Parathënie: Vetëm eksplozioni që prodhohet në brendësi të - TopicsExpress



          

Parathënie: Vetëm eksplozioni që prodhohet në brendësi të zemrës, i mundëson shpirtit të shkëlqejë si Diell. Nga : ATHANASE VANTCHEV DE THRACY Laureat i Akademisë Franceze Anëtar i Akademisë Braziliane të Letërsisë Anëtar i Akademisë Evropiane të Artit dhe Letërsisë Anëtar i Akademisë së Edukimit të Lartë të Ukrainës Anëtar i Akademisë Bullgare të Shkencës dhe Arteve “Puna njerëzore! Është eksplozioni që shkul kalbësinë tonë të brendshme kohë pas kohe” Arthur Rimbaud (1854-1891) “Dijeni pra se Dielli është i bukur momenteve të sapo-lindjes, Kur si një eksplozion hedh mbi ne, përshëndetjen e tij të dritës” Charles Baudelaire (1821-1867) Me “Eksplozion”, vëllimin e tij poetik, Albert Nikolla shkrimtar dhe poet shqiptar tejet impresionues, na ofron një sintezë të mendimeve të tij, thënë ndryshe vizionin e tij për Botën. Ka në këtë vargan poezish, një forcë të rrallë, një energji të pazakontë, një entuziazëm dhe dëshpërim shpërthyes, dhe mbi të gjitha një hapje kozmike mbi jetën, që na bën të mendojmë për veprën e vizionarëve gjigandë, siç ishin Arthur Rimbaud (1854-1891), Lautréamont (1846-1870) dhe Ezra Paund (1885-1972). Është një shikim parashikues që autori hedh sa mbi veten, sa mbi shoqërinë në të cilën jeton. Vepra e këtij autori, është një simbiozë e çuditshme, dhe nuk kalon pa më kujtuar gjithashtu Bouwulf, poemën më të madhe epike të letërsisë anglo-saksone, që sipas gjasave është shkruar në mes të shekullit të VII gjer në fund të shekullit të X, e inspiruar nga tradita orale. Një poemë e admirueshme që ri-transkripton epokën gjermanike drejt aq shumë fitoreve dhe shpresave të heroit Beowulf, të cilat janë pasuruar me kalimin e kohës nga përpunimet e stilit kristianik. Koncepti themeltar i vëllimit “Eksplozion”, në analogji me atë që thuhet më sipër, është në të vërtetë një shpërthim dijesh, një shpërthim humori , vullneti të pathyeshëm për të thënë ngjarjet e kohës dhe për të evidentuar ekzistencën në të gjithë format e mundshme. Është gjithashtu një transformacion i shpejtë i një materie poetike që tharmohet falë një fjale thellësisht të frymëzuar, me dendësi të madhe intriguese. Poezia e Albert Nikollës është po ashtu e ngjashme me “Sang-Dragon”, poemën e njohur që nga Antikiteti i Hershëm nën emrin latin “Dracaena Cinnabar”-i, për vetitë e jashtëzakonshme të kurimit. Ashtu si dhe kjo pemë, poezia, ajo e vërteta, ajo e madhja, poezia esenciale ka gjithashtu si qëllim të ngrejë nga ligështia shpirtin e njeriut, t’ia shërojë të gjitha plagët e trupit. Të thuash “Njeriu dhe Bota” , të metamorfizosh njërin, dhe të mbash në shëndet të mirë tjetrin, duket se është qëllimi që na propozon autori. Megjithëse përjetime personale, fjala e tij arrin të hyjë në shqetësimin e çdonjërit prej nesh. Në të gjitha tekstet, Albert Nikolla na beson një ngjarje të lidhur me dashurinë. Dhe kjo ngjarje, reale apo e ëndrrës, fantazmë, rikrijim situate, kalon brenda një çasti në një materie të pafundme, me humnera përgjatë gjithësisë, në vorbulla të errëta përthithëse, me yllnaja. Kjo perspektive kozmike vjen papritur e përzihet me të përditshmen, nëpërmjet një