Prapaskena e eurogolit, Radas: Ma sugjeroi Shkëmbi. Takaj: Krenar - TopicsExpress



          

Prapaskena e eurogolit, Radas: Ma sugjeroi Shkëmbi. Takaj: Krenar që e drejtoj Skenderbeun. Goli i shënuar nga Marko Radas ka qenë një nga më të bukurit të kësaj javë në Superligë, por mbi të gjitha i ka dhënë fitoren Skënderbeut në një transfertë kundër Tiranës. Por, si e ka përjetuar Radas këtë supergol të shënuar? Vetë mbrojtësi kroat tregon gjithçka gjatë një interviste për “Panorama Sport”. Radas flet pa dorashka lidhur me golin e shënuar dhe festimin pas tij me bluzën “e shenjtë” të fëmijëve të tij. Ndërkaq që komenton edhe vendimin e FSHF-së lidhur me numrin e të huajve të lejuar për një takim, si dhe jep zgjidhje për këtë problem lidhur me formacionin. Marko, keni shënuar një supergol në ndeshjen kundër Tiranës. E parandienit se do të realizonit? Nuk mund ta them se parandieja që do të shënoja një gol të tillë kundër Tiranës, por mund t’ju tregoj se në momentin e goditjes së dënimit u afrova te topi së bashku me Shkëmbin. Kapiteni më tha se ishte pozicioni im dhe unë e mora përsipër ta ekzekutoja. Mirëpo, gjatë gjithë kohës që kur mora topin nuk e kam çuar në mend që të jepja një krosim në zonë, mendoja vetëm të godisja. Mund të them se në disa raste është më e lehtë të shënosh nga larg sesa nga një distancë e afërt. Falënderoj Zotin që arrita të shënoja një gol të tillë. Pas golit keni treguar foton e fëmijëve që mbanit poshtë bluzës. Përse ky gëzim? Bluza është një histori e gjatë. Atë bluzë me foton e vajzës dhe djalit ma dhuroi bashkëshortja dy vjet më parë dhe e vishja çdo ndeshje deri vjet. E dija se kishte humbur ajo bluzë dhe kisha kohë që nuk e vishja më. Mirëpo, vetëm të shtunën në Durrës, e gjeta në cep të valixhes sime. E vesha dhe më solli fat. Nuk do e heq më nga trupi atë bluzë sa herë të kem ndeshje. Një ditë e veçantë e diela për ju? Po, keni të drejtë. E dini, pas ndeshjes më telefonoi bashkëshortja për të më dhënë një lajm të gëzuar. Edhe djali im, i cili luan me një ekip moshash, kishte shënuar gol kundër Dinamos së Zagrebit. Një ditë speciale kjo për familjen Radas. Pas rregullores së federatës, që lejohen katër të huaj në fushë, mendoni se do t’ju rastisë shpesh të qëndroni edhe në pankinë. Ju bezdis një fakt i tillë? Sigurisht që jo. Ajo është një rregullore dhe duhet ta zbatojmë pasi, në të kundërt, penalizohemi. T’ju them të drejtën që për këtë punë paguhemi dhe do t’i respektojmë zgjedhjet e trajnerit çfarëdo që të zgjedhë ai. Herë do të më takojë mua të luaj, herë Gvozdenoviç apo herë të dy bashkë, kjo nuk ka asnjë problem për ne. Të jem i sinqertë, më duhet të theksoj se Bici është një mbrojtës i madh, mjaft i sigurt, por dëmtimi e penalizoi disi në këtë fillimsezoni. Ndërsa me Ivanin merrem vesh edhe me dritë mbyllur. Kjo është zgjidhja e vetme? Zgjidhjet i takojnë trajnerit t’i vendosë, por mund të them se është e keqja më e mirë për Skënderbeun që ka tre mbrojtës të mirë në ekip. E vetmja rrugëzgjidhje, pa lënduar askënd, është që dikush nga të huajt të marrë pasaportë shqiptare (qesh). Do e pranonit diçka të tillë? Sigurisht që po, përderisa është një zgjidhje, mund ta pranoja. Mirëpo, kushtet do të ishin që dikush duhet të më siguronte se do të qëndroja këtu edhe katër vite të tjera dhe se Skënderbeu do të qëndronte në këto nivele për shumë