Po të shikojmë me vëmendje Shqipërinë do të shohim se ajo - TopicsExpress



          

Po të shikojmë me vëmendje Shqipërinë do të shohim se ajo është shumë më e pasur nga ç’e pandehim. Gjithë pjesa fushore, gjithë ultësira që zgjatet përgjatë bregut të Adriatikut, ka një klimë shumë të butë; që nga Shkodra e deri në Prevezë rritet ulliri me kokrra dhe vaj të mirë; ky dru i bekuar rritet edhe në thellësi të vendit gjer në Elbasan, Mallakastër, Berat. Portokallet, limonët, mandarinat dhe qitrot rriten shumë mirë në jug të Shqipërisë, që nga Himara e deri në Prevezë, duke formuar kopshte parajse në Pargë e në Prevezë. Që sot, një tregti e madhe bëhet me këto agrume. Portokallet rriten dhe në Elbasan, që formon kufirin e largët të brezit të ullirit. Ata që njohin ullinjtë dhe merren me tregtinë e tyre, thonë se drurët e Shqipërisë janë shumë prodhimtarë dhe më të mirë se ata të Italisë meqenëse nxjerrin më shumë vaj. Kjo duhet të na jap kurajë që të shtojmë këta drurë, dhe të mbushim me ullinj gjithë vendet që rrinë sot të zhveshura dhe shterpë anës detit. Kjo pjesë e Adriatikut ka një të ardhme të mirë dhe për kulturën e duhanit: toka e kuqe e Tiranës dhe e Elbasanit prodhon që tani një duhan të cilësisë së mirë; ata që kanë shkuar në Elbasan e dinë sa tregti të madhe bëjnë qytetet dhe fshatrat me këto fletë të hidhura. Pak punë, pak dituri dhe pak kapital do të arrijë të përmirësoj këtë kulturë. Mjafton të dish si ta mbjellësh dhe kultivosh, atëherë fitimi do të bëhet 10 herë më i madh nga ç’është sot. Po pjesa malore e Shqipërisë, vendet që janë mbi male, si janë? Një autor i huaj shkruan këto fjalë: “Në qoftë se Shqipëria sot është e varfër, kjo nuk vjen nga varfëria e tokës, por nga shkaku që kjo tokë s’punohet sa dhe si duhet”.(30) Sot malësia na duket e varfër, toka e saj na ngjan shterpë; shkaku është se ne prej tokës presim misër dhe grurë, dhe po nuk na dha drithë, themi se është shterpë. S’dimë të kërkojmë gjë tjetër, s’dimë ta bëjmë tokën që të na jap prodhim, presim që vetë toka të na sjellë mirësinë e dëshiruar. Atje ku nuk bëhet drithë, bëhen patate, bëhen vreshta, bëhen dru frutor si arra, gështenja, lajthi, mollë, qershi... Bëhet mani dhe ushqehet krimbi i mëndafshit. Toka i thotë njeriut: Punomë dhe unë kam për të të dhënë prodhim. Po njeriu shumë herë tregohet i shurdhër dhe nuk kupton. Pra, nuk është çudi kur sot shohim vende të varfra si Mirdita, Luma, Lura, Martaneshi, Vërça, Skrapari. Pak punë, shumë vullnet, pak dituri dhe mjaft durim, mund të na i bëjë të këndshme viset që sot na duken të varfra dhe shterpë. Padyshim, ka dhe vende si Malësia e Mbishkodrës që janë prej natyre ku puna do të jetë shumë e rëndë dhe pak fitimtare. Sot i vetmi shërbim që na bëjnë malet është ushqimi i bagëtisë, dhenve e dhive; dhëntë prej racës që njihet nën emrin këvërxhëk, janë vërtet të vogla, por me një mish shumë të shijshëm; dhitë janë më pak fitimprurëse nga shkaku i pakicës së leshit dhe të qumështit. Megjithëse malet tona nuk kanë kullotat e majme të Alpeve, në shumë krahina bari është i hollë e i mirë. Po dhëntë që ushqejnë