Pirja e ujit largon dhimbjet e kokës, kancerin e problemet me - TopicsExpress



          

Pirja e ujit largon dhimbjet e kokës, kancerin e problemet me lëkurën. Rritja e temperaturave shton nevojën për sasinë e lëngjeve që i duhen organizmit për të funksionuar normalisht. Strukturat e shëndetit publik apelojnë që gjatë ditëve të nxehta të gjitha grupmoshat të konsumojnë minimalisht dy litra ujë në ditë. Vetëm në këtë formë mund të mbajmë larg dhimbjet e kokës, problemet me lëkurën e tretjen, kapsllëkun, kancerin, etj Mungesa e lëngjeve në organizëm gjatë ditëve të nxehta mund të na vërë përballë rreziqeve të shumta shëndetësore. Kundrejt këtij fakti, si dhe rritjes së temperaturave që në ditët e ardhshme do të bëhet edhe më e dukshme, ekspertët e shëndetit publik apelojnë për shtim të sasisë së ujit që duhet të konsumojmë gjatë ditës. Sipas ekspertëve të ISHP-së, organizmi ynë gjatë ditëve të nxehta ka nevojë për të paktën dy litra ujë në ditë, kjo me qëllim që të kompensohet humbja e lëngjeve që dalin nga trupi përmes djersitjes. Duke qenë se fëmijët dhe të moshuarit janë kategoritë më të rriskuara nga efektet e temperaturave të larta, këto janë edhe shtresat që duhet të konsumojnë sasi të larta të ujit gjatë ditës. Vetëm në këtë formë do të mund t’i minimizojmë vetes një sërë komplikacionesh shëndetësore, që kanë të bëjnë me humbje të përqendrimit dhe debulesë trupore, dhimbje të kokës, probleme me tretjen, probleme me lëkurën, si dhe pakësimin e riskut për t’u prekur nga kanceri. Sasia ditore e konsumit të ujit ndryshon në varësi të disa faktorëve ku përfshihen: “Aktiviteti fizik, kushtet shëndetësore, temperatura e mjedisit, mosha, etj”. Kështu, në rastet kur kryejmë aktivitet fizik trupi ynë ka nevojë për më shumë ujë se sa sasia e përcaktuar prej 2 litrash. Mirë është që për çdo një orë aktivitet fizik të konsumohet 0.5 deri në 1 litër ujë. Gjithashtu, para se të kryejmë aktivitet fizik, duhet që 30 minuta përpara të konsumojmë 1-2 gota ujë. Në rast se qëndrojmë në mjedise me temperatura të larta, atëherë sasia që humbet me djersën duhet të zëvendësohet me ujë, dhe për këtë është mirë të konsumojmë 0.5 litra ujë. Personat që janë mbipeshë duhet të konsumojnë për çdo 10 kg të mbipeshës 1 gotë ujë më shumë se personat normalë. Fëmijët dhe të moshuarit duhet të konsumojnë rregullisht ujë, për të mbajtur larg problemet shëndetësore që mund të sjellë dehidratimi. Për të mbajtur larg komplikacionet duhet të dimë se: “ Muskuli përbëhet nga 75 për qind ujë, truri përbëhet nga 90 për qind e tij ujë, kocka përbëhet nga 22 për qind ujë, gjaku përbëhet nga 83 për qind ujë. Funksionet e ujit në trupin e njeriut janë me rëndësi jetike. Kjo sepse uji transporton lëndët ushqyese dhe oksigjenin në qeliza, ndihmon në procesin e metabolizmit, mbron organizimin tonë jetësor, ndihmon organet tona për të absorbuar ushqyes të mirë, rregullon temperaturën e trupit, heq helmet, mbron dhe lagështon artikulacionet”. Çdo qelizë në trupin tonë, nga koka deri te këmbët ka nevojë për ujë, nevojë e cila gjatë ditëve të nxehta bëhet edhe më e theksuar. Sa i takon këtyre fakteve, duke ditur që truri ynë përbëhet nga 90 për qind ujë, në qoftë se nuk e furnizojmë me ujë të mjaftueshëm trupin, atëherë truri ynë nuk do të funksionojë mirë, çka na vë përballë dhimbjeve të kokës. 7 përfitimet shëndetësore që vijnë nga pirja e rregullt e ujit • Uji është ilaç natyral për dhimbjen e kokës. Shkak për dhimbjen e kokës është edhe dehidratimi i trupit, prandaj duhet të konsumohet rregullisht ujë, minimalisht dy litra gjatë ditës. • Dukesh më i ri, e me lëkurë të shëndetshme Ju do të dukeni më i ri, kur lëkura juaj është siç duhet e hidratuar. Uji lagështon lëkurën dhe rrit elasticitetin e saj. • Ke produktivitet më të mirë në punë Truri ynë është i përbërë kryesisht nga uji, pirja e rregullt e ujit na ndihmon që të mendojmë më mirë, të qëndrojmë më vigjilentë dhe më të përqendruar. • Pirja e ujit rregullon temperaturën e trupit tuaj. • Ndihmon në tretje dhe kapsllëk. Pirja e ujit rrit metabolizmin tuaj, sepse ajo ndihmon në tretje. • Humor të mirë. Në qoftë se konsumoni rregullisht ujë, atëherë trupi juaj ndihet shumë mirë dhe kjo është arsyeja pse ju ndiheni të lumtur. • Zvogëlon rrezikun e kancerit. Lidhur me sistemin e tretjes, disa studime tregojnë se konsumi i shëndetshëm i ujit mund të reduktojë rrezikun e kancerit të fshikëzës dhe kancerin e zorrës së trashë. Uji hollon përqendrimin e agjentëve që shkaktojnë kancer në urinë dhe shkurton kohën në të cilën ata janë në kontakt me pjesën e brendshme të fshikëzës. Shenjat që tregojnë se kur trupi ka nevojë për më shumë ujë Ngjyra e errët e urinës është një ndër shenjat më të shpeshta që paralajmëron mungesën e ujit në organizëm. Në kushte normale, pra kur trupi ynë nuk është i dehidratuar ngjyra e urinës është e verdhë e zbehtë. Në rast se ngjyra e urinës është e errët ose mban erë të fortë, tregon se duhet të pimë më shumë ujë sepse trupi ynë ka mungesa të theksuara. Lëkura e thatë është një tjetër tregues. Lëkura përbën pjesën dërrmuese të trupit dhe si e tillë kërkon pjesën e saj të ujit. Etja është shenja më e qartë që tregon se trupi ynë ka nevojë për më shumë ujë që të mos vihet përballë komplikacioneve që pengojnë funksionimin normal të organeve jetësore. Duhet të dimë që konsumi i ujit nuk duhet bërë vetëm në rastet kur etja është e madhe. Organizmi kërkon furnizimin me ujë vazhdimisht. Lodhja është një tjetër tregues që vë në dukje mungesën e ujit. Kjo pasi uji është një burim i energjisë dhe ju jep një shtysë në energji. Mungesa e ujit është përgjegjëse për: Lodhje Migrenë Kapsllëk Dhimbje të muskujve Tension jo të rregullt të gjakut Probleme në veshka Tharje të lëkurës Kur trupi arrin dehidrimin në masën 20%, mund të ndodhë risku i vdekjes.
Posted on: Sun, 30 Jun 2013 11:15:23 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015