Plani i LDK-së për Prishtinën metropol Kryetari i Komunës - TopicsExpress



          

Plani i LDK-së për Prishtinën metropol Kryetari i Komunës së Prishtinës dhe i LDK-së, Isa Mustafa, duke prezantuar të hënën të arriturat dhe planet për katër vitet e ardhshme, ka thënë se në vitet e shkuara Prishtina ka qenë një kantier ndërtimi, ndërsa në katër vitet e ardhshme do të shndërrohet në një qytet të gjelbër,në të cilin zhvillimi ekonomik, arsimi, shëndetësia, kultura, urbanizimi etj, do ti ngjasojnë vendeve të përparuara evropiane. Arsimi Kryetari Mustafa tha se të arriturat e Prishtinës në katër vjetët e ardhshme në arsim kanë qenë të mëdha sepse janë ndërtuar 22 shkolla, që do të thotë se gati gjysmën e shkollave i kemi ndërtuar vetëm këto katër vite, ndërsa këtij numri i shtohen edhe katër shkolla që janë ndërtuar me bashkëfinancim me donatorë dhe MASHT-in. Për ta zhvilluar arsimin në nivel evropian, kryetari Mustafa tha se ka planifikuar 20 milionë investime në katër vitet e ardhshme, të cilat do ta normalizojnë plotësisht sektorin e arsimit, kur dihet se katër vite më parë kishim mësim me nga katër turne. “Ne kemi mbuluar shumë fusha të arsimit parashkollor dhe të arsimit fillor dhe të mesëm, kemi bërë përpjekje gjatë kësaj periudhe që aftësojmë infrastrukturën e fortë në arsim, kryesisht me ndërtimin e shkollave të reja me pajisjen e shkollave me teknologjinë moderne të kabineteve, të laboratorëve, të sallave të edukatës fizike etj”, shtoi Mustafa. Në periudhën e ardhme kohore, Mustafa tha se komuna e Prishtinës planifikon të ndërtojë shkolla të reja në lokalitete ku tani nuk ka. Sipas tij, vlerësimet janë se duhet të ndërtohet një shkollë në Veternik, përkatësisht në lagjen “Prishtina e Re”, pastaj një shkollë në “Kalabri”, themelet e të cilës janë vënë para tri vjetësh, por për arsye pronësore shkolla ende nuk është funksionale, një tjetër te lagjja “Përroi i njelmët” dhe një në lagjen “Mati 1”. Ai po ashtu tha se do të ndërtohen disa salla të edukatës fizike, dhe atë në shkollën “7 Marsi” në Kalabri, në shkollën e vjetër të Hajvali, në shkollën “Shtjefën Gjeçovi dhe në shkollën e fshatit Shkabaj. Mustafa shtoi se mbetet si objektiv strategjik plani që disa shkolla të mesme që janë në qendër të qytetit të dislokohen në periferi, në mënyrë që shkollat që janë brenda qyteti të shërbejnë si shkolla për nxënësit e moshave më të ulëta. Shëndetësia Në fushën e shëndetësisë kryetari Mustafa, ka thënë se vetëm në vitin 2012 janë ofruar 1.9 milion shërbime shëndetësore, që i bie se janë ofruar mbi 5000 shërbime shëndetësore në ditë. “Këto shërbime janë ofruar nga 861 punëtorë shëndetësorë dhe joshëndetësorë, përmes Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, 14 qendrave të mjekësisë familjare, 14 ambulancave, Poliklinikës së Stomatologjisë dhe Qendrës së Mjekësisë Urgjente”, ka thënë Mustafa. Ai ka thënë se prioritet në fushën e shëndetësisë në Prishtinë, mbetet ndërtimi i Spitalit të Qytetit, ndërtimi i qendrave të mjekësisë familjare në Rrugën “Ilir Konushenci”, Lagjen e Muhaxherëve, në fshatin Keçekollë, mandej prioritet mbetet funksionalizmi i Sistemit të informimit shëndetësor, vazhdimi i furnizimit të qendrave të mjekësisë familjare me aparaturë mjekësore, me autoambulanca dhe pajisje laboratorike dhe zonimi qytetit dhe listimi i