Presidenti Safet Gjici që në fillim të se zonit deklaronte - TopicsExpress



          

Presidenti Safet Gjici që në fillim të se zonit deklaronte pjesëmarrjen në Kupat e Europës. Gjente jo pak habi, por edhe skepticizëm në opinionin sportiv. Kukësi në turin e tretë të Ligës së Europës është përgjigjja më e mirë për të gjithë. Vetë Gjici, që ka shënuar një rekord në historinë e futbollit shqiptar me një ekip që e nis rrugëtimin nga Kategoria e Dytë në të Parën, më pas në Superiore dhe arrin të kalojë dy ture në Europë, është një shembull unikal në botën e futbollit se si mund të arrihet suksesi. Në një intervistë për “Panorama Sport”, ai shpall objektivin madhor të radhës, kalimin e turit të tretë.President, keni thyer një ekip si Sarajevo duke i bërë të gjithë shqiptarët të ndihen krenarë. Si e përjetuat këtë kualifikim?Natyrisht, kjo është një arritje e madhe që na gëzon të gjithëve. Kukësi gjunjëzoi Sarajevon e madhe të futbollit boshnjak e atij jugosllav. Kori gjigand i tifozerisë së zjarrtë heshti përpara pak tifozëve kuksianë që kishin udhëtuar për të na ndjekur. Këtë heshtje e diktoi ekipi, stafi dhe të gjithë ata që punojnë me klubin e Kukësit ku nuk ka fjalë, por punë. Megjithëse gëzimi dhe arritja është e paparë, për mua që nga sot festimet marrin fund. Euforia hidhet poshtë dhe nisim punën për objektivin e radhës.Cili është ky objektiv?Pa dyshim kualifikimi i radhës. Nuk ka alternativë tjetër veç kualifikimit. Kemi ndeshjen e parë në Tiranë dhe e gjithë vëmendja duhet të përqendrohet tek takimi. Punët bëhen me radhë dhe tani kemi përballë Metalurgun. Ne duhet të stërvitemi për ta eliminuar atë. Është objektiv madhor dhe unë jam mësuar që me punë e këmbëngulje t’i arrij objektivat. Festa për lojtarët dhe ekipin ka mbaruar. Të festojnë tifozët, ne do vijojmë punën për t’i kënaqur ata.Ekipi ka pasur mbështetje të madhe nga ju si president dhe nuk ka pasur fenomene të tilla si ikje lojtarësh, mosdhënie pagash etj. Si do të vijojë e ardhmja?Unë jam mësuar edhe në biznesin tim të udhëhiqem nga suksesi. Unë u qëndroj vetë punëve në kokë dhe nuk i lë ato të më ikin. Edhe ekipit i kushtoj një kohë të madhe. Kujdesem vetë deri në punët më të vogla. Unë hedh para nga xhepi im që futbolli në Kukës të ecë përpara dhe që Kukësi të ketë një emër edhe në futboll. Edhe tani që kemi emër e famë edhe jashtë vendit, mbështetja do vijojë të jetë e madhe. Financimet do vijojnë dhe ekipi do ketë gjithë mbështetjen e duhur në rrugën drejt suksesit. Korrektësia nga ana ime do të jetë maksimale për rrogat, premiot, shpërblimet, por dhe ndëshkimet për ata që nuk përmbushin kërkesat dhe pikat e kontratës. Të gjitha premiot e premtuara i kam dhënë dhe kështu do vijojmë edhe në të ardhmen. Atë që e kam premtuar do ta mbaj edhe për kalimin e turit të dytë.Pjesëmarrja e gjatë në Kupat e Europës mos ju ka lënë mbrapa në merkato, në një kohë që lojtarët dhe stafi nuk kanë pasur edhe kohën e duhur për pushime…Futbolli nuk është pushim, është