Petro Marko mes zilisë dhe lavdisë! Aurel Plasari Nga njëra - TopicsExpress



          

Petro Marko mes zilisë dhe lavdisë! Aurel Plasari Nga njëra anë i rrethuar prej admirimit, nga tjetra i përndjekur nga zilia; nga njëra anë duke ngjallur entuziazëm, nga tjetra duke ndjellë urrejtje: si mund të ndërtohet mes këtyre dy skajeve portreti i Petro Markos në këtë 100-vjetor të parë të tij? Në të vërtetë, për ato që mund të duken kufiza të përkundërta, vetë rasti i Petro Markos vërteton që mund të jenë një shenjë unike rëndësie për atë që bëhet objekti i tyre: një njeri nuk është i stofës së zakonshme kur rrethohet njëherësh edhe me admirim, edhe me zili, kur shkakton njëherësh hem entuziazëm, hem urrejtje. të përkundërta, vetë rasti i Petro Markos vërteton që mund të jenë një shenjë unike rëndësie për atë që bëhet objekti i tyre: një njeri nuk është i stofës së zakonshme kur rrethohet njëherësh edhe me admirim, edhe me zili, kur shkakton njëherësh hem entuziazëm, hem urrejtje. Mund të quhemi fatlumë që në këtë 100-vjetor kemi të shpalosur para kureshtjeve tona gjithë historinë jetësore të njeriut që e cilësova “të stofës jo të zakonshme”. Shoqëria shqiptare, qysh nga vitet ’30 të shekullit të kaluar dhe deri në fillim të viteve ’90, dinte për Petro Markon më shumë një legjendë se sa një histori të mirëfillte jetësore. Nëpër të shkrimtari shkartisej me rezistentin, me luftëtarin antifashist, me internacionalistin republikan, mandej me të përfolurin, me të arrestuarin dhe të burgosurin, me të dyshuarin si “agjent të anglo-amerikanëve”, me autorin e ndaluar, me burrin e hijshëm dhe ekscentrikun që bënte përditë vajtje-ardhjet e tij vetmitare në trotuarin e mesit të gjysmës së dytë të Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”. Tanimë, me një varg shkrimesh të tij të fillimit të viteve ’90 dhe veçan me autobiografinë “Intervistë me vetveten: Retë dhe gurët” (2000), legjenda mund të quhet e marrëfund. Historia e tij jetësore shpaloset para mendjeve tona të befasuara si një model i pazakontë subjekti njerëzor. Si për të shumtën e njerëzve të tillë edhe historia e njerëzore e Petro Markos ka filluar herët, kur qysh 20-vjeçar u bë një zë ngacmues në publicistikën përparimtare shqiptare. Vini re titujt e organeve të shtypit ku filloi të bashkëpunonte: gazeta “Shqipëria e Re”, revista “Koha e Re”, gazeta “Lirija”, edhe ata janë domethënës. Në mendimin për letërsinë dhe artet në trajtë debati – në të vërtetë debat intelektual kulturor – që zjeu i shfaqur në mesin e viteve ’30 Petro Marko rezulton nga më aktivët. Me shkrime ai ishte shfaqur qysh më 1930, pra shtatëmbëdhjetëvjeçar, ndërsa jo vonë mbas kësaj shfaqjeje do të rezultojë edhe i përfshirë në Lëvizjen e majtë intelektuale, më sak në vitin 1932, siç e ka saktësuar vetë në burimet autobiografike. Debati në fjalë lidhej me një situatë jo vetëm shqiptare: edhe në Europë ishte ndërkoha e “ankesave” të mëdha të artistëve. Të artistëve të bindur se shoqëria – ose më gjerë qytetërimi – u bënte padrejtësi, se borgjezia që kishte zëvendësuar aristokracinë kërkonte prej artit të lajkatonte dhe madje kurtizonte shijen e saj mediokre, se artistit i duhej të flijonte personalitetin e vet, temperamentin, deri edhe stilin nëse nuk donte të vdiste – heroikisht – urie. Ne sot nuk mund të mos dallojmë që protesta e shkrimtarëve të asaj ndërkohe ishte edhe në përpjesëtim me krenarinë e tyre shpesh të tepruar, ndonjëherë edhe me kryeneçësinë