Pas një polemike në statusin e z. Reshat Kripa (fejsbuk) rreth - TopicsExpress



          

Pas një polemike në statusin e z. Reshat Kripa (fejsbuk) rreth shkrimit tim adresuar atij, konstatova se ai shkrim qenka zhdukur nga statusi im këtu. Për pamundësi verifikimi nuk mund të akuzoj njeri për këtë akt të ulët, por po e publikoj përsëri atë shkrim sot, meqenëse z. Kripa ka dhënë fjalën në një koment se do ta publikojë atë në stasusin e tij, ashtu siç kam pranuar unë që ai ta postonte shkrimin e tij në kohështrirjen time (lexoni djathtas: është i pari në krye të postimeve të fundit). Rreth «THIRRJES» për bashkim drejtuar kryesive të shoqatave të (ish)të Burgosurve e të Persekutuarve Politikë Shqiptarë. I Kisha premtuar një cikël shkrimesh, në një rubrikë të posaçme, për të hedhur dritë mbi disa aspekte të rolit grevëthyes të individëve të ndryshëm (ish)të persekutuar në kuadër të «misionit Berisha» për përçarjen dhe mbajtjen nën kontroll të shtresës tradicionalisht antikomuniste. Mirëpo nisur prej disa mesazheve që kam marrë gjatë kësaj periudhe, kam konkluduar se sa më shumë ta shtjellosh një temë shoqërore delikate, aq më pak thellohen njerëzit në konceptimin e drejtë të saj dhe aq më tepër justifikime pa bazë sajojnë për ta paragjykuar atë konform ndjenjave të tyre, pa e lodhur fare logjikën, madje edhe pa e lexuar shkrimin. Në këto rrethana, e quaj domosdoshmëri ndryshimin taktik të komunikimit për çështjen në fjalë, duke e reduktuar gjithçka në shkrimin e sotëm me dy pjesë. Kuint-esencën e asaj çka dua tiu transmetoj gjithë të interesuarve për këtë çështje të rëndësishme do ta gjeni në një material të shkurtër prej 6 pikësh që unë po e vendos në mbyllje të pjesës I, i cili mund të lexohet pa lodhje edhe prej ndokujt që preferon vetëm stilin telegrafik të të shprehurit. Ai do të jetë i pajisur me fakte të njohur e të jetuar prej të gjithëve dhe, rrjedhimisht, i pamundur për tu kundërshtuar edhe prej më tendenciozit të atyre që nuk do tiu pëlqejë. Meqenëse ka akoma njerëz që nuk duan ta pranojnë ekzistencën e projektit gorbaçovian «Katovica» për pluralizmin ala-komunist (se siu intereson), unë po u them atyre: «Dakord jam me ju [kundër realitetit]; ai projekt nuk ekziston. Por, historikisht, cila diktaturë e ka dorëzuar pa luftë pushtetin? Si do ta bënte një marrëzi të tillë vetëvrasëse pikërisht diktatura komuniste shqiptare, e zhytur deri në grykë në gjak e krime dhe e pangopur asnjëherë me pushtet?» Pra, është më se normale që Ramiz Alia (si çdo diktator, jo vetëm ata komunistë) të bënte të gjitha përpjekjet dhe investimet e domosdoshëm me vejushën Hoxha e bandën e tyre gjakatare për mbijetesën e regjimit komunist me makijazh bashkëkohor «pluralist». Vetëkuptohet edhe nga më naivi se fatlumi Berisha, me stazh punist çerek-shekullor, i stërvitur posaçërisht para shpalljes së «pluralizmit» dhe i kontrolluar nga afër prej Sigurimit, ishte misionari i uzurpimit të krahut të djathtë të spektrit politik shqiptar dhe i shkatërrimit ekonomik, politik e shoqëror të shtresës së vërtetë antikomuniste shqiptare. Mjerisht, ky mision u realizua plotësisht nga Berisha dhe sot përbën një realitet të shkruar me shkronja të mëdha për të gjithë ata që kanë sy. Gjithmonë jam habitur kur kam dëgjuar ish-të persekutuar të shpreheshin «na tradhtoi Berisha!» dhe kam reaguar ndaj tyre me këto fjalë: «Berishën ne mund ta akuzojmë për shumë gjëra, por kurrsesi për tradhti ndaj nesh. Ai nuk i përket shtresës sonë të persekutuar, por shtresës së persekutorëve komunistë. Prandaj ai mund të quhej me të drejtë tradhtar prej komunistëve, në qoftë se do të bëhej vërtet me ne. Tradhtarët e shtresës sonë janë (ish)bashkëvuajtësit tanë që u lidhën për karrierë e interesa materiale pas qerres së Berishës, kundër shtresës së tyre». Po si mundi ta realizonte misionin e tij, të ngarkuar nga Ramizi, ish-sekretari pasionant i PPSH, Berisha, në mes të ish-armiqve të partisë së tij gjakatare, të cilëve u takonte historikisht krahu i djathtë i spektrit politik që donte të uzurponte ai? I Madhi Gandi na mëson: «Asnjë shtypës nuk mund tia arrijë dot qëllimit pa një minimum bashkëpunimi, vullnetar apo të detyruar, nga ana e viktimës së