Përgatitja e Lidershipit të ardhshëm është sfida më e madhe - TopicsExpress



          

Përgatitja e Lidershipit të ardhshëm është sfida më e madhe e ushtrisë sonë. Bisedë me Z. Idai Qorraj ish kolonelin e Forcave të Armatosura. 1 Kisha kohë që kontaktoja me Komandant Idaiun. Qëllimin ishte i thjeshtë. Doja të shkruaja diçka rreth ushtrisë shqiptare, por nuk kisha mundur dot. Si gjithmonë ai kishte qenë tepër i angazhuar me punë dhe angazhime të tjera. E kështu problemi mbeti pezull për një kohë të gjatë, derisa një ditë komandanti doli në rezerve dhe ne së fundmi kontaktuam. Sapo u përshëndetëm dhe porositëm kafet, nisëm bisedën. Tashmë përballë nuk kishim më Kolonelin ‘’serioz’’, të ‘’prerë’’ në qëndrim dhe të veshur si ngahera me uniformën e blertë, por një njeri gazmor dhe të qeshur, i cili pa u ndrojtur dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë nisi i pari bisedën, ku ndihej një theks i lehtë i dialektit të Labërisë. Kjo e fundit tregonte gjenezën e tij, ku si një pjesë e djemve të kësaj krahine, qysh në rininë e hershme e kishte ‘’braktisur’’ fshatin e tij, Vranishtin, e trimave patriotë dhe këngëve polifonike, për të nisur studimet në shkollat ushtarake më të mira të vendit. E ashtu, Koloneli dukej vërtet në formë dhe shumë aktiv, megjithëse sapo i kishte kaluar të pesëdhjetëeshtatat dhe kishte kryer 41 vite shërbim. Gjithashtu ‘’binte në sy’’ edhe për trupin atletik, bustin e plotë, flokët e drejtë e pak të thinjur, gjestikulacionet dhe natyrisht anën tejet njerëzore të karakterit. Ndërkohë që pa e kuptuar u futëm aq thellë në bisedë, temat e së cilës filluan me motin dhe vijuan natyrshëm me letërsinë, muzikën dhe ‘’botën e kompjuterit’’. Të harruar pas bisedës së lirë, u kujtuam në një moment se qëllimi i këtij takimi ishte për diçka tjetër dhe e nxitëm së fundmi komandantin të tregonte për veten dhe misionin e tij të ushtarakut. 2 Shkollën Ushtarake Skënderbej e kam kryer në vitet 1971-1975, nisi të tregojë për Gazetën Telegraf, Komandant Idaiu. Në atë periudhë kjo shkollë pavarësisht profilit ushtarak ishte një nga gjimnazet më të mira të Shqipërisë. Kam pasur fatin që të më jepnin mësim, mësues të përgatitur profesionalisht dhe më kulturë të gjerë qytetare si matematikanët Pavli Bici e Agron Babamusta, fizikantja Ana Prifti, ndërsa një emër tjetër i njohur, Skëndër Shkupi, më ka dhënë lëndën e astronomisë, shton më pas ai. Krahas mësimeve e kishim si detyrim edhe përgatitjen fizike, e cila dalëngadalë mu kthye në pasion në ato vite. Si rrjedhim, me një grup shokësh vraponim çdo mëngjes nga Shkolla Skënderbej deri tek gurorja e Linzës në Dajt. Ndërkohë që përveç atletikës gjatë këtyre viteve ju përkushtova edhe volejbollit dhe muzikës, vijon të tregojë Koloneli. Biles juve mund t’ju duket e pabesueshme por u angazhova përgjatë atyre viteve edhe në orkestrën frymore të shkollës në instrumentin bariton-tenor. Ndërsa në vitin 1975 vijova studimet e larta në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve, të cilën e përfundova në vitin 1980. Këtu kam nisur për herë të parë edhe punën shkencore, tregon jo pa nostalgji Komandant Idaiu. Atëherë ekzistonte rregulli që, për çdo kurs për mbrojtjen e diplomës viheshin në dispozicion tre tema. Kuptohet për studentët më të mirë. Në këtë mënyrë unë e mbrojta diplomën me një temë vërtet interesante siç ishte ‘’ Brigada në Mbrojtje të Bregdetit’’. Kështu përfundoi edhe arsimi aktiv për mua dhe nisi