malet tanë janë vetëm për në verë; në dimër duhet që të ushqehen në jug dhe deri tani kanë zbritur në fushën e Selanikut dhe në Greqi. Gramozi dhe Sharri ushqejnë pjesën më të madhe të kopeve; Labëria dhe Çamëria meqenëse kanë edhe male edhe fusha, dhëntë mund ta kalojnë gjithë vitin në vend. Të dëgjuara janë dhëntë që mbajnë shqiptarët e Peshterit në veri të Pejës dhe Rrozajit. Veçanërisht meriton të përmendim racën e kuajve të Myzeqesë, e njohur që në kohë të lashta në gjithë Rumelinë për bukurinë, shpejtësinë e ecjes dhe huqet e saj; edhe tani vazhdon të bëhet një tregti mëzash me Evropën, po nga pakujdesia, hijeshia dhe bukuria e racës po vjen gjithnjë duke u zbehur. Njëqind vjet më parë, Pouquevilli, konsull i Francës pranë Ali Pashës në Janinë, shkruan se, afër fshatit Karbunar ishte një vend për të ushqyer “kuajt e bukur të Myzeqesë”. Disa gjëra në këtë botë, janë si zogjtë e korbit: sa venë e nxihen. Mbase të ushqyerit e bagëtisë dhe moskujdesi i njerëzve janë bërë shkak që kanë rralluar dhe pakësuar pyjet në Shqipëri. Sot vetëm në veriperëndim të vendit tonë nga Puka e në Martanesh, duke shkuar prej Mirdite, Malësi e Lezhës dhe Krujës, Bregu i Matit dhe i Ishmit, janë mbajtur pyje të bukur, me drurë të mëdhenj shekullorë, dhe që bëjnë një burim fitimi dhe pune padyshim mjaft të madh. Po përveç kësaj pjese veriperëndimore, malet në përgjithësi edhe gjetkë janë pak a shumë të veshur: më të rrallë gjenden male fare të thatë dhe shterpë; të shumtët kanë nevojë që të ruhen prej bagëtisë dhe prej sëpatës së druvarit; përveç kësaj mbrojtjeje, shtoni dhe pak punë, mbillni fara bredhi, dushku dhe ahu, sipas vendit dhe klimës dhe në pak vite do të kini një thesar të madh dhe të sigurt. Atë që do të humbisni prej dhive shikoni ta fitoni prej lopëve duke u kujdesur për kullotat dhe duke siguruar ushqimet si jonxhë, panxhar etj. Kur jemi duke bërë fjalë për pyjet, s’mund të lëmë në harresë metalet. Mundet që Shqipëria të ketë një të ardhme të mirë prej pasurive që flenë dhe presin nën tokë. Sot prodhohet pothuajse vetëm sera në Selenicë afër Vlorës, një nga më të pasurat e më të mëdhatë miniera të serës në botë. Në Kosovë në shumë vende si Prishtinë, Mitrovicë, etj del pak krom; mali i Korçës nxjerr një qymyr guri mjaft të mirë, i cili shtrihet deri në Kolonjë. Një studim serioz mbi gjeologjinë e Shqipërisë mungon akoma, po kërkimet e sipërfaqshme na japin shpresa të mëdha, meqenëse disa vende si afër Elbasanit, ku janë sot banjat dhe në Mallakastër të Fierit janë zbuluar burime nafte. Por, dhe burime qymyri gjenden në luginën e Drinit dhe afër Tiranës. Kohë më parë duket se janë shfrytëzuar tri miniera argjendi: në Fan (Dukagjin), Bulgeri (ndërmjet Lezhës dhe Kurbinit), në Malësi të Lezhës. Në këtë të fundit ka pasur edhe flori; i cili duket se është nxjerrë në Pirusten, tek bashkohen të dy Drinat (31), si dhe në Tomorricë të Beratit (32). Klima e butë dhe e ngrohtë e bregut të detit, era e shëndetshme dhe pastër e krahinave malore, e bëjnë Shqipërinë një vend të shëndetshëm, me çdo mirësi dhe bukuri, pa lënë jashtë edhe disa banja të ngrohta