stërvitje, ndeshje, kualifikime, fitore, por dhe humbje. Kukësi e ka ekipin që po thyen çdo parashikim. Ne jemi në rrugë të mbarë. Do kemi në kohën e duhur edhe disa blerje për të kompletuar ekipin, por momentalisht preokupimi kryesor është ndeshja me Metalurgun. Të mos harrojmë se kemi edhe një objektiv tjetër në sezonin e ri, daljen kampion. Unë nuk tërhiqem në rrugën e suksesit.Për stafin dhe lojtarët“Ka qenë periudhë e ngjeshur për lojtarët dhe stafin, por ne nuk i lëmë punët në gjysmë të rrugës. Rezultatet japin bekimin për vijueshmërinë e punës me lojtarët dhe stafin. Unë i kam mbështetur dhe i mbështes vazhdimisht, por prej tyre dua rezultatet. Për sa kemi arritur, unë i falënderoj për profesionalizmin dhe shpirtin e garës”, – ka thënë presidenti.Mungesa e eksperiencësPresidenti i Kukësit, Safet Gjici, ka pranuar se klubi që drejton nuk e ka pasur të lehtë të organizohet. “Është përvoja jonë e parë në këto kompeticione të rëndësishme dhe nuk është kollaj edhe për stafin që të përgatisë gjithë atë punë që kërkon pjesëmarrja në Kupat e Europës dhe nga ana organizative. Ne që sot (dje) nisëm punën përgatitore për ndeshjen e së enjtes”, – është shprehur Gjici. Sarajevë-Tiranë, ja 24 orët magjike të KukësitKukësi ka zbritur triumfator në aeroportin “Nënë Tereza” rreth orës 14:00, në një pritje të pazakontë në prani të shumë tifozëve që kishin ardhur nga Kukësi dhe mediave të shumta. Mbështetësit kanë thyer edhe rregullat duke prishur qetësinë e pasagjerëve të shumtë, të cilët janë bërë pjesë e urimeve për kuksianët që erdhën të kualifikuar nga Sarajeva. Në sheshin përpara hyrjes në aeroport, shumica e lojtarëve dhe stafit janë ngritur në krahë nga tifozët, të cilët kanë festuar me ovacione. Në fakt, ky ishte fundi i dy festave të nisura paralelisht, asaj në Sarajevë nga ekipi e stafi dhe festa tjetër në Kukës që kulmoi në mesnatë nëpër rrugët e qytetit. Këto dy festa u shkrinë në një në Rinas, për ta mbajtur gjallë atmosferën e ndezur edhe për ndeshjen e radhës ditën e enjte ndaj Metalurgut Donetsk. Shenja më e qartë e një dite të mbarë dukej edhe në foton që ekipi bëri përpara se të nisej me avion çarter drejt Sarajevës, i përshëndetur edhe nga stafi i aeroportit.Sarajeva Qyteti i njohur për futbollin, por më shumë për dramën e luftës në vitet 1992-1996 me 11 mijë të vrarë, është ndalur në festën e tij mbrëmjen e së enjtes. Më të lumtur duken ata pak kosovarë që takohen me lojtarët dhe urojnë fitoren. “Na e bëtë zemrën mal për këtë fitore. Na bëtë të ndihemi krenarë për Kukësin që na ka ndihmuar edhe në kohën e luftës. Na ringjallët edhe njëherë ndjenjën kombëtare dhe shqiptarinë ne këtu në Bonjë”, – thotë pas ndeshjes Kadri Kravidaj, i cili punon prej vitesh si furrtar në Sarajevë. Barazimi 0-0 e ka ndalur atë uragan të paparë tifozësh që ishte si një i vetëm në përkrahjen e ekipit. Policisë i është dashur punë jo e paktë për të ndalur grupimet e tifozërisë, që në fakt inatin më së shumti e kishin me lojtarët e tyre. Lojtari më i mirë i Sarajevos