tij.» Për këtë kishin menduar me kohë Ramizi dhe Sigurimi, mbasi ata e dinin mirë se faza më e rëndësishme për suksesin kombëtar e ndërkombëtar të misionit të Berishës ishte pikërisht ajo e «mikëpritjes» prej viktimave të PPSH. Operativët e Sigurimit kishin nisur kontaktet në fshehtësi me «klientët» e tyre ish-të burgosur apo të persekutuar politikë, duke i thirrur ata me pseudonimin përkatës. Në njërën anë u tregohej kërbaçi (publikimi diskreditues i dosjes së bashkëpunimit) dhe nga ana tjetër kulaçi: përfitimet materiale e karrieriste që do të kishin duke mbështetur sa më shumë «demokratin» Berisha e duke luftuar me të gjitha mënyrat e mjetet e mundshëm ata të burgosur e të persekutuar politikë që do ti kundërviheshin sekretarit të byrosë universitare të PPSH. Për (ish)të burgosurit e të persekutuarit politikë, të cilët nuk kishin vetë dosje dhe parashikoheshin si të dobishëm për mbështetjen e partisë së «misionarit», presioni psikologjik ushtrohej me dosje familjarësh problematikë (gruaja, vajza, motra, nëna), duke e shoqëruar atë gjithmonë edhe me «kulaçin»: premtimet për karrierën që i priste, përfitimet materiale në kuadër të privatizimit dhe perspektivën familjare me punësim e trajtim në përgjithësi. Si pasojë e kësaj veprimtarie të kobshme në një Shqipëri ku një e katërta e shtetasve ishte me dosje bashkëpunimi me Sigurimin (sipas deklaratave entuziaste të liderëve të MP të Brendshme të asaj kohe), dhe ku injoranca bën kërdinë, misionari Berisha i gjeti me shumicë vullnetarët-bashkëpunëtorë në radhët e (ish)të burgosurve e të persekutuarve politikë; për fatkeqësinë e shtresës së persekutuar antikomuniste dhe të gjithë shoqërisë shqiptare. Dihet se kur bëhet fjalë për parti apo për shoqata në Shqipëri, nënkuptohen automatikisht kryesitë e tyre qendrore, të cilat veprojnë në emër të këtyre partive apo shoqatave pa e përfillur fare zërin (shpesh inekzistent) të anëtarësisë së tyre. Megjithëse thirrjen dashamirëse, për ti dhënë fund përçarjes me rastin e mbylljes së «epokës Berisha», unë ua kisha adresuar kryesive të të gjitha shoqatave ekzistuese, shkaktarja e vërtetë e përçarjes dhe e shkatërrimit të shtresës së persekutuar nga diktatura është vetëm një: Shoqata Antikomuniste e të Përndjekurve Politikë Demokratë. Kjo Kolonë e Pestë e përbetuar berishiane në radhët e fatkeqëve të persekutuar pa mëshirë pardje, dje dhe sot, ka vepruar në emër të shtresës së persekutuar, kundër interesave jetikë të kësaj shtrese. Ashtu si partia e idhullit të saj, enveristit me maskë Berisha, shkatërroi demokracinë shqiptare «në emër të demokracisë» e në bashkëpunim të përhershëm në prapaskenë me enveristët pa maskë të PS. Kryesia e Shoqatës Antikomuniste e të Përndjekurve Politikë Demokratë (me kryetar z. Reshat Kripa) mban përgjegjësi të plotë politike, morale, shoqërore e historike, para shtresës së sakrifikuar antikomuniste dhe gjithë popullit shqiptar, për bashkëfajësi të vullnetshme me enveristin fanatik Sali Berisha – misionarin e Ramiz Alisë – në këta krime me përmasa kombëtare: 1 – Ruajtja me fanatizëm e titullit «Hero i Popullit» të Varrmihësit të Kombit e të Popullit Shqiptar – Enver Hoxha. Në qoftë se kryesia e shoqatës në fjalë do të kishte qenë me të vërtet pro heqjes së atij titulli Diktatorit (veprim që do ta divorconte patjetër nga padroni i saj Berisha), ajo do të kishte bërë çmos për një gjë të tillë në të gjitha format paqësore dhe, në pamundësi për tia arritur qëllimit, duhej doemos të distancohej qartë e prerë nga pushteti abuziv neokomunist i misionarit të Ramiz Alisë. Është logjikisht e pakonceptueshme dhe praktikisht e pamundur që të jesh njëkohësisht edhe me agresorin enverist Berisha, që i mbrojti me fanatizëm titullin e lartë honorifik babait të tij shpirtëror për 22 vjet me radhë, edhe me viktimën: shtresën e persekutuar egërsisht nga «Heroi i Popullit» në fuqi. 2 – Mohimi i së drejtës legjitime të mijëra të pushkatuarve antikomunistë, me gjyq e pa gjyq, për të pasur një varr në tokën amëtare: një akt barbar i pashembullt në kohën tonë. Aq më tepër që këta mijëra viktima të diktaturës së çmendur sllavo-komuniste janë amnistuar me ligj nga demokratura rozë e blu prej 22 vjetësh dhe, teorikisht, u njihet po me ligj edhe e drejta e dëmshpërblimit. Kryesia e shoqatës së lartpërmendur proberishiane i ka ngritur themelet e karrierës dhe të interesave të saj të ulëta materiale pikërisht mbi këtë mal eshtrash «të amnistuara» të atdhetarëve të pafajshëm, duke qendruar e qetë dhe e kënaqur nën sqetullat mëkatare të Berishës. Në teori këta pehlivanë të servilizmit shtetëror hiqen sikur janë me viktimën, ndërsa në praktikë kanë qenë e janë bashkëpunëtorë besnikë të Berishës në krimet e tij në dëm të shtresës tradicionalisht antikomuniste. 