e të mira që kemi. Me ardhjen e paqes, me fillimin e një kohe pune dhe aktiviteti, kur të ëmbëlsohet njerëzia jonë me rrojtje e me gëzim, atëherë s’ka dyshim që vendi ynë do të mund të ushqejë disa herë më shumë njerëz dhe shqiptarët në pak kohë do të shtohen dy dhe tri herë më tepër nga ç’janë sot. Për të arritur një të ardhme të mirë dhe që të shohim të çelet një fatbardhësi e shkëlqyer, do të kemi nevojë që të punojmë dhe të përpiqemi pak më shumë nga ç’kemi punuar dhe jemi përpjekur deri më sot. Kemi një mëmëdhe të mirë, një tokë të begatë, por duhet derdhur punë dhe djersë që të përparojmë. Shoqëri të vogla, punë të veçanta, përpjekje të bashkuara. Çdo degë e aktivitetit po pret punën që do të japim. Shqipëria mund të japë çdo gjë, po sot s’do harruar që nuk ka asgjë. Një gjë që më ka habitur është mungesa e anijeve dhe e vaporëve shqiptar: kemi një bregdet të bukur që nga Shkodra e në Prevezë, dhe s’kemi asnjë detar, veç ca ulqinakë të vendosur në Shkodër dhe himarjotët. Dalmacia dhe Greqia, a nuk na bëhen shembuj me mijëra anije dhe vaporët e tyre? E tërë fusha e Myzeqesë nuk ka një gur; shtëpitë bëhen prej kallamash dhe nuk del njeri që të ndërtojë një fabrikë tjegullash. Për të shtypur ullinjtë dhe për të nxjerrë vajin s’mund të numërojmë më tepër se pesë mullinj me motor; mullinj mielli me zjarr edhe ata numërohen me gishtërinjtë e të dy duarve. Sharrë me zjarr ka vetëm një në Mitrovicë, e madhe, moderne; gjetkë s’gjen veçse sharra primitive. Që të shprehim trashëgiminë e një mëmëdheu të lulëzuar dhe një jetë të lumtur, duhet që kujdesin më të madh ta japim në mësimin dhe në studimin e diturive praktike: industri, mekanikë, inxhinieri, tregti. Dituria do të na hapte sytë dhe të na mësonte si të punojmë e si të fitojmë vetë, pa pritur që të vijë bota e të marrë për veten e saj, ajkën e fitimit. Padyshim Qeverisë i bie barra më e rëndë në kujdesin për arsimin. Shkollat duan një vëmendje të veçantë, që të përhapet një arsim i shëndoshë dhe me themel të mirë. Një pjesë e madhe e buxhetit këtu do harxhuar, kësaj dege i do dhënë përparësi, nga e cila pritet fitim i madh. Buxheti në një pikë, mbi të cilën Qeveria do të ketë një vështirësi dhe një barrë të madhe! Shqipëria indipendente që njohu Konferenca e Londrës, nuk mund të ketë më tepër se gjashtë a shtatëqind mijë lira (13-15.000.000 franga) të ardhura. Sot janë shumë pak; nesër padyshim do të shtohen, do të bëhen dy, tri, dhjetë herë më shumë. Sot duhet një ekonomi dhe kujdesje e fortë; s’do harruar se çdo harxhim i panevojshëm i sotëm do të na lidhë këmbë e duar në të ardhmen, dhe huaja që merret është një barrë e rëndë nën të cilën shumë herë shtypet e shtrydhet një shtet. Huaja! Po kush do ta paguaj fajdenë e saj dhe qysh? Me ekonomi të madhe në të harxhuar, të mos hedhim të hollat nga dritarja, me një administratë të zgjedhur dhe ekonomie, si një komb i varfër dhe malor që jemi, dhe duke u mbrojtur nga sistemi më shumë nëpunës dhe rroga të mëdha, atëherë, sigurisht mund të lidhen të dy çipat, të mbarojmë punë me dhjamin tonë, duke kursyer nga mund të kursehet dhe duke