Programi i qeverise Rama (Fjala ne parlament 14.09.2013) I - TopicsExpress



          

Programi i qeverise Rama (Fjala ne parlament 14.09.2013) I nderuar z. Kryetar i Kuvendit. Të nderuar kolegë deputetë. Ne fjalën time sot, nuk synoj te bej apologjinë e 8 vjetëve qeverisje te P.D. dhe te rezultateve te saj të prekshme, ne progresin ekonomik dhe zhvillimin e vendit. Këtë do ta beje koha, mbasi te fashiten pasionet, qe opozita e atëhershme dhe maxhoranca e sotme, me aq diabolizëm dhe demagogji, me premtime të parealizueshme dhe me para, arriti te rizgjonte tek njerëzit e ndershëm, për t’i shndërruar ata, ne aleate te luftës se saj për pushtet te pa merituar. Qysh ne fillim të punimeve të këtij sesioni parlamentar, zhvillimet flasin qarte për një koncept aspak evropian dhe demokratik të maxhorancës, e cila gjykon qe opozita te jete thjesht një garniture e qeverisjes dhe jo një instrument real dhe konstruktiv për mirëqeverisje. Pikërisht, për te sendërtuar ketë synim, kjo maxhorancë guxon te japë edhe leksione te një niveli mediokër, se si duhet te sillet opozita dhe si duhet ta beje oponencën ajo. Teknikalitetet qe ajo i konsideron te tepërta, ne një sistem demokratik, nuk janë ornamente formale dhe te pa nevojshme, por rregulla te sanksionuara dhe te pranuara me vullnet te lire, qe përbejnë vete thelbin e sistemit tone politik, te pranuar prej te gjithë shoqërisë. Që në ditët e para, ajo nxitoi t’i fshihet transparencës të publikut dhe oponencës te opozitës, duke synuar ti vere para faktit te kryer, për t’iu shmangur kështu përgjegjësive te veta. Nxitimi për aprovimin ne parlament te programit te saj qeverisës, ne emër te alibive te stisura, enkas për t’iu shmangur analizës dhe shqyrtimit nga ana e opozitës, tregon prirjet e saj, për te qene arrogante ndaj faktorit opozitar. Ne nuk jemi ne këtë parlament për te luajtur rolin e një opozite formale dhe te nënshtruar ndaj arrogancës të shumicës. Ne jemi këtu si përfaqësues, jo vetëm të atyre që na kanë votuar, por të të gjithë popullit shqiptar, dhe do të luftojmë me te gjitha mjetet demokratike, për te zbatuar vullnetin e tyre, vullnet qe buron nga e drejta, për te qene pjesëmarrës ne mirëqeverisje dhe gardiane te kushtetutës dhe të të drejtave te tyre te patjetërsueshme nga asnjë pushtet i ngritur mbi mashtrimin dhe demagogjinë. Ndërkohë që të mërkurë në mbrëmje, deputetët e Kuvendit të Shqipërisë dhe qytetarët shqiptarë prisnin nga kryesocialisti që të detajonte programin qeverisës dhe të tregonte mënyrën se si do të realizonte premtimet, me të cilat koalicioni i tij erdhi në pushtet, ai e përdori këtë tribunë për të sulmuar opozitën me një gjuhë urrejtjeje dhe mllefi të paparë, me sharje dhe poshtërime, me përbaltje dhe akuza të pa vërteta. Pa dyshim që të gjithë shqiptarët e kuptuan më së miri se kjo ishte e vetmja rrugë për tju shmangur shpjegimeve dhe argumentave se si do të realizohej programi i premtimeve të bujshme elektorale. Të nderuar kolegë deputetë. Gjatë këtyre dy ditëve e studiova me shumë kujdes programin e qeverisë, të ashtuquajtur Shqipëria e gjeneratës tjetër. Një pjesë jo të vogël të programit, në krye të çdo çështjeje, e zë nxirrja dhe mohimi i të gjitha sukseseve të arritura gjatë 8 viteve të qeverisjes të PD. Nuk është e rastit që kryesocialisti në fjalën e tij e paraqiti Shqipërinë sikur ajo tashmë është një tokë e djegur nga vala e një shkatërrimi epokal. Ndaj jo për paragjykim, po te detyruar prej këtyre fakteve, mund te parashikohet fare qarte se premtimet e saj, maxhoranca e sotme jo vetëm nuk do ti mbaje, por do orvatet me çdo mënyre që dështimet e veta t’ia faturoje opozitës. Por opozita e sotme është krenare për gjithçka ka bërë gjatë 8 viteve të qeverisjes së saj. Qeveria “Berisha” është e do të mbetet një histori e pakrahasueshme suksesi. Askush nuk mund të harrojë se qeveria “Berisha” është qeveria që anëtarësoi vendin në NATO, qeveria që hoqi vizat dhe bëri realitet ëndrrën e lëvizjes së lirë, që hoqi vendin nga lista e rekordeve të zeza të korrupsionit, trafiqeve dhe krimit të organizuar, që rriti ndjeshëm rrogat dhe pensionet, që evitoi reçensionin në kohën e krizës globale, që shtroi trasenë e Shqipërisë së zhvilluar, moderne dhe europiane, me rrugë që nuk i ka njohur historia