në ndeshjen e parë, Suljiç, nuk u ka besuar syve që ekipi i tij u eliminua. Në kohën e ndërrimit, ai tentoi fort të grisë bluzën teksa ulej në pankinë duke lotuar, por nuk kishte më forcë as për këtë, pasi forca e këtij talenti ishte ndalur nga Peqini e Hallaçi. Një nga shoqëruesit e ekipit tha se këto masa sigurie nuk kanë qenë asnjëherë në Sarajevë. Makina të blinduara që e ruajnë si “sanduiç” autobusin e Kukësit duke shmangur rrugët kryesore, por dhe konfrontimet e mundshme. Dalldisja për humbjen i bëri tifozët që të digjnin edhe një tramvaj në qendër të qytetit.Tifozët Ndërkohë, ata pak tifozë të Kukësit diku në një cep të largët prapa porte, ndonëse në minorancë, gjetën forca dhe kurajë që zëri i tyre të vinte deri në fushë. Flamuri kombëtar dhe ai i Kukësit në duar ishte shenja e triumfit dhe rrugës së nisur. Dhoma e zhveshjes në fund të takimit shndërrohet në një arenë të vërtetë feste. Presidenti Safet Gjici dhe ambasadori i Shqipërisë në Bosnjë, Flamur Gashi, kanë shtrënguar duart me lojtarët e përlotur. “Edhe një, edhe një, edhe një…” dëgjoheshin britmat e lojtarëve në kor, duke lënë të kuptohet qartë se do të synojnë të kalojnë edhe një tur tjetër. Jashtë dhomës, një ish-tifoz i Popoviçit, dikur lojtar i Zeljezniçar, pret të marrë bluzën e tij. Drejtori teknik i Sarajevos, Dino Selimoviç, i lodhur nga një organizim i tillë, pasi ka hequr kollaren del e përgëzon ekipin kundërshtar. “Urime Sulë, për kualifikimin! Ishte një ndeshje shumë e bukur për ju. Futbolli kështu e ka. Jemi dhe mbetemi miq. Suksese!”, – i thotë ai drejtorit teknik Starova. Sakaq, ky i fundit me eksperiencën që ka në aktivitete të tilla, i porosit lojtarët që të shmangin euforinë teksa stadiumi dhe zyrat zbrazen. Edhe vetë delegatët nuk kanë si të mos dalin për të uruar drejtuesit e Kukësit. Nata në hotelin “Terme” është e gjatë. Punonjësit e hotelit kanë punë për të sjellë edhe birrat në orët e para të mëngjesit. Një kualifikim i tillë toleron edhe pak nga rregulli strikt që ndiqet në kësi rastesh. Presidenti Safet Gjici në urimin e tij falënderon të gjithë ata që ndihen mirë në këtë natë, duke mos e hequr vëmendjen aspak nga ajo që i pret kuksianët të enjten.Tirana Nisja është në orën 13:00 me çarter. Në avion nuk mungon humori. Lojtarët tashmë janë të detyruar të heqin dorë nga përdorimi i pafund i celularëve dhe marrjes së mijëra mesazheve. Ata janë të befasuar nga pritja që u bëhet nga mediat dhe tifozët në aeroport. Edhe vetë personeli i aeroportit bëhet pjesë e urimeve. Jashtë vëmendjes nuk mbeten edhe pasagjerët e huaj që bëhen kuriozë për të ditur më shumë për këta djem. Thirrjet “Kukësi, Kukësi” pushtojnë aeroportin. Lutfi Shehu, një tifoz i njohur i ekipit, takohet me të gjithë lojtarët. “Këta futbollistë, ky ekip na ka bërë të ndihemi krenarë. I gjithë qyteti ka dalë në rrugë pas kualifikimit. Këta janë heronjtë tanë dhe e meritojnë këtë pritje. Kemi dekada që ëndërrojmë, por kjo është përtej ëndrrës. Falënderim për trajnerin Cungu, për Starovën