qenë më të kujdesshëm për shkollat e për gjëra të nevojshme si arsimi. Me huan që të merret, duhet që të bëhen vetëm punë me fitim, prej të cilave nesër të shprehet shtimi i begatisë dhe sigurimi i së ardhmes. Në mes të këtyre kemi rrugët, limanet, tharjen e kënetave, kanalizimet. Të gjitha këto janë për t’u krijuar, meqenëse sot nuk ka gjë fare. Mungesa e mjeteve, të marrëdhënieve na kanë shkaktuar varfërinë tonë morale e fizike, duke na ndarë prej shoku shokut, duke na ndaluar të njihemi, të vëllazërohemi, duke na rrethuar në malet ku vuajmë prej urisë. Pas ndërtimit të rrugëve, urave, rrugëve të qerreve e të kuajve nëpër male, rrugëve automobilistike, do të vijë çështja e rrugëve të hekurta, të cilat do të kenë dy qëllime: shërbimin e brendshëm të vendit tonë dhe shërbimin e jashtëm për lidhjen me shtetet e tjera. Vendi ku është vendosur Shqipëria jonë, është një pozicion i tillë gjeografik që i siguron një të ardhme të mirë. Bregu i Adriatikut mbi të cilin shtrihet, të qenit në perëndim të gadishullit të Ballkanit dhe në pikën jugore të Evropës, afërsia me Italinë, të gjitha këto i sigurojnë Shqipërisë dhe tregtisë së saj, një rëndësi dhe një të ardhme të madhe; një rrugë hekuri nga Durrësi apo nga ndonjë skelë tjetër, që ta lidh me rrugët e tanishme, në Tunë dhe në Det të Zi, do ta bëjë vendin tonë bulevardin e një tregtie dhe të një lëvizjeje mjaft të madhe, prej së cilës nuk do të kemi veçse fitime, si një vend qendror dhe si një shtet transit. Atë dobi dhe fitim që ka sot Zvicra si shtet qendror në Evropë, do ta kemi dhe ne nesër, në mënyrë të ndryshme, por jo më të pakët. *** Nëse është e vërtetë që këto punë dhe detyra priten prej Qeverisë, domethënë prej atyre shqiptarëve që formojnë Qeverinë, nga ana tjetër janë dhe shumë vepra që varen nga iniciativa private e çdo shqiptari, në të cilat çdo njeri, çdo gjymtyrë e këtij kombi ka një shteg dhe një detyrë aq me rëndësi sa e kujtdo tjetër. Sot është e pamohueshme, se nga organizimi dhe zhvillimi kombëtar jemi në një shkallë mjaft të ulët. Shumë prej nesh, çdo vit, në qindra dhe mijëra, po humbasin për kombin dhe mëmëdhenë, sikundër edhe nga ata që mbeten s’del dot fitimi që mund të shprehet; të gjithë e shohim, e dimë dhe na vjen keq që shumë djem shqiptarë duke harruar dhe duke mos e mësuar gjuhën, largohen nga Shqipëria, treten në kombe të huaj. Gjenden me mijëra njerëz në të cilët kujtimi i kombësisë dhe i gjakut ka mbetur vetëm në një emër, në një kujtim, po në mendje dhe në zemër të tyre ndjenjat e vërteta janë gjysmuar. Në qoftë se deri më sot kjo gjë ka formuar një rrezik për ne, paskëtaj do të jetë një mënyrë dhe një rrezik akoma edhe më i madh, sepse të shpërndarë në tre shtete deri më dje, tani gjendemi të shpërndarë në gjashtë, mbase dhe në shtatë shtete pa numëruar kolonitë e shumta në të gjitha anët e botës. Pra, që të mund të ruajë kombësinë dhe të mos humbasim identitetin tonë, kemi nevojë për organizime të forta. Shembulli i shteteve të tjerë duhet të na tregojë e të na ndriçojë rrugën e duhur: hebrenjtë kanë shoqërinë aleanca izraelite, italianët kanë Dante