e këtij vendi, me 24 orë energji elektrike, me shkolla, ujësjellësa dhe spitale të reja, që futi Shqipërinë në dixhitalizim masiv, që përafroi më shumë se asnjë tjetër, integrimin e vendit në BE, që udhëhoqi me vizion, kurajo dhe vendosmëri procesin e vështirë të konfirmimit të gazsjellësit Trans - Adriatik. Por le ti kthehemi programit të qeverisë. Përsa i përket formës, 45% të tij, pra rreth gjysmën e materialit, e zenë fotot, karakteristikat e ministrave, faqet dekorative dhe faqet me një titull. Përsa i përket përmbajtjes, ai nuk është gjë tjetër veçse një program demagogjik, i mbushur me një amalgamë dëshirash të huazuara, me detajime të tepruara të marra nga dokumentat strategjikë, të përpunuara më parë nga qeveria Berisha me partnerët ndërkombëtarë. Një pjesë e mirë e shumë çështjeve të përmendura në program janë tashmë të ezauruara. Programi i ngjan më shumë një propozimi për projekt të hartuar për të aplikuar në ndonjë OJF. Them propozimi për projekt, se dhe ky, nuk mund të shpallet projekt fitues, nëse nuk do të argumentojë mënyrën se si do të bëhet realitet, objektivat e qarta, rrugën se si do të realizohen këto objektiva, plan kalendarët e veprimit, indikatorët për matjen e realizimit të objektivave. Të gjitha këto që përmenda i mungojnë këtij programi. Prandaj ai është një program i dështuar për tu realizuar. Programi, me paramendim, nuk ka asnjë shifër, asnjë kosto, asnjë buxhet, asnjë burim financiar. Pra mungojnë totalisht llogaritë konkrete ekonomiko-financiare. Lista e dëshirave është aq e gjatë, sa është e pamundur të realizohet përmes mundësive dhe kapaciteteve ekzistuese. Partia Demokratike lindi si parti e vokacionit perëndimor të shqiptarëve. Në koherencë me këtë vokacion, ne nuk do të pengojmë, ashtu si mjerisht bëri Edi Rama me deputetet e tij në mandatin e kaluar, me bllokimin e statusit. Përkundrazi, ne do të jemi protagonistë, për të gjithë çështjet e integrimit europian të Shqipërisë, duke filluar me marrjen e statusit të vendit kandidat brenda këtij viti dhe duke vazhduar me tërë procesin e anëtarësimit, me titull të plotë të vendit në BE. Është folur shumë për taksën progresive, por në program nuk jepet asnjë detaj dhe asnjë afat kohor për vendosjen e saj, sa i kushton kjo shoqërisë dhe si do të mbulohet kjo kosto. Është propaganduar me të madhe se 95% e shqiptarëve nuk do të paguajnë taksa, por në program nuk thuhet asgjëkund se kush nuk do të paguajë, sa nuk do të paguajë dhe kur nuk do të paguajë. Në program thuhet që qeveria do të realizojë legalizimin banesave pa lejë në zonat informale. Por asnjë shpjegim se sa kushton ky proces dhe kush do ta paguajë koston e tij. Në pjesën ku flitet për bujqësinë, thuhet se do të reduktohet TVSH për inputet bujqësore. A e dinë hartuesit e programit se ka një ligj të parlamentit shqiptar, të miratuar me konsensus në pranverën e këtij viti, i cili përjashton nga TVSH brenda vendit dhe në import lëndët e para që përdoren në bujqësi. Në program flitet për një angazhim për të krijuar 145 mijë vende të reja pune dhe jo 300 mijë, sepse 155 mijë nuk do ti punësoni ju. Ata janë të vetëpunësuar në aktivitetin bujqësor dhe blegtoral. Por nuk thuhet asnjë fjalë se si do të realizohet ky angazhim në praktikë, cilat do të jenë mjetet financiare dhe kur do të bëhet realitet. Nuk e kuptoj se si në një program qeverisës, mund të flasësh vetëm në përgjithësi për infrastrukturën rrugore të vendit, pa cilësuar asnjë rrugë, kombëtare ose rajonale dhe pa përmendur asnjë vlerë monetare për investim. Mjafton të përmendim se gjate qeverisjes demokratike janë ndërtuar 5000 km rrugë të asfaltuara. Vetëm për rrugët kombëtare është investuar në 273 akse nacionale, me vlerë totale 262 miliard lekë. Ne pjesën e arsimit, si në program ashtu edhe në fjalën e Ramës, flitet për objektiva tashmë të realizuara. Flitet për projekt pilot për zgjedhjen e mësuesve në bashkëpunim me përfaqësuesit e prindërve. Kjo është ezauruar tashmë me ligjin e ri të arsimit parauniversitar, miratuar me konsensus, i cili tashmë ka hyrë në fuqi. Flitet për sigurim të autonomisë në universitetet publike. Tashmë kjo autonomi është reale dhe e sanksionuar dhe në ligjin e arsimit të lartë. Reforma për ndërtimin e sistemit të arsimit profesional, përmendur