe ndërgjegjen fetare, sociale e juridike të saj, e cila e konsideronte herezinë të padurueshme dhe asgjësimin e saj, të merituar. Por duhet theksuar, se në atë kohë, dënimi me vdekje përdorej gjerësisht edhe për krime me një rëndësi më të vogël. Duhet theksuar gjithashtu, se nga ana procedurale, procesi ishte në përputhje me ligjet në fuqi dhe me të drejtën mbizotëruese në vendin dhe në kohën zhvillimit të tij. Këto fakte janë përdorur për demagogji dhe në kohë shumë të vona, dhe vazhdojnë dhe sot në vende të ndryshme të botës, duke u mundur të justifikojnë format despotike të pushtetit, me një mburojë formale, procedurale, e korrekte. Gjithsesi nisur nga optika e Inkuizicionit, dënimi i Xhordano Brunos ishte i ligjshëm edhe pse disa mendime dhe veprime të filozofit, në vërtetë mohojnë dogmat themelore të besimit katolik. Duhet nënvizuar fakti, se janë pikërisht premisat, nga të cilat Inkuizicioni, është i papranueshëm për mendimin tonë modern. Në vazhdim nisur nga garancitë e njohura nga Kushtetuta jonë Republikane, e faktikisht, ideja e një Gjykate legjitime, për të gjykuar dhe dënuar, ndërgjegjen, mendimet e bindjet më intime të individit, rezulton absolutisht e pakonceptueshme për kohën tonë. Të gjitha besimet fetare, sot manifestohen lirisht dhe janë të barabarta para ligjit, pasi çdokush ka të drejtë të manifestojë idetë dhe mendimet e veta, si dhe të predikojë lirisht, çdo fe. Nisur nga marrëveshja midis Shtetit dhe institucioneve fetare, sot në shoqërinë tonë moderne, atribuimi i metodave të errëta dhe të paskrupullta, nuk mund të zërë vend në hapësirat e lirisë së jetës sonë të përditshme, pasi asnjë fe nuk mund të jetë fe zyrtare. Në të gjithë shoqëritë moderne, feja është e ndarë nga shteti dhe nuk kemi një fe të shtetit. Përveç ndërhyrjeve të shumta në Legjislacion. Gjykata e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka kontribuar të bëjë efektive, barazinë e disa besimeve para ligjit, si dhe përkrahjen e minorancave fetare, veçanërisht në botën e punës dhe formimit publik. Nën dritën e lirisë së fituar, figura e Xhordano Brunos përfaqëson viktimën e intolerancës dhe justifikimi nuk shkon përtej planit historik. Ai mbetet një luftëtar i panënshtruar, jo vetëm për përmbajtjen e opinioneve filozofike, por dhe ndaj të drejtave të njeriut, “për të kërkuar dhe për të besuar atë që dëshiron, dhe për të mos qenë i detyruar të mendojë atë, që të tjerët, duan që ai të besojë.” Mandoma. Shkodër me ditë të Zotit 20.10.2010
Posted on: Fri, 01 Nov 2013 20:09:28 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015