PËRSËRI JU…? . (Turp i ripërsëritur në disa media) NGA - TopicsExpress



          

PËRSËRI JU…? . (Turp i ripërsëritur në disa media) NGA “Ikonom” AT SPIRO KATUNDI . Pamë të përsëriten kohët e fundit në disa media akuza dhe shpifje të ripërsëritura për Kishën Orthodhokse, të sulmohet Kryepiskopin Anastas, të merret në mbrojtje i vetëquajturi “prift” dhe “mbrojtës i Kishës Orthodhokse të Kombit” Nikolla Marku etj. Dua t’u them dhe rikujtoj këtyre gazetarëve, se keni mëse njëzet vjet duke thënë e rithënë të njëjtat gjëra, ku akoma shikojmë që jeni të paqartë dhe vetë për secilën nga ato që trajtoni, njëkohësisht shohim një gjuhë të ashpër që përdoret kundër Kishës dhe klerikëve të saj, me ofendime aspak gazetareske të shoqëruara me gjykime ordinere, të cilat kanë ulur në publik, jo vetëm dinjitetin tuaj, por dhe të mediave që përfaqësoni. Të tilla shkrime apo emisione sa qesharake aq dhe keqdashëse u shfaqën këtë kohë dhe me prpblemin e Kishës në Përmet, për të cilën ju siguroj që do të zgjidhet sipas vullnetit të Perëndisë dhe jo sipas oreksit të ndonjë kalimtari. Kështu që, ne na del detyrë t’u sqarojmë dhe t’u risqarojmë sa herë të jetë e nevojshme, që ju të mos jeni shpjegues egoistë, fanatikë që adhurojnë formalen pa esencë dhe që nguliten pas “gërmës”. Prandaj vëllezër ta dini që: . 1. Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, rindërtimi dhe misioni i saj, janë sheshit dhe nëse e frekuentoni njëherë të vetme do të shikoni dhe prekni nga afër të vërtetën, të cilën ju deri më sot e keni luftuar dhe shtrembëruar me dashakeqësi. Duhet të dini dhe një gjë tjetër. Jo vetëm në vendin tonë por në gjithë botën, Kisha Orthodhokse është nëna e të Krishterëve. Është i tërë Trupi Eukaristik, ku brenda tij bëjnë pjesë gjithë besimtarët e pagëzuar, pavarësisht prejardhjes etnike, gjinisë së tyre, gjuhës, klasës së tyre shoqërore dhe nivelit të jetesës. . 2. Duke sulmuar Kryepiskopin Anastas ju sulmoni gjithë Orthodhoksët e Shqipërisë, për këtë ne ju kemi sqaruar në vite. Imzot Anastasi, sot edhe mot si i thonë fjalës, është dhe do të jetë Kryepiskopi i Orthodhoksëve të këtij vendi. Për të kuptuar më mirë këtë, po ju citoj Apostull Pavlin në letrën drejtuar Romakëve, ku thotë: ”Kush je ti që gjykon shërbëtorin e tjetrit? Prej zotit të vet ai qëndron ose bie, por do të qëndrojë, sepse Perëndia i fortë do ta mbështesë”(Rom.14:4). Kujtoni se figurën e tij mund ta bëni lojë të mediave tuaja? Gaboheni zotërinj! . 3. Morali juaj dhe i mediave tuaja duket qartë kur merrni në mbrojtje të vetëquajturin “prift” Nikolla Markun. Të paktën na dëgjoni ne që e kemi patur bashkënxënës, ne që e njohim dhe e dimë mirë se sa i zoti është, sa njohuri ka mbi fenë e tij, sa i digjet zemra për Kombin dhe se sa “prift” mund të jetë ky person i pafe. Do të ishte e tepërt ta ballafaqonim me rregullat dhe kanonet e Kishës këtë njeri, sepse nuk do të mbaronim kurrë. Me gjestin e tij të ulët prej vjedhësi ordiner, si dhe me dëbimin e tij nga shkolla, të themi të drejtën na erdhi shumë keq. Kishës ju largua një person që po përgatitej për të qënë shërbëtor i saj dhe sigurisht që për vesin e dënueshëm nga Kisha, pritej prej tij të pendohej, por ai nuk e bëri këtë gjest. Mblodhi firma që të bëhej prift, se e dinte që priftëria bëhet me peticione dhe në fund u përjashtua si hajdut, bukëshkelës dhe tradhtar. Juda e tradhtoi Zotin dhe ai tradhtoi besimin dhe dashurinë e mësuesit. Në qoftë se di t`i lexojë librat e Kishës, dua t`i them: shiko himnografin e Javës së Madhe se si e etiketon Judën kur e quan “të dashuruar pas parasë”, kjo i shkon për shtat edhe atij sot, sepse, që vodhi lek u dëbua nga shkolla, me lek u vetëshpall “prift”dhe për lek e ka kthyer Kishën e zaptuar, në biznesin e tij. Kështu mund të jetë prifti dhe mbrojtësi i Kombit?! Priftëria e Altarit është çështje që lidhet me lutjen vëllezër dhe nuk fitohet nga ndonjë konkurs si mund të fitohen vendet e punës, apo duke futur miq. . 