lavdidashëse. Në Europën e modernizuar kjo pakënaqësi i ndau opinionet e njerëzve të letrave dysh. Nga njëra anë një opinion romantik, që e refuzonte të tanishmen në emër të nostalgjisë për të kaluarën, duke shkualifikuar borgjezinë dhe duke rivendikuar aristokracinë. Nga ana tjetër një opinion që nuk e kërkonte zgjidhjen te kthimi në të kaluarën, por te një e ardhme më e mirë, me liri dhe të drejta më të mëdha sociale. Të mos harrohet se qysh në kapërcyell të shekullit vetë Oscar Wilde-i, në esenë “Shpirti njerëzor në socializëm”, shihte te çlirimi i punës çlirimin e vetë artit. Në Shqipëri kjo prirje e dytë mund të kishte jetë të vërtetë. Prirja e parë, ajo e imazhit të një aristokracie bujare e të ndriçuar, as që mund të ekzistonte në një vend si Shqipëria me të një të kaluar “anormale” në krahasim me Europën, të një feudalizmi anakronik krejt të palakmueshëm. Petro Marko, Skënder Luarasi, Iliaz Pashaj, Mehmet Shehu dhe Emrush Myftari, Lufta e Spanjës, 1938 Përfshirja e Petro Markos në këtë Lëvizje dallohet qartë në revistën e tij emërmadhe, por jetëshkurtër, “ABC” (1935), mandej edhe më qartë në revistën “Bota e re (1936-1937). Politikisht ngritja e kësaj Lëvizjeje mendore përkonte në Shqipëri me ndërkohën e “qeverisë liberale” të Mehdi Frashërit (tetor 1935 – nëntor 1936), çfarë nënkuptohet kalimthi edhe në vetë shpalljen e “Qëllimit” të revistës: “Prandaj sot që mundi të marrë pak frymë rinia shqiptare…”. Por ideologjikisht shfaqja e këtij shtypi që përkon me këtë Lëvizje do të duhet inkuadruar në zhvillimet reja që merrte Lëvizja e majtë intelektuale në nivel europian duke përfshirë emra me peshë të letrave të kontinentit: Romain Rolland, André Gide, Henri Barbusse, Erich Maria Remarque, Victor Margueritte, Louis Aragon dhe plot të tjerë. Sot i keqkuptuar, ose edhe i keqinterpretuar, ideali i atij brezi nuk ishte një çështje e thjeshtë zemre; ai kishte një përligjje racionale që buronte nga kontakti me vetë realitetin jetësor. Për atë brez të punoje për një shoqëri të re të së nesërmes, të kontribuoje për ta bërë njerëzimin e së ardhmes infinitivisht superior ndaj njerëzimit të ditës, ishte ideali më i bukur. * * * Çfarë paraqet interes në këtë rast: te “Bota e Re” mendimi mbi letërsinë “me mision”, letërsinë “e angazhuar”, letërsinë “në shërbim të popullit” etj. formësohet duke filluar prej nr. 1 me artikullin programatik “Në prakun e drejtimeve të rea letrare” pikërisht nga Petro Marko (“P.”). Artikulli u kundërvihej nënkuptueshëm një vargu artikujsh të “Illyria”-s, me mëtime gjithashtu programore, të Ernest Koliqit dhe të Vangjo Nirvanës. Përkundër debatit të tyre lidhur me marrëdhëniet e shkrimtarit me popullin, Marko fut konceptin e “turmës”, duke ngulmuar për një letërsi që “të pasqyrojë dëshirat, ëndrrat, idealet, jetën e turmës”. Në nr. 2 të revistës shfaqet Shuteriqi – ky e ka braktisur “Illyria”-n duke iu konformuar deri edhe titullit të Petro Markos: “Drejtimet e rea letrare”. Ndër skajet e doktrinës letrare të përpunuar nga “Bota e Re” veçoj si domethënëse tri: 1) Mohimi “harbut” i vlerave të traditës letrare nga ana e “Harbutit” (Selim Shpuza) me artikullin “Intelektualët dhe populli”, 2) Përftimi i grupit të shkrimtarëve “armiq” nga ana e Dhimitër S. Shuteriqit me artikullin “Prapë mbi “drejtimet e rea letrare” dhe 3) Denoncimi politiko-futurist i “shkrimtarëve demagogë”, siç i quan, nga ana e Petro Markos me artikullin e përmendur: “Sot ne kemi shkrimtarë