pacientëve. Gjelbërimi Gjatë prezantimit të planit të tij për gjelbërimin në kryeqytet, kryetari Mustafa ka thënë se në katër vitet e ardhshme, do të vazhdojë dinamika e filluar këtë vit, për mbjelljen e 12 mijë drunjve të rinj në kryeqytet, për zgjerimin e hapësirave të gjelbra, për mirëmbajtjen e tyre dhe për investimin e miliona euro. “Ne planifikojmë që të shtojmë numrin e drunjte dekorativ në kryeqytet, në mënyrë që të mbjellim drunjtë në të gjitha rrugët dhe rrugicat, në të gjitha parqet dhe në pjesët ku kemi degjenerim të drunjte të cilëve ju ka kaluar afati. Gjatë katër viteve ne planifikojmë që të mbjellim të paktën 12 mijë drunj të rinj në kryeqytet, të cilësisë më të lartë, nga 3 mijë drunj në vit, siç kemi bërë gjatë këtij viti. Ne synojmë që ta ndryshojmë mikroklimën në qytet dhe ta bëjmë një qytet shumë më të begatshëm. Gjatë këtyre viteve ne kemi investuar 6.3 milionë euro në gjelbrim, prej të cilave 1.6 milionë euro janë nga donatorët, ndërkaq pjesa tjetër është e komunës së Prishtinës”, ka thënë Mustafa. Ai ka shtuar se ne planifikojmë të zgjerojmë sipërfaqet e gjelbëruara, të fillojmë të hapim lagunat të cilat janë të parapara me Planin Zhvillimor Urban dhe të intensifikojmë mirëmbajtjen e parqeve ekzistuese. Gjatë këtyre katër viteve, Mustafa ka thënë se në Komunën e Prishtinës janë zgjeruar hapësirat e gjelbëruara, të cilat janë orientimet tona në katërvjetëshin e ardhshëm. “Ne i kemi dhënë rëndësi mjaft të madhe gjelbërimit, kemi investuar sidomos në parqet e mëdha të qytetit në Taukbashqe, në Arbëri, në Gërmi kemi investuar një buxhet të konsiderueshëm prej 1 milionë e 150 mijë euro. Në parkun e Taukbashqes jemi duke punuar edhe tani, është një investim prej rreth 440 mijë euro në gjelbërimin dhe rregullimin e këtij parku. Taukbashqja është me një sipërfaqe prej 12 mijë hektarëve”, ka thënë Mustafa. Ai ka shtuar se në Parkun e Arbërisë kemi punuar me Komisionin Evropian dhe kanë përfunduar investimet, është rigjeneruar gjelbërimi, janë vendosur atje edhe pajisjet e ndryshme sportive dhe rekreative edhe për të rinj edhe për fëmijë dhe mosha të ndryshme. “Në Parkun e Gërmisë kemi një investim prej 510 mijë euro, prej të cilave ¾ janë investim i Komisionit Evropian, pjesa tjetër është investim i Komunës së Prishtinës, është një sipërfaqe prej 7.5 hektarëve e cila do të rregullohet, do të rregullohen stazat, ndriçimi, ulëset dhe rregullimi i ambientit. Gjatë kësaj periudhe është rregulluar edhe deponia e mbeturinave e cila ka qenë në Kodrën e Trimave, investimi është bërë me Komisionin Evropian, në shumë prej 1 milionë euro”, ka thënë ai. Ekonomi dhe bujqësia Kryetari Mustafa ka thënë se një fushë me rëndësi për komunën në katër vitet e ardhshme do të jetë mbështetje edhe më e madhe e pushtetit lokal për zhvillimin e veprimtarive prodhuese, duke e konsideruar si një prej formave më të mira për nxitjen e zhvillimit ekonomik lokal. Kryetari Mustafa, ka thënë komuna ka mbështetur 60 fermerë të Malësisë së Gollakut në projektet e tyre në bujqësi, perimtari e shpezëtari dhe gjatë mandatit të ardhshëm, fondi për subvencionimin e veprimtarive të tyre do të rritet ndjeshëm. “Do të bëjmë përpjekje për shtimin e fondeve për subvencionet për bujqësi, perimtari, shpeztari sepse në këtë rajon ka kushte të mira për zhvillimin e këtyre veprimtarive”, tha kryetari