dhe natyrisht për atë që është çelësi i këtij suksesi, presidentin Safet Gjici”, – thotë Shehu. Ndërkohë, tifozë të tjerë janë edhe më të papërmbajtur. Luan Dulla, Gëzim Elezi me shokë tërheqin vëmendjen e kamerave me gjestet dhe brohoritjet e tyre. Ekipi shpërndahet për t’u rimbledhur të dielën në stërvitjen e radhës. Sfida me ukrainasit është më e fortë dhe rruga më e gjatë. Skuadra nuk po bën pushim asnjë ditë. Rruga e nisur duket se do të jetë e gjatë. Kuksianët pretendojnë kalimin e turit të tretë për të thyer rekordin e klubeve pjesëmarrëse në këto kompeticione.Kukësi Qytetin tashmë e ka rrëmbyer futbolli. Ky qytet, i njohur për përballimin e krizës së Kosovës në vitin 1999 dhe më pas për “Rrugën e Kombit”, nuk ka të ndalur në jehonën e tij. Futbolli është lajmi më i ri që ka rrëmbyer zemrat e kuksianëve, por edhe të gjithë shqiptarëve. Në kafenetë e qytetit dhe në bare, por dhe nëpër shtëpi, kualifikimi është kryefjala e ditës. Keqardhja më e madhe është se ata nuk e panë direkt ndeshjen, por klubi do vërë në dispozicion CDnë e tij dhe ndeshja do të transmetohet në televizionin lokal. “Në fakt, as vetë nuk e kemi besuar që do mbërrijmë një ditë këtu. Fjalët janë të tepërta. Ky kualifikim do bëjë që i gjithë Kukësi të derdhet të enjten në ‘Qemal Stafa’. Këta djem dhe presidenti Gjici meritojnë më shumë mbështetje. Ata na kanë ngrohur zemrat, na kanë bërë me krahë”, – shprehet kryetifozi i Kukësit, Ramazan Duraku. Lojtarët në kor: Krenarë për Kukësin, ishte natë magjikeLojtarët e Kukësit nuk kanë fjalë për ta përshkruar atë që kanë përjetuar të enjten në mbrëmje në stadiumin e Sarajevës. Kapiteni Rrahman Hallaçi, mbrojtësi Roland Peqini dhe mesfushori Ylli Hoxha kanë treguar për “Panorama Sport” emocionet e këtij kualifikimi historik. “Mendoj se ishte një ndeshje e madhe për futbollin shqiptar. Kemi triumfuar përballë një kundërshtari shumë të vështirë, në një stadium të zjarrtë. Tifozët ishin të elektrizuar dhe perfektë në përkrahjen e skuadrës së tyre. Edhe ne kemi përkrahjen më të madhe të tifozërisë në Shqipëri, por natyrisht që ende mungon përvoja e organizimeve të tilla. Sapo kemi nisur rrugën dhe ajo është e gjatë. Kukësi nuk do të ndalet këtu”, – deklaroi Hallaçi. Ndërsa mbrojtësi Peqini tha: “Nata e ndeshjes ishte magjike. Një stadium i ndezur i tëri, por që në fund ishin tifozët tanë që e shijuan fitoren. Ekipi luajti bukur dhe zbatoi detyrat. Tashmë mendja është në përballjen e radhës me ukrainasit. Tifozët tanë e meritojnë edhe një fitore në Tiranë”. I entuziazmuar pas këtij suksesi është mesfushori Hoxha. “Ishte kulmi i një pune 1-vjeçare të bërë nga stafi me ne, si dhe kurorëzimi me sukses i investimeve. Është e pabesueshme mbështetja që na vjen nga katër anët e botës ku ka shqiptarë. Kosova nuk diskutohet që është me Kukësin, por përkrahjen e ndjejmë ngado që shkojmë. Tani duam një tjetër sukses në Europë”, – përfundoi ai.Tifozët që udhëtuan deri në Bosnje: Emocion i paparë Në grupin e vogël të tifozëve që kanë