Aligerin, grekët kanë sillogjet, turqit tani po bëjnë dernekët, bullgarët kishin Matcen, sikundër që e kanë akoma sllavët e përparuar që jetojnë nën monarkinë austriake. Me anë të këtyre lidhjeve dhe shoqërive, këta kombe po përpiqen të ruajnë kombësinë, ta ngjallin atje ku është në të shuar e sipër, të sjellin afërsi dhe bashkim midis njerëzve të tyre. Deri tani e vetmja punë e bërë, i vetmi organizim pak i fortë, duket në koloninë e shqiptarëve që jetojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës: këtë ia kemi hua federatës Vatra që lidh dhe bashkon më tepër se dyzet degë. Kolonive të Rumanisë, që padyshim janë me rëndësi të madhe, nga shkaku se gjymtyrët e tyre janë bërë vendas, fatkeqësisht u mungon një organizim i vërtetë dhe i fortë, megjithëse ka afër një vit që është njohur zyrtarisht në Bukuresht një “Koloni Shqiptare”. Kolonitë e Egjiptit, ku zgjimi ka filluar që në kohën e të ndjerit Thimi Mitko, pesëdhjetë vjet më parë, sot për fat të keq ndodhen fare të shkatërruara dhe të çorganizuara. Nga të dy grupimet e mëdhenj të Italisë dhe Greqisë, i pari është në një gjendje mjaft të lulëzuar, meqenëse kultura e gjuhës dhe gjallimi i ndjenjave nuk është harruar kurrë, dhe kur kujtojmë shërbimin e bërë prej shkrimtarëve shqiptaro-italianë kemi të drejtë që edhe të ardhmen ta shpresojmë të mirë. Ata të Greqisë mund të themi se janë në rrezik të greqizohen dhe të zhduken, meqenëse deri më sot, megjithë dritën e pakët të hedhur prej Anastas Kullorotit dyzet vjet më parë, nuk është treguar ndonjë shenjë lëvizjeje. Një organizim, një shoqëri e fortë sipas emblemave të shoqërive të huaja që përmendëm më sipër, është nga nevojat më të para që të përkujdeset për “dhëntë e arratisura”, që ndodhen në rrezik të humbjes. Ajo shoqëri, që do t’i duhen shumë të holla, shumë njerëz dhe akoma më shumë punë, do të ketë për barrë hapjen e shkollave, shpërndarjen e librave e gazetave. Probleme të reja e të shumta kemi përpara nesh. Në Serbi dhe në Mal të Zi, gjysma e numrit të gjithë shqiptarëve po presin që edhe ata të mund të kenë të drejtat e çdo kombi e të çdo njeriu. Në Turqi koloni të shpërndara presin një organizim që të bëhen të dobishëm. Stambolli ka një koloni të madhe në të cilën nuk mungojnë elementë të zgjuar dhe të mirë, me një tregti të zhvilluar. Në shumë qytete të Anadollit, tani ose qysh disa vjet më parë, janë vendosur koloni të reja, të cilat duke qenë të vogla dhe të humbura midis një elementi të huaj, është shumë frikë se mos mbyten dhe zhduken më shpejt se nga të tjerat. Vepra jonë nuk do të jetë një vepër pushtimi dhe grabitjeje, po një punë dhe detyrë mbrojtjeje, një mbrojtje legjitime, nga e cila asnjë njeri me pak mend s’mund që të na krahasojë me shovinistët, as ndonjë ligj i shteteve të tjera nuk mund të na ndalojë. *** Po, në qoftë se punët e përmendura më lart kanë nevojë për shoqëri dhe për bashkim fuqie, janë dhe disa vepra që varen dhe priten vetëm prej njerëzve, veç e veç vepra të qeta e të ngadalshme, pa zë, pa bujë, pa tym, e pa flakë. S’di cilat punë kanë rëndësinë më të madhe mbi fatin e njerëzisë e të