3 – Vjedhja e pronave të pronarëve të ligjshëm prej misionarit të Ramizit dhe përvetësimi i tyre prej neokomunistëve blu e rozë. Ky akt thellësisht antishqiptar, antikombëtar e antinjerëzor, krijoi një shtet hajdutësh e mafiozësh që e kanë nxjerrë Shqipërinë në ankand të mafies botërore. Kryesia e shoqatës në fjalë lëshon herë pas here ndonjë tullumbace për «kthimin e pronës tek i zoti» sa për të shplarë gojën, pa hequr dorë kurrë nga flirti politik me Berishën e PD, duke u deklaruar publikisht me kënaqësi si bashkëpunëtore e tyre besnike në të gjitha prapësitë. Kjo veprimtari djallëzore e dashakeqe e ka emrin «prostitucion politik», i cili është rreptësisht i dënueshëm në çdo shoqëri sadopak të qyetetëruar. 4 – Mashtrimi i të burgosurve politikë për dëmshpërblimet e dënimeve dhe ndihmën e premtuar për integrimin e vonuar në shoqëri. Në këtë çështje kryesia e shoqatës proberishiane është treguar aq cinike ndaj (ish)bashkëvuajtësve të saj, sa edhe kur heroi Lirak Bejko bëri harakiri duke u vetëdjegur publikisht, i pikëlluar nga kushtet e vështira të jetesës dhe premtimet tallëse të enveristit Berisha, ajo e akuzoi se Ai dhe shokët e tij të grevës së urisë bënin lojën e PS!? I masnin me kutin e tyre, që u është bërë gjuha shollë duke lëpirë këpucët e idhullit enverist prej 22 vjetësh. 5 - Mosdistancimi i kryesisë së asaj shoqate nga Berisha dhe partia e tij mëkatare pas ngjarjeve tragjike të vitit 1997 është një njollë turpi e krimi për të. «Thuam se me kë rri, të të them se cili je », thotë populli. Autorët e vërtetë të vrasjes së katër mijë shqiptarëve dhe shkatërrimit të shtetit më 1997 janë dy partitë e krijuara nga R. Alia dhe Sigurimi: PD, që ishte në pushtet, dhe PS në opozitë. Në qoftë se ndonjëra prej këtyre dy bandave kriminale partiake do të kishte qenë me duar të pastra (supozim utopik), ajo do ta kishte çuar patjetër para drejtësisë bandën tjetër, mbasi krimet nuk parashkruhen. Kryesia e shoqatës së lartpërmendur i njeh dhe i kupton shumë mirë këto të vërteta të hidhura, por ajo tashmë është pjesë e patjetërsueshme e klanit mëkatar Berisha. 6 - Mosdistancimi i kryesisë së shoqatës në fjalë nga Berisha pasi Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë pezulloi Paktin Detar antishqiptar me Greqinë me unanimitet votimi (9 : 0). Ky vendim i gjykatës më të lartë shqiptare nuk ishte asgjë më pak juridikisht sesa një akuzë për tradhti kombëtare (shitje territori shtetëror) ndaj misionarit të Ramizit dhe autorëve të marrëveshjes së fshehtë me Greqinë, kryesori prej të cilëve përfaqëson aktualisht atdheun e tradhtuar në NATO !? Kryesia e shoqatës së lartpërmendur nuk ngurroi të mbetej ortake e Berishës edhe në këtë tradhti kombëtare. Kryesia e Shoqatës Antikomuniste e të Përndjekurve Politikë Demokratë nuk mund ta ndajë dot kurrsesi fajësinë e saj të rëndë me përmasa krimi, të shtrirë në mbi dy dekada, me shoqatat e tjera homologe, mbasi ajo, falë ndihmës së pakursyer të pushtetit neokomunist blu të cilit i shërbente besnikërisht, e paralizonte veprimtarinë e shoqatave të tjera me anën e «Makinerisë së Përbaltjes të pushteteve mafiozë» [Roberto Saviano] – një armë që pushteti abuziv i Berishës e ka përdorur në përmasa të gjera. Për Z. Reshat Kripa, Lexova një shkrimin tuaj të ditëve të fundit, i cili ngjante me një të folur përçart për këto arsye: 1 – Pasi jeni pajtuar për 22 vjet me mbrojtjen e titullit «Hero i Popullit» të diktatorit Hoxha prej idhullit tuaj Berisha, ju u kërkoni tani në mënyrë ultimative enveristëve pa maskë të riardhur në pushtet (vetëm dy muaj më parë) që tia heqin atë titull babait të tyre. Ju mund të thoni: «Ne e kemi