shërbimi i rregullt ushtarak. -Përse arsimi aktiv, e pyesim kolonelin. -Për një ushtarak karriere, përgjigjet përsëri Komandanti, apo ushtarak të mirëfilltë, studimi individual së bashku me kualifikimet dhe specializimet e vazhdueshme apo trajnimet profesionale janë pjesë e një aktiviteti jetësor që bëjnë pjesë në profesion, të cilat duhet të vijojnë gjatë gjithë kohës së shërbimit aktiv. Kështu ka ndodhur edhe me mua. Pas nëntë vitesh shërbim, të cilat i kalova fillimisht në Berat ( 1980-1982) dhe më pas në Fier (1983-1989), erdhën përsëri edhe studimet aktive. Sepse duke nisur në vitin 1989 dhe për dy vjet të tjerë, kreva studimet pasuniversitare në Akademinë e Mbrojtjes. Pas përfundimit të tyre në vitin 1992, vit që përkon edhe më riorganizimin e Ushtrisë Shqiptare, u emërova komandat i Divizionit të Fierit me gradën Kapiten i Parë. Këtu dëshiroj të ndalem paksa, thekson Komandanti. Ka qenë një nga sfidat më të vështira me të cilat jam përballur gjatë karrierës sime ushtarake. Atëherë në Shqipëri kishte gjithsej nëntë divizione dhe rasti im ishte tepër i veçantë, sepse isha vetëm 35 vjeç dhe nuk kishte ndodhur më parë, që një ushtarak i kësaj grupmoshe të vihej në krye të njësie të tillë dhe të një rëndësie të veçantë. Sot, kur e mendoj them se, ka qenë një zgjidhje e sforcuar nga eprorët e mi në ato vite dhe kjo u bë për nevoja emergjente të lidershipit të asaj kohe në ushtri. Pavarësisht cilësive dhe aftësive që posedoja, ky emërim u bë në një situatë të jashtëzakonshme në kushte të detyruara. E them me përgjegjësi dhe ndërgjegje këtë gjë, por në këtë proçes më i ‘’dëmtuari’’ isha vetë unë. Kjo gjë për disa arsye të cilat mund ti rendis shumë thjesht. Së pari më mungonte eksperienca, të cilën në këto raste e sjell faktori moshë. Së dyti ndërrimi i sistemit dhe rrethanat që u krijuan e vështirësuan shumë punën tonë të atëhershme në ushtri. Për të kompensuar këtë faktorë kam zhvilluar atëherë një punë voluminoze dhe sforcuese. Me vullnet dhe përkushtim ndaj detyrës lëvizja me makinë gjatë gjithë orëve të natës për të kontrolluar gatishmërinë në të gjitha njësitë që kishim në vartësi. Ndërsa në mëngjes paraqitesha në zyrë qysh në orën 7 00. Më pas punoja me intensitet deri në përfundim të orarit zyrtar dhe vetëm pas orës 15, nisja të pushoja në shtëpi për dy-tre orë. Dhe, përsëri në mbrëmje nisja të njëjtin cikël i cili vazhdoi për disa vite me radhë. Megjithëse sot ndihem krenar për ato vite pasi kam shërbyer me devotshmëri, vijon të tregojë përsëri Koloneli. I tillë është misioni i ushtarakut, i cili ndryshe nga profesione të tjerë, përfshirë edhe atë të mjekut, nuk bën një betim të thjeshtë, por betohet në mënyrë solemne përpara flamurit, simbolit më të shenjtë të kombit. -Si shkoi karriera juaj e mëtejshme, e pyesim përsëri ne. Këtu Koloneli bëhet serioz dhe ne e lëmë që ai ta vazhdojë vetë ‘’rrëfimin’’. -Ishte viti 1996 dhe për arsye personale vendosa të largohesha nga ushtria. Megjithë kundërshtimin e kolegëve, eprorëvesi dhe ambientit shoqëror, dola vullnetarisht ne lirim. Por nuk vonuan veçse disa muaj dhe ndodhi ajo që sot shtypi apo edhe historia e etiketon si ‘’ Ngjarjet e vitit 1997’’. Ishte një nga situatat më kritike dhe më të vështira nga e cila u godit më rëndë ushtria. Dhe kjo asnjeherë për fajin e ushtarakëve, të cilët siç e theksova ishin betuar përpara flamurit për të mbrojtur popullin dhe integritetin e vendit. Në këto kushte më kërkuan përsëri