demagogë, kemi shkrimtarë që shkruajnë ose për kolltuk ose për para ose për…, prandaj jo, nuk meritojnë kurrë të mburren me emrin e shkrimtarit. Janë tradhëtorët e letërsisë së palerë, asaj letërsije që bashkë me jetën tonë përpiqen të dalin nga errësira në dritë. Dhe këtë nuk mund ta nxjerrin kurrë pseudo-intelektualët dhe pseudo-shkrimtarët që me penën e tyre lajkatare nxijnë më tepër sheshin e turbullt e kaotik literar [...] Dhe një njeri i tillë, që mundohet duke nxirë kartëra për qëllime vehtjake, le ta dijë se dielli nuk mbulohet me shoshë, le ta dijë fare mirë që dëmi që përpiqet t’i sjellë turmës vetëm e vetëm për të kënaqur dëshirat e tij do të kthehet ndonjë herë mbi vehte. Patjatër do të marrë shpërblimin e merituar [...] Se duhet ta dimë që disa të paguar, që hiqen flamurtarët e rinisë që shkruan dhe që, me vizat e tyre t’importuara ose të blera, mundohen ta ndryshojnë fare rrugën që shpie për në brigjet e një shqiptarizme të kulluar, për në drejtime që ata vetë s’i dinë. Ata duhen dënuar. Dhe dënimi më i mirë i tyre është lufta e përbuzjes dhe e djegies së paçavurevet të tyre…”. Që kërkimi i kësaj letërsie të re do t’i drejtonte këta shkrimtarë ndaj integrimeve politike vetë shembulli i Petro Markos e ilustron me fillimet e tij poetike tanimë të cilësuara saktësisht nën shenjën e futurizmit. Dhe, futurizëm për futurizëm, nuk mund të mos vësh re që, ashtu si futuristë italianë aderuan në fashizëm, futuristët rusë aderuan në komunizëm. Në të njëjtën ndërkohë avagardistët italianë në përgjithësi qenë të bindur që fashizmi ishte revolucioni, sikurse e shumta e avangardistëve francezë qenë të bindur që Revolucioni ishte komunizmi. Të dyja kahet e aderimeve përbëjnë vetëm njërin nga vërtetimet që artistët nuk i shmangen dot lehtë gravitacionit politik. Teza që artisti është dhe duhet të jetë apolitik është tezë interesante nëse kuptohet me politikë pallati i mbretit, parlamenti, kryeministria ose selitë e partive. Në epokat që i quajmë “klasike”, ose të plotnisë së një rendi, politika mund të jetë vetëm administrim dhe parlament. Por në epokat “romantike” ose të krizës së një rendi politika zë kryet e vendit në jetën njerëzore e shoqërore në tërësi. Për këtë arsye shkrimtarët e mëdhenj nuk rezultojnë pothuajse asnjëherë apolitikë. Nuk ishte apolitik Dante-ja. Nuk ishte apolitik Byron-i. Nuk ishte apolitik Victor Hugo-i. Nuk ishte apolitik Bernard Shoë. Nuk ishte apolitik Anatol France-i. Nuk ishte apolitik Romain Rolland-i. Afërmendsh që nuk ishte apolitik Maksim Gorki, madje apolitik nuk ishte as Gabriel d’Annunzio. * * * Pikërisht duke spikatur si ndër më aktivët në debatin intelektual të viteve ‘30, filluan për Petro Markon – krahas përndjekjeve dhe arrestimeve – shenjat e para të thashethemit dhe intrigës rreth figurës së tij. Ishin thashetheme dhe intriga që do të vinin vetëm duke u intensifikuar kur shkrimtari i ri të shfaqej edhe me profilin e një antifashisti militues, luftëtar, të përfshirë drejtpërsëdrejti në konflagracionin tanimë europian. Rrethimi që do të konkretizohet gjithnjë më qartë përqark figurës së tij do të përbëjë tanimë një shkartisje të stimës me smirën për avantazhet që ai i kishte dhe të tjerë nuk i kishin. Ja si e përshkruan këtë situatë ai vetë në një Letër konfidenciale nga burgu duke treguar historinë e tij: “Kur Petro Markua botoi “ABC”-në me një grup shokë revolucionarë, ata që bënin politikën e Musa Jukës, se Musa Juka kur nuk korruptonte