nga Rama në fjalën e tij, në bashkëpunim me biznesin, me partnerët ndërkombëtarë dhe me përfshirjen e një sërë ministrive, tashmë është përcaktuar shumë saktë në ligjin për arsimin profesional. Do ishte më mirë të thuhej sa do të rriten rrogat e mësuesve, sa konkretisht do të rriten pagat e personelit akademik për të ngushtuar hendekun me pagat në universitetet jo publike. Do ishte më mirë të thuhej sa objekte shkollore do të ndërtohen ose rikonstruktohen dhe sa do të jetë vlera e investimit. Mjafton të përmendim se gjate qeverisjes demokratike janë ndërtuar dhe rikonstruktuar 1300 shkolla. Janë rritur 125-147% pagat e mësuesve dhe 25-69% pagat e personelit akademik. Shumë bujë ka bërë premtimi se shëndetësia do të jetë falas. Në program thuhet se do të financohet nga taksimi i përgjithshëm. Por asgjëkund nuk thuhet sa është fatura e shëndetësisë falas, si do të paguhet dhe më e rëndësishmja, kur do të fillojë të jetë falas shëndetësia. Në program konstatohet një tërheqje e madhe nga premtimet e bujshme të bëra gjatë fushatës elektorale të qershorit. Në program thuhet se qeveria angazhohet të rishikojë trajtimin financiar dhe pagat bazë të punonjësve të policisë, kurse në fushatë është premtuar një shkallë fikse pagash që niste nga grada më e ulët 500 mijë lekë të vjetra, deri 1 milion e gjysmë për gradat e larta. Në fushatë u premtua shtëpi dhe punë për gratë e policëve të vrarë dhe edukim falas për fëmijët, ndërsa në program flitet vetëm për përkujdesje shtetërore të posaçme. Në program thuhet se do të hiqet taksa e biznesit të vogël dhe do të reduktohet barra fiskale e biznesit të vogël brenda vitit të ardhshëm, kurse në fushatë Rama ka thënë se brenda 100 ditëve të para do të heqë taksën e biznesit të vogël dhe do të përgjysmojë tatimin mbi fitimin. Flitet për minierat në program, por asnjë fjalë për statusin e minatorit, aq shumë të premtuar nga Rama gjatë fushatës, asnjë fjalë për uljen e moshës të pensionit dhe sigurinë e kushteve të punës. Premtimi, me të cilin u tentua të luhej me ish të përndjekurit politikë gjatë fushatës, se pagesa e dëmshpërblimit të tyre do të bëhet brenda dy vitesh, është fshirë plotësisht nga programi i paraqitur. Në fushatë Rama tha se do ta heqë fare TVSH për ushqimet më jetike të shportës, bazë të konsumit, por në program shkruhet se do të përgjysmohet kjo TVSH. Një tjetër premtim i Ramës gjatë fushatës: Ulje të TVSH për energjinë elektrike për konsum familjar nga 20% në 6%. Programi flet ndryshe: Ulja/kompensimi i TVSH për pjesën e domosdoshme të furnizimit me energji elektrike të konsumatorëve familjarë të varfër. Dy fjalë për strukturën e qeverisë. Një qeveri e madhe e kushtueshme që do të rëndojë mbi shpatullat, xhepat dhe tavolinat e shqiptarëve dhe të familjeve të tyre. Copëzimi i ministrive dhe çuarja nga 14 në 20 ministri, nuk ka të bëjë me rritjen e efikasitetit për realizimin e objektivave të programit, por ajo është një orvatje për të kënaqur orekset e partnerëve në koalicion. Një ekip klientelist dhe pa eksperiencë. Ky pra, nuk është ekipi që do tu shërbejë Shqiptarëve, por ekipi që do ti përulet kryetarit dhe do ti shërbejë vetëm interesave të tij. Kolegë deputetë. Premtimet e Partisë Socialiste dhe kreut të saj janë të parealizueshme dhe shumë shpejt do të zhbëhen. Dikush mund te thotë se nuk mund te nxirren konkluzione te tilla kaq herët, pa kaluar një fare periudhe ne qeverisje. Unë edhe mund te gabohem prej kësaj prognoze, por besoj se një njeri nuk duhet te pije gjithë butin me vere për te gjykuar për cilësinë e saj. Mjafton edhe një gote për te kuptuar se cfare ka brenda tij. Mazhoranca e re do të përballet me opozitën dhe qytetarët, sepse premtimet janë të parealizueshme. Ndaj ne jemi të gjithë gati për një opozitë të fortë dhe serioze, për tu treguar shqiptarëve fytyrën e vërtetë të qeverisë së re. Premtimet elektorale janë marrëveshja që Edi Rama ka me qytetarët, dhe ai do të duhet të përballet me këto sfida. Ne do të jemi në Kuvend për të denoncuar çdo politikë të gabuar, çdo shkelje të ligjit, çdo premtim të pambajtur, dhe çdo denoncim do të bëhet vetëm mbi bazën e fakteve dhe provave konkrete. Faleminderit.
Posted on: Wed, 27 Nov 2013 23:09:09 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015