Mustafa. Ai tha se qëllimi kryesor i platformës së Lidhjes Demokratike të Kosovës për këtë rajon malor të kryeqytetit është që njerëzit të qëndrojnë në fshatrat ku kanë lindur si dhe të krijohen kushte që dhe ata që janë shpërngulur në Prishtinë, të mund të kthehen për të zhvilluar veprimtari prodhuese e përpunuese. Rinia Duke shpalosur programin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për rininë, kryetari Isa Mustafa, është zotuar se nën qeverisjen e LDK-së, vitin e ardhshëm, do të krijohet një Fond për financimin e bizneseve të të rinjve, ndërsa shkollimi dhe studimi për femrat do të jetë pa pagesë, në mënyrë që djemtë dhe vajzat të kenë gjithëpërfshirje të njëjtë në arsim. “Ne do ta themelojmë Fondin për financimin e bizneseve të të rinjve, do të lirojmë bizneset e të rinjtë nga pagesa e taksave dhe tatimeve, për një periudhë të caktuar, do të të lirojmë tërësisht nga tatimi bizneset e femrave dhe do të realizojmë një kosto zero të studimit të femrave, në mënyrë që vajzat të mos paguajnë për shkollim dhe studime”, ka thënë Kryetari Mustafa. Ai ka potencuar se Fondi zhvillimor për rininë do të krijohet pasi që do të marrim masa që Fondin e Privatizimit ta kthejnë në Kosovë dhe ta funksionalizojmë në një Fond të zhvillimit ekonomik, do të mobilizojmë kursimet e bashkatdhetarëve që janë në botën e jashtme, që të vijnë në Kosovë si investime të drejtpërdrejta. Prioritet do ti jepet sektorit privat, sepse sipas kryetarit Mustafa, “nxitja e sektorit privat hap vende pune, sidomos për të rinjtë”. Kreu i LDK-së, ju ka premtuar të rinjve nga Prishtina dhe qytetet tjera të Kosovës, se në të gjitha komunat që do të qeverisen nga LDK-ja, do të krijohen fonde për dhënien e bursave për studentë. Administrata Duke prezantuar të arriturat në administratën lokale të kryeqytetit dhe planet për katër vitet e ardhshme, kryetari i Prishtinës, Isa Mustafa ka thënë se se vetëm në tri vitet e fundit, si rezultat i reformave në administratën komunale, si rezultat i decentralizmit dhe digjitalizimit, është arritur me sukses që të trajtohen 250 mijë lëndë të fushave të ndryshme dhe janë lëshuar 660 mijë dokumente të gjendjes civile. “Këto shifra tregojnë për një punë shumë të madhe e cila është kryer në Komunën e Prishtinës”, ka thënë kryetari Mustafa, dhe ka shtuar se gjatë katër viteve të shkuara është zhvilluar teknologjia informative, e cila do të mundësojë së shpejti digjitalizimin e mënyrës së dhënies së dokumenteve për qytetarë. “Edhe pse nuk kemi pas përkrahje nga qeveria qendrore, Komuna e Prishtinës ka ofruar shërbime për të gjithë banorët e Kosovës, pavarësisht a kanë qenë ata banorë të Prishtinës, apo jo”, ka thënë kryetari i Prishtinës. Lidhur me planet e tij në fushën e administratës lokale, Mustafa ka thënë se planifikojnë që të themelojmë Institutin për Planifikim, i cili do të merret kryesisht me planifikimin urban dhe hapësinor të Prishtinës, për të mundësuar bartjen e shërbimeve civile nga komuna nëpër distrikte, në mënyrë që të decentralizojmë lëshimin e dokumenteve dhe ofrimin e shërbimeve, për qytetarët, të bëjnë digjitalizimin e shërbime online, do të digjitalizojmë kontrollin e trafikut në qytet, ndriçimin e qytetit dhe mbikëqyrjen e linjave urbane. “Do të themelojmë Zyrën qendrore për promovimin e investimeve dhe të turizmit, do të digjitalizojmë