kombeve, por më duket se ato punë që bëhen në qetësi, të veçuara, dhe në mes të katër mureve nuk janë më pak të rëndësishme dhe me influencë të dobët. Dëshirojmë të flasim këtu për punët e literaturës dhe të shkollave. Kombësia, kombi, shteti, Qeveria, organizimi, të gjitha do të mbështeten mbi zhvillimin e njerëzve, mbi zgjimin e veçantë të çdo gjymtyre, mbi vlerën, mbi mënyrën e mendimit, mbi besimin e mbi bindjen e tij. Mos harrojmë se jetojmë në një shekull ku çdo gjë pritet më tepër prej mësimit, prej arsimit të përgjithshëm. Një komb do të rrojë a do të vdesë, do të rritet a do të shuhet, pas idealit që i jepet, pas ushqimit mendor që do të marrë çdo ditë. Qeveria nesër do të mbështetet mbi punën e bërë prej njërit apo tjetrit, për të organizuar dhe për të rregulluar shkollat e Shqipërisë; çdo gjë pra, në fushën e moralit e të mendimit, mbështetet mbi veprën që do të kenë bërë personat e veçantë në literaturë. Dy vitet e fundit Qeveria shqiptare u gjend përpara një vështirësie të madhe ku u desh të shtypeshin dokumentet e duhura për degët e ndryshme të administratës, dhe kur erdhi koha e hapjes së shkollave, nuk kishte kurrgjë në dorë! Asnjë libër, asnjë studim, qoftë dhe jo i plotë, mbi gjuhët, asnjë gramatikë pak të mirë, asnjë fjalor, asgjë në botë! Nuk qortojmë njeri. E dimë se, të ardhur vonë te ky shesh lufte dhe përpjekjeje, të zgjuar tani shpejt nga zija dhe rrëmeti i kombit, padyshim jemi pas të gjithëve. Po, tërheqim vërejtjen e shokëve tanë se, ne kemi ecur pak si shumë ngadalë deri më sot, paskëtaj duhet që të shpejtojmë pak më tepër. Atyre që nuk janë të zotët të shkruajnë, do të marrë guximin t’i këshilloj që të mos humbasin kohën me vjersha të shtrembra, po të përdorin kohën e tyre më mirë dhe më me dobi, duke lexuar dhe duke sugjeruar njohuritë e tyre. Prej atyre që përdorin penën me shkathtësi, presim kërkime dhe studime gjuhësie, mbi gramatikën, dialektet dhe leksikologjinë shqipe; presim kërkime dhe shënime mbi historinë dhe ngjarjet e Shqipërisë, ngjarje të viteve të fundit ose të shekujve të kaluar; përshkrime gjeografike të Shqipërisë, përkthime të literaturës shkollore, seri të tëra dhe të plota që mund të kënaqin nevojat e shkollave fillore dhe të larta; përkthime librash historie, gjeografie dhe të çdo shkence përgjithësisht, zgjedhur prej autorëve më të mirë. Besojmë që përkthimi besnik do të jetë fort i dobishëm se nga të shkruarit e librave rishtazi: autorët e huaj padyshim kanë një përvojë dhe janë në një konkurrencë që ne na mungon sot. Thamë në krye të këtyre shënimeve, se vlera dhe e ardhmja e një kombi varet në dy cilësi: cilësitë morale dhe cilësitë materiale; padyshim të parat kanë një rëndësi më të madhe, meqenëse morali, shpirti dhe mendja, urdhërojnë dhe shtyjnë trupin. Një kujdes dhe vërejtje e veçantë pra kërkon vepra morale, zhvillimi mendor dhe intelektual. Kjo është një detyrë mjaft e rëndë dhe shumë e gjerë, për ata që duan të marrin barrën dhe të bëhen udhërrëfyesit e kombit. *Mithat Frasheri*
Posted on: Wed, 16 Oct 2013 22:12:00 +0000

Trending Topics



to

Recently Viewed Topics




© 2015