të hyja në shërbimin aktiv dhe nuk mund të refuzoja. Në fillim të muajit mars, kur ushtria nuk ekzistonte më, u thirra nga Shefi i Përgjithshëm i Shtabit, Gjeneral Adem Çobani, për të dhënë ndihmën time për riorganizimin e strukturave. Dhe unë që isha larguar për arsyen e thjeshtë se nuk e perceptoja dot në ndërgjegjen time nivelin ku kishte arritur ushtria e disa muajve më parë, u riktheva tashmë në kushte tejet emergjente për ta nisur punën tashmë nga kuota zero. Por detyra më emergjente ishte mbyllja e pikave të rrezikut që kishin armatime dhe municione të cilat dëmtonin popullatën, ndërkohë që koha nuk priste. Në 17 mars 1997, me ndergjegje ushtarake dhe bindje qytetare u paraqita në zyrën e Ministrit të Mbrojtjes Z. Shaqir Vukaj, ku pranova për vetë kushtet të vihesha përsëri në krye të Divizionit të Fierit. Ndërkohë që emri im ishte propozuar më parë nga forcat politike, komitetet e shpëtimit që ishin krijuar në atë kohë, shoqëria civile si dhe ushtarakët. Në datën 20 mars erdhi edhe riemërimi dhe unë pa nguruar aspak nisa menjëherë punën. Divizioni i Fierit kishte nën varësi njësi të tilla që ndodheshin nga Shkumbini në veri e deri në Borsh të Sarandës në jug. Problemi ishte se nga do ta nisnin punën. Gjithsesi kemi mbyllur me njohjet e shumta shoqërore dhe me mjete private të gjitha pikat dhe tunelet ku kishte armatime dhe municione të hapura. Në secilën prej tyre kam shkuar vetë së bashku me shumë kolegë dhe vartës, të cilët kanë kryer në atë periudhë akte të jashtëzakonshme heroizmi. Psh, po kujtoj disa raste. Po e nis me atë të Himarës. Pasi morëm njoftimin se në Pilur kishte shpërthyer një depo dhe materiali ishte sheshit u nisëm menjëherë. Ishin ditët e para të muajit maj dhe të shkoje nga Fieri, nëpër Vlorë dhe Himarë ishte një aventurë ku të rrezikohej jeta. Kemi shkuar me mjetet tona dhe kemi mbërritur në Spile fillimisht. Kemi qenë së bashku 14 ushtarakë dhe kur shkuam në qendër të Himarës të gjithë u habitën. Ndërsa ne, duke shfrytëzuar njohjet e shumta që kishim në atë zonë, ndërhymë dhe stabilizuam situatën duke shpëtuar me dhjetra jetë njerëzish. Ndërsa ‘’marrëzinë’’ më të madhe e kemi bërë në Mbyet të Fierit. U lajmëruam se në tunelin me 700 tonë municion kishte shpërthyer zjarri. Kur nisëm ndërhyrjen flakët sapo kishin përfshirë arkat e armatimit ndërkohë që unë dhe njerëzit që drejtoja nisëm të hiqnim municionet. Por dua të theksoj edhe një fakt tjetër që, në këto aksione nuk kemi qenë vetëm por kemi patur ndihmën edhe të shumë njerëzve të nderuar dhe me kurajo qytetare. Të tillë kanë qenë edhe ish ushtarakët Xhemal Dingu apo Luftar Meta, të cilët edhe pse ushtarakë në lirim dhe të moshuar, së bashku me ne dhanë kontributin e tyre për të përballuar një situatë të tillë. -Më pas, puna e zhvilluar, kualifikimet dhe përvoja e grumbulluar më shërbyen mjaft, nis të tregojë përsëri komandanti, por tashmë me nota optimiste. Në vitin 1997 u gradova me gradën kolonel, të cilën e mbajta deri sa dola në lirim në vitin 2012. Ndërsa në krye të Divizionit të Fierit qëndrova deri në vitin 2002. Këtë vit Forcat e Armatosura ju nënshtruan një tjetër organizimi të ri. Kështu do të bëjmë pak statistikë, shton me të qeshur ai. Në vitet 2002-2005 shërbeva si komandant i Qendrës Kombëtare të Stërvitjes. Nga 2005 deri në vitin 2007, drejtova Shkollën e Trupës te Forcave Tokësore në Tiranë. Ndërsa në vitet 2007-2010 kalova si komandant i Kurseve të Akademisë së Mbrojtjes dhe njëkohësisht pedagog në Kursin e Lartë të Oficerëve, ku dhashë disiplinën e Drejtimit Operativ. Ndërkohë që detyra ime e fundit ishte në vitet 2010-2012 ku drejtova Qendrën Individuale të Stërvitjes në Bonavi të Vlorës. Viti 2012 ishte edhe viti i ‘’finishit’’ për mua kur pas 41 vitesh shërbimi aktiv u shkëputa nga ushtria dhe u riktheva në jetën civile, e përfundon edhe këtë ligjëratë Kolonel Idaiu. 