të dhënat e kadastrit dhe pronës, në të gjitha pjesët e Prishtinës do të themelojmë pikat informative, do ta shtojmë numrin e ekspertëve të urbanizimit, pronës dhe kadastrit. Të punësuarit e rinj do të jenë më shumë femra, më shumë të rinj dhe me arsimim të lartë, do ta fuqizojmë Drejtorinë e Pronës, Drejtorinë e Inspeksionit dhe Drejtorinë e Ekonomisë, si pjese të politikave zhvillimore në të ardhmen”, ka thënë Mustafa, duke shpalosur planet e tij për administratën e kryeqytetit në katër vitet e ardhshme. Sporti Kryetari Mustafa ka thënë se Plani Zhvillimor Urban parasheh që në pjesën veriore të Prishtinës të ndërtohet një stadium olimpik, sipas standardeve të FIFA-s, ndërsa të gjitha lagjet e Prishtinës do të bëhen me terrene sportive. “Ne planifikojmë, ndërtimin i Stadiumit futbollistik në pjesën veriore të qytetit, me partneritet publik – privat. Ky do të jetë një investim 10 deri 20 milionë euro dhe do të respektojë të gjitha standardet e FIFA-s dhe UEFA”, ka thënë kryetari i Prishtinës. Ai ka thënë se Plani Zhvillimor Urban i ka identifikuar dhe përcaktuar hapësirat në qytet dhe fshatra ku komuna do ti ndërtojmë qendrat rekreative-sportive. “Në Prishtinë ne kemi 100 mijë studentë dhe 50 mijë nxënës të shkollave të mesme dhe fillore, të cilëve duhet siguruar terrene sportive dhe rekreative. Pjesa veriore e qytetet sipas Planit rregullues do të përdoret për ndërtimin e terreneve sportive, por qendra sportive do të ndërtohen edhe në fshatrat e Prishtinës në drejtim të Podujevës dhe në zonën e Gollakut ku lartësia mbidetare është mbi 1000 metra”, ka thënë Kryetari Mustafa. Ai ka nënvizuar se në mandatin e shkuar janë subvencionuar klubet sportive, në vlerë prej 400 mijë euro dhe kjo përkrahje financiare do të rritet në të ardhmen. “Në Prishtinë kemi 125 klube të sportit të cilat janë të evidentuara, prej tyre 107 janë zyrtare të cilat veprojnë dhe komunikojnë me ne rregullisht, kemi 13 klube të femrave, gjë që na gëzon fakti. Kemi bërë investime në fushën e sportit, më shumë se përpara. I kemi kryer disa investime emergjente në fushën e sportit, rinisë dhe rekreacionit. 42 fusha të sportit i kemi ndërtuar në qytet, deri në fund të vitit pritet të ndërtohen edhe 5 fusha sportive dhe këtë mandat do ta përfundojmë me 47 fusha të sportit të ndërtuara. Kemi edhe 16 fusha sportive të cilat i kemi ndërtuar në oborret e shkollave dhe gjithsejtë gjatë këtij mandati i bie se i kemi ndërtuar mbi 60 fusha sportive”, ka thënë, kryetari Mustafa. Ai ka potencuar se janë ndërtuar edhe 10 salla të edukatës fizike në shkolla të ndryshme të Prishtinës, ndërsa edhe 5 salla tjera që do ti ndërtohen në mandatin e ardhshëm, do të plotësojnë nevojat e shkollave për salla të edukatës fizike. Investimet kryesore të Komunës së Prishtinës kanë qenë në terrene sportive universale, ku janë ndërtuar terrene për basketboll, terrene për futboll dhe është ndërtuar shtegu i vrapimit në Gërmi. “Gërmia do të bëhet pishinë olimpike, sepse i kemi siguruar mjetet për vitin e ardhshëm. Aktualisht ne po e rinovojmë Pishinën e Gërmisë me një investim shumë të madh në mënyrë që tejkalojmë problemet me viktimat atje. Si rezultat i investimeve, Pishina e Gërmisë do të ketë mundësi të shfrytëzimit multifuksional, ku gjatë stinës së dimrit do të përdoret për patinazh, ndërsa do të investojmë edhe