Procesi i privatizimit të PTK-së është i jashtëligjshëm, i - TopicsExpress



          

Procesi i privatizimit të PTK-së është i jashtëligjshëm, i dëmshëm dhe i papranueshëm Të hënën, më 16 shtator, Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës bashkë me kryetarët e Grupeve Parlamentare e diskutoi prapë raportin e Qeverisë për Privatizimin e 75% të aksioneve të PTK-së. 8 vota për kundrejt 6 kundër, të të pranishmëve vendosën që kjo pikë të jetë pjesë e rendit të ditës për vazhdimin e seancës të enjten më 19 shtator. Ishin koalicioni qeverisës, përfaqësuesit e PDK-së, të AKR-së dhe të minoriteteve ata që e vendosën ta votojë Kuvendi privatizimin e PTK-së. Për këtë pikë votuan ata që së bashku përfaqësojnë pakicën e votuesve të zgjedhjeve të vitit 2010 (pa llogaritur këtu fare vjedhjen industriale të votave, e cila e përkeqëson skajshmërisht këtë situatë), ndërkaq kundër ishin të gjitha subjektet opozitare, si dhe Kryetari i Kuvendit, këta që së bashku përfaqësojnë shumicën e theksuar të votës popullore. Për më tepër, kjo votë e pakicës përcaktoi një mundësi të re për Kuvendin që me votimin në të, t’i shkelë prapë ligjet pozitive në Kosovë. Ky procedim i privatizimit në të cilin po insiston qeveria është në kundërshtim me procedurën e sanksionuar me Ligjin për Ndërmarrjet Publike i cili qartazi e thotë se Qeveria ka të drejtë të privatizojë një ndërmarrje publike apo të shes aksione të një ndërmarrjeje publike vetëm pasi një vendim i tillë është miratuar paraprakisht nga Kuvendi. Një vendim të tillë paraprak të miratuar nga Kuvendi për privatizimin e PTK-së nuk ka. I tërë procesi i deritashëm i tenderimit dhe i shpalljes së kompanisë fituese ka qenë ilegal. Dhe tash, prapë në kundërshtim me ligjin, qeveria po synon ta legalizojë një proces ilegal të udhëhequr nga ajo. Dhe këtë po e bën me pakicën e votës popullore. Lëvizja VETËVENDOSJE! ka tërhequr vërejtjen disa herë se ky proces i privatizimit, jo vetëm të PTK-së, motoja e të cilit është “Shit sa më shpejtë dhe sa më lirë” është në dëm të interesit të vendit dhe për interes të qeveritarëve të korruptuar, të cilët ashtu si po e japin territorin, po na e shesin edhe pasurinë publike. Për më tepër, e kemi ekspozuar edhe “blerësin” e PTK-së, kompaninë “Axos”, e cila rezultoi të jetë një fond investiv i dyshimtë, i cili as për së afërmi nuk i përmbush kushtet themelore për t’u kualifikuar në këtë proces dhe pa dëshmi të prejardhjes së parave për blerjen e PTK-së. Nisur nga të lartpërmendurat ne do të angazhohemi që të mos e lejojmë procedimin e mëtejmë të kësaj pike në Kuvend. Po ashtu do të angazhohemi që ta pengojmë privatizimin e PTK-së. Ne ju bëjmë thirrje të gjithë deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, që mos ta pranojnë këtë shkelje të ligjit dhe të interesit të Kosovës. Ndërsa Qeveria dhe ministrat individualisht, por edhe përfaqësuesit e fondit dhe të gjithë matrapazët tjerë të veshur e formalizuar me petkun e ministrave, zyrtarëve, këshilltarëve e afaristëve, që ta kenë parasysh se e jashtëligjshmja kurrë nuk do të bëhet as e ligjshme e as që do të konsiderohet legjitime. Prandaj dhe do të veprohet kundër saj në të tashmen dhe të ardhmen. Ky akt ilegal do të ballafaqohet me veprime gjyqësore herë do kur. 18 shtator 2013 Lëvizja VETËVENDOSJE!
Posted on: Wed, 18 Sep 2013 12:41:31 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015