Per arratisjen nga burgu i Drenoves (Fjala ne parlament - TopicsExpress



          

Per arratisjen nga burgu i Drenoves (Fjala ne parlament 26.11.2013) Mbrëmjen e 23 nëntorit, qytetarët korçarë përjetuan një ankth të madh, të paprovuar prej kohësh. Teksa qeveria ishte shtruar në gosti në një prej resorteve më luksoze të Tiranës, 7 persona të dënuar, shumica me burgim të përjetshëm, të armatosur deri në dhëmbë, arrijnë të largohen nga burgu i sigurisë së lartë në Drenovë të Korçës, pa kurrfarë rezistence nga rojet e armatosura të rrethimit të burgut Kjo është ngjarja më e rëndë që ka ndodhur ndonjëherë në burgjet Shqiptare. Që kur filloi të funksionojë ky burg i sigurisë së lartë në Korçë, i ndërtuar nga Bashkimi Europian, dhe deri pardje, asnjë i burgosur nuk ka mundur të arratiset prej andej. Qeveria, Ministri i Drejtësisë Nasip Naço dhe Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, duhet të kishin pranuar menjëherë përgjegjësinë e tyre personale dhe të institucioneve që ata drejtojnë dhe kanë në vartësi. Në muajin shtator, strukturat e policisë të shtetit i kanë dorëzuar një raport të detajuar informimi mbi planet e këtij grupi për tu arratisur, Ministrit të Brendshëm dhe Ministrit të Drejtësisë. Pak ditë më vonë Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm, ka paraqitur planin e masave që duheshin marrë për ta parandaluar arratisjen e këtyre të burgosurve me burgim të përjetshëm. Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve ka marë informacion dhe ka bërë me dije me shkrim, se në sektorin e sigurisë të lartë të këtij burgu gjendeshin sende të paligjshme. Dy javë më parë, u ndërmor dhe një kontroll blic në ambientet e brendshme të këtij burgu, por arsenali i armëve me automatikë dhe pistoleta nuk u zbulua. Por asnjë masë nuk u mor, asnjë ligj nuk u respektua. Ministrat dhe strukturat e tyre nuk kryen minimalisht detyrën e tyre, heshtën dhe nuk vepruan. Dhe ja ku arritën. Armë të futura në një burg të sigurisë së lartë, mos zbulim i tyre dhe arratisje spektakolare e 7 të burgosurve. Ministri i Brendshëm dhe Ministri i Drejtësisë u përpoqën të fshehin përgjegjësinë e qeverisë dhe të tyren personalisht për këtë ngjarje të rëndë, me metodën e vjetër të lëshimit të akuzave të pabaza për paraardhësit. Ministri Tahiri, nga njëra anë është krenar për policinë e shtetit dhe falënderon çdo punonjës policie, dhe për këtë mirë bën, dhe nga ana tjetër flet për gjetjen e shtetit, sipas tij, të shembur dhe shkatërruar, thuajse nuk ishte kjo forcë policie profesioniste në shërbim edhe para se ai të bëhej ministër i brendshëm. Sa kohë do të vazhdojë kjo qeveri që dështimet e njëpasnjëshme të saj tja faturojë ende qeverisjes së kaluar? Rendi dhe siguria në vend po bien poshtë dhe më poshtë çdo ditë. Vrasjet, eksplozivat, maskat në rrugë, pengmarrjet, trafiqet po rriten me shpejtësi marramëndëse. Kjo situatë e rënduar e pasigurisë, e vërshimit të krimit dhe e dobësimit të shtetit në çdo drejtim është rezultat i mënyrës së qeverisjes. Për këtë qeveri, për dyshen Rama Meta, ndarja e tortës së pushtetit është shqetësimi kryesor. Rënia e institucioneve të zbatimit të ligjit, të policisë dhe të burgjeve, lidhet kryesisht me keqqeverisjen dhe me faktin se emërimet në postet kyçe janë bërë sipas llogarive financiare dhe elektorale. Profesionistët në polici dhe kudo, po zëvendësohen me militantë të paaftë, besnikë të partive dhe të shefave të tyre. A nuk është turp dhe dështim për ministrin e brendshëm Tahiri dhe për qeverinë Rama që, 3 ditë pas arratisjes, 3 të burgosurit nuk janë kapur ende? A mund te quhet sukses gjetja e tre mushkave te vjedhura përtej kufirit? A mund të jenë të qetë banorët e fshatrave kufitare të Korçës, Kolonjës dhe Devollit tani qe mendohet se të arratisurit kanë kaluar kufirin, ndërkohë që autoritetet greke nuk e pranojnë një gjë të tillë? A nuk është turp dhe dështim për ministrin e brendshëm Tahiri dhe për qeverinë Rama në qoftë se të burgosurit kanë arritur vërtet të kalojnë kufirin, pa ju hyrë asnjë gjemb në këmbë? Banorët vazhdojnë të jenë ende në panik dhe të shqetësuar, sepse të arratisurit, të armatosur, mund të jenë ende në këtë zonë, në tentativë për të kaluar kufirin. Bashkohem me dëshirën e të gjithë qytetarëve shqiptarë, që tre të arratisurit të kapen sa më parë dhe të kthehen në vendin e vuajtjes të dënimit. Faleminderit.
Posted on: Mon, 02 Dec 2013 15:06:15 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015