ndonjë shok, atëherë me agjentët e tij përhapte parullën se ai është spiun dhe imoral etj., menjëherë thanë: “Petrua u shit! Merr subvencion dhe boton “ABC”-në! Po “ABC”-ja ishte organi i një grupi revolucionar me Asim Vokshin dhe Vasil Shanton etj., që mblidhnin andej-këtej ndonjë lekë nga shokët e varfër, prandaj dhe u mbyll, prandaj dhe unë si përgjegjës i saj u persekutova duke u quajtur nga veglat e Zogut “agjent i Moskës”. Kur Petro Markua ka litarin në fyt dhe mezi ikën nga laku i Musa Jukës duke u hedhur në Greqi, ata që përhapnin parullat e Musa efendisë, bile disa nga shokët tanë, nga zilia [sic] përhapnin: “Petro Markua mori bursë nga Musa Juka!”. Po kur muarnë vesh se unë u hodha në Francë prapë ata thanë: “Petro Markua është dërguar si spiun i Musa Jukës në emigrantët politikë!”. Dhe kur muarnë vesh se unë vajta në Spanjë prapë thanë: “Shkoi aty për aventura se ai ishte aventurier!”’. Tanimë ai mund të quhej njeri mirëfilli i idealit në kuptimin e dëshirës për një realitet më të mirë, më të përkryer, ndaj të cilit realiteti aktual rezultonte inferior. Ky inferioritet i realitetit, që i bënte pesimistët të binin në dëshpërim për mundësinë e realizimit të idealit, përkundrazi i jepte njeriut aktiv forcën për beteja. Veçan pjesëmarrja në Luftën ndërkombëtare për mbrojtjen e Republikës spanjolle dhe më mbas përfshirja aktive në rezistencën franceze dhe atë italiane, do t’i përforconin rreth Petro Markos armiqësitë: do të ishte tanimë njëri ndër ata njerëz të cilët janë konstruktuar në mënyrë të tillë që fuqitë e tyre kërkojnë armiq si mushkëritë që kërkojnë ajër. Po vijoj të citoj atë vetë nga Letra e përmendur: “Kur isha në Spanjë detyrën time e kam bërë me nder dhe për këtë jam krenar. Po fatkeqësia ime që u prishëm keq në disfatën e madhe të Ebros dhe mbeturinat e brigadës (ku bëja pjesë unë) mundën të iknin për në Francë. Edhe unë ika për në Francë në atë kaos dhe rrëmujë! Mbase këtu ka punuar shumë disfatizmi, po ato orë për ne të pakët që mbetën ishin “mbarimi i luftës” dhe si pas parullës “interbrigadistët që mbeten, një shpëtim kanë “T’ikin!” dhe unë me disa shokë që nga kazerma “Carlos Marx” të Barcelonës ikim për në Francë. Unë isha dërmuar nga normat, se isha komisar i një kompanie dhe doemos nga një betejë kaq e tmerrshme që përfundoi me disfatën tonë, duke kujtuar gjithnjë se shokët, sidomos shqiptarët, kishin mbetur të vrarë në duar të armikut i dëshpëruar arrij në Paris. Atëherë përgjegjës ka qenë Ali Kelmendi të cilin e kërkova dhe e gjeta duke lozur kumar! Më bëri përshtypje të madhe! I thash të shkonte në qendër, Rue Lombut 8, te Roberti (se ai ish përgjegjës për ballkanasit) dhe të lajmëronte ardhjen time. Aliu nuk e di për ç’arsye ma sillte rrotull dhe më sillej ftohtë! Durova nja katër ditë duke pritur urdhër nga Aliu po ai as që çante kokën fare për mua dhe për gjendjen time. Unë kisha urdhër që të varesha nga ai. Pasi pashë këtë qëndrim të Aliut vajta vet te Roberti. Ai më priti mirë dhe më qortoi “pse vonova kaq ditë këtu dhe s’u paraqita, nuk të lajmëroi Aliu?”. U çudita duke i thënë qëndrimin e Aliut. Ai, si tërë intebrigadistëve të tjerë që ishin në konditat e mia, më dha ndihma materiale dhe më porositi të prisja urdhra, të cilat m’i dha pas pak ditëve: “Po të duash mund të shkosh në Meksikë ose në Kinë!”