ngritur zërin disa herë për këtë çështje, por idhulli ynë enverist nuk dëgjon nga ai vesh». Atëherë pse nuk distancoheshit prej atij keqbërësi, për të mbrojtur të paktën dinjitetin e nëpërkëmbur si Shqiptar me rini të copëtuar prej «Heroit të Popullit»? Kujt ua kërkoni ju tani (pas 22 vjetësh «demokraci» !) heqjen e titullit të Enverit, djalit të madh të Diktatorit, Ilir E. Hoxhës, dhe Marko Dajtit - liderë të PPSH e Rindërtuar (që janë aleatë të Edi Ramës), të cilët kanë paraqitur kërkesë zyrtare pranë qeverisë rozë për rivendosjen e monumentit të Enverit në qendër të Tiranës? Unë e di mirë që ju këtë nuk e bëni se ju shqetëson vërtet turpi kombëtar i mbrojtjes zyrtare të atij titulli makabër (po tju shqetësonte ky turp, ju do të ishit ndarë prej kohësh nga enveristi me maskë, Berisha, dhe do të ushtronit si shoqatë veprimtari të pavarur prej tij), por siç duket keni marrë ndonjë sinjal prej idhullit tuaj që të parapërgatisni terrenin për protesta apo ndonjë grevë urie kundër qeverisë rozë, jo për kërkesat që i përdorni si justifikim në pamje, të cilat Berisha vetë i nëpërkëmbi me ndihmën e shoqatës suaj për 22 vjet, por për ti bërë qejfin plakushit cinik të flakur nga «Kupola» si limon i shtrydhur e që po i kalon ditët e trishtuara para fejsbukut. Mua si vlonjat më vjen keq që Ilir Hoxha të gajaset me shkrime të tillë tuajt, mbasi para tre vjetësh unë kam publikuar një letër të hapur, ku denoncoj veprimtarinë agjenturore të babait të tij dhe të atij vetë me prova e fakte të shumtë (ka shumë më tepër të papublikuar akoma), vërtetësia e të cilëve mund të verifikohet pa vështirësi prej çdo të interesuari. Besoj se do të keni dëgjuar ndonjë fjalë për atë letër, e cila u drejtohej gjithë shqiptarëve, pra edhe juve vetë. Duhet të jeni i sigurt se Toni Bler nuk largohet asnjëherë nga Tirana (kur vjen aty), pa marrë një kafe në mënyrë sekrete me Ilir Hoxhën. Megjithatë e kam të qartë që veshët tuaj janë mësuar të dëgjojnë vetëm zërin e Berishës për të vërtetat e politikës shqiptare. Në shkrimin tuaj në fjalë, ju i kërkonit qeverisë rozë që të merrte masa të menjëhershme për gjetjen e eshtrave të mijëra të vrarëve me e pa gjyq nga «Heroi i Popullit» të Saliut. Sigurisht që kjo kërkesë e dhimbshme është tejet e ligjshme, por tingëllon edhe po aq qesharake kur bëhet pikërisht nga ju që nuk keni dashur tia prishnit kurrë qejfin Berishës gjatë 22 vjetve për zgjidhjen e këtij problemi lehtësisht të zgjidhshëm, ndërsa tani e trashni zërin me «opozitarët» e tij të sapoardhur në pushtet, pët ti bërë qejfin Kapobandës tuaj. Të njëjtat fjalë mund të thuhen edhe për kërkesën e ligjshme lidhur me dëmshpërblimet e ish-të burgosurve politikë, të cilët kanë votuar gjithmonë Berishën me shpresën e dëmshpërblimit. Por meqenëse ju, aristokracia e të persekutuarve, jeni super-shpërblyer nga idhulli juaj për shërbimet e çmuara ndaj tij e në dëm të shtresës që i përkisni, do të bënit mirë të mos vazhdoni të talleni akoma me këta fatkeqë, të cilët realisht nuk përbëjnë më shtresë pas 22 vjet vjedhjesh, mashtrimesh e keqtrajtimesh nga idhulli juaj, që e kishte mision këtë prapësi. Nuk mund të quhet më shtresë ajo e pronarëve të ligjshëm, të cilët i rishpronësoi Berisha me mbështetjen tuaj e i la rrugëve me gisht në gojë. Shumica e tyre luftojnë për një mbijetesë të vështirë në Shqipëri (ashtu si edhe ish-të burgosurit e të persekutuarit politikë), ose kanë marrë arratinë pa ditur ku të shkojnë. Me pronat e tyre u pasuruan e po pasurohen neokomunistët blu e rozë, që u bënë milionerë e multimilionerë, falë edhe ndihmës tuaj bujare si renegatë të shtresës që i përkisni. Pronarët e ligjshëm dhe (ish)të burgosurit do të përbënin vërtet shtresë, në qoftë se të parët do të kishin marrë pronat para 20 vjetësh e do të ishin pasuruar me trashëgiminë e ligjshme dhe me djersën e tyre, ndërsa të dytët po të ishin dëmshpërblyer para 20 vjetësh sipas kuotave evropiane dhe po të ishin ndihmuar realisht nga shteti «demokratik» për tu integruar në shoqëri. Atëherë, si të parët dhe të dytët, do të ishin organizuar politikisht dhe krahu i djathtë i spektrit politik shqiptar do të përfaqësohej prej tyre e jo prej enveristëve blu me maskë tashmë