udhëtuar me makinat e tyre nga Kukësi, spikasin ata që nuk e lënë kurrë ekipin edhe në transfertat më të largëta. Lavdërim Shehu, Ylber Çiku dhe Izet Spahiu janë jo vetëm ndjekës të skuadrës, por edhe intelektualë të respektuar në qytetin e Kukësit. Krahas tyre janë edhe Xhevit Veseli me të vëllanë, që kanë zënë me kohë vendin në stadium në pritje të ndeshjes. Pas tyre vjen edhe grupi i këshilltarëve të bashkisë së qytetit, e gjithashtu kryetari i këshillit të qarkut Ibsen Elezi, bashkë me qytetarin e nderit të Kukësit, ish-mundësin Lutfi Meçka. Një nga tifozët më të vjetër, njëherësh dhe gazetar sportiv në Kukës, Zylfi Tola, e konsideron historike fitoren. “Kjo është histori e paparë dhe e padëgjuar ndonjëherë. Këta djem që luajnë futboll janë heronj. Këta e kanë ngritur edhe më lart emrin e Kukësit. Donatorët janë njerëzit më të respektuar në Kukës. Presidenti Gjici ka bërë të pamundurën për ta ngritur futbollin në Kukës”, – thotë Tola, që nuk nguron të bërtasë me të madhe përpara ekipit, edhe pse organizatorët mundohen ta ndalin.Flamuri si… kujtimNë stadiumin e Sarajevës nuk munguan duartrokitjet për shqiptarët, por edhe inati i tifozëve vendës për humbjen. Në fund të ndeshjes, punëtori i fushës ka kërkuar që flamuri ynë kombëtar dhe ai i Kukësit, që u valëvitën në stadium, t’i lihen atij si kujtim. Edhe ky ishte episodi përmbyllës i një ndeshjeje të madhe për Kukësin, që do të mbahet mend shumë gjatë nëse skuadra veriore nuk arrin të tjera rekorde në arenën ndërkombëtare.Masa të jashtëzakonshmePritja që iu bë Kukësit në Sarajevë ishte një histori më vete. Përveç darkës zyrtare me përfaqësuesit e klubit të Sarajevës, ekipit të Kukësit i është vënë në dispozicion çdo gjë që ka kërkuar gjatë qëndrimit në Bosnje. Ajo që ra në sy ishin masat e rrepta të marra nga ana e policisë. Kjo e fundit i druhej ndonjë incidenti të mundshëm të tifozëve boshnjakë me ekipin shqiptar, por për fat të mirë nuk ndodhi asgjë, as pas ndeshjes.Ultrasi i Zheles, tifo për KukësinMahiri, një taksist që punon në qendër të qytetit, thotë se është tifoz i Zheles, kështu e thërrasin shkurt Zeljezniçarin në Sarajevë. I pyetur nëse mund të bëjë tifo për Kukësin, ai thotë se do t’i vinte mirë që kundërshtari i skuadrës së zemrës, Sarajevo, të eliminohej, por nuk e shikon të udhës të vijë në stadium për të mbështetur Kukësin. Ndërkaq, shoferi i autobusit që shoqëron skuadrën kuksiane është shumë i sinqertë kur shtrëngon duart pas ndeshjes.Foto dhe nostalgji për Popoviç Më i njohuri nga lojtarët e Kukësit në Sarajevë është Popoviç. Ai ka luajtur me Zeljezniçar dhe tifozët e Zheles e adhurojnë ende. Në shëtitjet nuk mungojnë edhe fotot me të, ndërkohë që tifozët e Sarajevos nuk ngurojnë ta ngacmojnë. Në pjesën historike dhe muzeale të qytetit, ku shiten edhe simbole kombëtare të Bosnjës, nuk mund të mungojë edhe një dhuratë për presidentin Safet Gjici. Një shall i FK Sarajevos si dhuratë nga shitësi provokon shtrëngim duarsh dhe një foto. Shëtitja sjell përballje me grupe