kohë. Gjatë merkatos së verës është folur shumë për një largim tuajin nga Skënderbeu. Ka pasur diçka reale në merkato? Unë nuk i kam fshehur asnjëherë gjërat. Sigurisht që kontakte kam pasur me klube të tjera, por fillimisht jam ulur në bisedime me presidentin Takaj për të marrë mendimin e tij. Nëse do të isha jashtë planeve të Skënderbeut, sigurisht që do e mendoja diçka të tillë. Mirëpo, presidenti më siguroi që isha në planet e ekipit dhe kështu ndodhi, prandaj vendosa të qëndroja dhe jam i lumtur. Mendoj se kam bërë zgjedhjen e duhur, pasi jam në ekipin më të mirë në Shqipëri. Ju rëndon akoma ajo penallti e humbur në ndeshjen kundër Çernomoretsit? Ajo është një natë e keqe për mua. Ishim shumë afër Europës, mjafton të hapnim vetëm derën dhe mund të kishim hyrë brenda, por fati i keq na penalizoi. E kujtoj ende atë moment, isha përballë portierit kundërshtar dhe i bindur se do ta shënoja. E godita sa më mirë të kisha mundësi, por për fat të keq portieri u hodh nga ajo anë dhe e kapi. Ai moment ka qenë më i keqi për mua dhe e kam përjetuar keq. Takaj, i lumtur për tifozët: Krenar që drejtoj klubin Fitorja kundër Tiranës ka ardhur me një dedikim special edhe nga vetë presidenti Takaj, drejtuar tifozëve të Skënderbeut, jo vetëm për praninë e tyre në stadiumin “Qemal Stafa” në ndeshjen kundër Tiranës, por edhe për mikpritjen dhe korrektesën e rezervuar në mesjavë karshi tifozëve kuksianë. Takaj ka dashur t’i falënderojë tifozët për sjelljen e tyre korrekte në këto takimet e fundit, por mbi të gjitha për etikën dhe kulturën e treguar si në shtëpi ashtu edhe në transfertë. “Më duhet t’i falënderoj nga zemra të gjithë tifozët e Skënderbeut për sjelljen dhe qëndrimin e tyre në ndeshjet e fundit. Ky është një shembull i madh dhe një arritje e madhe për tifozerinë shqiptare në përgjithësi. Duke nisur që nga ndeshja me Kukësin, pavarësisht humbjes, tifozët nuk kanë reshtur së mbështeturi ekipin e tyre dhe në fund të takimit kanë duartrokitur edhe kundërshtarin që fitoi me rezultatin 1-3 përballë Skënderbeut. Një sjellje e tillë është për t’u vlerësuar së tepërmi edhe nga unë si president. Mund të them se jam mahnitur nga mënyra sesi korçarët e kanë mirëpritur tifozerinë kuksiane në një tribunë me ta, duke shënuar respekt maksimal karshi njëri-tjetrit dhe jo incidente apo ofendime. Gjithashtu falënderoj ata tifozë të pranishëm në “Qemal Stafa” që, pavarësisht gjithçkaje, kanë qëndruar korrektë në këtë takim, duke e mbështetur ekipin e tyre gjatë gjithë kohës dhe u distancuar nga ofendimet apo sharjet në kor. E them me plot gojë: jam krenar të jem presidenti i ekipit të tyre të zemrës, jam krenar që jam presidenti i Skënderbeut!”, – përfundoi Ardjan Takaj. Tifozët festojnë deri në të gdhirë Fitoren me Tiranën e kanë pritur më së miri edhe tifozët e Skënderbeut dhe veçanërisht “Ujqërit e Dëborës”, që janë kthyer me triumf nga kryeqyteti. Nuk kanë munguar për këtë sukses edhe festimet te Fans Klubi, deri në orët e para të mëngjesit të djeshëm, ku “Ujqërit” janë gdhirë me këngë nga ky takim. Por, edhe në faqen zyrtare të Skënderbeut ka pasur festime, duke filluar nga falënderimet për autorin e golit të parë, Marko Radas, të cilit i kanë kushtuar edhe një status të veçantë për supergolin e shënuar.
Posted on: Tue, 24 Sep 2013 21:43:47 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015