spektakli trivial e të thjeshtë, një spektakli që mund ta shohim në çfarëdo lloj rruge, në çfarëdo lloj sheshi, të çdonjërit prej qyteteve: Kështu pra poeti këndon. “Për katastrofat kozmike të kohës që jetojmë Për mijëra yje që shuhen në shpërthim, Dhe ende pa lindur në harresë shkojnë, Për vajzën që ecën rrugës me delikatesë, Zhytur në ankth pritje, bukuri e trishtim, Për sytë e zi, blu, të kafet, apo të jeshiltë Që dhembjet e mia i shërojnë me dritë...” Forcën e vargjeve të tij, duhet ta kërkojmë në të famshmen “καιρός / κairos” greke “kapja e çastit të volitshëm” . Ky koncept përcakton një moment shkëputje (në një sens apo në një tjetër) nisur nga një bosht apo pikë përqendrimi gjithmonë në rrotullim. Në letërsi ashtu si dhe në gjuhën e përditshme, ky term përcakton një ndryshim esencial, një moment ridimensionimi të një nocioni, të një avancimi apo një rikthimi prapa. Në fund të fundit, ekspresioni “çast ridimensionimi” nuk thotë gjë tjetër veçse “tani është koha e volitshme për të vepruar”. Grekët e antikitetit kanë zotin e tyre Kairos. Ky zot është i mishëruar nga një burrë që nuk ka veçse një cullufe flokësh në majë të kokës. Kur kalon afër nesh ka tre mundësi: 1)Ne nuk e shohim; 2) e shohim dhe nuk bëjmë asgjë; 3)zgjasim dorën dhe kapim cullufen e flokëve të tij, kështu pra ne e shfrytëzojmë rastin. Kairos ka dhënë në latinisht Opportunitas (oportunitet, - kapje e çastit të volitshëm). Albert Nikolla është një njeri që di ta kapë mundësinë poetike me mjaft mjeshtëri. Poet dhe shkrimtar race, e di se fatkeqësia e maturon(E bën më të pjekur) dhe fisnikëron heroin, që bëhet shtyllë e fortë e fatit të legjionit të tij. Në të gjitha poezitë e tij, poeti vë nën kontroll një hapsirë të pafundme në të gjitha planet. Ka në vargjet e tij shpërthime të papritura që na kujtojnë gjeniun e poetëve Williams Carlos Williams (1819-1863), Walt Whitman (1819-1892) dhe Jack Kerouac (1922-1969). Gjithmonë është një “UN”-, njeriu i përjetimeve të përditshme që mënyra e të prezantuarit e transformon shpeshherë në një krijesë fantazmagorike. Pastaj kthehet në “NE”, sepse ajo që ndjen e përjeton, e di mirë që të gjithë njerëzit e kanë përjetuar, po e përjetojnë, dhe do ta përjetojnë në të ardhmen. Më pas në një rrugëtim të ri, nënshkruan me “Un” dhe kjo do të thotë “Ne” në lëvizjen cirkoide të njerëzimit në raport me yjet dhe kozmosin. Dhe habitet nga fakti që “Ne” si njerëzim kemi shumë më tepër të dhëna për gjithësinë, pafund e largët, sesa për atë që është më afër nesh: Teleskopët e botës drejt universit i kanë drejtuar, Po kanë harruar të vënë teleskopë në shpirtin e njeriut, Atje ku misteri i universit me zell ruhet, Dhe ku ëndrrat nisin, rriten shpërthejnë si yje e vdesin, Universi nuk do të ishte, Nëse nuk do ta ngrinte dashuria, Njeriu e ka elementin e rikrijimit brenda vetes. E pikërisht këtu poeti demonstron superioritetin e tij mbi shkencëtarët dhe shkencën humane në aspektin psikik, sepse qëllimi i tij është vënia në vrojtim të teleskopëve, si drejt të universit ashtu edhe drejt shpirtit, në kërkim të një lidhje që i afron dhe i thelbëson. Besimi i tij nuk është siguria absolute, as një ilaçi magjik, por një bast i vënë mbi shpresën. Fjalët