në panoramën e Bjeshkatarisë në Gërmi”, ka thënë kryetari Mustafa. Komuna e Prishtinës aktualisht është duke e realizuar projektin për mbulimin e pjesës perëndimore të Stadiumit të Prishtinës dhe me mjetet e komunës do të vendosen edhe karriget në Stadium e Prishtinës. Kultura Kryetari Mustafa ka prezantuar projektet e trashëgimisë kulturore, historike dhe arkitektonike të kryeqytetit dhe ka prezantuar projektin për konservimin e pjesës së vjetër të Prishtinës. Ai ka theksuar se edhe pse nuk ka qenë përgjegjësi e Komunës, gjatë mandatit të kaluar qeverisës, është investuar për realizimin e projekteve të cilat po ia kthejnë Prishtinës imazhin e një qyteti me vlera historike dhe të trashëgimisë kulturore e shpirtërore. “Ne kemi realizuar projekte të shumta restaurimi të objekteve, sikur Hamami i Prishtinës, Xhamia e Qarshisë apo siç njihet Xhamia e Gurit, dhe në mandatin tjetër do të përfundojmë projektin e tërësishëm të konservimit të pjesës së vjetër të qytetit të Prishtinës”, ka thënë kryetari Mustafa. Ai tha se një pjesë e Hamamit të Prishtinës, renovimi i të cilit përfundon së shpejti, do të shndërrohet në muze të Neolitit, kurse pjesa tjetër do të mund të përdoret për ngjarje të ndryshme kulturore që do të organizohen në Prishtinë. “Pjesa e vjetër e Prishtinës është specifike për nga arkitektura, prandaj projektet e ekspertëve të angazhuar do të mundësojnë që ato të ruajnë vlerat e traditës sonë arkitektonike. Të gjitha objektet e vjetra do të ruhen, ndërsa do të ndërtohet edhe një shesh, i cili do të jetë një vend atraktiv edhe vizitorët e kryeqytetit të Kosovës”, tha Mustafa, duke falënderuar edhe partnerët si Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve, të cilët po mbështesin projektet për ruajtjen e trashëgimisë kulturore e historike të Prishtinës. Planifikimi Urban Duke prezantuar të arriturat dhe planet për katër vitet e ardhshme në fushën e planifikimit urban, kryetar Mustafa, ka thënë se Plani Zhvillimor Komunal dhe Plani Zhvillimor Urban, parashohin një koncept zhvillimor policentrik, ku Prishtina do të shpërndahet në tri qendra, të cilat do të lidhen ndërmjet veti me tren dhe tramvaj. “Ne kemi hartuar Planin Zhvillimor Komunal dhe Planin Zhvillimor Urban, dhe jemi të kënaqur me atë që e kemi realizuar. Në bazë të këtyre planeve zhvillimore, koncepti i zhvillimi të qytetit është plicentrik. Ne kemi paraparë që të zhvillojmë tri qendra të Prishtinës, në mënyrë që ta shpërndajmë popullsinë kryeqytetit. Ne planifikojmë që qendrën ta zhvillojmë edhe më tutje dhe që komunikacionin me autobusë ta kompensojmë me tren dhe me tramvaj, që do ta lidh qendrën Prishtinës me hekurudhën dhe autostradën, dhe kjo linjë do të shërbejë, jo vetëm për transportin e qytetarëve, por edhe të mallrave”, ka thënë kryetari Mustafa. Ai ka thënë se në të ardhmen ne kemi planifikuar edhe trenin urban përgjatë rrugës “Agim Ramadani”, kah hekurudha te Xhamia e Llapit – e deri te udhëkryqi Mitrovicë Fushë-Kosovë dhe kjo linjë do të lidhet me një trase që shkon në zonën Qendër. “Kushtet ekzistojnë, por këtë nuk do të mundemi ta bëjnë shpejt, pasi që na komplikohet unaza Qendër. Sipas Planit Zhvillimor për Prishtinën ne planifikojmë që qendrat sportive t’i zhvendosim në pjesën veriore, në mënyrë që zhvillimet sportive dhe të tjera - të mos jenë të koncentruara vetëm