. “Do të mendohem, – i thashë, – se shiko se në ç’gjendje jam”. Ai më tha se Aliu kishte marrë muaj për muaj një sasi të hollash për t’i dërguar familjes sime. Kur vajta të kërkoja Alinë e gjeta prapë duke lozur kumar. I revoltuar i thashë të takoheshim shpejt në një vend tjetër, ku të mos kishte shqiptarë të tjerë. Vajtëm në një kafene dhe unë iu sula me tërbim duke e akuzuar rëndë për sjelljet e tij karshi vullnetarëve të Lirisë: “Shokët e tjerë janë pritur me përzemërsi dhe dashuri të madhe nga përgjegjësit dhe shokët e tyre dhe ti tallesh me mua! Ke ngrënë dhe paratë që ke marrë në emrin tim për familjen time!”. E vërteta është se unë e shava rëndë duke i thënë se do ta paguante shtrenjtë! Ai s’foli gjë, po pastaj nisi luftën kundër meje! Dhe doemos këtu unë do ta humbisja se Aliu ish përgjegjës për tërë shokët në Francë. Ai hapi parullën “Petro Markua ikën nga frika! Porsa dëgjoi krismën e parë dezertoi! Ai ishte anarchist!””. Detyrohet të shpjegojë edhe më tej: “Isha në kontakt me Robertin, i cili më ndihmonte dhe pastaj me kërkesën time më dha një letër për në seksionin e partisë në Grenoble, ku shkova se aty më thirri Dhimitër Shuteriqi. Në Grenoble isha përgjegjës i agjitpropit të celulës “Les Clotres” dhe anëtar në komitetin “Amical d’Espagne”, ku ishin vullnetarë të tjerë të Lirisë. Kur erdhën shokët e tjerë të Spanjës në një kamp “Gurs” isha më i lumturi i botës, se parullat e Aliut më kishin shpurë në një gjendje për të vrarë veten. Shokëve të Spanjës u shkrova dhe ata muarnë qëndrimin e vërtetë karshi meje. Isha shoku besnik i tyre, luftëtari besnik i internacionalizmit proletar. Në fund të vitit 1939 policia franceze me thotë: “Ja largohu nga Franca, ja do të shpiem në kampet e përqendrimit me shokët e tu komunistë. Pasi mendova shumë vendosa dhe preferova të kthehem në Shqipëri duke kujtuar se edhe në burg të Shqipërisë mund të punohej”. Historinë e burgjeve të tij – të burgjeve në kuptimin e ngushtë të termit – tanimë e dimë nga “Intervista me vetveten”: arrestimi dhe internimi në Shqipërinë e Zogut qysh kur nxori “ABC”-në (1935), arrestimi dhe burgimi në Shqipërinë fashiste (1941), burgu në Bari (1941), mandej internimi në ishullin e Ustikës, në kampin Frasketi (1941-1943), në fund edhe burgu Regina Coeli-t në Romë (1944). Por padyshim që mbi ta shkëlqen më cinizmin e vet burgu që ia ofruan Petro Markos shokët e tij të idealit: ai i ndërkohës maj 1947-maj 1950. Ishte një vijim i pashmangshëm i rrethimit me zili – madje tanimë edhe me urrejtje – të shkrimtarit të talentuar dhe Antifashistit të madh. Në histori të këtilla zilie dhe urrejtjeje mjafton të hidhet hapi i parë për të mos ia njohur meritat një njeriu, mjafton për shembull duke filluar me mohimin e autorësisë së Petro Markos të këngëve të Luftës, mandej hapat e mëtejshëm vijnë vetiu dhe atëherë arti – nuk di si ta quaj ndryshe – i zilisë mbërrin kulme që nuk t’i pret mendja. * * * Petro Marko do ta shpallë me gojën e vet gjatë procesit gjyqësor paradoksin cinik: që ai tanimë akuzohej për gjëra që i kishte urryer dhe të cilat i kishte luftuar! Madje në Letrën që i ka drejtuar Gjykatës së Lartë Ushtarake më 5 maj 1949 vëren edhe tjetrin paradoks po aq cinik: “Petro Markua dënohet tre vjet dhe hidhet në mes të atyre që i ka luftuar dhe që i urren. Për mua kjo është padrejtësia më e madhe, është një krim që më bëhet, se jam i pafajshëm dhe kurrën e kurrës, duke filluar qysh nga 1932, nuk i kam sjellur ndonjë dëm popullit…”. Ky cinizëm i shokëve të tij të idealit, të rezistencës dhe të Luftës rezulton përpjesëtimor me superioritetin me të