e tij, janë po aq afër me ato të Shën Agustinit (354-430) që shkruan: “Vihuni në kërkim, tamam sikur do të gjeni gjithçka, dhe gjeni për të patur mundësinë të zbuloni akoma gjëra të panjohura”. Kjo kredo e poezisë së Nikollës, ngjan gjithashtu me atë të filozofit francez Lucien Jerphagnon (1921-2012): “Ruaj brenda vetes një zonë të paprekshme, një pronësi magjike shpirtërore” Por, i vendosur mes mikrokozmosit të tij, burim i të gjithë shkëlqimeve të tij, i mbështetur në fjalët dhe universin, mbi të cilin hap shtigje për shikimin të tij poetik, Albert Nikolla ngjizet gjithashtu edhe në “Eksplozionet” (Shpërthimet) si një topograf i Botës në planin universal. Eksploron dhe demonton të dyja botët, në të vërtetë: botën psikike dhe botën gjeografike, me një preferencë për majat e paarritshme dhe humnerat e pafundme, vorbullat përthithëse oqeanike dhe pyjet e pamata, ku dreri kthehet në objekt gjuetie për gjuetarët. Dhe, për atë që është botë e krijuar nga duar e njerëzve, një vend të veçantë në poezitë e poetit tonë, zënë pikërisht Piramidat, këto vende monumentale, që na kujtojnë lodhjen e pafundme por njëkohësisht edhe madhështinë e njeriut. Por dhe piramidat, stigmatizohen jo rrallë, për shkak të madhësisë dhe peshës së tyre, në favor të një të ngrëni të shijshëm mbi barin e gjelbër, frymëzim real dhe i pavdekshëm edhe në veprën e Edouard Manet (1832-1883). E ndjejmë se tema e të ngrënit është një lloj madeleine erotike tek Marcel Proust (1871-1922) me epshin, dashurinë e marrë në të gjitha aspektet; sensualitetin delikat, -element që qartësisht vihet re në thellësi të pushtetit emocional që transmeton çdo poemë e gjatë apo e shkurtër në krijimtarinë e poetit tonë, e që mund të thelbësohet në shprehjen : Albert Nikolla dëshiron të jetë një Théophraste (Teofrat- filozof athinjot , nxënës i Aristotelit 371 -287 para Krishtit) modern, një orator divin, falë disponibilitetit të pafund të shpirtit të tij kurioz. Në aspektit e botës psikike, qasja e Albert Nikollës është e ngjashme me atë të Ezra Paund, pasi udhëton në jetën njerëzore të krijesave të lindjes e të perëndimit, nga polet në Ekuador. Këtu ai është provë e një fati të parathënë rreth kontrasteve, dhe nuk nguron të zhytet në ngjarjet më të zakonshme; guxon gjer edhe të na tregojë ngjarje rrëqethëse të TV-ve sharlatane dhe të revistave populiste. Në të njëjtën kohë, ngrihet në një nivel shumë më të lartë sesa ç ’prodhon njerëzia. Lexuesja e “Voici” mahnitet nga zanat dhe gërshetëzat . Gruaja shtëpiake, një bukuri e pamend, provokuese dhe joshëse e revistës , gjendet përballë një Afërdite Poetike që poeti i krijon si kontrapunkt. Albert Nikolla i njeh mirë rolin e plagëve të tij të së kaluarës, tiraninë së ekzistencës së papëlqyer e të vështirë. E di mirë se ka mes nesh, kujtime që janë si gurëzit e mprehtë në shollën e këpucës. Këtu kemi të bëjmë me një farë obsesioni tipik që gjendet tek poetesha angleze Katherine Fowler Philips (1631-1664) thënë tek “E pafuqishmja Orinda”, e ripërsëritur si fenomen poetik në “O vetmi, zgjedhja ime e ëmbël”, e muzikuar nga Henry Purcell (1659-1695). Kjo poezi, plot me emocion shpërblen të gjitha dituritë. Viktime e pamëshirshmërisë së