të grisur. Për të mos ndodhur pikërisht organizimi i tyre politik një ditë, misionari i Ramizit dhe ju përkrah tij i keqtrajtuat me egërsi si pronarët e ligjshëm edhe të burgosurit e të persekutuarit qysh në agim të «demokracisë». Prandaj mos u tallni më tej me ata fatkeqë të katandisur në fantazma të një shtrese që «...na ishte njëherë», ndërsa ju kapardiseni prej dy dekadash si artistokraci e atyre të mjerëve. Ata vetëdigjen të mbytur nga mjerimi e nga depresioni i shpresëhumbjes e ju i përbuzni, ndërkohë që aventurierët e mafies blu, me të cilët ju bashkëjetoni në orgji politike, paguajnë 6,5 milionë euro për të sjellë skuadrat e mëdha të futbollit evropian në stadiumet pa drita të idhullit tuaj enverist. Mjaft më, mos ua lëndoni plagët të mjerëve duke folur në emër të tyre, pasi kontribuat aq shumë për shkatërrimin e atyre fatkeqëve që mezi sigurojnë copën e bukës për familjet e jo të bëjnë më shtresë shoqërore reale! Në shkrimin tuaj ju pretendonit se në Shqipëri ka vetëm një shoqatë të persekutuarish politikë: kolona e pestë berishiane e kryesuar nga ju. Këtë pretendim e mbështesnit në arsyetimin qesharak se vetëm ajo shoqatë na qenka e regjistruar në Berlin, sigurisht me ndihmën e idhullit tuaj. Këtij arsyetimi i mungon baza juridike: çdo shoqatë e njohur me vendim gjykate dhe e regjistruar sipas rregullave ka të drejtën e ushtrimit të veprimtarisë përkatëse, pa qenë aspak e detyruar të regjistrohet në ndonjë institucion ndërkombëtar. Nëpërmjet shtypit, unë jam në dijeni se në Tiranë vepron të paktën edhe një shoqatë tjetër e kryesuar nga Besim Ndregjoni; ndofta ka edhe të tjera. Madje kur z. Ndregjoni është akuzuar në media për falsifikimin e dëshmisë së persekutimit të babait të tij (nga i dënuar ordiner në politik), idhulli juaj nuk e ka ndryshuar qëndrimin ndaj atij dhe një rrugë e Tiranës mban edhe sot emrin e babait të z. Ndregjoni. Unë nuk jam në dijeni të së vërtetës së kësaj çështjeje (shtypi shqiptar më shumë dezinformon, sesa informon), por jua përmenda këtë si argument për tju thënë se ju nuk mund ta mohoni dot ekzistencën e një shoqate, të cilën e ka njohur edhe vetë Sulltani juaj. Pra, nuk varet nga dëshira juaj, por nga ligji, njohja apo mosnjohja e shoqatave në fjalë. Ju jeni mësuar të tundni gjithmonë tapitë e përfaqësimit të shtresës së persekutuar falë mbështetjes së fuqishme të pushtetit abuziv të Berishës dhe mediave të tij zhurmuese, por në të vërtetë edhe termi «Demokratë» në fund të emërtimit të shoqatës suaj tregon qartë se ajo ka qenë dhe është më shumë një seksion i PD, sesa një shoqatë e mirëfilltë. Lidhur me anëtarësinë e shoqatës që drejtoni, pretendimi juaj është pa bazë reale: në një kohë që nga stani i shthurur blu po largohen një e nga një edhe deputetët, ndërsa anëtarësia e partisë po i bashkëngjitet me duzina bandës tjetër LSI, ju keni si anëtarë shoqate vetëm personat e punësuar. Por edhe këta nuk do ti keni për kohë të gjatë në këtë stinë me erëra të pafavorshme për ju. Ndonjë lexues i rastësishëm i shkrimit tuaj në fjalë mund të ketë menduar: «E paska mposhtur skleroza e moshës Reshatin, sipas këtyre dokërrave që ka këputur». Por nuk është fare ashtu; unë ju njoh mirë. Edhe në moshën që keni aktualisht, juve nuk ju mungon as intelekti, as qartësia e të kuptuarit të realitetit të zi shqiptar (të cilin e percepton mjaftueshëm edhe një analfabet) dhe as kapaciteti logjik për ta analizuar drejt atë. Por ndërgjegjja juaj ka bërë një kompromis të rëndë në dëm të moralit e në dobi të interesit qysh në nisjen e proceseve të «pluralizmit ramizian» dhe, që atëherë, ju keni manifestuar një berishizëm ekstrem të pakushtëzuar, ngaqë ishit i bindur se kazani blu kishte thela, por kapaku i tij mund të hapej për secilin vetëm me autorizim të Berishës. Së bashku me disa (ish)të burgosur të tjerë politikë anëtarë të kryesisë së PD dega Vlorë, ju zgjodhët në mënyrë klandestine kryesinë e shoqatës së të burgosurve e të persekutuarve politikë të rrethit të Vlorës, pa lajmëruar shumicën e (ish) të persekutuarve dhe të të burgosurve politikë, veçanërisht ata persona që e parashikonit se do tju bëheshin pengesë në planin tuaj për ta kthyer atë shoqatë në një apendis të PD. Për