4. Një turp i ripërsëritur është kur ngatërroni çështjen Çame me Kishën Orthodhokse të Greqisë dhe Kishën tonë. Me sa di unë, ashtu si dhe ju e dini shumë mirë nga historia që, çamët nuk i dëboi Kisha e Greqisë dhe sot nuk është Kisha jonë ajo që mund të ndërhyjë për të zgjidhur problemet e tyre. Mos ngatërroni adresë zotërinj. . Sot ka dhe njerëz që nuk na kuptojnë si duhet, ka dhe nga ata që u pagëzuan të Krishterë e që pak a shumë njohin dhe vlerësojnë besimin e tyre edhe pse ndodhen në mes të një bote të shthurur, ku nevoja për ta njohur Perëndinë dhe për të qëndruar pranë Kishës së saj është më e madhe se asnjëherë tjetër. Sa më shumë të pranojmë pendimin dhe përuljen, bëhemi më tepër të hapur dhe çlirohemi nga barra e egoizmit dhe vogëlsitë e ligësive. Sado që kjo të duket e çuditshme dhe jashtë arsyes, ky është morali i të Krishterëve Orthodhodhoksë. . Po ky Nikolla juaj, në se e quan veten që është i Krishter e për më tepër “prift”, si nuk di të zbatojë të paktën rregullat më elementare të besimit, apo dhjetë porositë e Krishtit, ku atje thuhet: mos vidh, mos jep dëshmi të rreme, etj? Si mund të quhet “prift” kur ai rrëmben Kishën dhe zyrat e saj, duke u fshehur prapa fjalës “Komb”? “Prift dhe hajdut” apo “hajdut dhe patriot”, nuk kemi parë e dëgjuar deri më sot. Nuk e kuptoj qëndrimin dhe interesin e mediave në këto njëzet vjet, që merren me personazhin: Nikolla. Do të desha ti pyes: a mos vallë ky është problemi më i rëndësishëm, që ka shoqëria jonë sot? Kaq ju intereson çështja “Marku”, e këtij personi që është turpi i ekraneve dhe gazetave tuaja? Si mundet ta krahasoni këtë mashtrues ordiner, me një figurë kaq të madhe botërore, siç është Kryepiskopi Anastas? Po mirë more vëllezër, më thoni: A nuk quhet turp mediatik, të publikoni një person mashtrues që i bën letër Patriarkanës në emër të askujt, ta servirni nëpër media, sikur ky i vetëm është “Engjëlli” dhe të gjithë ne jemi djajtë? . Pyesni njëherë veten tuaj: A e ndriçon moralin e mediave tuaja, figura e “Markut”? Si mundet të mos shikoni përparimin e Kishës Orthodhokse dhe të mos e paraqitni fare atë në mediat tuaja? Keni gati njëzet vjet me problemin “Marku” more vëllezër, nuk u lodhët? Kaq në krizë programacioni jeni, sa nuk keni ç’të bëni dhe hapni historinë e Kishës Orthodhokse duke bërë komente dhe shtrembërime fyese? Në një gazetë e pamë këtë person, të marrë rolin e historianit të Kishës Orthodhokse, të cilën ne e njohim mirë, sepse ajo është e shkruar nga teologu dhe profesori ynë i nderuar, i ndjeri Dhimitër Beduli, që njëkohësisht i ka dhënë mësim dhe zotit Nikolla. E pra, atje do ta shikoni se si mund të merret historia e vërtetë dhe tek-tuk t`i ndryshojë nja dy rreshta, duke e kthyer sipas dëshirës së tij. Ç’prisni zotërinj, nxitoni ta shpallni “historian të shekullit”. Kujtoni se, besimtarët Orthodhoksë nuk e njohin historinë dhe jetën e Kishës dhe nuk e shohin të vërtetën me sytë e tyre, që të gënjehen nga këto mashtrime? Punët e Kishës tonë na takojnë ne dhe besimtarëve të saj more vëllezër, ç’ne ju me punët tona? Ne