jetës, Albert Nikolla provon një dëshpërim të thellë përballë fëlliqësisë, nënshtrimit dhe lakmisë së njeriut. Shpirti im vuan nga mizerja e njerëzimit, Nga mungesa e origjinalitetit, Jemi krijesa mishngrënëse , Që shqyejmë shpresat me idhësisht, Nuk kemi dashuri për jetën e shenjtë, Dhe mrekullia e krijimit na braktis ... Albert Nikolla, përshkon me të njëjtën shpejtësi dhe ekzaltim hapësirën dhe kohën. Shkon me një mbyllje qerpiku, tek Lucy i lashtë dhe Eva e së ardhmes, duke e konsideruar në çdo etapë femrën si yll polar të gjithçkaje që ekziston. Dhe është pa dyshim ky koncept që krijon tek ai, entuziazmin lirik që shend-e-veron të gjitha poezitë e tij dhe bën të lindin nën penën e tij imazhe te pashlyeshme. Celebron në të njëjtën lëvizje të zemrës , forcën ndarëse të individit prej hapësirës, dhe e bën atë unik, duke e vendosur në log un e madh. Ja pushteti i pafund që i jep një individi të vetëm, kur shkruan: « Mjafton që të mbyllen qerpikët, Për tu shuar gjithë njerëzimi» Mrekullia qëndron në faktin e transformimit të jetës së tij në një vazo kristali, vendosur përballë një oxhaku familjar plot ngrohtësi. Por kërkon gjithashtu dhe shenjtëri në sjellje. Pa këtë shkundje dritëdhënëse të shpirtit, jeta jonë rrezikon të kthehet në terror me pamjet e përditshme të qyteteve misteriozë dhe të zymtë. Pafuqia thërret vazhdimisht për të shkuar drejt vorbullës së saj thithëse. Dhe vetëm një besim i lartë divin, mund të na shpëtojë nga rënia. Një besim diellor, që i lejon poetit të kuptojë përmasat e varfërisë së tij. Në këtë vëllim që inspiron plotësinë, Albert Nikolla shpreh të gjithë elementët emocionalë të njeriut,, që nuk është asgjë përpara turmave dhe shtrirjes së botës, por që mjafton një gjest i pastër për tu lidhur me gjithë forcën dhe hapësirën dhe për ta dominuar. Kjo në saj të një teknike speciale që autori zotëron: “Mbyll sytë. Dhe kthehu në kozmos, ti vetë”. Ky pushtet u është dhënë veçse atyre që dashurojnë vërtet, atyre që kanë një zemër mbushur me mirësi e butësi: « […] dashuria, Është misteri i mistereve Ajo, që riprodhon jetën në përjetësi… » Madhërimi i dashurisë, i pushtetit të njeriut që realizohet vetëmse nëpërmjet ndjenjave të paqarta dhe vështirësisht të kontrollueshme , nuk është veçse një lloj nitroglicerine që shkakton shpërthime. Eksplozione të dhunshme , por gjithashtu eksplozione krijuese, të konsumuara nga kush; thelbësisht nga Big-Bang-u. Ja pse e quan kështu vëllimin e tij me poezi, buqetë të një evolucioni lirik dhe të një vizioni të denjë për Pythie ose Sybille, pa harruar titujt vërtet me shije, aq çmendurakë dhe njëkohësisht të menduar thellë. Nuk është e vështirë të kuptohet që shpirti, në forcën e dritës për të qenë i përkryer, të vendos mbi mijëra pamundësi!... Dija e heshtur nën sulmin e frikës dhe shkatërrimit njeh forcën e eksplozionit dhe dhembjes, që është njëkohësisht graviteti i vërtetë i gjërave! PARIS, MAJ 2013 Përktheu nga Frëngjishtja: JETON KELMENDI
Posted on: Thu, 26 Sep 2013 21:02:54 +0000

Trending Topics



e="min-height:30px;">
This is very interesting and worth sharing especially from a Town
MOONEY MOONEY: A multiple vehicle accident on the M1 Pacific

Recently Viewed Topics




© 2015