ta konkretizuar sa më qartë aneksimin e kësaj shoqate, ju e strehuat kryesinë kukull (së cilës ia jepte tonin grupi juaj që ishit njëherësh edhe anëtarë të kryesisë së PD) brenda në selinë e partisë suaj. Kur shumë (ish)të burgosur e të persekutuar protestuan për mënyrën e zgjedhjes së asaj kryesie vasale të PD, ju aktivizuat një grup «gardistësh» ordinerë (që i gënjenit me nga një thes miell të ndihmave humanitare të atëhershme) të cilët gjoja «ruanin rregullin» në selinë blu, ku dergjej edhe skllavja kryesi e shoqatës së të burgosurve e të persekutuarve politikë vlonjatë. Vetëkuptohet që kjo nuk ishte thjesht vepra e juaj si grup, por kryesisht e strategëve të Sigurimit që vigjëlonin për shtrimin e rrugëve me qilima të misionarit të Ramizit, i cili do të bëhej engjëlli mbrojtës i tyre në atë udhëkryq të rëndësishëm politik, ashtu siç u bë në realitet edhe me kontributin tuaj të zi. Më 21 maj 1992, me rastin e 19 vjetorit të Revoltës së Spaçit, unë shkrova tek gazeta «Balli i Kombit» një artikull të gjatë me titull: «Pajtimi Kombëtar dhe Kriza e Besimit». Një muaj më parë, idhulli juaj ishte zgjedhur president i vendit, të cilin do ta çonte në greminë pas pesë vjetësh. Në fjalimin inaugurues ai pati kurajon e pacipë të shqiptonte fjalët provokuese «Jemi të gjithë bashkëfajtorë e bashkëvuajtës», të cilat personalisht i konsiderova një shuplakë morale të padurueshme. I rritur nëpër kampe shfarosës internimi që nga foshnjëria - 2 vjeç, e i thinjur nëpër burgje, unë nuk mund të pranoja kurrsesi në heshtje bashkëvuajtjen dhe bashkëfajësinë me ultrakomunistin e llastuar nga PPSH. Do tia ktheja reston siç e meritonte, kundrejt çfarëdo çmimi që do të më duhej të paguaja në atë valë dalldie blu të turmave që besojnë se çdo gjë që fluturon haet. Në artikullin në fjalë [gazeta «Balli i Kombit», 21 maj 1992, faqe 4: Biblioteka Kombëtare, Tiranë], midis të tjerash, i thosha idhullit tuaj: «Është absurde të pretendohet se ju paskeni qenë bashkëvuajtësi ynë në burgjet shpirtmarrës të PPSH, ndërkohë që bridhnit me urinën e Enverit në xhep për ti bërë analizat nëpër klinikat më të mira të Evropës e të botës, dhe se ne paskemi qenë bashkëfajtorë me sekretarin e byrosë së PPSH të universitetit, që urdhëronte tiu priteshin flokët studenteve e studentëve që manifestonin sadopak modë». Artikulli në fjalë (që do të pasohej nga shumë të tjerë në vijim) u cilësua «heretik», i papranueshëm, armiqësor, nga PD e Vlorës dhe ajo e kryeqytetit. Ishte koha kur PD ngjante me një ortek turmash laragane dhe emri i Presidentit të parë «demokrat» krahasohej me atë të Ataturkut prej syveshurve delirantë. Në ato ditë të nxehta të fundmajit 92, nuk qenë të pakët PD-istët fanatikë që, kur kryqëzoheshin me mua rrugëve të Vlorës, më «këshillonin» të bëja një vizitë tek psikiatri. Isha i bindur se njëra palë kishte me të vërtet nevojë për një vizitë të tillë, por se kush, këtë do ta tregonte e ardhmja. Gjithsesi, ky zemërim masiv ndaj meje shpejt u zyrtarizua. U urdhërua të merreshin doemos masa kundër autorit «anormal» e rebel të atij artikulli. Nuk i kisha plotësuar tre vjet që kisha dalë nga burgu dhe sapo kisha krijuar familje me vonesë në kushte të papërshtatshme banimi, siç e dinit shumë mirë ju, z. Reshat. Kisha filluar punë si llogaritar në bllokun e vilave të Ujit të Ftohtë në Vlorë me një rrogë të dobët, por me kushte të mira për të studiuar, mbasi kisha filluar me korrespondencë fakultetin e drejtësisë. Gjithmonë kisha ëndërruar për një diplomë të merituar e jo të dhuruar, të cilën mund ta kisha marrë edhe me ndonjë kurs tremujor tek Plepat e Durrësit. Ndodhesha në këto kushte jetese, kur u njoftova se kundër meje ishte parashikuar të zhvillohej një seancë e fortë ballafaqimi [eufemizëm i fjalës «gjyq»] në zyrën e kryetarit të bashkisë së Vlorës, Elham Sharra. Kur u paraqita atje kuptova, nga pozicioni i uljes së të pranishmëve, se gjyqtarë të seancës do të ishin dy më të mëdhenjtë e Vlorës për kohën: Kryetari i Këshillit të Rrethit, Agim Kadiu, dhe Kryebashkiaku i sapopërmendur. Anëtarë jurie me të drejtë vote do të ishin zotërinjtë: Reshat Kripa (pra, ju d.v.) me cilësinë e Drejtorit të Zyrës së Punës Vlorë, Hysni