ju hyjmë juve në punët tuaja? Shikoni njëherë dhe i bëni analizë vetes se mos jeni vallë ëndërrimtarë dhe jo realistë, në vend që të jeni paqedashës dhe të frytshëm, kërkoni ta nxini të vërtetën e Zotit? . Ne, na çudit fakti që ju nuk bëheni merak për vendimet e padrejta që marrin Organet e Drejtësisë si në qytetin e Përmetit, ashtu dhe në atë të Elbasanit, që kanë lejuar të rrëmbehet dhe dhunohet Kisha Orthodhokse e Shën Marisë dhe aq më tepër vlerë historike, duke u kthyer në biznes vetiak nga zoti Marku. Ashtu sikundër deri më sot, ku janë të rrallë ata që janë kapur për vjedhje dhe shkatrrime të vlerave shpirtërore dhe monumentale nëpër Kisha, edhe ky problem duket qartë që është lënë me dëshirën jo të mirë për t`u zgjidhur. Të paktën hajdutët fshihen dhe mezi kapen, po zoti Marku që vodhi jo pak, por një Kishë të tërë së bashku me ambientet e saj në mes të ditës dhe ka njëzet vjet që thotë: ja ku jam, në gazeta e televizione sheshit. Pse nuk kapet dhe dënohet? Ç’të jetë kjo dashakeqësi apo profesionalizëm i dështuar? Kush fshihet pas tij dhe kush e përkrah, nuk është e vështirë sot për t`u marrë vesh. Sot të gjitha sekretet janë sheshit, s`ka gjë që të mos merret vesh. Tani të gjithë e dinë cilët janë këta që e përkrahin këtë person mashtrues ordiner, sepse emrat e tyre janë nëpër artikujt e gazetave dhe titrat e emisioneve televizive, njëkohësisht shohim që e nxjerrin vetë dhe kush i ka sponsorizuar. Atëhere është e vërtetë ajo që thonë besimtarët tanë që: këta, o janë të pa fe, o janë të paaftë, o janë të lajthitur. . Është dhënë disa herë në media të ndryshme filmimi i ditës së fronëzimit të Kryepiskopit Imzot Anastasit, për të cilin ne jemi krenarë për zgjedhjen që ju bë Kishës tonë, sepse ai u zgjodh për të Krishterët Orthodhoksë dhe për Kishën e tyre duke e kryesuar atë me dinjitetin më të madh në rangun Evropian dhe Botëror. Ai nuk u zgjodh për asnjë tjetër, person, shoqatë apo parti që pretendon të ketë pushtet mbi Kishën, por do të desha ta shikonit mirë, jo vetëm atë pjesë video që paraqitni ju, por të gjithë filmimin e asaj dite dhe do ta shikoni z.Nikolla Marku civil, duke thirrur: “i denjë” për Anastasin Kryepiskop dhe pas dy vjetësh që u dëbua si hajdut, ai thirri: “i pa denjë”. Ai nuk e do Kryepiskopin dhe është puna e tij, po pse lejohet të shpërdorojë në media nacionalizmin kur të gjithë e dimë që të pandershmit dhe të korruptuarit sot fshihen pas fjalës “Komb”. Dhe atëhere lind pyetja: kush është më patriot, ai që ndërton në këtë vend, apo ai që vjedh?. . Ne e kemi pohuar dhe e pohojmë me guxim që Kryepiskopi është mësuesi dhe Ati i gjithë Orthodhoksëve, sepse predikon vetëm “fjalë të jetës së përjetëshme”(Jn.6:68). Unë e di që nuk bëheni shumë merak për zotërinë “Niko”, sepse ju nuk mund t’ja mbuloni dot mëkatet atij por kjo tregon fare hapur një dashakeqësi të madhe nga ana juaj për Kishën Orthodhokse dhe Kryepiskopin Anastas, e në se dikush është dashakeqës me ne, është e qartë që është dashakeqës me gjithë Komunitetin besimtar Orthodhoks. Dashuria jonë për Kryepiskopin është e dukshme, sjell gjykim. Bëhet fjalë për një dashuri të veçantë, të pakufizuar, që më mirë do ta quanim dashuri me të cilën ne i përgjigjemi dashurisë së tij që po sakrifikohet për të gjithë ne duke rindërtuar Kishën nga themelet e saj, duke u përkushtuar për largimin e dhimbjes e plotësimin e nevojave të mijra njerëzve, për sjelljen e gëzimit dhe largimit të vështirësive tek ata, etj. Detyra e tij është e gjallë dhe me energji, është