3 Kur e pyesim për familjen ai qesh, ‘’rrufit’’ ngadalë kafen dhe më një kënaqësi të ‘’ligjshme’’ nis edhe tregon. Me bashkëshorten, Manushaqen, jemi njohur në Shkollën e Bashkuar. Një lidhje e fortë që u krijua nën një klimë tejet të rreptë dhe ‘’spartane’’ të shkollës së asaj kohe. Kishim edhe një pikë takimi tepër të fortë midis nesh. Ishim të dy nga Labëria, shton ai dhe nuk e mban të qeshurën. Më pas i mbijetuam edhe largësive dhe punës ‘’pa orar’’ të ushtarakut. Ajo u emërua fillimisht në Fier ndërsa unë në Berat. Së fundmi u martuam dhe unë u transferua në Fier. Bashkëshortja, Manushaqja, shërbeu me detyra e në njësi ushtarake te ndryshme deri në vitin 2006, vit kur doli dhe në lirim. Së bashku kemi rritur dhe edukuar dy fëmijë, vajzën , Edlirën e cila është diplomuar për frëngjisht dhe punon dhe jeton së bashku me familjen e saj në Tiranë dhe Ervisin, basketbollistin e njohur të Apolonisë, i cili është diplomuar në Universitetin e Sporteve dhe jeton dhe punon në Fier. Jemi përpjekur, shton koloneli me seriozitet, që fëmijët tanë ti edukojmë me vlerat më të mira të shoqërisë sonë, ti arsimojmë dhe tu tregojmë rrugën e duhur që duhet të ndjekin në jetë. Kur e pyesim se a ka ndikuar profesioni paksa i ‘’rreptë’’ i ushtarakut në edukimin e fëmijëve, komandanti përsëri e nis ligjëratën me pak ton urdhëror. -Me fëmijët, shton ai, kam qenë i drejtpërdrejtë dhe konkret në ato që kërkoja. Natyrisht që më e ngarkuar në këtë proces ka qenë ime shoqe, e cila përveç punës si ushtarake aktive dhe me shumë detyra, do ti shërbente në familje edhe tre ‘’subjekteve’’, ku më ‘’me një rëndësi të veçantë,, kam qenë unë për shkak të funksioneve që kryeja, thekson koloneli në mënyrë figurative. Megjithatë në këtë pikë unë e them me koshiencë se, jeta ushtarake të krijonte disa vështirësi si edhe disa mangësi kohe, por ajo vetë i ‘’shlyente’’ në anën tjetër, si në kompensimin e kohës së shërbimit ashtu edhe në shpërblimin financiar. Vërtet kemi bërë sakrifica të mëdha por edhe përfitimet kanë qenë për tu vlerësuar në krahasim me disa profesione të tjera, duke e parë brenda kuadrit të shoqërisë dhe kohës. Një nga synimet e çdo prindi është që të sigurojë një nivel të konsiderueshëm të mirëqenies së fëmijëve. Dhe unë e them me bindje se ne si prindër e kemi siguruar këtë gjë falë punës dhe profesionit tonë. Por ndërkohë dua të shtoj, thekson komandanti se, unë jam partizan i tezës së ‘’detyrave të kufizuara të prindit’’, i cili duhet ti siguroje dhe garantoje elementët kryesorë jetësorë, shoqërorë dhe kulturorë fëmijës. Më pas përveç këtyre të drejtave të ligjshme duhet ti kërkojë në mënyrë rigoroze edhe përgjegjësitë dhe detyrimet që rrjedhin prej tyre. Ndërsa sot në rolin e një prindi që e kam përfunduar procesin e ‘’nxjerrjes’’ në jetë të fëmijëve, këtë gjë ja ua përmend shpesh herë kolegëve, shokëve dhe miqve që janë akoma brenda këtij procesi. 