Alimerko, kryetari i shoqatës së aneksuar nga PD, Burim Kokoshi, anëtar i kryesisë të po asaj shoqate dhe Hasan Kokoshi, posti i të cilit nuk më kujtohet. Dhe, natyrisht, përballë tyre unë, në pozicionin e «të pandehurit» si gjithmonë. Kryetari i Këshillit të Rrethit, si drejtues i seancës, më bëri të qartë se objekti i padisë ishte: «Fyerje e rëndë e të nderuarit president nga një punonjës i vilave, ku ai do të vinte një ditë të relaksohej, pas punëve shumë të mira që do të bënte për të gjithë shqiptarët». Më tej, pa e zgjatur, ai u shpreh se nuk i gjente dot fjalët e nevojshme për ta përkufizuar si duhej skandalin e madh që kishte ndodhur, si pasojë e të cilit unë nuk kisha më të drejtë të vazhdoja punë atje. Më lakonik akoma, por po aq i vendosur e i zymtë në fytyrë, u shpreh edhe kryebashkiaku, duke mbështetur propozimin e kolegut parafolës për pushimin tim nga puna. I treti e mori fjalën Drejtori i Zyrës së Punës Vlorë i cili, ndonëse i emocionuar në pamje, iu bashkangjit vendimit të dy krerëve të ekzekutivit të Vlorës. U befasova kur kundër këtij vendimi u prononcua pikërisht personi tek i cili shpresoja më pak: Hysni Alimerko, kryetari i shoqatës robinjë. Ndonëse në parim edhe ai nuk e gjente normale që unë, duke qenë në atë vend pune, të shkruaja me aq agresivitet kundër të parit të shtetit në muajin e mjaltit të zgjedhjes së tij President, z.Alimerko nuk u pajtua me pushimin nga puna të një (ish)të internuari, të dëbuari e të burgosuri politik në startin e demokracisë. Dy të tjerët votuan pro vendimit, pa ngurrim. Më së fundi, iu dha e drejta e fjalës mbrojtëse «të pandehurit». Adashi im, Agim Kadiu, ma kishte mësuar emrin për herë të parë nëpërmjet artikullit «heretik», por nuk më njihte fare si njeri. Ai priste që unë të bëja autokritikë e të zotohesha se nuk do të shkruaja më artikuj të tillë dhe, si kompensim, të më falej «mëkati» e të tërhiqej prej tyre vendimi që më linte pa punë në një periudhë të vështirë ekonomike për të gjithë, ndërkohë që me atë rrogë mediokër mbaja Nënën, gruan e veten. Mirëpo befasimi i tij qe i dyfishtë. Me një zë më të lartë nga çkishte folur ai vetë dhe të tjerët, i përplasa në fytyrë Kadiut një të vërtetë tronditëse për «demokracinë», që atij as i shkonte mendja kurrë se unë mund ta dija: «Ju z. Kryetar i Këshillit të Rrethit propozoni të pushohet nga puna një i burgosur politik i liruar rishtas pse shprehu një mendim në shtyp, ndërkohë që ish-operativin katil të kampit të punës të bashkëvuajtësve të mi në Kripore të Vlorës, baxhanakun tuaj L. Lutaj, e keni emëruar administrator të Ndërmarrjes Artistike të Vlorës, me perspektivën e qartë që të bëhet pronar i saj. Kështu e konceptoni demokracinë e nisur ju dhe ai që do të vijë të pushojë tek vilat ku punoja unë?» Sulmi i beftë dhe argumenti trallisës e rrëzuan në pozicion nokauti Kadiun, prej të cilit e shpëtoi i zoti i zyrës, kolegu kryebashkiak, që e deklaroi seancën gjyqësore të mbyllur. Kur dolëm jashtë godinës së bashkisë, z. Alimerko mu afrua dhe, duke më treguar me kokë njërin prej dy personave pjesëtarë të mbledhjes që ecnin përkrah jush z. Reshat, më tha: - Po ky, çpati kështu sot? Në të vërtet edhe unë isha habitur shumë nga votimi i atij njeriu të ndershëm për pushimin tim nga puna, dhe iu përgjigja me sinqeritet: - Unë kam shumë respekt për të; nuk e di se çpati sot... - E di unë se çpati - mu përgjigj skilja Alimerko me një buzëqeshje domethënëse. - Vajza e tij ka bërë kërkesë, nëpërmjet shoqatës sonë, për tu punësuar në bankë. Por kjo është e pamundur pa miratimin e atyre të dyve që drejtonin mbledhjen. E përmenda episodin e fundit për të evidentuar një dukuri sociale të (ish)të burgosurve politikë dhe të persekutuarve në përgjithësi që e dëmtoi rëndë ish-shtresën tonë: Tundimi prej karrierës dhe interesit material (personal e familjar), i manifestuar dukshëm gjatë proceseve «demokratike», theu moralisht shumë më tepër njerëz sesa burgu dhe persekutimi politik në tërësi. Për kureshtjen e miqve të mi të fejsbukut, po shpjegoj si përfundoi aventura e pushimit tim nga puna, mbasi z. Reshat vetë e di. Një javë pas mbledhjes ndëshkuese, shkrova një artikull tjetër (në të njëjtën gazetë) me titull: «Një i