lutje e vazhdueshme është dëshmi e ndërgjegjes për të kryer vepra dashurie, paqeje, pajtimi dhe vepra të progresit. . Është e qartë se Kryepiskopi kaloi nëpër pengesa të ndryshme dhe në tundime të shumëllojshme deri sa arriti këtu ku jemi sot. Ai është shëmbëlltyra më e mirë e Zotit në vendin tonë, sepse, në personin e tij, si tek rrallë ndonjë tjetër, janë të mëshiruara ato cilësi që kërkon Zoti tek njerëzit. Ne, të Krishterët Orthodhoksë të Shqipërisë, e dimë mirë dhe besojmë që veprat e tij i kanë parë me sytë e tyre të gjithë shqiptarët pa dallim feje, sepse ata vetë e pohojnë me gojën e tyre dhe vlerësojnë personalitetin e tij, duke thënë: nuk kemi parë deri më sot një njeri kaq të përkushtuar dhe me kaq kontribute në këtë vend. E pra, duhet të qartësoheni mirë dhe të kuptoni se për Kryepiskopin Anastas dhe Kishën që ai drejton, ajo që ka fuqi të madhe, është dashuria gjithëpërfshirëse, krejt e ndryshme nga ajo që propozoni ju me shembuj egoiste të lavdisë së kotë, me dëshira për të pasur pozita dhe të sëmurë nga krenaria e pushtetit. . Disa nga politikanët e dështuar në partitë e mëdha dhe të dëbuar prej tyre si njerëz të paaftë, i janë bashkuar personit “Marku” dhe e shikojnë si njeriun më të përshtatshëm që mund t’u shtojë votat dhe reputacionin në popull. Dështimin e tyre, e shikojnë si shpëtim kur duan të na krijojnë ngatresa dhe të na hapin probleme. E dinë se kur merren me Kishën Orthodhokse nëpër gazeta e televizione, janë “persona publikë të suksesshëm”. Disa nga këta kanë krijuar parti dhe është e drejta e tyre të bëjnë si të duan me programet e tyre, por në fund: dihet kush gjykon... Po ky Nikolla juaj çdo që ngatrrohet me këta? Ai që pretendon se është njeri i Zotit nuk merret me politikë, apo duke qenë i vetëshpallur dhe ka rregullat e kanonet e tij, i lejohet?! . Sot na thoni se i shërbejmë grekut, po të ishte ndonjë kohë tjetër do na akuzonit se i shërbenim italianit, gjermanit apo mund të na quanit dhe armiq të popullit, si komunizmi. Po ne si t’u gjykojmë juve, kujt i shërbeni zotërinj të qorrollisur?. Kështu i shërbehet Kombit duke luftuar të mirën, rindërtimin dhe përparimin? Nuk e dini që rindërtimi i Kishës është rindërtim dhe prestigj i gjithë Kombit?. Kaq të mefshtë jeni, o zotërinj, që fshihni ligësinë prapa “priftit” tuaj Niko?. Kjo tregon që nuk keni asnjë program tjetër, jeni pa të ardhme, derisa nuk doni të shihni para syve tuaj, veprat shpirtërore që janë e vetmja mundësi për të shpëtuar këtë vend dhe këtë popull, nga bataku i kohës. . Të themi të drejtën, për ne në mëse njëzet vjet, veprat tuaja kanë qenë të errëta, dashakeqëse dhe intriga të ushqyera me kundërshti. Brenda errësirës së gënjeshtrës keni gatuar vazhdimisht mashtrimin dhe cmirën, kultivoni urrejtjen, shpifjen, padrejtësinë, etj. Po ju pyes zotërinj; a keni parë ndonjëherë vepra dashurie të Perëndishme?. Në moralin dhe karakterin tuaj besoj se nuk gjen ndonjë gjë të tillë. Kjo egziston vetëm në Kishën Orthodhokse dhe tek Kryepiskopi Anastas, i cili udhëheq besimtarët në paqe, me frymë njeridashjeje, përpjekje për drejtësi duke kontribuar me vepra dhe bashkekzistencë paqësore midis njerëzve. Ai është dhe do të mbetet në jetë të jetëve, për gjithë të Krishterët Orthodhoksë të këtij vendi, por dhe më gjerë, një figurë e shenjtë, frymë e gjallë për mësimin, edukimin dhe zgjidhjen e vështirësive të shumta, të kësaj jete mëkatare. . KORÇË 2013
Posted on: Wed, 11 Sep 2013 18:48:02 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015