cilin ishte kthyer në atdhe Antifashisti i madh. Ishte afërmendsh një superioritet bezdisës për mjedisin e ri politik shqiptar. Sikurse përsëriste ai vetë një thënie: “Kur nuk ke në xhep monedha të shkoqura, por vetëm florinj, jeta nuk është e rehatshme”. Historia e procesit të tij, që ende sot në këtë 100-vjetor nuk është bërë publike, do të përbënte një roman më vete: ju siguroj. Madje me një “plot” krejt modern narratologjik të fajeve dhe krimeve të tij imagjinare. Në atë proces ai e pati guximin t’i bënte thirrje trupit gjykues të mos ndikohej nga “hetimet ilegale”, të cilat “mund të nxirrnin tradhtar edhe vetë komandantin dhe fëminë në barkun e s’ëmës mund ta shpinin në litar!”. Me po atë qartësi pohoi para trupit gjykues: “Unë nuk e kam tradhtuar Luftën spanjolle, por e quaj për nder luftën që kam bërë…”. Madje e sfidoi atë trup gjykues duke kërkuar në Fjalën e fundit: “Në qoftë se më cilësoni spiun, mos më dënoni me tre vjet, por më jepni dënimin me vdekje”. Një pjesë të torturave të këtij burgu ai i ka treguar te “Intervista me vetveten”. Në Letrën që i dërgon Gjykatës së Lartë gjithnjë nga burgu ai ia përmend hapur “torturat çnjerëzore” që i ka bërë në hetuesi kapiteni i quajtur A. F., kërcënimet që i kanë bërë për të pranuar “diçka” sepse përndryshe “do të ngordhësh”, – siç shkruan, – dëshmitë që janë orvatur t’ia nxjerrin nëpërmjet torturave psikologjike e fizike majorët N. B. dhe K. H. etj. Të përmendësh sot emrat atyre që e hetuan, e akuzuan, e gjykuan dhe e dënuan Petro Markon të godet menjëherë syrin trishtimi i madh e rëndomësisë, i mediokritetit njerëzor. Nuk kam asgjë me mediokritetin në përgjithësi. Mediokriteti në vetvete nuk është as krim, as faj. Në jetën tonë të përditshme mund të jemi të rrethuar nga dhjetëra, qindra, mijëra mediokër të padëmshëm. Por kur mediokriteti ngrihet në pushtet dhe të qeveris, kur mediokriteti synon të të hetojë, të të gjykojë, të të dënojë, atëherë shoqëria rrezikohet nga një katastrofë e vërtetë. Është e kuptueshme atëherë që, përbri anës tragjike, të mos mungojë në një proces të tillë ajo komike, siç e përshkruan vetë shkrimtari: “Akuzohem se u kam dhënë informata anglo-amerikanëve, se sa është tirazhi i gazetës, shtypshkronjën etj. E vërteta është se unë çdo të huaji që vizitonte gazetën, gazetarë ose funksionarë të legatave dhe misioneve të huaja, u përgjigjesha pyetjeve që bënin. Doemos, kur pyesnin se sa është tirazhi i gazetës, unë si përgjigje nuk mund të thoshja se nuk e di!”. Është tronditëse të lexosh sot në aktet e procesit të tij një procesverbal të banesës ku banonte çifti Marko, të datës 1 shtator 1947, fill mbas arrestimit të shkrimtarit: asnjë mobilie nuk rezulton e tyrja, janë të gjitha të vjehrrës Shazije, në shtëpinë e së cilës çifti i ri ka mundur të gjejë strehë. Deri edhe vendimi i dënimit të tij ka në fund këtë shtesë: “Për sa i përket konfiskimit të pasurisë, Gjykatës nuk i rezulton që të posedojë ndonjë pasuri, për këtë nuk ka se ç’jep”. Nuk kam asgjë me mediokritetin në përgjithësi. Mediokriteti në vetvete nuk është as krim, as faj. Në jetën tonë të përditshme mund të jemi të rrethuar nga dhjetëra, qindra, mijëra mediokër të padëmshëm. Por kur mediokriteti ngrihet në pushtet dhe të qeveris, kur mediokriteti synon të të hetojë, të të gjykojë, të të dënojë, atëherë shoqëria rrezikohet nga një katastrofë e vërtetë…
Posted on: Thu, 28 Nov 2013 07:14:57 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015