tifozësh, të cilët lëshojnë thirrje triumfuese për ekipin e tyre, por bëjnë edhe shenja të qarta se ata do ta zhysin Kukësin.Klubi, trashëgimi familjarePresidenti i klubit FK Sarajevo, gjatë darkës zyrtare përpara ndeshjes, u ka treguar historinë e tij të pranishmëve. “Kam vetëm gjashtë muaj në krye të klubit. Babai im ka qenë president i tij para 30 vitesh, më pas vëllai dhe tani më vunë mua. Ndeshja me Kukësin në Tiranë më ka mbetur peng. Për arsye pune unë nuk kisha mundësi të isha në stadium. Shpresoj që lidhjet tona të forcohen dhe bashkëpunimi me presidentin e Kukësit të vijojë”. Nga Sarajeva JONUZ HALLAÇI Armend Dallku ne ndihme te kukesit ! Armend Dallku është gati t’i vijë në ndihmë stafit të Kukësit për t’ia bërë më të lehtë njohjen e kundërshtarit të radhës, Metalurg Donetsk. Mbrojtësi kosovar, që prej 8 vitesh luan në Ukrainë me Vorskla Polltava, gjatë një interviste për “Panorama Sport” tregoi me detaje për rivalin e Kukësit. Si për koincidencë, sot ekipi i mbrojtësit të Kombëtares dhe sulmuesit Ahmed Januzi do të luajë ndaj Metalurg Donetskut për kampionatin ukrainas.Armend, jeni në dijeni për suksesin e Kukësit dhe faktin që skuadra shqiptare do të luajë në turin e tretë të Ligës së Europës kundër ukrainasve të Metalurg Donetskut?Po, sigurisht që jam në dijeni të këtij fakti, pasi sot (dje) kanë folur edhe mediat ukrainase. Më bëhet shumë qejfi për këtë arritje të Kukësit. Unë dhe Ahmed Januzi, që luajmë këtu në Ukrainë prej vitesh, do të jemi në stadium ditën e ndeshjes dhe do bëjmë tifo për ekipin e Kukësit. Jam gati të ndihmoj sadopak stafin e skuadrës në lidhje me kundërshtarin. Njoh personalisht drejtorin sportiv Starova dhe disa lojtarë. Pres të më telefonojnë dhe t’i ndihmoj me ato mundësi që kam.Skuadra juaj, Vorskla Polltava, si për koincidencë, luan nesër (sot) përballë kundërshtarit të Kukësit…Po, shumë e veçantë (qesh), madje do ju them diçka interesante. Sot (dje) ekipi i dytë i Vorsklës zhvilloi ndeshjen me Metalurgun dhe ne e ndoqëm. Gjatë takimit, një përfaqësues i klubit të tyre erdhi më takoi. Ai kërkoi të bisedonte me mua, duke ditur që jam shqiptar. Më kërkoi ta ndihmoja klubin e Metalurgut për t’i vënë në dispozicion një përkthyes shqiptar gjatë ditëve të pragndeshjes. Më kapi pak në befasi, por i premtova që do të nisja kërkimet për t’ia bërë të mundur diçka të tillë, edhe pse është paksa e vështirë.Te Kukësi luajnë edhe dy kosovarë, Hoxha e Musolli…Po, i njoh mirë, veçanërisht Hoxhën, me të cilin edhe jam takuar disa herë. Musollin më shumë e kam ndjekur nëpërmjet televizorit. Më bëhet qejfi që edhe ata po japin një kontribut te Kukësi.Ndeshja e parë luhet në Tiranë. Në syrin tuaj, a ka shanse Kukësi përballë ukrainasve?Të jem i sinqertë, diferencat janë të mëdha, por kjo nuk do të thotë se Kukësi nuk ka shanse përballë Metalurgut. Askush nuk e mendonte se një skuadër debutuese si Kukësi do të kalonte dy ture në Ligën e Europës. Ky ekip ka bërë një hap shumë të madh, duke nisur sukseset që në kampionatin