burgosur politik pushohet nga puna; operativi i tij i burgut bëhet administrator (kandidat-pronar) i Ndërmarrjes Artistike të Vlorës». Pas kësaj, Kadiu i Vlorës (siç e quaja në artikull Agim Kadiun), më dërgoi haber me një mikun e bashkëvuajtësin tim, se do të bënte çmos të më rikthente në vendin e humbur të punës, mbasi njihej mirë me drejtorin e Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare në Tiranë, prej nga varej edhe blloku i vilave të Vlorës. Natyrisht, Kadiu i Vlorës nuk e bënte këtë nga dashamirësia për mua, por nuk i interesonte që në opinionin publik vlonjat të lakohej emri i baxhanakut të tij si (ish)operativ burgu. Dy javë më vonë, drejtoria e lartpërmendur më njoftoi me letër rekomandé të rifilloja punë ku kisha qenë. Një ilustrim i faktit të lartpërmendur, se tundimi prej karrierës dhe interesit material gjatë proceseve «demokratike» në Shqipëri ka thyer moralisht më tepër (ish)të burgosur sesa burgu, jeni edhe ju vetë, z. Reshat. Unë e di që në në thellësi të qenies suaj ju ruani të njëjtën konsideratë për Berishën si unë dhe çdo shqiptar me sy në ballë e mendje të kthjellët. Të mos kuptosh se kush është politikani Berisha do të thotë të mos shikosh traun në sy. Jo, sytë tuaj janë të aftë të dallojnë edhe qimen në sy, jo traun. Por çfarë ti bësh atij qerrata interesi, që ju ka lidhur fort pas qerres berishiane prej 22 vjetësh dhe nuk shkëputeni dot më prej saj... Nëpërmjet një interviste që i kishit dhënë një gazetareje të një televizoni në Amerikë («Illyria»), kam mësuar nga goja juaj se punoni prej kohësh bash në zyrën e «Heroit të Popullit» Enver Hoxha dhe pasuesit të tij, Ramiz Alia, në godinën e (ish)KQPPSH. Madje edhe intervistën në atë zyrë burim tmerresh e kishit dhënë. Reagimi juaj vulgar ndaj aktit sublim të Lirak Bejkos me jehonë ndërkombëtare tregon se, për shkak të thithjes së ajrit të asaj zyre të kobshme prej një kohe të gjatë, ju keni pësuar një mpirje të ndjeshmërisë shpirtërore. Lirak Bejko ishte shumë më i ri nga ju në moshë dhe e donte jetën të paktën sa e doni ju vetë. Askush nuk arrin dot të bindë qoftë edhe një mendjetrashë të vetëdigjet për interesat e tjetërkujt dhe jo më një person inteligjent si Liraku. Sa lart do ta kishte ngritur propaganda juaj blu Lirak Bejkon, sikur të ishte vetëflijuar duke qenë rozët në pushtet! Jo se do tju vinte ndopak keq për jetën e atij apo për familjen e mjerë të mbetur pa kryefamiljar, por sepse vdekja e tij do ti shërbente idhullit tuaj si shkak për të kërkuar zgjedhje të parakohshme – ëndrra e tij e përhershme kur bënte «opozitë». Në gjuhën frënge fjala «Njeri» ka dy sinonime, njëri prej të cilëve është: «mortel» = «i vdekshëm». Unë ju uroj që të jetoni sa më gjatë, për ta gëzuar maksimalisht pensionin special që Berisha e jep vetëm për kontribute speciale në mbështetje të bëmave të tij të shëmtuara. Mirëpo mosha juaj (pranë të 80-ave) dhe ligjet e natyrës për të gjithë «mortelët» lënë të kuptosh se udhëtimi juaj i mëtejshëm në këtë botë nuk do të jetë shumë i gjatë. E keqja (apo e mira) më e madhe e vdekjes është se Njeriu nuk e merr dot me vete emrin e tij, i cili mbetet peng në këtë botë dhe mund të lakohet prej të gjallëve, për mirë ose për keq, sipas cilësisë së veprës që lidhet me të. Në atë botën tjetër, që thuhet se ekziston, ju do të takoheni me të gjithë Shqiptarët antikomunistë që i la pa varr Saliu me mbështetjen tuaj të pakursyer dhe të bashkëpunëtorëve tuaj po aq gjynahqarë. Do të takoheni gjithashtu edhe me ata bashkëvuajtës që keni përmendur në librat dhe artikujt tuaj, të cilëve u ishit zotuar se nuk do ti harronit. Ju jo vetëm që i harruat, por edhe i mohuat ata dhe interesat jetikë të pasardhësve të tyre të shumëvuajtur. Do të takoni edhe Lirakun. Nuk e di nëse do të mundni ti shikoni dot në sy, duke qenë shumë borxhli ndaj tyre. Aq më tepër që trupi juaj do të marrë me vete erën e zyrës-ferr, alergjike për ATA. Zoti Ju Mëshiroftë! Bashkë kemi një kohë shumë të gjatë pa u parë dhe ka të ngjarë të mos shikohemi më (në këtë botë), për arsye se mua nuk më lejohet të vij në Shqipëri. Lamtumirë Z. Reshat !
Posted on: Sun, 01 Dec 2013 10:42:19 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015