në një vend. Në pjesën veriore ne kemi lënë hapësira për ndërtime të reja dhe shtrirjen e Prishtinës në atë pjesë. Atje ka toka të mjaftueshme dhe ajo tokë i përgjigjet konceptit të planin tonë zhvillimor”, ka thënë kryetari i Prishtinës. Sipas Planit Zhvillimor, Zona Lindore do të jetë e përcaktuar për institucione qeveritare dhe është Zona Perëndimore që kapet me Zonën djathtë dhe Zonën e majtë të Veternikut. Në atë pjesë do të lidhet edhe kopshti zoologjik, dhe ne veç e kemi vendosur një zonë të mbyllur me arinj te Liqen i Badovcit. “Ne si komunë kemi ndarë një pjesë të sipërfaqes komunale për këtë destinacion. Ne jemi të interesuar që, edhe përkundër zhvillimit të qytetit, ta ruajmë tokën bujqësore. Plani ynë zhvillimor është zgjeruar në kategorinë e tokës me kualitet më të ulët dhe kryesisht andej ku nuk cenohet toka bujqësore”, ka thënë kryetari Mustafa. Zhvillimi i turizmit rural dhe artizanaleve, sipas planit të LDK-së për Prishtinën është paraparë të zhvillohet në fshatrat Koliq, Ballaban, Prapashticë, Rimanishtë, Nishec, Dabishec dhe Hajkobillë. Ndërsa Promovimi i zhvillimit të bujqësisë është paraparë të në fshatrat: Barilevë, Vranidoll, Lebanë, Besi, Prugovc, Teneshdoll dhe Trudë. Trafiku Urban Me rastin e prezantimit të të arriturave në fushën e transportit publik dhe planeve për katër vitet e ardhshme, kryetari Mustafa, ka thënë se gjatë këtij viti komuna ka siguruar 2 milionë euro për blerjen e autobusëve modern, ndërsa në katër vitet e ardhshme do të shpenzohen edhe 8 milionë euro për blerjen e autobusëve, të cilët do të stabilizojnë qarkullimin në kryeqytet dhe do të mundësojnë transport falas për pensionistë, invalidë të luftës, ushtarakë, policë dhe disa kategori tjera. “Kemi planifikuar subvencionimin e biletave falas për një pjesë të udhëtarëve, fëmijët deri në 6 vjeç nuk do të paguajnë bileta, nuk do të paguajnë bileta as personat me aftësi të kufizuara, nuk do të paguhen biletat nga asnjë qytetarë Ditën e Pavarësisë më 17 Shkurt, ndërsa shpenzimet do ti paguajë komuna dhe kompania. Transporti publik në Prishtinë do të jetë falas edhe për zyrtarët policorë dhe ata ushtarakë në detyrë, për invalidët e luftës dhe pensionistët. Kjo do të jetë një barrë të cilën do ta subvencionojmë nëpërmes buxhetit të komunës. Transporti do të jetë për 50% më i lirë për veteranët e luftës, për familjarët e dëshmorëve, për fëmijët e tyre nga 6 deri në 12 dhe për studentët”, ka thënë kryetari i Prishtinës. Ai ka shtuar se për këtë vit komuna ka siguruar 2 milionë euro për blerjen e autobusëve të rinj, por edhe në katër vitet e ardhshme do të sigurohen nga 2 milionë euro nga buxheti komunës, për të mundësuar blerjen e autobusëve dhe për ta zgjidhur problemin në qendër të qytetit dhe pjesën urbane, ndërkaq me operatorët publikë-privatë do të mbulohen linjat që shfrytëzohen nga qytetarët në zonat tjera. Mustafa ka thënë se problemet kryesore të Trafikut Urban janë autobusët e vjetër, ngritja e çmimet të derivateve, është problem ndërhyrja e operatorëve privatë që nuk janë të licencuar, problemet me moshën e vjetër të punëtorëve të Trafikut Urban, dhe problemi i fundit janë detyrimet nga Administrata Tatimore të cilat janë prolonguar me marrëveshje ndërmjet palëve.
Posted on: Mon, 28 Oct 2013 20:15:05 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015