Pasnesër, Rama do të na ketë përballë! - LULZIM - TopicsExpress



          

Pasnesër, Rama do të na ketë përballë! - LULZIM BASHA. Lulzim BASHA Sot ka ndodhur një akt i paprecedent në historinë 22-vjeçare të Shqipërisë pluraliste, të Shqipërisë demokratike. Ndërkohë që pritej që kryesocialisti nga foltorja e Parlamentit t’i drejtohej pritshmërisë të bashkëqytetarëve duke detajuar programin, pra drejtimet kryesore të punës për të arritur premtimet me të cilat koalicioni ka ardhur në pushtet. Në mënyrë të paprecedent u përdor kjo foltore për të lançuar një gjuhë urrejtjeje dhe mllefi ndaj opozitës shqiptare. Kjo mendësi e vjetër që ringriti sot krye nëpërmjet gojës së kryesocialistit nuk është një akt i izoluar, por vjen në vazhdimësi, pikërisht pas vendimeve të djeshme për t’i mohuar qytetarëve shqiptarë transparencën nëpërmjet mohimit të transparencës së programit ndaj përfaqësuesve të tyre të zgjedhur të opozitës. Duke parë se kemi të bëjmë nga njëra anë me një mendësi të vjetër të tejkaluar prej kohësh edhe nga paraardhësit politikë të kryesocialistit, por që rikthehet fuqishëm dhe duket se është deri tani i vetmi aspekt i Rilindjes. Rilindja e mendësisë së vjetër, Rilindja e gjuhës së urrejtjes, Rilindja e gjuhës së mllefit, të akuzave, të përbaltjes së kundërshtarit politik, nuk ishte ajo që qytetarët prisnin sot. Por duket se ishte e vetmja alibi e kryesocialistit për t’i ikur asaj që sot priste e gjithë Shqipëria, programit të premtimeve, objektivave, shpjegimeve të rrugës se si do të arrihet deri aty. Grupi parlamentar i Partisë Demokratike me qëndrimin e mbajtur sot refuzon këtë gjuhë urrejtjeje, por në asnjë mënyrë nuk do të ndërmerret ky qëndrim si një bojkot. Sepse nëse ky ishte qëndrimi i fshehur i kryesocialistit, sot e garantoj se këtij qëllimi nuk ia ka arritur. Sot, kryesocialisti dështoi plotësisht me paraqitjen e programit qeverisës. Dështoi plotësisht në transparencën e parë dhe fillestare të tij ndaj qytetarëve shqiptarë, dështoi tërësisht në marrëdhënien e tij të parë në raport me premtimet për të cilën mori votën. Por ai sot ia doli të rikthejë në skenën politike gjuhën e urrejtjes, gjuhën e mllefit, gjuhën e akuzave, përbaltjen e kundërshtarit në çdo rast të dhënë në komunikimin publik. E pra, nëse për të parin e mori përgjigjen sot, aktin tonë të prerë dhe civil të refuzimit të gjuhës së urrejtjes, e garantojmë se nesër do të marrë pjesën tjetër të përgjigjes, se kjo gjuhë dhe përdorimi i kësaj gjuhe në sallat e Kuvendit nuk do të tolerohet më nga Partia Demokratike dhe aleatët e saj. Dhe nëse mendon se përmes këtij akti të ulët, jo civil do të mund t’i ikë përgjegjësisë të transparencës ndaj qytetarëve, e ka gabim. Të shtunën, Grupi parlamentar i Partisë Demokratike do të zbërthejë një nga një, në dritën e transparencës dështimet spektakolare të kryesocialistit sonte, për t’i dhënë shqiptarëve shpjegime të qarta për mënyrën se si do të arrijë objektivat e premtuara dhe do të kërkojë po kështu para qytetarëve shqiptarë përgjigjen për të gjitha çështjet, përgjigjen për të gjitha pyetjet e papërgjigjura sot në aktin e ulët dhe jo civil të kryesocialistit në ditën e parë të tij në foltoren e Kuvendit. I siguroj qytetarët shqiptarë se Partia Demokratike mbetet tërësisht e përkushtuar ndaj kauzës së tyre, legjitime për të dëgjuar çdo koment llogaridhënie, transparence nga të zgjedhurit, për të marrë në mënyrë të plotë, ezauruese, shteruese, përgjigje për pyetjet që janë në buzët dhe mendjet e gjithsekujt. Se kur, si dhe sa vende pune do të krijohen këtë muaj, në muajt që vijnë nga 300 mijë vendet e punës të premtuara? Se sa kushtojnë legalizimet falas, si do të paguhen dhe kur do të bëhen? Se sa është fatura në buxhetin e shtetit për shëndetësinë falas, paguar nga taksat e qytetarëve shqiptarë, si do të paguhet kjo faturë dhe ç’është më e rëndësishmja kur do të fillojë shëndetësia falas? Se si do të lirohen 95% e shqiptarëve nga barra e taksës, sa është kostoja dhe kush do ta paguajë, se kur do të hiqet TVSH-ja për shportën e ushqimeve dhe energjinë elektrike, sa kushton dhe kush do ta paguajë? Këto janë çështjet që sot do të kishin qenë subjekt i fjalës së kryesocialistit. Do t’i ikte me turp përgjegjësisë që i ngarkonte historia sot për të bërë këtë transparencë përballë qytetarëve, ai zgjodhi të provokonte opozitën shqiptare. Opozita shqiptare iu përgjigj sot duke përdorur një nga mjetet më civile, reagimin dhe refuzimin e gjuhës së urrejtjes. Pasnesër do të na ketë përballë për t’i kujtuar në mënyrë të plotë dhe pa asnjë lëshim se ka përgjegjësinë të përgjigjet para qytetarëve shqiptarë për premtimet e bëra. Ne nuk do t’i japim paqe asnjë minutë për premtimet e bëra, sikundër nuk do të pranojmë gjuhën e vjetër të urrejtjes, të provokojë opozitën dhe përfaqësuesit e saj në Kuvend. Sot mori një përgjigje civile, të qytetëruar, nesër, pasnesër dhe ditët në vijim çdo akt provokimi do të ketë një përgjigje proporcionale, të plotë dhe të gjithanshme në sallën e Kuvendit, në çdo shesh dhe në çdo rrugë të vendit dhe ky është qëndrimi i Partisë Demokratike dhe aleatëve të saj.
Posted on: Thu, 12 Sep 2013 13:44:00 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015