4 Si të gjithë ushtarakët e brezit të tij edhe komandant Idaiu është i apasionuar pas leximit. Parapëlqej literaturën klasike dhe atë historike përgjigjet ai. Por më tërheq edhe historia e doktrinave ushtarake. Edhe vetë lënda që kam dhënë si pedagog siç ka qenë ‘’Drejtimi Operacional’’ ka ndikuar që të merrem gjerësisht me të. Midis tyre mund të veçoj tre tema që më intrigojnë gjithmonë. Të tilla kanë qenë: Operacioni ‘’Berkessel’’, apo në shqip ‘’Kazani Malor’’, të cilin gjermanët e ndërmorën në dhjetor të vitit 1943 kundër partizanëve në luginën e Shushicës në kuadrin e Operacionit të Dimrit, si dhe zbarkimi i aleatëve në Normandi, apo Operacioni ‘’Stuhia e Shkretëtirës’’ që ndërmorën amerikanët në vitin 1990 në Luftën e Gjirit. Krahas leximit, vijon koloneli, të cilin shpesh herë e shoqëroj edhe më shënime përkatëse, jam marrë paralelisht edhe me punë studimore. Deri më tani kam shkruar libra, manuale e artikuj te ndryshëm në shtypin ushtarak si revista “Mbrojtja”, gazeta “Ushtria” etj. Do të veçoja manualin “Testet e standardet e Stërvitjes Individuale”, studimin “Stërvitja Individuale një përgatitje mendore, fizike e ushtarake” Ndërkohë që në viti 2011, përpara se të dilja në lirim, përfundova studimin e titulluar’’ Lidershipi në Forcat e Armatosura’’, me të cilin mbrojta edhe një master shkencor në fushën e studimeve ushtarake. Megjithëse dua të shtoj se ushtria jonë gjithmonë ka qenë nën ndikimin e doktrinave dhe arritjeve ushtarake të disa ushtrive më të mira të kohës. Mund t’u kujtoj përvojën e dikurshme të saj, atë sovjetike. Ndërsa sot në këto vite të transformimit ajo është ushtri e një vendi anëtar të NATO-s. Operimi i përbashkët me ushtri të vendeve të tjera të Nato-s, stërvitjet e përbashkëta, trajnimet e mjaft ushtarakëve shqiptar në vendet perëndimore, padyshim që janë një siguri e integrimit të plotë të Ushtrisë Shqipëtare me ato të NATO-s. Mund ta them me bindje se në Bonavi, Qendra Individuale e Stërvitjes është ngritur me konsulencë amerikane, që përbën një arritje të suksesshme. Si ish komandant i saj ndihem krenar që, arritëm të implementonim eksperiencat më të mira të marinsave, si në, stërvitje, disiplinë, standarde, vlera dhe performancë. Por sfida më e madhe që qëndron përpara ushtrisë sonë është përgatitja e Lidershipit të ardhshëm. Vetëm nëpërmjet tij do të arrijmë që të ruajmë standardet dhe të ngremë gradualisht nivelin e të gjitha strukturat përkatëse të çdo arme në ushtrinë shqiptare, për tu integruar plotësisht dhe për tu përfaqësuar denjësisht në radhët e NATO-s. 5 Ndërkohë që e ndiejmë që edhe bisedës sonë po i vjen fundi. Ndërkohë që kolonelit i rezervojmë edhe një pyetje të fundit. -Me gjithë këto detyra të larta dhe për më tepër në Tiranë, patët ndonjë arsye që nuk u shkëputët nga Fieri? E pyet dikush nga ne. -Jo vetëm në Tiranë, por edhe në Vlorë kur shërbeja në bazën ushtarake në Bonavi, përgjigjet komandanti. Natyrisht që rastet dhe mundësitë kanë qenë të shumta, por nga Fieri nuk kam pasur dëshirë të largohem. Këtu u bëra ushtarak, krijova familjen, rrita dhe edukova fëmijët. Këtu kam shtëpinë, investimin, njohjet, rrethin shoqëror. Por në Fier jam afër edhe vendlindjes, Vranishtit, në të cilin kam shtëpinë atërore dhe kujtimet e fëmijërisë. Atje shkoj gjatë fundjavave, ku shlodhem dhe gjej prehje. Por Fieri zë një vend të rëndësishëm në jetën time. Ndoshta jo pa qëllim edhe Ervisi, im bir luan akoma basketboll dhe trajnon të rinjtë që mbrojnë ngjyrat e Apolonisë.
Posted on: Mon, 05 Aug 2013 21:25:53 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015