shqiptar dhe tani në Europë. Ka pasur edhe fatin me vete në ndeshjet e fundit, por mendoj se ka merituar gjithçka përderisa ka ardhur deri këtu. Nuk diskutohet që ekipi ukrainas është shumë më lart, qoftë nga ana financiare, mënyra e organizimit etj., por futbolli është i papritur dhe unë uroj që Kukësi të bëjë një tjetër surprizë. Do të jetë e vështirë, por në futboll nuk ka asgjë të pamundur.Cila është pika më e fortë e Metalurgut?Gjatë muajve të fundit kjo skuadër ka pasur disa probleme, pasi janë larguar 4 lojtarë kyç. Duke qenë para ndeshjes kundër tyre, ne sot (dje) studiuam më së miri lojën e Metalurgut. Ata janë të disiplinuar taktikisht dhe luajnë shumë mirë topin, ndërkohë që pikën më të fortë kanë sulmin. Lojtari që bën diferencën, është braziliani Xhunior Moraes. Është një sulmues i shpejtë dhe i fuqishëm, që do t’i hapë probleme mbrojtjes së Kukësit. Gjithashtu, një pikë shumë të fortë kanë mesfushorin bullgar, Dimitrov, i cili teknikisht është super. Metalurgu është nga ato skuadra që luan me të njëjtin temp gjatë gjithë takimit. Siç e thashë edhe më lart, ata luajnë shumë mirë topin dhe janë një ekip teknikisht shumë i mirë. Mund të përmend si një pikë të fortë edhe mesfushorin serb, Laziç. Te këta tre lojtarë Kukësi duhet të ketë shumë kujdes, pasi bëjnë vërtet diferencën.Po pikat e dobëta?Në fazën e mbrojtjes lënë për të dëshiruar dhe mund të çalojnë. Së fundmi kanë probleme edhe për faktin se u janë larguar disa lojtar. Mbrojtësi më i mirë i tyre ka kaluar te Shahtjori.Ju e njihni shumë mirë mentalitetin ukrainas. Mendoni se Metalurgu e ka marrë lehtë Kukësin apo është e kundërta?Nuk mendoj se e kanë marrë lehtë, përkundrazi, e kanë vlerësuar shumë Kukësin, duke pasur parasysh progresin që ky ekip ka bërë. Janë një klub i mirëorganizuar dhe sigurisht do të marrin informacionet e duhura për kundërshtarin. Ata nuk e diskutojnë kalimin e turit, edhe pse unë i uroj shumë suksese Kukësit. “Unë, një kapiten te Vorskla”Armend Dallku është kapiten i Vorsklës që prej fillimit të këtij sezoni në Ukrainë. “Ky është një vlerësim i madh për mua. Jam lojtari më i vjetër që kam mbetur te Vorskla. Sigurisht është një privilegj dhe njëkohësisht motivim për të vazhduar sa më mirë karrierën time. Besimi që më kanë dhënë, është i madh. Kam edhe dy vite e gjysmë kontratë. Besoj se karrierën mund ta mbyll te Vorskla, ndihem si në shtëpinë time”, – ka thënë dje mbrojtësi. “Curri bëri zgjedhjen më të mirë”Pas eksperiencës në Turqi dhe fatit të keq nga dëmtimet e shpeshta, mbrojtësi kosovar Debatik Curri u rikthye në Ukrainë, por këtë herë jo me Vorsklën, por klubin Horelva. Curri është një nga miqtë më të mirë të Armend Dallkut. “Debatiku ka bërë zgjedhjen e duhur pas atij momenti të keq. Ai e njeh mirë mentalitetin e kampionatit ukrainas. Besoj se do të kapë formën maksimale, për të kaluar më pas në një ekip të madh”, – tha Dallku. JORGIS MEMO
Posted on: Sat, 27 Jul 2013 15:24:10 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015